Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Fjalimi mbi perandorinë e së keqes
E marte, 02.04.2013, 09:10 AM
30-VJETORI
I FJALIMIT MBI PERANDORINË E SË KEQËS DHE FUQIA E SË VËRTETËS
Nga Frank Shkreli
Ishte 8
Marsi i vitit 1983 dhe Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara Roanld
Reagan ishte ftuar të mbante një fjalim para Shoqatës Kombëtare Protestane në
qytetin
Ishte
caktuar që fjalimi kryesisht të theksonte çështje të mbrendshme, por Presidenti
Reagan i shtoi fjalimit të parapërgatitur disa paragrafe që kishin të bënin me
komunizmin, që sipas tij ishte, ''vatra e së keqës në botë'', dhe si i tillë ai
fjalim që konsiderohet edhe si një ndër fjalimet më me rëndësi të tre dekadave
të kaluara, u pagëzua si, ''Fjalimi mbi Perandorinë e së Keqës'', e që i referohej perandorisë komuniste
sovjetike. Paragrafet mbi komunizmin, e
këthyen fjalimin e Presidentit Reagan në një frymëzim për disidentët anë e
mbanë Evropës Lindore dhe ish-Bashkimit Sovjetik dhe në të njëjtën kohë tmeroi
opozitën dhe median këtu në Amerikë dhe në Evropën Përendimore dhe tronditi për
së tepërmi Kremlinin. Komunistët e
cilësuan fjalimin e Zotit Reagan si një përpjekje për të minuar socializmin.
Për këtë ata kishin të drejtë, sepse ky ishte ekzaktërisht qëllimi i
tij, minimi i komunizmit ateist dhe t’i jepte fund luftës së ftohët, në mënyrë
paqësore.
Pasi foli
për çështjet dhe politikat e mbrendshme, nga fundi i fjalimit ai u përqëndrua,
siç duket i shtyrë nga motive shpirtërore e morale, edhe mbi ato që ai i cilësoi si mëkatët dhe të këqiat e kësaj
bote duke iu drejtuar edhe bashkombasve të vet duke thënë se edhe, ''Kombi ynë
ka një trashëgimi veprash të këqia me të cilat duhet të përballohemi. Krenaria e këtij vendi është aftësia e tij
për t'u përballur me të këqiat morale të historisë sonë. Siç ishin përpjekjet dhe lufta e gjata e
qytetarëve të minoriteteve për të gëzuar të drejta të barabarta, që dikur ishin
burim i mos-unitetit dhe të luftës
civile, tani këto janë shkak krenarie
për të gjithë amerikanët. Kurrë më nuk
guxon të përsëritet këjo histori. Në
Amerikë nuk ka vend për racizëm, anti-semitizëm dhe për asnjë formë tjetër
urrejtjeje etnike ose raciale'', tha ish-presidenti Reagan, 30-vjetë më parë.
Pasi
theksoi se as historia e Amerikës nuk ishte pa të meta morale dhe padrejtësi,
sidmos ndaj grupeve të ndryshme etnike, ish-presidenti Reagan iu këthye subjektit mbi komunizmin sovjetik, për të
cilin as që nuk ishte në plan të fliste gjatë atij takimi, por që më në fund iu
shtuan paragrafët në minutën e fundit -- një fjalim ky që gjithnjë konsiderohet
si njëri prej fjalimeve më të rëndësishëm të tre dekadave të kaluara. Presidenti Reagan filloi duke thënë se ,
“Gjatë konferencës së parë me shtypin si president , unë vura në dukje se
udhëheqësit sovjetikë, si marksist-leninistë të mirë që e konsiderojnë veten,
ata kanë deklaruar publikisht se e vetmja moralshmëri që ata njohin është ajo
që çon përpara kauzën e tyre, e që është revolucioni botëror. Mendoj se duhet të nënvijoj se unë vetëm
citoj Leninin, frymëzuesin dhe drejtuesin ideologjik të tyre, i cili ka thënë
se komunistët hedhin poshtë të gjithë morlashmërinë që rrjedhë nga idetë
mbinatyrore ….Moralshmëria, sipas tyre, i nënshtrohet krejtësisht interesave të
luftës së klasave.” “Çdo gjë”, sipas
komunistëve”, tha Presidenti Reagan, “është e moralshme dhe si e tillë e justifikueshme,
për të zhdukur të gjithë të kaluarën, duke shfrytëzuar rendin shoqëror me
qëllim për të bashkuar proletariatin botëror.”
Presidenti
Reagan tha në fjalimin e tij në mars të vitit 1982, se udhëheqsit komunistë,
“duhet ta kuptojnë se ne nuk do të komprometojmë kurrë parimet dhe standardet
tona. “Ne”, shtoi ai, “nuk do të heqim
kurrë dorë nga liria dhe as nga besimi në Perendinë, dhe nuk do pushojmë kurrë
së kërkuari një paqë të vërtetë”, për të gjithë. Zoti Reagan tha se ndërsa komunistët, “predikojnë
epërsinë e shtetit dhe deklarojnë kontrollin e plotë mbi individin dhe ndërkohë
që ata parashikojnë edhe dominimin komunist mbi të gjithë popujt në këtë
planet”, të mos harrojmë, shtoi ish-presidenti amerikan, se komunistët janë
vatra e së keqës në botën moderne. “ Në
vazhdim, Zoti Reagan u bëri thirrje të pranishmëve por edhe botës më gjërë, “që
të mos injorojnë faktet e historisë dhe as impulset agresive të Perandorisë së
të Keqes”, duke iu referuar ish-Bashkimit Sovjetik.
Presidenti
Reagan e përfundoi fjalimin e tij historik duke thënë se, ndërsa besonte se
fuqia ushtarake amerikane është e rëndësishme, ai tha se gjithmonë kishte
besuar se, lufta ideologjike që po zhvillohej në atë kohë në botë, nuk do të
zgjidhej me bomba as me raketa, as me ushtri dhe as me forcë ushtarake, duke
thënë se “kriza me të cilën përballemi sot-- në thelb-- është një krizë
shpirtërore dhe një sprovë e vullnetit shpirtëror dhe besimit”. Duke theksuar qendrimin e tij se Amerika do
të mund të përballonte sfidat që kishte
përpara, ish-presidenti Reagan shprehu gjtihashtu besimin e tij se “komunizmi
ishte një kapitull i trishtueshëm në historinë e njerëzimit, faqet e fundit e
të cilit po shkruhen tani”, tha ai.
Zoti Reagan përfundoi fjalimin e tij historik duke thënë se, “Unë e
besoj se burimi i fuqisë tonë në përpjekjet tona për sigurimin e lirisë
njerëzore, nuk është e një natyre materiale por e një terësie shpirtërore…..dhe
pasi këjo fuqi nuk njeh kufizime, ajo patjetër tmerron dhe më në fund do të
triumfojë mbi ata që përpiqen të skllavërojnë bashkombasit e vet”.
Reagan ka
thënë më vonë se e mbajti atë fjalim për të venë në dukje të vërtetën e
pamohueshme se komunistët kudo jo vetëm se kishin shkelur të drejtat dhe liritë
bazë të njeriut, por njëkohësisht, për të qendruar në fuqi kundër vullnetit të
popullit, komunistët kanë vrarë me miliona nga kundërshtarët e tyre anë e mbanë
botës komuniste.
Tani,
rëndësia e këtij fjalimi nuk ishte se Presidenti Reagan dinte diçka që
presidentët e mëparshëm amerikanë ose udhëheqës të tjerë demokratikë të
perëndimit, nuk dinin mbi të vërtetën e ideologjisë komuniste dhe mbi efektet
shtypëse të saj ndaj individit dhe shoqërisë, kundër qytetërimit dhe kulturave
kombëtare. Por rëndësia e këtij fjalimi
është në faktin se Presidenti Reagan ishte i pari president që u shpreh në këtë
mënyrë dhe bëri thirrje haptasi për një fushatë për demokraci. Ishte ky një fjalim guximtar që duhej të
mbahej dhe një e vërtetë që duhej të thuhej publikisht nga një udhëheqës me
bindje morale siç ishte Ronald Reagan.
Më në fund, “kombet e robëruara” nga komunizmi, në Presidentin Reagan,
ato zbuluan zërin e atyre që nuk lejoheshin të dëgjoheshin matanë “perdes së
hekurt”. Fjalimi në Orlando të shtetit
Florida,30-vjetë më parë, ishte ndër shënjat e para se Shtetet e Bashkuara, më
në fund, kishin një udhëheqës i cili – si asnjë president tjetër më parë -- do
të kishte kurajon morale dhe guximin ta quante ish-Bashkimin Sovjetik me emërin
që meritonte, “Perandoria e së keqes”.
Fuqia e fjalës së vërtetë, e prononcuar nga Presidenti Ronald Reagan
30-vjetë më parë, shkatërroi një perandori, i dha fund Luftës së ftohët në
mënyrë paqësore dhe si rrjedhim, përgjithmonë ndryshoi botën, ndërkohë që
qindra miliona njerëz që dikur jetonin nën tiraninë e Perandorisë së të Keqes,
tani jetojnë në liri.