Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: ''Ju flet Zëri i Amerikës''
E premte, 10.05.2013, 09:51 PM
''JU FLET
ZËRI I
AMERIKËS''
Me rastin e 70-vjetorit të Shërbimit Shqip të VOA-s
Nga Frank Shkreli*
Ishte
viti 1942. Lufta e Dytë Botërore ishte
në kulmin e saj. Shtetet e Bashkuara
ishin i vetmi vend me rëndësi në atë kohë që nuk kishte një radio stacion për
transmetime drejtuar botës së jashtme.
Presionet e luftës dhe nevoja për ti shpjeguar kryesisht Evropës
por edhe botës rolin e Amerikës në atë
luftë, bëjnë që Shtetet e Bashkuara të inaugurojnë organin e parë të
transmetimeve ndërkombëtare, të quajtur Zëri i Amerikës. Këjo radio filloi programin e parë prej
15-minutash në gjermanisht. Emisioni
filloi me angazhimin drejtuar dëgjuesve, se "Sot dhe çdo ditë prej sodit,
ne do të jemi me ju nga Amerika për të folur për luftën.....Lajmet mund të jenë
të mira ose lajmet mund të jenë të këqia por ne -- Ne do tu themi të
vërtetën''.
Një vit
më vonë, më 1943, Zëri i Amerikës, përveç gjuhëve të tjera, fillon transmetimet
e tija edhe në gjuhën shqipe. Këtë vit
u mbushën 70 vjetë nga inaugurimi i transmetimit të parë me valë të shkurtëra
në gjuhën shqipe. Për të festuar këtë
jubilar, Drejtoria e Euroazisë dhe
Seksioni i gjuhës Shqip i Zërit të Amerikës organizuan të marten një
ceremoni ku ishin të ftuar presidentë,
diplomatë dhe zyrtarë nga Shqipëria, Kosova dhe nga Maqedonia, anëtarë të
Kongresit Amerikan si edhe personalitetete nga komuniteti
shqiptaro-amerikan. Ceremonia, që
zgjati më shumë se dy orë, u mbajtë në sallën e madhe të selisë së Zërit të
Amerikës në Uashington ku u mbajtën fjalime dhe u dorëzuan dekorime nga
presidenti i Republikës së Shqipërisë,
Bujar Nishani për seksionin shqip të
Zërit të Amerikës dhe për Dr. Elez Biberaj, ish-shefin e seksionit shqip
të VOAs dhe tani drejtor
i
Euroazisë pranë këtij enti.
Lista e
personaliteteve që folën me këtë rast ishte e gjatë, duke filluar nga zyrtarët
më të lartë të VOAs, përfshirë drejtorin e përgjithshëm Dejvid Ensor, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e
Shtetit për çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Filip Riker, fituesin e Çmimit
Nobel për Mjekësi, shqiptaro-amerikani Dr. Ferid Murad. Përshëndetën gjithashtu edhe Kongresisti
amerikan Eliot Engel, ish- senatori Denis Di Koncini, ish-ambasadori amerikan
në Shqipëri Uiliam Rajerson, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për
Integrim në Maqedoni, Profesori Nikolas Pano i
Universitetit Northuestern Illionoi dhe të tjerë. Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani dhe
Presidentja e Kosovës, të cilët kishin dërguar përfaqsuesit e tyre të posaçëm
për të marrë pjesë në këtë ceremoni, përshëndetën të pranishmit me video
mesazhe. Presidenti shqiptar
Nishani duke kujtuar këtë përvjetor tha
se “Zëri i Amerikës na dha shpresë gjatë një periudhe të errët të historisë
sonë.’’ Ndërsa Presidentja e Kosovës,
Atifete Jahjaga tha në video mesazhin e saj se, “Zëri i Amerikës ishte i vetmi
zë që raportonte gjatë luftës në Kosovë
si edhe për krizën e refugjatëve, e që mund të dëgjohej nga populli ynë. Shpresoj që Zëri i Amerikës të mos shuhet
kurrë”, tha ajo.
Kongresisti
Eliot Engel përshëndeti Seksionin shqip të Zërit të Amerikës për informimin e
shqiptarëve, duke thënë se “Amerika ka gjithnjë nevojë për Zërin e
Amerikës….’’, dhe ish-Senatori Denis Di
Koncini shtoi se Zëri i Amerikës mbetet jetik për të transmetuar lajmet për
popujt e rajonit dhe për të treguar se amerikanët kujdesen gjithnjë për
ta’’. Profesor Nikolas Pano foli për
rolin që ka luajtur Zëri i Amerikës në marrëdhënjet midis dy popujve, dhe ish-ambasadori
amerikan në Tiranë Uilliam Rajërson kujtoi vizitën e ish- Sekretarit amerikan
të Shtetit Xhejms Bejker duke thënë se pyetja e parë që i bëhej atij para vizitës
së ish-zyrtarit të lartë amerikan ishte nëse Elez Biberaj, shefi i
atëhershëm i Shërbimit Shqip,do vinte në Tiranë.
Ceremonia u mbyllë me një pritje koktej ku të
pranishmit u shmallën me njëri tjetrin dhe
shkëmbenin historira për rolin që
ky institucion ndërkombëtar lajmesh dhe informacioni ka luajtur në periudha të ndryshme të
historisë së kombit shqiptar gjatë 70-vjetëve të fundit. Zëri i Amerikës në gjuhën Shqipe, sipas një
deklarate të VOAs, lëshuar për median me këtë rast, thotë se programet e
VOAs në gjuhën shqipe mbeten gjithnjë edhe sot një prej programeve multimedia më popullore në Shqipëri ku tërheq
48% të shikuesve/dëgjuesve/lexuesve dhe shton se në Kosovë, 57% e të rriturve i
marrin lajmet nga programet shqip të VOAs.
Në të vërtetë historia e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe është edhe një histori e kombit shqiptar por edhe e marrëdhënjeve shqiptario=amerikane, ashtu siç ishin gjatë 7-vjetëve të kaluara, nga Lufta e nxehtë e Dytë Botërore e deri tek mbarimi i luftës së Ftohët dhe çlirimit të Kosovës. Megjithëse nganjëherë i shtrydhur midis gazetarisë dhe diplomacisë, sidomos gjatë dekadave të para të ekzistencës së tij, Zëri i Amerikës, në radhët e Shqiptarëve por edhe në mbarë botën, brenda një kohe të shkurtër krijoi një reputacion si radio stacion lajmesh me integritet, në të cilin mund të vareshin dëgjuesit për saktësinë, gjithëanëshmërinë dhe objektivitetin. Gjatë dekadave të ekzistencës së tij, Zëri i Amerikës ka raportuar në mënyrë objektive mbi ngjarje të brendshme të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për fatin dhe të drejtat e Shqiptarëve kudo. Pothuaj nuk ka çështje që ka prekur ose që ka interesuar Shqiptarët që të mos jetë mbuluar nga Zëri i Amerikës. Gjithashtu, politikanët dhe personalitet më të ndryshme nga të gjitha fushat dhe trevat shqiptare pa dallim e kanë gjetur gjithmonë të hapur dritaren e Zërit të Amerikës për të shfaqur pikëpamjet e tyre mbi problemet e kombit shqiptar.
*Autori
ka punuar për VOA-n për 30-vjetë, si gazetar, shef i Shërbimit Shqip si edhe
ish-drejtor i VOA-s për Evropën.