Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Roli i medias në fushatë
E hene, 27.05.2013, 08:50 PM
ROLI I
MEDIAS NË FUSHATËN ELEKTORALE
Nga Frank Shkreli
Disa ditë
më pare, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani pati një takim
me përfaqësues të medias shqiptare gjatë të cilit udhëheqsi shqiptar vlerësoi
si të pazëvendësueshëm rolin e medias në zhvillimet demokratike të vendit dhe
theksoi "kontributin parësor", të medias në zgjedhjet e ardhëshme
parlamentare. Roli i medias është
gjithmonë aktual, por siç u tha edhe presidenti Nishani përfaqësuesve të medias
shqiptare javën që kaloi, ky rol bëhet edhe më i rëndësishëm gjatë fushatës së
zgjedhjeve, ndërsa zgjedhësit presin nga media që të informojë publikun mbi
politikën, fushatën dhe zgjedhjet, në mënyrë objektive dhe të paanshme. Detyra, dhe në të vërtetë arsyeja se pse
ekziston shtypi ose media e lirë --sidomos gjatë një fushate elektorale --
është që t'i japë publicitet fushatës dhe zgjedhjeve demokratike, duke u
komunikuar zgjedhësve çështjet me rëndësi me të cilat përballet vendi dhe për
të cilat duhet të interesohen votuesit, nëqoftse dëshirojnë të jenë të
mirë-informuar se në favor të cilti kandidat ose parti të hedhin votën e
tyre. Nuk është roli i medias që të
bindë ose të influencojë votuesit se si ata duhet të votojnë, por kontributi i
saj jetik është, që të furnizojë qytetarët me informacione të sakta dhe të
paanshme në lidhje me progamin e partive, mbi qendrimet politike të
kandidatëve, si edhe mbi vetë procesin elektoral, me qëllim që votuesi -- në
bazë të këtij informacioni -- të marrë vet vendimin më të mirë që është i
mundur se për cilin kandidat ose parti të votojë. Në asnjë vend nuk mund të ketë zgjedhje të
lira, pa një media të lirë, etike dhe të pavarur.
Natyrisht,
se në çdo vend qeveria, opozita dhe përfaqsuesit e tyre, gjithmonë përpiqen të
përdorin median për qëllimet e veta, por media duhet të japë kontributin e vet
duke luajtur rolin jetësor në përcaktimin e agjendës politike duke theksuar dhe
duke u përqendruar jo vetëm në çështjet për të cilat janë të interesuara
partitë dhe kandidatët e tyre, por duhet të përpiqet që të influencojë debatin
publik mbi çështje për të cilat është i interesuar edhe publiku në shkallë
vendore dhe kombëtare. Shtypi është, si
të thuash, mbikqyrës i zhvillimeve politike, dhe nëqoftse e luan këtë rol në
mënyrë të ndershme dhe të paanshme, media mund të jetë një forcë pozitive në
informimin mbi zhvillimet e vendit dhe të kombit dhe në përgjithësi mund të
krijojë një atmosferë më të pranueshme dhe më të njerzishme në marrëdhënjet
midis forcave politike dhe njëkohësisht
edhe midis votuesve dhe elitës politike, ashtu që populli të jetë në gjëndje të
kuptojë më mirë jo vetëm të drejtat e tij, por edhe që informacioni i paanshëm
dhe objektiv ta aftësojë votuesin të marrë vendimin e duhur dhe të
mirë-informuar. Roli i medias është mbi
të gjitha roli i saj si burim informacioni, por gjithashtu duhet të luaj edhe
rolin e edukuesit. Në këtë fazë të
fushatës zgjedhore, media duhet të angazhohet në edukimin dhe në informimin e
votuesit, për procesin zgjedhor dhe për programet dhe qendrimet e partive dhe kandidatëve mbi
çështjet me rëndësi të vendit.
Ky është
një rol kryesor i medias! Rol i
pazëvëndsueshëm për funksionimin normal të një vendi demokratik, me përgjegjësi
politike dhe shoqërore, por mbi të gjitha përgjegjësi kombëtare. Mediat e kontrolluara nga partitë politike,
nga individë ose grupe të lidhura ngushtë me interesat e partive politike, nuk
ushtrojnë këtë përgjegjësi në interes të votuesit as në interesin kombëtar, por
vetëm e vetëm në interesin e sponsorizuesit.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mediat nën kontrollin e shtetit, të
cilat duhet që të sigurojnë mbulimin e
të gjitha palëve në mënyrë të barabartë duke pasur si parim pluralizmin dhe
objektivitetin, që duhet të ketë një ent mediatik i cili financohet nga fondet
publike.
Respektimi
ose jo i lirisë së fjalës dhe të shtypit, jo vetëm gjatë fushatës së zgjedhjeve
por edhe në përgjithësi, është një kusht paraprak i një demokracie funksionale,
por edhe jë tregues i respektimit ose jo të lirisë së të shprehurit në
përgjithësi. Autoritetet kanë
përgjëgjsinë morale dhe kombëtare që të respektojnë dhe të inkurarojnë
zhvillimin e mediave me të vërtetë të pavarura, ndërkohë që organet mediatike,
nga ana e tyre, kanë përgjegjësinë e vet për të mbështetur proceset demokratike
nepërmjet mbulimit objektiv dhe të paanashëm të fushatës së zgjedhjeve dhe jo nepërmjet
interesash të ngushta partiake, individësh ose grupesh politike, që normalisht
nuk kanë të mirën e përbashkët si objektiv të veprimtarisë së tyre -- por
interesat e ngushta e të përkohëshme politike ose ekonomike të tyre. Ato media mund të jenë të lira por nuk janë
të pavarura dhe rrjedhimisht nuk janë as objektive as të paanshme në punën e
tyre, karakteristika këto të një shtypi të lire e të pavarur. Media e pavarur, objektive dhe e paanshme
është një e drejtë e qytetarit për të qenë i informuar.
Në një
deklaratë të Kombeve të Bashkuara mbi lirinë e të shprehurit thuhet se,
''Monopolizimi ose përqendrimi i enteve të mediave në duar të një grupi të
vogël duhet të mënjanohet në interes të zhvillimit të një pluralizmi
pikëpamjesh dhe zërash të ndryshëm."
Në raportin e fundit organizata Freedom House, tha në lidhje me
pavarësinë e medias në Shqipëri, se
"Liria e të shprehurit, në përgjithësi, respektohet në Shqipëri, por
përparimi drejtë rritjes së pavarësisë dhe profesionalizmit gazetaresk ka
ngecur në vend numëro.''
Legjislacioni
shqiptar për zgjedhjet detyron median shtetërore dhe private që të furnizojë
shqiptarët me lajme dhe informacion objektiv dhe të paanshëm, të plotë dhe të
saktë, në përputhje me parimet e pluralizmit në shpërndarjen e
informacionit. Ligji kërkon gjithashtu
që entet mediatike të mbulojnë, në mënyrë të balancuar, të gjithë kandidatët
dhe partitë pa dallim. Në një raport
parazgjedhor që bëri në Shqipëri, Marsin që kaloi një delegacion amerikan i
Institutit Kombëtar Demokrat (NDI) u bëhet thirrje, "Pronarve të medias,
redaktorëve dhe gazetarëve që të marrin masa konkrete mbrenda organizatave të
tyre që të zbatojnë (ligjin) dhe të mbrojnë parimet e lirisë dhe të
integritetit gazetaresk...."
Me rastin
e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, ambasadori amerikan në Tiranë,
Aleksandër Arvizu, tha se megjithëse Shqipëria nuk është një rast i izoluar që
ka nevojë për një media të fortë dhe të pavarur -- në një deklaratë për shtyp
me këtë rast, ai shtoi se shpreson që, "Kuvendi i Shqipërisë, entet
mediatike dhe gazetarët si individë, do të shkojnë përpara me përpjekje të
përbashkëta, për të ndërmarrë bërjen e ndryshimeve të nevojshme, të cilat do të
avancojnë lirinë e medias në Shqipëri.
E ardhmja e meritueshme e Shqipërisë në Bashkimin Evropian varet nga një
medie e fortë dhe e pavarur", nënvijoi ai.
Në një
demokraci të vërtetë, të gjitha opinionet duhet të kenë mundësi të shpalosen
dhe të dëgjohen. Një gazetë ose një
media e çfardo lloji qoftë, elektronike ose e shkruar, që ushtron një gazetari
objektive, të paanshme dhe profesionale të një cilësie të lartë, do të tërheq
një numër të madh lexuesish dhe shikuesish.
Nga ana tjetër, çdo udhëheqës i përgjegjëshëm si përfaqsues i shtetit
duhet të dëgjojë hallet e popullit, nepërmjet medias, e cila duhet të informojë
qytetarët në mënyrë të balancuar dhe të paanshme. Konferenca e thirrur nga Presidenti Bujar
Nishani, me përfaqsues të shtypit dhe medias javën që kaloi, është një nismë që
duhet përkrahur dhe duhet të bëhet shembull dhe faktor i zakonshëm në
marrëdhënjet midis udhëheqësve të lartë të shtetit dhe të qeverisë, me
përfaqsues të medias. Askujtë nuk i
pëlqejnë kritikat për ato që mund të shikohen si të meta ose dështime, por një
përfaqsues i popullit është i detyruar të dëgjoj hallet dhe problemet me të
cilat përballen qytetarët dhe media e ka për detyrë morale dhe profesionale të
informojë qytetarët në mënyrë objektive dhe të paanshme, duke u bazuar në
standardet më të larta etike të gazetarisë.