Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Ka ndryshuar diçka në Shqipëri?
E premte, 28.06.2013, 07:55 PM
A MUND TË
KETË NDRYSHUAR DIÇKA NË SHQIPËRI?
Nga Frank Shkreli
Qe edhe
zgjedhjet parlamentare shumë të pritura të 23 qershorit, 2013 në Shqipëri
erdhën e shkuan. Fitoi aleanca e majtë e
kryesuar nga Partia Socialiste.
Koalicioni i majtë ka marrë 84
mandate deputetësh, ndërsa koalicioni i djathtë ka siguruar 56 mandate në
Kuvendin e ri të Shqipërisë, që fillon nga puna në Shtator.
Kryeministri
i deritanishëm, Dr. Sali Berisha dhe njëherzi edhe personi që dominoi politikën
shqiptare gjatë 20-vjetëve të kaluara, pranoi burrërisht humbjen, mori vet përgjegjësinë
për ‘të dhe njoftoi se do të tërhiqet nga funksionet e Partisë
Demokratike. Duke folur dje nga selia e
partisë së tij, në një fjalim emocional, kryeministri Berisha tha se,
“Qytetarët tanë votuan me shumicë projektin e kundërshtarit tonë”, dhe uroi
kundërshtarin e tij politik, Zotin Edi Rama për fitoren e tij me fjalët: “Duke
njohur rezultatin, i uroj atij punë të mbarë.”
Edhe
fituesi i zgjedhjeve dhe kryeministri i ardhëshëm Edi Rama, në fjalimin e tij
të fitores, njohu kontributet e kundërshtarit të tij politik, Kryeministrit
Berisha, për të cilin tha se, “Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të
papëlqyeshme për paraardhësin tim, siç edhe ai ka thënë jo pak për mua. Kjo ndodh në betejën politike, por ndodh edhe
më shumë në demokracitë e pazhvilluara si e jona, ku pushteti i popullit
degradon rëndom në shfaqjen e pushtetit të një njeriu. Por, sonte unë dua ta falenderoj atë për çdo
gjë të mirë që historia, mbase mund ta vlerësojë nesër me një objektivitet më
të madh se timin sot, dhe i uroj gjithë të mirat në jetën e tij private në
vazhdim”.
Duke qenë
dëshimtarë të këtyre deklaratave qytetëruese midis dy politikanëve kryesorë shqiptarë pas një fushate tepër të
ashpër midis tyre, përfituan nga rasti
dhe reaguan shpejtë edhe ndërkombëtarët, të cilët përgëzuan koalicionin e majtë
për fitoren dhe vlerësuan punën e Kryeministrit Sali Berisha për tetë vitët e
qeverisjes së tij. Komisioneri i
Baskimit Europian për Zgjërimin, Z. Stefan Fyle përgëzoi koalicionin a majtë që
fitoi në zgjedhjet e së dielës duke thënë se pret që qeveria e ardhëshme do të
vazhdojë të zbatojë reformat e nevojshme
për të çuar përpara procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Duke folur për arritjet e qeverisë Berisha,
përfaqsuesi europian tha se, “Tetë vitet e kaluara kanë qenë një periudhë reformash të rëndësishme dhe të rritjes
ekonomike. Shqipëria ka arritur përparim
të dukshëm në rrugën e integrimit evropian.
Liberalizimi i vizave, si dhe rekomandimi i Komisionit Evropian për
statusin e kandidatit janë dëshmi për këtë, tha ai. Stefan Fyle tha gjithashtu se megjith sfidat e shumëta me të
cilat përballet sot Shqipëria, “Kjo
është koha që shqiptarët të shikojnë përpara me besim, të bashkuar, drejt të
ardhmes së tyre evropiane”, ka thënë Fyle.
Edhe
Shtetet e Bashkuara reaguan nepërmjet ambasadës së tyre në Tiranë, me të
njëjtin ton, duke përgëzuar shqiptarët për pjesëmarrjen e madhe në zgjedhjet e
të djelës që kaloi, dhe njëkohsisht u bëhet thirrje udhëheqësve shqiptarë, që
pas formimit të qeverisë së re të riangazhohen për thellimin e reformave që
nevojiten për integrimin europian të vendit.
Ambasada amerikane në Tiranë, në emër të Uashingtonit zyrtar falënderon
Kryeministrin në largim, Z. Sali Berisha, duke vlerësuar mbështjetjen e tij
qëndrueshme për marrëdhënjet e ngushta midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës
dhe Shqipërisë.
Humbja në
politikë nuk është kurrë e këndshme, për
askënd. Por maturia dhe profesionalizmi
politik, e pse jo edhe burrëria shqiptare, e treguar kësaj radhe nga dy forcat
kryesore të vendit, kanë tërhequr vëmendjen e shumë vërejtësve, si diçka shumë
pozitive për politikën shqiptare, diçka që nuk është venë re në zgjedhjet e më
parëshme, të cilat gjithmonë kanë qenë të kontestuara nga humbësi, ose
humbësit.
Deklaratat
pasqyruan një atdhedashuri që, të pakën, tani për tani, duket se tejkalon interesat vehtjake e partiake. Një atdhedashuri e thjeshtë, e pa bujë, por
një atdhedashuri që i sjellë Shqipërisë
dhe kombit shqiptar dobi, tani dhe në të ardhmen. Në këtë moment të historisë së kombit
shqiptar, këjo është edhe një dëshirë edhe e të gjithë shqiptarëve të përhapur
anë e mbanë botës, përfshirë edhe diasporën e fortë dhe urë-lidhëse me Shtetet
e Bashkuara të Amerikës, aleatin strategjik të kombit shqiptar. Megjithëse larg Atdheut, dhe për arsye
historike, pa të drejtë vote, shqiptarët kudo ia duan të mirën Shqipërisë. Duam ta shohim atë të lavdëruar, të
përparuar dhe të nderuar jo vetëm në sytë e vetë shqiptarëve, por edhe para
botës së qytetëruar. Gjatë shekullit të
kaluar, kombi shqiptar u gjënd—kundër vullnetit të tij – në shtigje të
papritura dhe shkatërruese. Por jeta dhe
rrethanat e historisë ndryshojnë çdo ditë, për shqiptarët dhe për njerëzimin, e
të cilat sot kërkojnë një kulturë të re politike. Një kulturë, mbi të gjitha, të atdhedashurisë
për fatin e Atdheut. E këjo dashuri pikëspari qëndron dhe lulëzon,
në mos në dashurinë për njëri tjetrin,
atëherë në respektin për njëri tjetrin – për ndryshe mohohet mundësia e një
bashkjetese mbrenda shtëpisë së përbashkët.
Kundërshtarët dhe armiqtë e kombit shqiptar, historikisht, kanë
pretenduar se Shqiptarët nuk mund të qeverisin vetveten. Ata gjithmonë do të thonë këtë, por të pakën,
klasa politike shqiptare të mos u japë municion në mbështetje të këtij
pretendimi.
Deklaratat
e protagonistëve kryesorë të politikës shqiptare, pas zgjedhjeve të të djelës
së kaluar, të japin shpresë për një
tranzicion të qetë dhe për një të ardhme demokratike të Shqipërisë. Le të shpresojmë se deklaratat e
Kryeministrit në largim, Z. Sali Berisha
dhe ato të Kryeministrit të ardhëshëm Z. Edi Rama, pas numërimit të votave, të
pasqyrojnë edhe mendimet dhe pikpamjet e tyre dhe të partive që ata
përfaqësojnë. Për ndryshe këto deklarata
politike, nga të dyja palët, do të konsiderohen si një mashtrim
dhe lojë e radhës, që mund të
kënaqin vetem ata që angazhohen në to, por
njëkohsisht vështirëson jashtë mase shkuarjen përpara të kombit shqiptar
në rrugën fatale të tij që i ka caktuar historia.
Unë flasë
kështu, jo për të mbrojtur njërën ose tjetrën parti, ose njërin ose tjetrin
udhëheqës politik, por flas kështu, nga Amerika e largët, nga një urgjencë që ndjejë si shqiptar, se kombi
shqiptar ka nevojë për një bashkim të të gjitha forcave të tij për të kapërcyer
sfidat dhe krizat, të cilat duket se ende e trazojnë dhe rëndojnë mbi kombin
shqiptar, madje edhe pas 20-vjetë të
rënjes së komunizmit. Të shpresojmë se
të gjithë Shqiptarët, e sidomos klasa politike shqiptare, me një marrëveshje
vëllazërore, gjithmonë do të “sjellin ujin në mulli të Atdheut”, për triumfe të
reja të racës arbërore. Këjo është
porosia e heroit kombëtar dhe prijsit të të gjithë Shqiptarëve, Gjergj
Kastriotit – Skënderbe, por edhe dëshira
e të gjithë Shqiptarëve kudo. Me
bashkpunim, vëllazërim dhe tolerancë politike dhe njerëzore ndaj njëri tjetrin
për të mirën e vendit dhe të kombit të tyre, Shqiptarët do të kenë mbështetjen
jo vetëm të aleatëve të tyre perëndimorë, por edhe bekimet e të Madhit Zot për
agime të reja të kombit tonë shumë të vuajtur.
Tani
gjithçka varet nga mënyra se si koalicioni i majtë to të menaxhoj fitoren dhe
si koalicioni i djathtë do të menaxhoj humbjen.
Deklaratat e Zotërinjve Berisha dhe Rama japin shpresë se diçka mund të
ketë ndryshuar në Shqipëri, në krahasim me të kaluarën. Mirëpo, kjo mbetet për tu parë në ditët,
javët, muajtë dhe vitet e ardhëshme.