Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Patriot apo tradhtar?
E marte, 18.06.2013, 07:41 PM
PATRIOT
Nga Frank Shkreli
Një javë
e ca më parë, gazeta britanike Guardian dhe gazeta amerikane Uashington Post
botuan informacione për programin e fshehtë të qeverisë federale të Shteteve të
Bashkuara për përgjimin e miliona telefonatave dhe komunikimeve në
internet. Personi që nxorri në publik
informacionet e fshehta, ishte i riu 29-vjeçar, amerikani Eduard Snouden, një
ish-nëpunës me kontratë i Agjencisë super secrete të Sigurimit Kombëtar.
Ndërsa
Uashingtoni zyrtar po vlerëson dëmet e shkaktuara nga publikimi i pa-autorizuar
i programeve të fshehta dhe ndërkohë që komisione të ndryshme të Kongresit
Amerikan kanë njoftuar mbajtjen e seancave dëgjimore në lidhje me këtë çështje,
zëdhënës të qeverisë amerikane, para Kongresit dhe në media -- janë duke
mbrojtur programin e mbledhjes në masë të informacioneve mbi tabulatet
telefonike -- duke thënë se ky veprim u ndërmor në bazë të një urdhëri të
fshehtë të një gjykate që miratonte mbledhjen e informacionit nga Agjencia e
Sigurimit Kombëtar. Qeveria amerikane
dhe mbështetsit e këtij programi thonë se përdorimi i kësaj praktike është me
rëndësi për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga sulmet dhe kërcënimet për sulme
terroriste, pasi ky program ndihmon në identifikimin e personave ose grupe
personash që mund të kenë kontakte me terroristë, të cilët duan të dëmtojnë
këtë vend, siç ka ndodhur në të kaluarën, duke filluar nga 11 Shtatori i vitit
2001. Qeveria amerikane gjithashtu,
shpjegon në deklaratat e saja, se këto
përgjime u ndërmorën bazuar në nenin 215 të ligjit federal mbi përgjimet brenda
vendit, e që njohet si "Akti Patriot", i miratuar gjatë administratës
së Presidentit Xhorxh W. Bush, pas sulmeve të Al Kaidës. Qëllimi i këtij Akti
është për tu dhënë kompetenca më të mëdha agjencive të fshehta për të përgjuar
komunikimet elektronike për parandalimin e ndonjë sulmi terrorist. Presidenti Barak Obama ka nënshkruar
zgjatjen e afatit të këtij ligji edhe për katër vjetë të tjera. Më heret këtë
javë, ai e mbrojti programin e
përgjimeve telefonike duke thënë se
"Vlerësimi im dhe i ekipit tim është se këto praktika na ndihmojnë të
parandalojmë sulmet terroriste. Ndonjë
shkelje modeste e privatcisë që ndodh kur kontrollohen tabulatet, por pa
dëgjuar përmbajtjen e bisedave telefonike --krahasuar me përfitimin -- ia ka
vlejtur," tha Presidenti Obama.
Gjithashtu
në mbrojtje të këtij programi, Drejtori i Agjencisë për Sigurimin Kombëtar,
gjenerali Keith Alexander i tha dje një seance të Kongresit se të dhënat nga
programi i përgjimeve kanë mundësuar parandalimin e dyzina sulmesh dhe
komplotesh terroriste, duke shtuar se praktika të tilla janë jetike për
mbrojtjen e atdheut. Ai i tha gjithashtu
Kongresit se dëshiron të informojë popullin amerikan se, "ne po përpiqemi
të jemi transparent, të mbrojmë të drejtat dhe liritë civile si dhe privatcinë,
por në të njëjtën kohë, edhe sigurinë e këtij vendi", tha gjenerali
Alexander.
Ky ligj,
siç pretendojnë zyrtarët, mund të
lehtësojë punën e agjencive të fshehta amerikane për të mbledhur informacione
mbi sulme të mundëshme terroriste, por praktikat që lejon ky ligj në këtë
angazhim, janë kritikuar dhe kundërshtuar ashpër nga indidvidë dhe organizata
që mbrojnë të drejtat civile dhe privatcinë individuale, duke thënë se
agjencive të fshehta dhe të rendit publik u janë dhënë kompetenca tëpër të
mëdha, sidomos në kryerjen e përgjimeve të vazhdueshme elektronike. Madje, madje, në lidhje me këtë, janë njoftuar
tanimë, një numër padishë kundër qeverisë federale, duke filluar nga Bashkimi
Amerikan i Lirive Civile, (e njohur me inicialet anglisht ACLU), organizatë e
cila e ka quajtur praktikën e grumbullimit të informacionit si tepër alarmuese. Duke njoftuar dje padinë kundër qeverisë
federale, organizata ACLU tha se programi i fshehtë i Agjencisë së Sigurimt
Kombëtar shkelë seriozisht të drejtat e amerikanëve.
Ish-nëpunësi
me kontratë i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar, Eduard Snouden, personi që pa
autorizim nxorri në dritë programin e fshehtë për përgjimin e telefonatave,
gjëndet tani në Hong Kong. Lajmet bëjnë
të ditur se Ministria Amerikane e Drejtësisë është duke marrë në shqyrtim
padinë kundër tij për ta ekstraduar dhe për ta hedhur atënë gjyq nën akuza
kriminale. Në Hong Kong, Eduard Snoudën
i dha një intervistë gazetës kineze në anglisht, "South China Morning
Star'', gjatë së cilës ai u shpreh se nuk ka në mend të këthehet ë Amerikë dhe
shtoi se fatin e tij ua ka lënë në dorë gjykatave dhe popullit të Hong
Kongu-ut.
Këtu në
Shtetet e Bashkuara, publikimi i njoftimeve mbi programin e përgjimit të
telefonatave dhe burimeve të tjera të internetit, ka shkaktuar një debat të
ashpër në media dhe në të gjitha nivelet e shoqërisë, qoftë mbi njoftimin e
këtyre sekreteve, qoftë edhe mbi personin, Eduard Snoudën,i cili pa autorizim
informoi botën për ekzistencën e këtij programi të fshehtë përgjimi. Nga një anë, një numër individësh dhe
organizatash, si të majta ashtu edhe të djathta, kanë shprehur zemërimin e tyre
në lidhje me ekzistencën e këtij programi përgjimesh të fshehta, ndërsa disa
anëtarë të Kongresit Amerikan thonë se kanë qenë në dijeni të këtij programi
dhe se e mbeshtesin atë si një mjet për të parandaluar sulmet terroriste kundër popullit amerikan, siç tha
kryetarja Komisionit të Senatit për Zbulimin, Senatorja demokrate Dajanë
Fainstain. Ndërsa Senatori republikan
Lindsi Graham tha se, ai nuk i shikon veprat e Eduard Snoudën si vepra
patriotike por i konsideron ato si akte kriminale dhe se si të tilla, ai
"Shpreson se do ta ndjekim Z. Snoudën deri në fund të dynjasë me qëllim që
ai të përballet me drejtësinë."
Vet,
Eduard Snoudën i tha gazetës kineze "South China Morning Star'', e cila
botoi disa citime nga intervista në uebsajtin e saj, se ai nuk e konsideronte
veten, "as tradhëtar dhe as hero, por thjeshtë një amerikan", duke
shtuar se ai gjëndej në Hong Kong, jo për të ikur nga drejtësia, por siç tha
ai, "jam këtu për të zbuluar një kriminalitet".
Nëse
Eduard Snoudën është hero apo tradhëtar është ende heret të thuhet, me shpresë
që njoftimet e tija pa leje, të mos kenë dëmtuar sigurimin kombëtar të këtij
vendi dhe që njoftimi i këtij programi të fshehtë të mos përfundojë në humbje
jete. Por në mos asgjë tjetër, --
nxjerrja në shesh dhe njoftimi për ekzistencën e programit të fshehtë të
përgjimit nga ana e qeverisë amerikane të miliona telefonave të amerikanëve,
-- ka nxitur një debat të ashpër, por të
doemosdoshëm, siç tha edhe vet Presidenti Obama, mbi nevojën për të pasur një
program të tillë të fshehtë përgjimi për parandalimin e sulmeve terroriste dhe
që njëkohësisht të mbrojë të drejtat
civile dhe privatcinë e shtetasve amerikanë, të garantuara nga Kushtetuta e
Shteteve të Bashkuara të Amerikës.