Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Ernest Koliqi - 110 vjetori i lindjes
E marte, 14.05.2013, 09:04 PM
ERNEST
KOLIQI –110 VJETORI I LINDJES
Nga Frank Shkreli
110 vjetë
më parë, më 20 Maj, 1903 lindi në Shkodër
Ernest Koliqi. Unë kam pasë fatin
e mirë ta njoh Profesor Koliqin gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, para
se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E kujtoj si një njeri të thjeshtë dhe tepër
të afrueshëm me gjithkënd. Por mbi të
gjitha, ai ishte një gjigant i letërsisë dhe i kulturës shqiptare me merita të
konsiderueshme.
Përveç
meritave të mëdha në nivelin kulturor dhe gjuhësor, një kontribut i rëndësishëm kombëtar i mohuar i Ernest Koliqi, ose për të cilin flitet
shumë pak ose aspak, është hapja e shkollave të para në gjuhën shqipe në
Kosovë, nën drejtimin e tij si ministër, kur Kosova u bashkua me Shqipërinë
gjatë luftës -- ndëkohë që shkollat shqipe ishin të ndaluara nga okupatorët
serbë. Ai ndihmoi gjithashtu edhe në
sigurimin e bursave për studentë shqiptarë nga Kosova për trajnimin e tyre në
Itali dhe Austri. Meritat e Ernest
Koliqit, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore janë të mëdha, por fatkeqsisht gjatë
periudhës së regjimit komunist të diktatorit Enver Hoxha, ndonëse edhe sot,
Ernest Koliqi vazhdon të gjykohet për aktivitetin e tij të shkurtë politik dhe
jo të vlersohet për kontributet e tija monumentale ndaj letërsisë, kulturës dhe
gjuhës shqipe në përgjithësi.
E vërteta
është se, unë nuk e ndjejë veten as të aftë dhe as të denjë të shkruaj për këtë
personalitet të madh të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Por nuk mund durohem pa e kujtuar atë me
rastin e këtij 110 vjetori të lindjes së tij, pasi kisha fatin ta njihja në
rininë time, dhe dashtë e pa dashtë
njerëz të tillë të lënë përshtypje që zgjasin tërë jetën. Megjithse kur e kam njohur në fillim të
70-ave, ai ishte në moshë të shkuar -- Ernest Koliqin e mbajë mend dhe e kujtoj
si njeri të palodhëshëm dhe të papërkulshëm ndaj sfidave dhe vështirsive,
dhe gjithmonë të qeshur.
Ishte
themelues dhe pronar i revistës së famshme ''Shëjzat'', një ndërmarrje këjo që
ai e vazhdoi së botuari deri në momentin e fundit të jetës. Revista ''Shëjzat'', në të vërtetë, ishte jo vetëm një pasqyrim i talentit të tij,
dhe i dashurisë për letrat shqipe dhe i
atdhedashurisë, por njëkohsisht ishte
edhe simbol i aftësisë së tij për të mbledhur rreth vetes bashkpuntorë e shkrimtarë,
të cilët si edhe vet Koliqi, ia donin të
mirën kombit shqiptar. Ernest Koliqi, duke besuar në fjalën e urtë,
''trimi i mirë me shokë shumë'', rreth ''Shëjzave'', mblodhi një numër të madh
shkrimtarësh dhe eksponentash të kulturës dhe gjuhës shqipe në mërgim, të cilët
për kontributet e tyre nuk kërkonin asnjë shpërblim, por që për objektiv
kishin, vetëm e vetëm, përkushtimin e tyre ndaj çështjes kombëtare. Ata ishin, ajka, undyra e shkrimtarëve dhe
intelektualëve shqiptarë në mërgim, të cilët i shkuan pas këtij burri të madh
të letrave shqipe.
Karl
Gurakuqi, njëri prej bashkpuntorëve dhe njohësve më të mirë dhe bashkohas i
Ernest Koliqit, duke iu referuar
bashkpunimit të gjërë të intelektualëve të kohës me revistën Shëjzat e Koliqit,
ka shkruar se, ''Nuk ka ngja ndonji herë në shtypin tonë, qoftë mbrenda në
Shqipni, qoftë jashtë Atdheut, që një revistë të ketë pasë nji numër kaq të
madh bashkpuntorësh." Karl
Gurakuqi vazhdoi me vlerësimin e tij se, "Këjo don të thotë se për Koliqin
ushqehet nji nderim i posaçëm; emëni i Tij me veprat e çmueshme e të shumta ka
ba që secili e ka pasë për nder me e vu nën flamur të Tij dhe bashkë me te, me
u përpjekë të mbajnë gjallë flakën e dashunisë së kombit e të gjuhës
shqipe."
Këtë
flakë dashurie për gjuhën dhe kombin shqiptar, Ernest Koliqi e ka shprehur në
të gjithë veprat e tija, por sidomos në
kryeartikujt e rëvistës Shëjzat, shumë
prej të cilave kam patur fatin t’i lexoj -- mendime të cilat, megjithëse
të shkruara më shumë se një gjysëm shekulli më parë, mbeten edhe sot
aktuale. Në ato komente, lexuesi dallon
qartë ndiesitë e tija atdhetare. Në shkrimet e tija, sipas vet autorit, askush
“Nuk gjenë në to asnji rresht që mos të naltësojë fisnikinë e kombit,
ose që të cenojë nderin dhe idealet e gjindes arbnore.”
Në një
koment në Shëjzat e vitit 1971 të
titulluar, “Njerëzija”, duke folur për demokracinë, Profesor Ernest Koliqi shkruan se me mburrje
shqiptohet fjala demokraci, nga ata që ndoshta as nuk dinë preardhjen e
saj etimologjike, ose nga ata politikanë që, sipas At Gjergj Fishtës, “venë
kapelë në krye e lidhin kravatë në fyt.”
Demokracia e vërtetë sipas,
Ernest Koliqit, nuk është “Pështjellim ideshë dhe panjerzi sjelljesh”,
por ajo ,“Lypë harmonizim vullnetesh e
qellimesh nepërmjet bisedimesh të lira e të kthiellta. Rrahen çashtjet mirë e mirë, mandej fiton davanë
shumica. Ndër ne Shqiptarët,
përkundrazi, t’ashtuquejtunit demokratë duen të shtërngojnë (detyrojnë) të madh
e të vogël me iu nënshtrue -- arsye e pa arsye -- mendimeve e qellimeve të
tyne, madje edhe kur ndodhen në pakicë…….Secili grup ngujohet në kullë të ideve të veta. S’ka vend për shoshitje të kthiellta
mendimesh. Kush nuk ndodhet i përfshim në një gji të grupit, ashtë anmik, njeri i urrejtshëm që duhet asgjësue, po qe e
mundun, ose me e shnderue me akuza e shpifje shnjerzuese.”
Në një
editorial tjetër, me titull, “Politika dhe Kultura”, të vitit
1965, duke shkruar për atdhedashurinë
thotë: “Animirë, si mundet t’i thotë
vetes “atdhetar”, ai bir Shqipje, që për arsye shkalle shoqnore, ja rrjedhimi
shtëpijak, ja feje ja krahine, e shikon shtrembët dhe e mëninë bashkëgjaksin (bashkombasin) e vet a
thue se Shqipnija nuk ashtë çerdhe e përbashkët, por llogor ku fati na dënon me
kalue jetën? Pra, vetija e parë e një
atdhetari qindron në dashuni për vëllaznit e
një gjaku e të një gjuhe. Mos e
mënijë atë edhe nëqoftse nuk të pëlqen…..po qe ma i shkolluem ndriçoje, po qe
ma i pasun ndihmoje….Tue përbuzun bashkombasin, cili do të jetë ai, dhe pa
asnji bazë themelore, ti mohon mundësinë e bashkjetesës kombtare, vërteton
fjalët e të huejve që s’na duen, e të
cilët trumbetojnë se Shqiptaët s’janë të zotët t’i krijojnë vetes nji atdhe.”
Duke
komentuar për kulturën politike të kohës por që duket sikurë pasqyron edhe gjendjen aktuale të politikës
shiptare, ai thotë se “veprimtaria politike e cila nuk ndriçohet prej
kulturës nuk ashtë gja tjetër veçse nji
lojë kote, që argëton ndoshta ata që e lozin, por pengon ecjen e kombit mbi
udhën fatale të historisë.”
Në një
koment tjetër në Shëjzat e vitit 1969,
Profesor Ernets Koliqi shkruan se, “Shqiptarët, pleq e të rij qofshin,
ndër lëvizje turbulluese ideologjike, duhet të përpiqen me sjellë ujin në mulli
të atdheut, tue u frymëzue nga mendime e idena shqiptare dhe jo prej atyne të
marra nga të huajtë të cilët duen të ndreqin puntë e veta, e me zi ç’presin të gjëjnë torollakë që ua a
ngjesin falas dorën.’’
Dhe një
kryeartikull drejtuar një të riu letrar, në një numër të Shëjzave të vitit 1970, Ernest Koliqi
këshillon të rinjtë se si të gjitha kombet e tjera, edhe kombi shqiptar duhet t’i përshtatet zhvillimeve shoqërore të njerëzimit dhe tu
bashkohet dialogjeve me përfaqsues qytetërimesh dhe kulturash të ndryshme,
por ai thekson rëndësinë e besnikërisë
që duhet patur ndaj traditave dhe kulturës shqiptare në rend të parë, duke
thënë: “Brigjet e Atdheut tonë të
adhuruem njomen nga valet e kaltëra të Mesdheut, ku lulzuan besimet e
qytetnimit që përfaqsohen në gjinden arbnore.
Ashtë vetvrasje përpjekja me tha langjet ushqyese të qytetnimeve
mesdhetare në rrajët e thella të
kombësisë. Pranverat e reja të
shqiptarizmit, prej atyne langjeve do të
bijnë e do të hapen në mbrekulli gjethesh e lulesh. Vepra
arti dalë nga mendja e zemra e Shqiptarit duhet të depërtohen nga fryma, nga ersimi i
tokës s’onë, e të vrumullisin me fuqinë e humus-it të shqiptarizmit, humus ky i
grumbulluem në shpirt e në gjak të fisit shqiptar gjatë mija vjetësh. “
Fjalët,
veprat dhe shkrimet e Profesor Ernest Koliqit kanë qenë dhe janë visare të
çmueshme dhe gjithnjë aktuale për kombin shqiptar. Duke lexuar shkrimet e tija, të shfaqet para
syve pasqyra e pastër e patriotizmit dhe atdhedashurisë së patundur e
tij, por njëkohsisht edhe e shqetësimeve të tija të zemrës si një atdhetari, poeti e
shkrimtari, që vdiq në mërgim, i përbuzur
dhe larg rrethit të familjes.
Le të shërbejë ky përvjetor, që më në fund, sipas akademikut dhe ekspertit të letërsisë shqiptare, kanadezit, Robert Elsie që , “Kritikët modernë në Shqipëri, të cilët vet kanë mbijetuar Stalinizmin gjysëm shekullor, të jenë më të kuptueshëm, më të arsyeshëm dhe më sensitivë ndaj kompromiseve, që shpeshherë shkrimtarët dhe intelektualët janë detyruar të bëjnë nën urdhërat e regjimeve ekstreme. Si figurë letrare dhe kulturore, Ernest Koliqi ishte dhe mbetet një gjigant”, thotë Profesor Robert Elsie, në një shkrim të tij për Ernest Koliqin.