Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Komploti turk në dëm të shqiptarëve
E premte, 29.03.2013, 04:31 PM
KOMPLOTI
TURK NË DËM TË HISTORISË SË KOMBIT SHQIPTAR
Nga Frank Shkreli
Ka disa
vite tani që qeveria dhe shteti turk kanë venë në lëvizje përpjekje dhe
presione të vazhdueshme të nxitura dhe të koordinuara mirë nga nivelet më të
larta zyrtare të Ankarasë, përfshirë presidentin, kryeminsitrin dhe ministrin e
jashtëm të Turqisë, për të detyruar bërjen e ndryshimeve në të shkruarit e
historisë së Kosovës. Një ndërmarrje
këjo e çuditshme, shqetsuese dhe besoj e pa precendencë kur të merret parasyshë
ndërhyrja e aktorëve të niveleve më të larta politikë turke për t’i bërë
presion shtetit më të ri në Evropë, që të bëjë ndryshime në tekstet shkollore,
përsa i përket periudhës otomane. Ky
nuk është thjeshtë një dialog i lirë midis historianësh e akademikësh. Jo, këjo nismë ka bekimin dhe mbështetjen e
plotë të fuqisë politike, diplomatike, besoj ekonomike dhe te mos themi edhe
ushtarake të Turqisë, pasardhses së Perandorisë osmane. Në të gjitha takimet me zyrtarët shqiptarë,
udhëheqsit turq e kanë ngritur publikisht nevojën, sipas tyre, të ndryshimit të
teksteve shkollore për fëmijt shqiptarë, për atë periudhë. Këjo siç duket është pjesë e një strategjie
afatgjatë e Turqisë në Ballkan, por presionet janë më të mëdha, veçanërisht
ndaj trojeve shqiptare, pikërisht ndaj Kosovës. Mediat në Kosovë shkruajnë se edhe
diplomatët turq në Prishtinë e kanë bërë këtë çështje si përparsinë numër një
të aktivitetit të tyre diplomatik, sikur Kosova nuk ka mjaft probleme të
tjera. Mediat në Kosovë, njoftojnë se
megjithse Ministria e Arsimit në Prishtinë mohon të ketë ndonjë presion për
ndryshimin e teksteve shkollore, ambasadorja e Ankarasë në Kosovë, Songul Ozan
vazhdon presionet e saj. Jo vetëm për
ndryshimin e teksteve sipas dëshirës dhe urdhërave të pushtetarve turq, por
ajo, sipas medias, po u bën presion edhe zyrtarëve dhe personave të cilët janë
deklaruar kundër kësaj ndërhyrjeje nga Turqia, përfshirë edhe anëtarëve të
Institutit të Historisë, duke venë në dukje si shembull të këtij presioni,
takimin që ajo pati kohët e fundit me Ministrin e Ambijentit të Kosovës, Z.
Dardan Gashi i cili ishte shprehur në një shkrim kundër ndryshimit të teksteve
shkollore në Kosovë.
Zëvendës
ministri i Arsmit, Zoti Nehat Mustafa u prononcua për median muajin e kaluar se
prania e ekspertëve turq në Prishtinë nuk duhet të keq interpretohet, duke
shtuar se, “Nuk do të thotë se ata do të vendosin si të jenë tekstet tona, por
këtë po e bëjmë thjesht për të treguar gatishmërinë tonë për të bashkpunuar jo
veteëm me Turqinë por edhe me shtete të tjera.”
Unë nuk
jam në dijeni të ndonjë kërkese ose oreksi nga ndonjë shtet tjetër për të
ndryshuar historinë e Kosovës, siç aludon zëvendës ministri Mustafa, por jam i
sigurt se Serbia është gati të dërgojë në kohën e volitshme, “ekspertët” e saj
për të “rishikuar” historinë e herëshme dhe moderne të Kosovës, me qëllim për
të zhdukur çdo “shtrëmbërim” dhe “keq interpretim” të pushtimit serb në Kosovë,
nga tekstet shkollore të shkruara nga historianët shqiptarë.
Diçkaje i
vjen era në këtë mes dhe autoritetet qeveritare dhe akademike të Kosovës duhet
të jenë më transparente në lidhje me këtë çështje. Por ndërsa, nga ana e tyre, udhëheqsit më të
lartë turq, janë treguar të vendosur dhe janë duke bërë çdo gjë që u vjen për
dore në arritjen e objektivit të tyre, Prishtina dhe Tirana zyrtare
heshtin. Megjithë mos reagimet zyrtare
ndaj këtij uzurpimi të të shkruarit të historisë së kombit shqiptar,
fatbardhsisht ka elementë të shëndoshë të shoqërisë dhe të kombit shqiptar, që
me të drejtë janë të shqetësuar në lidhje me këtë fenomen pothuaj të
pashëmbëllt në marrëdhënjet midis shteteve, kur pesha diplomatike e një shteti
të madh si Turqia i bën presion një shteti të vogël të posa lindur si Kosova,
që të ndryshojë historinë e vet, për t’iu përshtatur orekseve dhe synimeve
gjeostrategjike të diplomacisë turke.
Ndërsa
heshtja zyrtare nga autoritet shqiptare mungon,
reagimet ndaj presioneve turke po marrin tani përmasa ndërkombëtare, gjë
që është shumë e dobishme. Deputeti
gjerman në Parlamentin Evropian , Zoti Bernd Posselt i tha agjencisë së lajmeve
,DTT-net.com se presioni i qeverisë turke ndaj qeverisë dhe historianëve të
Kosovës , “Është i papranueshëm, ndërsa një ish-fuqi pushtuese përpiqet të bëjë
presion ndaj një kombi të lirë evropian, i cili ka qenë një ndër viktimat,
shekuj me radhë, e interpretimeve të historisë së vjetër. Populli i Kosovës duhet të jetë i pavarur të
vendosë vet për tekstet shkolloe të historisë së vet dhe mënyrën e të mësuarit
të historisë të rinjve të saj,” tha ai për DTT-net.com.
Zoti
Posselt tha më tej se tekstet shkollore duhet të jenë të bazuar në të vërtetën
dhe ai e përkrah Kosovën në këtë drejtim, ndërkohë që i bëri thirrje qeverisë
turke që tua mësojë të vërtetën e historisë së saj të rinjve të shtetit të vet
-- jo të përpiqet t’ua ndryshoj historinë popujve të tjerë, shtoi deputeti
Bernd Posselt, i partisë CDU të kryeministres gjermane, Zonjës Angela Merkel.
Ditët e
fundit më ra në dorë një letër e hapur e nënshkruar nga një numër
personalitetesh të historisë dhe kulturës shqiptare, drejtuar udhëheqësve të
shtetit dhe të qeverisë së Kosovës dhe për dijeni, iniciatorët e letrës së
hapur, ia kanë dërguar edhe udhëheqsëve më të lartë të Tiranës zyrtare. Në letrën e tyre, nënshkruesit thonë se,
“Historia e Shqipërisë nuk është një histori renegatësh dhe as histori
shërbëtorësh, por histori qëndrese me në krye Gjergj Kastriotin. Është histori kryengritjesh e luftërash për
liri, histori përpjekjesh për ruajtjen e gjuhës, të kuturës e të identitetit.
Është histori e përpjekjeve titanike për Rilindje Kombëtare, për shkrimin
shqip, histori e përpjekjeve dhe sakrificave të panumërta për liri, pavarësi
dhe sovranitet kombëtar. Është histori
e përpjekjes së pandalur të shqiptarëve për të jetuar të lirë me shtetin,
kulturën dhe identitetin e tyre si të gjithë popujt e tjerë të qytetëruar të
Evropës.” Duke iu referuar presioneve
turke për ndryshimin e teksteve shkollore në Kosovë, nënshkruesit thonë se,
“pikësynimi i historisë gjithmonë duhet të jetë e vërteta dhe vendosja e së
vërtetës historike në kontekstin e duhur e në përkim me parimet metodologjike
që ka shkenca e historisë”, dhe jo thonë ata, “si rezultat i trysnisë së
shtetit turk mbi qeverinë e Kosovës dhe mbi disa historianë të manipuluar e të
painformuar me punime të mirëfillta shkencore.” Nënshkruesit e peticionit, emëra të njohur
dhe të dalluar të kulturës shqiptare, në letrën e tyre u bëjnë thirrje
autoriteteve të Kosovës duke thënë se, “Në emër të së vërtetës, i kërkojmë
qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës, institucioneve përgjegjëse kulturore
dhe akademike si edhe historianëve që të mos tradhëtojnë ndërgjegjen e tyre
profesionale dhe kombëtare, të rishikojnë këtë vendim arbitrar dhe terësisht
antikombëtar, të anullojnë punën e komisionit të përbashkët ndërshtetëror për
rishikimin e historisë së Shqipërisë dhe të lejojnë historianët të bëjnë punën
e tyre të pavarur shkencore, sipas parimeve dhe metodologjisë së shkencës
historike, dhe jo sipas interesave, urdhërave dhe vullneteve politike të
qeverisë së sotëme të Turqisë.”
Këjo
është një vjedhje që po i bëhet historisë kombëtare të shqiptarëve, por hajni
nuk po hynë në shtëpi natën, por ditën për diell. Është një rast dhe përpjekje e
jashtzakonshme që të justifikohet dhunuesi dhe jo të mbrohet viktima. Është një orvatje plot presion zyrtar për të
harruar të kaluarën, por për më të tepër është një lëvizje që përpiqet të
shtrëmbërojë dhe më në fund të mohojë atë histori fatkeqe, që duke mos e
kundërshtuar, jo vetëm me letra të hapura, por edhe nga autoritetet më të larta
shqiptare, do të çojë – heret ose vonë dhe me mënyra të tjera presionesh e
shantazhesh -- në përsëritjen e saj të hidhët.
S’ka
dyshim se çdo historian i mirëfilltë thotë se historia gjithmonë ka nevojë për
rishikim, rivlersim dhe për ndryshim, por këjo në asnjë mënyrë nuk duhet të
bëhet nen presionin e të huajve. Shqiptarët
kanë nevojë që historia e tyre të shkruhet nga vet shqiptarët dhe jo nga
Stambolla e Beogradi, sidomos kur të merren parasyshë okupimet e këtyre
pushtuesve të trojeve shqiptare gjatë shekujve. Kosova dhe Shqipëria, si edhe shqiptarët
kudo, kanë nevojë për miq të ri e të vjetër dhe gjithmonë kanë respektuar
popujt e tjerë, kuturën dhe historinë e tyre, përfshirë edhe popullin turk.
Por
ndërhyrja e Turqisë, nepërmjet udhëheqsve më të lartë të saj politikë e
diplomatikë me qëllim të ndryshimit, korigjimit ose çfarë do qoftë tjetër të
historisë së kombit shqiptar, duhet të jetë, siç tha edhe parlamentari gjerman
më lart, absolutisht e papranueshme për çdo shqiptar dhe nuk i ndihmon
zhvillimit të mirëfilltë të një atmosfere miqësore midis dy popujve. Këtë duhet ta thonë ata që sot janë ruajtës
dhe mbrojtës të interesave kombëtare të Shqiptarëve. Sepse për Shqiptarët nuk ka gjë më të
rrezikshme dhe kërcnuese ndaj interesit kombëtar se sa synimet e të huajve, të
cilët në emër të “rishikimit të historisë”, në të vërtetë kanë si objektiv të
fshehtë rihabilitimin e një pushtimi pesë shekullor të trojeve shqiptare. Interes më të madh kombëtar nuk ka se dalja
zot dhe mbrojta e historisë dhe identitetit kombëtar.