Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Gjëndja e Lirisë Fetare në Botë
E enjte, 23.05.2013, 08:14 PM
GJËNDJA E
LIRISË FETARE NË BOTË
Nga Frank Shkreli
“Mbi të
gjitha të drejtat që Amerikanët i konsiderojnë të shënjta, është liria për të
ushtruar fenë sipas dëshirës….ne e dimë gjithashtu se liria e fesë nuk është
një e drejtë vetëm për amerikanët, por
ajo është një e drejtë universale që duhet mbrojtur në këtë vend dhe anë e
mbanë botës. Këjo liri është pjesë e
pandarë e dinjitetit njerëzor dhe pa ‘të, bota jonë nuk mund të ketë paqë të
qëndrueshme.” Presidenti Barak Obama
Të hënën,
Departmenti Amerikan i Shtetit (DASH) botoi raportin vjetor mbi lirinë fetare
në botë, bazuar në aktin e Kongresit Amerikan për Lirinë e Fesë në botë, ligj
ky i miratuar 15 vjetë më parë. Në
përmbledhjen e raportit të këtij viti, DASH thotë se me këtë ligj, qeveria e
Shteteve të Bashkuara bëri një deklaratë të guximshme në mbështetje të atyre që
janë të shtypur dhe të përsekutuar, vetëm e vetëm se dëshirojnë të ushtrojnë të
drejtën e praktikimit të fesë së tyre.
Raporti i DASH e bën të qartë se ky ligj, përveç se mbron të drejtën e individit
të ushtrimit të fesë -- ai mbron gjithashtu edhe të drejtën për të mos besuar
-- si një e drejtë universale e njeriut.
Ky ligj gjithashtu detyron DASH, që të botojë çdo vit një raport për të
venë në dukje nëse qeveritë anë e mbanë botës e mbrojnë ose jo të drejtën
universale të fesë.
Liria e
fesë dhe e drejta për ushtrimin e saj, sipas dëshirës së individit, plotëson një nevojë të madhe të
njeriut, thuhet në raport, dhe se nevoja për lirinë e fesë bëri që pelegrinët e
parë të largoheshin, për arsye të shtypjeve fetare, nga Europa për në Amerikë,
shekuj më parë dhe këjo e drejtë njëkohsisht
është e vulosur në Kushtetutën amerikane si një prej të drejtave bazë të
njeriut. Mirëpo, DASH në raportin e tij mbi lirinë fetare në botë thotë se këjo e
drejtë nuk është aspak një e drejtë eksklusive amerikane, duke shtuar se të
gjitha shtetet anë e mbanë botës janë angazhuar për të mbështetur lirinë
fjalës, lirinë e ndërgjegjës dhe lirinë e fesë, që është gur themeli dhe
standardi botëror për mbrojtjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës
ç’prej vitit 1948.
Por,
megjithkëtë, këjo e drejtë universale e
lirisë së besimit, sipas raportit, është sfiduar duke u abuzuar në shumë vende të botës,
ndërkohë që qeveritë kanë krijuar një “atmosferë jo toleruese” që shpesh ka
çuar në urrejtje dhe dhunë fetare.
Raporti thotë se ndërsa shumë shtete anë e mbanë botës, respektojnë dhe
mbrojnë të drejtën e fesë, shumë vende dhe qeveri të tjera, fatkeqsisht, nuk e mbrojnë këtë të
drejtë bazë, duke kufizuar në mënyrë aktive këtë të drejtë nepërmjet miratimit të ligjeve shtypëse, ndërsa
pjesëtarë të shoqërisë sulmojnë bashkqytetarët e vet në bazë të urrejtjes
fetare dhe nuk kërkohet llogari nga ata që kryejnë dhunë të tilla, sidomos
kundër anëtarëve të besimeve minoritare.
Raporti i
përgjithëshëm vjetor përfshinë kapituj për pothuaj 200 shtete dhe territore
duke përshkruar për secilin vend ligjet, politikat dhe praktikat e qeverive të
ndryshme, për vendet që mbrojnë dhe respektojnë lirinë fetare, dhe njëkohësisht
dokumenton, edhe shtypjet, dhunën dhe urrejtjet
fetare për shtetet të tjera. Në
raport thuhet se, Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerri e ka bërë të qartë se
këto raporte duhet “të jenë të sakëta, objektive, të hollësishme dhe të
sinqerta.” Kryediplomati amerikan tha
se liria e fesë është një e “drejtë që çdo person gëzon që prej lindjes”, dhe
konsideron se “sulmet kundër lirisë së
fesë janë një shqetësim jo vetëm moral, por përbëjnë shqetsim edhe për
sigurimin kombëtar të Shteteve të Bashkuara”.
Ndër
vendet kryesore abuzuese të lirisë së fesë, që renditë raporti janë, Kina,
Korea e Veriut, Arabia Saudite, Siria, Rusia, Uzbekistani, Irani,
Turkemenistani, Taxhikistani, Azerbajxhani, Kuba, Sudani, Eritrea, Pakistani. Në raportin vjetor mbi lirinë e fesë në botë
thuhet se të “krishterët janë bërë objekti kryesor i abuzimeve dhe
diskriminimeve shoqërore” në disa vende të botës dhe shton se edhe grupe
minoritare myslimanësh kanë vuajtur abuzim e diskriminim, veçanërisht në ato
vende ku ata konsiderohen nga shumica myslimane, si “heretikë ose të huaj”.
Në
raportin mbi lirinë e fesë në Shqipëri thuhet se kushtetuta, ligjet dhe
politika mbrojnë lirinë fetare dhe qeveria, në përgjithësi, respekton lirinë e
fesë e të besimit, duke shtuar se nuk kishte raporte mbi abuzime ose
diskriminime shoqërore, bazuar në praktikimin e fesë. Qeveria, thuhet në raport, ka vazhduar të
merret me kërkesat e grupeve fetare për këthimin e pronave komuniteteve fetare,
por megjithkëtë,shumë prej këtyre kërkesave mbeten të pazgjidhura.
Edhe
raporti mbi Kosovën thekson se kushtetuta dhe ligjet e vendit mbrojnë lirinë e
fesë në praktikë,dhe në përgjithësi, qeveria respekton lirinë fetare. Udhëheqsit fetarë, thotë raporti, kanë folur
për një mungesë mekanizmi që do t’i lejonte ata të regjistroheshin dhe të
merrnin status ligjor, gjë që ka krijuar një numër sfidash praktike në kryerjen
e ativiteteve të tyre të përditshme.
Në
përfundim, raporti citon Sekretarin amerikan të Shtetit Xhon Kerri i cili ka
thënë në Berlin në Janar se, “si shtet,dhe si shoqëri, në jetojmë dhe ekzistojmë
bazuar në idenë e lirisë së fesë dhe të tolerancës fetare, cilado fe
qoftë...” Qeveria e Shteteteve të
Bashkuara, nepërmjet diplomatëve të saj, do të vazhdojë të tërheq vëmendjen
ndaj abuzimeve të lirisë fetare kudo që të ndodhin dhe do të përdorin të gjitha
mjetet në dispozicion e tyre për të inkurajuar, për të mbështetur dhe për të
mbrojtur të gjithë ata, liria fetare e të cilëve kërcënohet, përfundon raporti
i DASH mbi Lirinë Fetare në Botë.