Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kur në Kosovë ndërroi epoka
E hene, 01.04.2013, 03:37 PM
KUR NË
KOSOVË NDËRROI EPOKA
Nga Frank Shkreli
Katërmbëdhjetë
vjetë më parë, me 24 Mars të vitit 1999, Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Bill
Klinton në një fjalim drejtuar kombit dhe botës, njoftoi se forcat e armatosura
të Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve të tyre në NATO kishin filluar sulmet
ajrore kundër forcave serbe, përgjegjëse për krimet njerëzore dhe për
brutalitetin e një fushate ushtrake të ushtruar kundër popullsisë civile
shqiptare, e cila përbënte më shumë se 90- për qind të popullësisë së Kosovës.
“Ne e
ndërmorën këtë vendim”, tha presidenti Klinton, “për të mbrojtur mijëra njerëz
të pafajshmëm në Kosovë nga një ofensivë ushtarake serbe në rritje e sipër…..Ne
po veprojmë tani, në mbrojtje të vlerave dhe të interesave tona dhe në
mbështetje të kauzës së paqës”, shtoi ish-Presidenti Klinton, duke i njoftuar
botës fillimin e sulmeve ajërore kundër Serbisë për gjenocidin e ushtruar ndaj
popullësisë shqiptare në Kosovë.
Operacioni
ajror ushtarak i NATO-s– me pjesëmarrjen e 400- aeroplanëve luftarakë dhe disa
anijeve ushtarake -- kundër Serbisë, ishte i pari i këtij lloji që aleanca
atlantike kishte ndërmarrë ndonjëherë –kësaj rradhe në përgjigje të keqësimit
të tragjedisë humanitare në Kosovë, e shkaktuar nga sulmet e forcave ushtarake
dhe policore serbe kundër popullësisë shqiptare të pa mbrojtur. Zyzrtarë të lartë perëndimorë e kanë cilësua
situatën e atëhershme në Kosovë si sfidën më të madhe ndaj paqës dhe sigurisë
në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.
Një ditë
më vonë në Bruksel, më 25 Mars, Komandanti i Forcave Aleate të NATO-s,
Gjenerali amerikan Uesli Klark e përcaktoi misjonin dhe objektivat e sulmit të
njoftuar një natë më parë nga Presdienti Klinton, duke thënë se qëllimi, “I
operacionit ushtarak të NATO-s është për
të sulmuar forcat ushtarake dhe ato të
policisë jugosllave si dhe objekteve të tyre, me një forcë të mjaftueshme për
të degraduar kapacitetin e tyre….Qëllimi ynë është të rrezikojmë forcat
ushtarake dhe policore serbe t’i shpartallojmë ato dhe më në fund t’i
asgjësojmë, për derisa presidenti Millosheviç nuk zbaton kërkesat e komunitetit
ndërkombëtar. Nga këjo pikëpmaje,
operacioni ushtrarak i NATO-s do të jetë aqë i gjatë dhe aq i vështirë për
Serbinë, për derisa ta ketë për qejf vetë Millosheviçi”, ka thënë 14 vjetë më
parë ish-komandanti i NATO-s, Uesli Klark.
Më 3
Qershor, 1999, Millosheviçi u detyrua të pranonte kushtet e një plani
ndërkombëtar për paqë duke u dhënë fund luftimeve, dhe aleanca e NATO-s
ratifikoi marrveshjen me 10 Qershor të njëjtit vit duke pezulluar, si rrejdhim,
operacionet sulmuese ajërore kundër Serbisë.
“The rest is history”, siç thotë fraza anglisht, ose pjesa tjetër është
histori.
Më 17
Shkurt, 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj.
Shtetet e Bashkuara dhe një numër i madh vendesh perëndimore njohën
menjëherë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Duke shpallur pavarësinë e saj, Kosova u
angazhua për zbatimin e parimeve demokratike, përfshirë lirinë, demokracinë,
tolerancën dhe drejtësinë për të gjithë.
Në atë kohë, ish-presidenti amerikan Xhorxh Bush, tha se “Këto janë
parime që nderojnë dinjitetin njerëzor, janë vlera që Amerika pret nga një mik
i saj”.
Gjatë
këtyre 14 vjetëve të kaluar, zyrtarët më të lartë amerikanë, duke filluar nga
presidentët dhe sekretarët amerikanë të shtetit, kanë deklaruar vazhdimisht se
Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të jenë afër Kosovës dhe popullit të saj,
ndërkohë që ajo ndërton institucionet e saj qeveritare dhe shtetërore dhe
ndërsa përpiqet të zhvillojë ekonominë e saj nga e cila të përfitojnë të gjithë
qytetarët e saj, dhe ndërkohë që ajo ndërton një shoqëri dhe qeveri të vendosur
për zbatimin e ligjeve, pa të cilin një shoqëri si ajo e Kosovës, nuk mund të
përparojë.
Është
kritike që në këtë përvjetor, Kosova dhe autoritetet e saj qeveritare dhe
shtetërore të reflektojnë ashtuqë të shënohen përparime të dukshme drejtë
forcimit të shtetit ligjor, duke i shpallur luftë krimit dhe korrupsionit në
vend, me qëllim që të bindet pikëspari populli i Kosovës, por edhe miqët e saj
të rëndësishëm se Prishtina zyrtare është serioze -- që me ndihmën e miqëve të
Kosovës -- është e vendosur të thellojë demokracinë në vend dhe se është e
bindur të shkojë përpara, drejtë integrimit të vendit në organizmat
euro-atlantike, në Bashkimin Evropian
dhe NATON.
Me të
drejtë është thënë se pavarësia e Kosovës -- pas ndërhyrjes së NATO-s 14 vjetë
më parë si dhe e luftërave dhe sakrificave të shqiptarëve gjatë dekadave e
shekujve, përfshirë edhe luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimatre të Kosovës
-- ishte ngjarja më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Pavarësia e Kosovës ishte, pa dyshim, një
triumf i përmasave historike për kombin shqiptar. Por, Kosova, si çdo vend tjetër pëballet me sfida e probleme të mbrendshme
dhe të jashtme. Në arenën
ndërkombëtare, aleatët e Serbisë, Rusia
dhe Kina do të vazhdojnë të kundërshtojnë njohjen e shtetit të Kosovës dhe
antarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, siç është OKB-ja, ku ato
ushtrojnë veton në Këshillin e Sigurimit.
Por, mbrenda vendit, shteti dhe qeveria e Kosovës, por edhe e gjithë
shoqëria e kanë, kryesisht, në dorë të vet fatin e tyre. Sfidat janë të mëdha por edhe mundësitë janë
po ashtu të mëdha. Historia e
shqiptarëve është e mbushur me sfida, por në kohë të vështira, shqiptarët
gjithmonë janë nda me nder.
Ndërhyrja
ushtarake e aleancës perëndimore të NATO-s 14 vjetë më parë në mbrojtje të
popullësisë shqiptare në Kosovë, ndërroi epokën për Shqiptarët. Tashti është në dorë të Shqiptarëve që të
sigurojnë bashkpunimin dhe të fitojnë paqën me njëri tjetrin, me qëllim që të
bëjnë historinë e kombit.