Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Rëndësia e votës, 23 qershor 2013
E premte, 21.06.2013, 08:32 PM
RËNDËSIA
E VOTËS – 23 QERSHOR, 2013
Nga Frank Shkreli
Fushata
elektorale në Shqipëri po merr fund dhe 23 qershori shënon ditën kur votuesit
shqiptarë do të hedhin votën e tyre për partinë dhe kandidadin që ata
preferojnë. Ky shkrim nuk ka për qëllim
rekomandimin për mbështetjen e ndonjë partie ose një tjetre, ose të ndonjë
kandidati të përkrahur nga partitë e ndryshme. Por ka të bëjë me personin më të
rëndësishëm tani në fund të kësaj fushate – me votuesin shqiptar -- dhe me
rëndësinë që vota e tij ka për ‘të personalisht dhe për të gjithë shoqërinë dhe
kombin shqiptar.
Çdo
zgjedhje është me rëndësi, por zgjedhjet e 23 qershorit janë të një rëndësie të
vecantë, pasi do të vendoset zgjedhja e një kuvendi të ri dhe rrjedhimisht e
një qeverie të re që do vendosë të ardhmen e vendit, të pakën për katër vjetët
e ardhëshëm dhe mund të lejë pas një trashëgimi -- të mirë ose të keqe -- për
një periudhë edhe më të gjatë për fatet e Shqipërisë dhe për për fëmijtë dhe
familjet shqiptare.
Të
demoralizuar nga proceset politike gjatë 20-vjetëve të fundit, dhe polarizimet
e tanishme politike, shumë veta mund të mendojnë se vota e tyre nuk është e
rendësishme, se nuk çon kandar. Disa
mund të mendojnë se të gjithë kandidatët dhe partitë që ata pëfaqësojnë janë të
njëjtë, se nuk ka kurrfarë dallimi midis tyre, as për nga programi as për nga
vizioni që kanë për të ardhmen e vendit.
Mund të thotë dikush se cilido kandidat ose cilado parti të fitojë,
asgjë nuk do të ndryshojë. Këjo mund të jetë e vërtetë. Por ndryshimi fillon nga ti, votuesi
shqiptar. Të votosh për kandidatin që ti
mendon se është kandidati më i mirë dhe i cili, si deputet i zonës tënde, do tu
përgjigjet nevojave tua dhe të familjes tënde, duke u bazuar në kualifikimet
dhe karakterin e kandidatit, si dhe në programin dhe vizionin e tij ose të saj
për zonën që përfaqëson dhe për të mirën e të gjithë Shqipërisë.
Vota e
lirë është një privilegj që nuk duhet të lihet pas dore dhe të mos përfidhet,
si diçka e pa rëndësishme. Shqiptarëve,
këte të drejtë ua kishte mohuar kulshedra komuniste për pothuaj 50-vjetë.
Ende, anë
e mbanë botës ka vende ku njerëzit nuk janë të lirë të hedhin votën sipas
dëshirës, vullnetit dhe ndërgjegjes së tyre.
Hedhja e votës së lirë është themeli i demokracisë, por fatkeqsisht edhe
në vendet me traditë demokratike, pjesëmarrja në votime është tepër e ulët.
Demokracia
nuk është një dhuratë, por është diçka që duhet të ruhet dhe të mbrohet, pasi
ruajtja e demokracisë, njëkohësisht siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e lirive dhe
të drejtave civile. Si e tillë,
demokracia ka nevojën tonë, nevojitë pjesëmarrjen tonë në zgjedhje. Për më
tepër, pjesëmarrja në votime është
kritike për zhvillimin dhe forcimin e sistemit politik demokratik të vendit,
por edhe për mirëqenjen ose jo ekonomike dhe politike të vet votuesve. Nëqoftse politikanët e zgjedhur venë re një
apati nga ana e zgjedhësve për të marrë pjesë në procesin demokratik, ata do tu
kushtojnë më pak vëmendje nevojave dhe shqetësimeve të votuesve. Politikanët duhet të mbahen përgjegjës për
mënyrën se si ata zbatojnë politikën, nëse mbajnë fjalën për zbatimin e
premtimeve të dhëna, nëse zbatojnë
rregullat e lojës, duke u bazuar në faktin se si ata u përgjigjen nevojave
ekonomike dhe shqetësimeve politike të zgjedhësve. Nëqoftse nuk merr pjesë në votime, atëherë
mos u anko për të bërat dhe të pa bërat e politikanëve, për abuzimet për
korrupcionin, për……
Rasti
unik për t'i dërguar një mesazh klasës politike -- duke përkrahur ata që mund
të kenë bërë një punë të mirë gjatë mandatit të tyre dhe duke ndëshkuar ata, që
në sytë e elektoratit, nuk meritojnë të jenë në Kuvendin e Shqipërisë -- është
hedhja e votës në ditën e zgjedhjeve, pjesëmarrja sa më e gjërë e
votuesve. Merre me mendë, nëqoftse
secili vendos të mos marrë pjesë në zgjedhje.
Demokracia si sistem do të merrte fund, pasi demokracia është qeverisje
nga populli dhe pa pjesëmarrjen e popullit në procesin politik, pra në
zgjedhje, nuk ka demokraci. Mos
pjesëmarrja në votime, në vetvete, është një votë kundër demokracisë, dhe në
favor të atyre që nuk meritojnë të jenë përfaqsues të denjë të popullit. Ish
presidenti amerikan Xhejms Garfield (1877) ka thënë për përgjegjësitë e
votuesit, se "Tani më shumë se kurrë populli është përgjegjës për
karakterin e anëtarve të Kongresit.
Nëqoftse ky trup legjislativ është injorant, i korruptuar dhe arrogant,
këjo ndodhë sepse vet populli toleron injorancën, arrogancën he
korrupcionin."
Votimet,
në asnjë vend, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk janë një
proces i lehtë dhe gjithmonë kanë të meta dhe mungesa. Por votimi është gjëja më me rëndësi tani që
ka marrë fund fushata, kanë marrë fund debatet dhe kritikat shpesh të ashpëra
midis partive dhe kandidatëve.
Kandidatët dhe partitë kanë shpalosur programet e tyre. Për mirë ose për keq, edhe ekspertët e
mbrendshëm dhe të jashtëm, përfshirë edhe diplomatët, e kanë thënë gjithashtu
fjalën dhe kanë dhënë këshillat e tyre në lidhje me fushatën dhe mirvajtjen e
zgjedhjeve të 23 qershorit. Të gjitha
debatet, të gjitha sharjet, britmat dhe shpërthimet emocionale në televizion
dhe në median e shkruar, midis partive dhe përfaqsuesve të tyre morën fund, për
t'i lënë tani radhën votuesit shqiptar ta thotë fjalën e vet duke hedhur votën
e tij me ndërgjegjshmëri morale në favor të individëve me karakter dhe moral,
si dhe partisë ose partive me programin më të mirë për të çuar Shqipërinë
përpara, në të mirën e vendit dhe të kombit shqiptar, për katër vitet e
ardhëshëm dhe më gjatë. Përgjegjësia
pra dhe pjesëmarrja e votuesit shqiptar në zgjedhjet, këtë të djelë, është
tepër e rëndësishme. Sipas njërit prej
baballarëve të kombit amerikan, Samuel Adams, "Çdo qytetar duhet ta
kuptojë se me votën e tij, ai nuk është duke i dhënë një dhuratë personale ose
të kënaqë një kandidat për të cilin voton...por duhet të jetë i vetdijshëm se
me votën e tij ai është duke ushtruar njërën prej obligimeve më solemne të
shoqërisë njerëzore, për të cilin ai është përgjegjës para Zotit dhe atdheut të
vet."
"Vota
e lirë e popullit është instrumenti më racional dhe më paqësor për bërjen e
reformave.'' Tomas Xhefersoni
"Kur
një qytetar hedhë votën e vet në favor të një kandidati që njihet si i pa
moralshëm, ai abuzon me obligimet e tija ndaj shoqërisë. Duke bërë një gjë të
tillë, ai jo vetëm që sakrifikon interesat e veta, por edhe interesat e
fqinjit, dhe njëkohsisht tradhëton interesat e kombit.'' Noah Websteri
”Nëqoftse
nuk voton, e humbë të drejtën që të ankohesh”