Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: 70 vjetori i seksionit shqip në VOA
E shtune, 11.05.2013, 02:12 PM
70
vjetori i seksionit shqip në VOA
Nga Frank SHKRELI*
Mirëdita
të gjithëve. Është bukur të shohësh të pranishëm kaq shumë miq dhe kolegë
brenda dhe jashtë Zërit të Amerikës. Ashtu siç shumë nga ju e dini, unë
praktikisht jam rritur në këtë ndërtesë. Prandaj kthimi këtu është gjithmonë
një kënaqësi e madhe për mua. Është si të kthehesh në shtëpi.
Kam qenë
i lidhur me seksionin shqip të VOA-s për rreth 25 vjet nga karriera ime
30-vjeçare këtu në Zërin e Amerikës, së pari direkt si një transmetues
ndërkombëtar dhe Shef i Shërbimit dhe pastaj në mënyrë të tërthortë si
Këshilltar Programi për Divizionin Evropian dhe si Drejtor i Divizionit
Evropian, dhe seksioni shqip ishte një nga shërbimet nën mbikëqyrjen time.
VOA
shqiptar pati një fillim shumë modest. Kur unë iu bashkova Shërbimit Shqiptar
në qershor të vitit 1974, shërbimi ishte i vogël. Personeli përbëhej vetëm nga
Shefi i Shërbimit dhe 4 gazetarë. Mosha mesatare e tyre ishte 62 vjeç, ndërsa
unë isha 24 vjeç. Edhe pse i kisha kaluar testet e nevojshme të kualifikimit
dhe u verifikova si i sigurt, nuk kisha asnjë ide se ku po hyja dhe gjatë
viteve të mia të para aty, vazhdimisht e pyesja veten nëse kisha bërë zgjedhjen
e duhur duke u bashkuar me Zërin e Amerikës.
VOA
shqiptare e vogël, por guximtare u përball me mungesën e stafit për të paktën
45 vitet e para të historisë së saj. Duke pasur parasysh natyrën e regjimit
komunist shqiptar, Shërbimi Shqiptar - ndryshe nga shërbimet e tjera të VOA-s
që transmetoheshin në Evropën Lindore – nuk kishte asnjë lloj kontakti me
audiencën e saj në Shqipëri. Për shkak të mungesës së stafit, na është dashur
të punojmë shumë, shpesh pa ndalesë, shtatë ditë në javë për periudha të gjata
kohore. Por gjithsesi kjo nuk ishte
gjëja më e vështirë, ajo që ishte e vështirë gjatë këtyre viteve, ishte fakti
se ne nuk kishim asnjë ide nëse dikush ishte duke na dëgjuar nga ana tjetër.
Mbaj mend një prej kolegëve të mi, Xhevat Kallajxhi nga Gjirokastra, kur pasi
mbaronim programin, ai kthehej nga unë dhe thonte: "E mo Shkreli, thua na
dëgjoi njeri sot?''. Shqipëria ishte një shoqëri e mbyllur komuniste, si asnjë
vend tjetër.
Dhe
pastaj ndodhi çasti historik, Muri i Berlinit ra. Në marsin e vitit 1991,
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria vendosën marrëdhënie diplomatike dhe atëherë
për herë të parë, pas gati 50 vjetësh më në fund krijuam idenë që në të vërtetë
ekzistonte një audiencë në Shqipëri, dhe ndoshta ishte një nga audiencat më të
mëdha e transmetimeve ndërkombëtare. Ne mësuam për popullaritetin e madh të
VOA-s Shqiptare gjatë vizitave tona në Tiranë - unë shkova me delegacionin e
parë zyrtar të Departamentit të Shtetit në Shqipëri në mars/prill të vitit
1991, dhe Elez Biberaj, shefi i Shërbimit në atë kohë, erdhi në Tiranë rreth
një javë më vonë me delegacionin kongresional të Senatorit Dennis DeConcini.
Ka pasur
shumë momente zbulimi të vërtetash dhe takimesh emocionuese për ne gjatë atij
udhëtimi në Shqipëri, në fillim të vitit 1991. Por mendoj se, një nga momentet
më të paharrueshme ka qenë kur anëtarët e të dy delegacioneve po bisedonin para
hyrjes së hotel Dajtit të famshëm dhe papritur e papandehur, kalimtarët filluan
të mblidheshin nga kurioziteti për të takuar vizitorët e rinj nga Shtetet e
Bashkuara të Amerikës.
Kongresmenët
tanë filluan të shtrëngonin duart me qytetarët e emocionuar të Tiranës. Në atë
turbullirë, dikush duhet të ketë pëshpëritur emrin e Elez Biberaj, dhe ndërsa
turma sa erdhi dhe u bë më e madhe, ata zbuluan se Elezi ishte në të vërtetë
aty. Turma e zhurmshme ia plasi në ato momente një brohoritje spontane të
përbashkët: "VOA-Bush, VOA-Bush". Zoti Bush ishte në krye të Shtëpisë
së Bardhë në atë kohë.
Pasi
turma filloi të shpërndahej, kongresmeni Bob McEuen nga shteti i Ohajos iu
afrua zotit Biberaj, i cili ishte shef i Shërbimit Shqiptar, dhe i tha:
"Ju keni bëri më shumë sesa kushdo tjetër për demokracinë në
Shqipëri".
Edhe pse
kishim dëgjuar prej së largu që, gjatë transmetimeve të emisioneve të VOA-s
rrugët e Tiranës ishin pothuajse bosh, sepse njerëzit qëndronin në shtëpi për
të dëgjuar VOA-n në gjuhën shqipe, kjo vizitë na bindi se përkundër dënimeve të
rënda të regjimit komunist për ata që dëgjonin Zërin e Amerikës - Shqiptarët,
megjithatë ishin sintonuar në frekuencat e Zërit të Amerikës për dekada të tëra
dhe në numër të madh. Ky trend ka vazhduar deri më sot, ku Shërbimi Shqiptar
ende ka një audiencë mbi 50%.
Një
faktor që e ka veçuar VOA-n shqiptare nga pjesa tjetër e shërbimeve gjuhësore
këtu në Zërin e Amerikës, ishte audienca e madhe në numër. Mbaj mend që gjatë
viteve ‘90, kur unë isha Drejtor i Divizionit Evropian, VOA shqiptare kishte arritur
nivele të papara të dëgjueshmërisë dhe shikueshmërisë. Ajo kishte shkaktuar
zili, jo vetëm tek shërbimet botërore në këtë ndërtesë, por edhe tek
transmetuesit ndërkombëtarë në të gjithë botën.
Mbaj mend
homologun tim për Evropën në BBC që më pyeste mua se, cili ishte sekreti i
VOA-s në shqip- duke pasur parasysh numrin e madh të audiencës, siç tha ai,''
që nuk është parë ndonjëherë në mesin e transmetuesve ndërkombëtarë".
Për shumë
vite, VOA shqiptare gëzoi dëgjueshmëri dhe shikueshmëri në rangun e 50-80 për
qind, si në Shqipëri dhe në Kosovë.
Pra,
kështu siç jemi mbledhur sot këtu për të festuar sukseset e VOA-s shqiptare
gjatë 70 viteve të fundit, një fakt vendimtar për tu kujtuar është edhe
rëndësia e VOA-s, si një organizatë, e cila me shërbime të tilla si shërbimi
shqip, e ka mbështetur për dekada me radhë shprehjen e lirë, të lajmeve të
pacensoruara dhe informimit të popujve në të gjithë botën që vuanin për median
e lirë, ose që kishin media pjesërisht të lira.
Amerika,
përmes transmetimeve të VOA-s për 70-vjet, kurrë nuk e harroi popullin
shqiptar, madje edhe në çastet e tyre më të errëta gjatë çmendurisë komuniste.
Miqë dhe
kolegë të mi dua tu siguroj të gjithëve!
VOA shqiptare për 70 vjet shërbeu si një yll i largët i shpresës së
lirisë për miliona shqiptarë, jo vetëm në Shqipëri, dhe Kosovë, por në të
gjithë Ballkanin. VOA shqiptare ka pasur një mision fisnik për avancimin e
lirisë, dhe në mungesë të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve për gati
50-vjet, VOA shërbeu edhe si ura e vetme ndërmjet popullit amerikan dhe atij
shqiptar. Ajo ishte kështu, 70-vjet më parë, dhe kështu është edhe sot. Besoj
se nuk është rastësi që shqiptarët janë ndër njerëzit më miqësor ndaj Shteteve
të Bashkuara.
Por kjo
nuk ka qenë gjithmonë kështu. Gjatë Luftës së Ftohtë, VOA u denoncua nga
komunistët si një zë kritik dhe në fakt si një zë "armiqësor" dhe
"anti-revolucionar", kundër komunizmit. Armiqësor sipas tyre, por për
ne këtu, në Zërin e Amerikës, gjithçka që bëmë ishte vetëm në kërkim të së
vërtetës dhe në mbrojtje të lirisë së njeriut dhe demokracisë në Shqipëri,
Kosovë dhe kudo në botë. Unë, si njëri prej atyre ish - "armiqve",
nuk kam ndërmend të kërkoj ndjesë për asgjë që kemi bërë gjatë gjithë historisë
70-vjeçare të VOA-s shqip.
Miqtë e
mi dhe kolegë në Shërbimin e VOA-s shqiptare dhe në gjithë këtë organizatë, unë
e di që shumica prej jush ndjehen si unë, që nuk ka nder dhe privilegj më të
madh se sa të kesh pasur një karrierë që i ka shërbyer vendit tënd të adoptuar,
këtij vendi të madh tonit, Shteteve të
Bashkuara të Amerikës, dhe në procesin
që ndihmoi vendin e origjinës sonë, në avancimin e të drejtave të
njeriut, lirisë dhe demokracisë për të gjithë, si dhe mirëkuptimit ndërkombëtar.
Misioni fisnik i Zërit të Amerikës vazhdon më tej, dhe unë jam krenar
dhe i privilegjuar që kam qenë i lidhur me Zërin e Amerikës në përgjithësi dhe
VOA-n shqiptare në veçanti, si dhe që kam punuar me kaq shumë prej jush për 30
nga këto 70-vitet e historisë së Zërit të Amerikës. Unë jam krenar për
reputacionin dhe integritetin gazetaresk
të VOA-s si një burim i besueshëm botëror për lajme dhe informacione, ashtu siç
jeni dhe ju.
Pra, për
70 vitet e ardhshme, Zëri i Amerikës duhet forcuar dhe jo dobësuar, dhe gjatë
këtij procesi bëjeni të ardhmen e VOA-s, të denjë siç ishte ato 70 vite që
kaluan. Vazhdoni kështu më punën e mirë!
Unë ju uroj gjithë suksesin e mundshëm gjatë 70 viteve të ardhshme!
*Fjala e mbajtur gjatë 70 vjetorit të seksionit shqip në Zërin e Amerikës, më 7 Maj 2013.