Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Elida Buçpapaj - ''Traumat e Tranzicionit''
E marte, 16.07.2013, 07:07 PM
TRAUMAT E TRANZICIONIT
TË ELIDA BUÇPAPAPAJ
NJË DËNIM I TRANZICIONIT 20-VJEÇAR
Nga Frank Shkreli
Në këtë
përmbledhje artikujsh, të titulluar "Traumat e Tranzicionit'', Elida Buçpapaj publicistja e njohur në trojet
shqiptare dhe në diasporë për shkrimet e saj jo konformiste, i paraqet lexuesit
shkrime të pasura dhe tematika të ndryshme mbi jetën politike, mbi dështimet
dhe mbi mundësitë e humbura, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, në periudhën
pas-komuniste.
Me
përgjegjësi dhe me bindje autorja eksploron përceptimin e saj, por edhe të
tjerëve që mendojnë si ajo, se tranzicioni në Shqipëri ka dështuar. Në këtë libër ajo merret me një numër temash
qendrore të jetës politike dhe shoqërore shqiptare, të cilat pasqyrojnë karakteristikat,
sidomos të elitës politike shqiptare -- shpesh të dyshimta, të koklavitura e
nganjëherë të ngatërruara -- por si gjithmonë të lidhura me njëra tjetrën,
fatkeqsisht, për keq – por që të bindin
dhe të bëjnë të dëshirosh se Shqipëria
dhe Shqiptarët, pas më shumë se dy dekadash, meritojnë diçka më mirë – dmth.,
një konsolidim të vërtetë demokratik dhe jo një pseudodemokraci.
Ekspertët
e shkencave politike argumentojnë se në një vend, tranzicioni demokratik
konsiderohet të ketë përfunduar kur palët e ndryshme arrijnë në marrëveshje mbi
"rregullat e lojës", të cilat kanë të bëjnë, ndër të tjera, me
zgjedhjen e lirë të një qeverie. Kur
qeveria të krijohet nëpërmjet zgjedhjeve
të lira dhe të pakontestueshme dhe kur pushtetet e ndryshme nuk detyrohen të
ndajnë kompetencat me pushtetet e tjera, me fjalë të tjera, kur të arrihet
pavarësia e institucioneve të ndryshme të shtetit dhe qeverisë -- atëherë një
vend mund të konsiderohet se ka kaluar
tranzicionin me sukses, dhe që njëkohësisht, sipas ekspertëve, të quhet vend
demokratik.
Një
element tjetër për një shoqëri
demokratike është besimi tek institucionet.
Besimi ndaj organeve shtetërore duhet të zhvillohet nga shoqëria dhe si
i tillë ai besim përforcohet nga puna që bëjnë institucionet politike dhe
civile për të mirën e përbashkët dhe jo nga veprat ose vendimet e tyre në favor
të një grupi ose të një personi/ash me
influencë, dhe në dëm të mirëqenies kolektive.
Besimi në legjitimitetin e institucioneve shtetërore, siç janë
prokuroria dhe gjykatat, i jep hov demokracisë dhe zhvillimeve të saj dhe
njëherazi avancon edhe efikasitetin e
vetë institucioneve.
A ka
besim ndaj institucioneve shtetërore dhe qeveritare në Shqipëri? Autorja thotë se jo. Ajo gjithashtu aludon se mungesa e besimit
dhe rënia ekonomike, kanë përfunduar në një shtim të dukshëm të pakënaqësisë në
përgjithësi ndaj elitave të të gjitha forcave kryesore politike në
Shqipëri. Megjithëse, fajet e mëdha për
mos përparimet e duhura dhe tepër të nevojshme gjatë këtij tranzicioni i ka mbi
shpinë elita politike, përgjegjësi ka edhe qytetari i thjeshtë, i cili
fatkeqësisht ende nuk është çliruar nga mentaliteti i varësisë së
individit tek shteti dhe si i tillë
është më pak kritik.
Në këtë
botim, Elida Buçpapaj lë të kuptosh se Shqipëria ka bërë shumë pak përparim
drejt demokracisë së vërtetë, ndërsa ajo paraqet shpjegime dhe shqyrtime për
fusha të ndryshme, siç janë politika, shteti i së drejtës, liria e shtypit, e
tjera. Në të gjitha këto fushë, ajo
nënvizon dobësitë e sistemit post-komunist, duke venë në dukje trashëgiminë
komuniste të vendit si dhe mentalitetin
e elitës së sotme politike, kulturore,
mediatike e tjera -- trashëgimi
kjo që ka bërë të mundur çimentimin dhe manipulimin e jetës politike nga
këto elita pasardhëse të një ish-sistemi autoritar, siç ishte regjimi enverist,
ku shteti dominonte mbi të gjitha aspektet e jetës së njerëzve.
Libri i
Zonjës Buçpapaj është një përmbledhje
kritikash ndaj dështimeve sistemore dhe sistematike të qeverisjes nga një
autore që e do atdheun e vet dhe kombin -- qëndrime këto që lexuesin e bëjnë të
mendojë dhe të pyesë se përse Shqipëria, si pothuaj asnjë vend tjetër në
Evropë, nuk e ka plotësuar atë tranzicion transformimi që tanimë e kanë
përfunduar shumica e vendeve ish- komuniste?
Duke lexuar librin e E. Buçpapaj të mbetet përshtypja se Shqipëria, por
edhe Kosova kanë ngecur në një periudhë ''transformimi ose tranzicioni të
ngrirë'', të kontrolluara nga grupe të fuqishme oligarkike dhe me influencë, të
cilat po keqpërdorin pasurinë e vendit dhe po shpërdorojnë ose po lënë pas dore
madje edhe pasurinë kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve. As Shqipëria fatkeqsisht nuk ka mundur t‘i
ikë situatës, ku elitat e ish-regjimit komunist, gjatë këtij tranzicioni, janë
pasuruar nga burimet shtetërore duke krijuar në këtë mënyrë, korrpusion, ku individë dhe grupe interesash,
përfshirë edhe mafian, kanë lëshuar rrënjë dhe kanë zënë vende me rëndësi në jetën ekonomike,
politike dhe shoqërore të vendit, përfshirë edhe median. Ndoshta
ky tranzicion po zgjatë me qëllim, sepse sa më i gjatë të jetë
tranzicioni, aq më i madh kaosi, hutimet dhe pështjellimet, dhe si përfundim aq
më të mëdha mundësitë për pasurimin e
individëve, grupeve dhe elitave që e mbajnë vendin në këtë gjëndje të
ngrirë tranzicioni.
Ky
koleksion artikujsh nga Elida Buçpapaj tregon se autorja ka aftësi analitike
dhe mendje të mprehtë si vërejtëse e gjendjes aktuale në Shqipëri, ndërkohë që
nganjëherë edhe me hidherim e zhgënjim shpreh pikëpamjet e saj ndaj një prej transformimeve ose
tranzicioneve më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar, periudhës së
rënies së komunizmit në Shqipëri dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Zonja Buçpapaj shpreh zhgënjimin e saj të thellë, dhe
kritikat nganjëherë të ashpëra por me vend, ndaj një situate që pas 20 e sa
vjetësh pas rëniës së komunizmit, pritej
dhe duhej të ishte ndryshe. Lexuesi
mëson se gjëndja e sotme politike, ekonomike por edhe në fusha të tjera të
jetës së shqiptarëve -- sipas saj tepër e pakënaqshme -- është rezultat i
drejtpërdrejtë i politikave të ndërmarra ose jo nga klasa e politikanëve të
sotëm, dhe jo nga kushtet e vendit. Ajo
argumenton se Shqipëria është ashtu siç është sot, për arsye të trashëgimisë
komuniste të elitës së sotme politike, e mbërthyer në inate me njëra tjetrën,
dhe jo se i mungojnë reformatorët e aftë dhe të vendosur për të çuar vendin
përpara, siç ka ndodhur në shumicën e vendeve
ish-komuniste të Evropës Lindore.
Këjo nuk
është e pamundur për Shqipërinë, sipas
saj. Megjithëse e vogël, shoqëria
shqiptare është tepër e koklavitur, por vetëm kur individët të jenë të aftë të përdorin të gjitha
aftësitë dhe njohuritë e tyre, nepërmjet
një tregu të lirë mallrash dhe ideshë, atëherë edhe Shqipëria dhe
Shqiptarët do të shkojnë drejtë përfundimit
të suksesshëm të këtij tranzicioni tepër të gjatë.
Në fund
të fundit, është individi dhe shoqëria shqiptare ajo që do vendosë vet
preferencat politike si dhe mundësitë për të zhvilluar marrëveshje shoqërore,
shoqata dhe organizata që do t‘i shërbejnë më së miri realizimit të qëllimeve
dhe nevojave të individit dhe të vendit.
Në këtë kuptim, demokracia, megjithëse jo e përfeksionuar si
sistem, është dhe mbetet një model universal për të gjithë njerëzit
dhe për të gjitha kohërat, i zbatueshëm për të gjithë, në bazë të ligjit,
pronës private dhe lirisë njerzore -- duke bërë të mundur që individët dhe
populli si tërësi shoqërore, të
rregullojnë lirisht punët e veta pa ndërhyrje, në një mënyrë që u shërben interesave
më të mira të tij dhe rrethanave në të cilat
jetojnë. Shpresojmë se kjo do të
ndodhë në Shqipëri.
Libri ‘‘Traumat e Tranzicionit‘‘, që është një
përshkrim i disa fenomeneve të tranzicionit të 20 vjetëve të fundit të kombit shqiptar, e që autorja i ka quajtur
me të drejtë "Trauma'', meriton të
lexohet madje edhe nga ata që mund të mos jenë dakort me përfundimet dhe
analizat e Zonjës Buçpapaj.
Është një kontribut i rëndësishëm në debatin e vazhdueshëm mbi dështimet ose siç i quan ajo ‚‘‘Traumat e Tranzicionit‘‘ shqiptar, i freskët për nga sinqeriteti dhe dashuria e autores për mirëqenien dhe mbarvajtjen e kombit, për të gjithë ata lexuesë që janë të interesuar në analiza politike dhe historike.