Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Dhuna kundër femrave
E merkure, 26.06.2013, 08:59 PM
DHUNA
KUNDËR FEMRAVE NJË EPIDEMI BOTËRORE
Nga Frank Shkreli
Organizata
Botërore e Shëndetsisë (OBSH) botoi ditët e fundit një raport në të cilin
dhuna kundër femrave cilësohet si
"një problem botëror i shëndetsisë që ka marrë proporcione epidemike". Në një njoftim për median nga Gjeneva, OBSH
thotë se dhuna fizike ose seksuale është një problem publik shëndetsor që prekë
më shumë se një të tretën e të gjtiha femrave anë e mbanë botës. Studimi i ri i Organizatës Botërore të
Shëndetsisë nënvijon faktin se dhuna kundër femrave është shumë e përhapur dhe
gjithpërfshirse, në të gjitha rajonet e
botës dhe në të gjtiha shtresat e shoqërisë.
Studimi, që është i pari i këtij lloji në nivel botëror dhe që përfshinë të dhënat statistikore nga e
gjithë bota mbi dhunën kundër femrave,
thekson se rreth 35% e femrave
janë subjekt i dhunës nga partneri i
tyre ose nga dikush tjetër. Sipas këtij
studimi, dhuna kundër femrave nga
partneri i tyre është dhuna më e
zakonshme dhe më e përhapur kundër femrave anë e mbanë botës. Në studimin e OBSH-ës nënvijohet nevoja për
angazhimin e të gjithë sektorëve të shoqërisë për të zhdukur fenomenin e dhunës
kundër femrave dhe njëkohësisht në raport
bëhet thirrje për të mbështetur gratë dhe vajzat e dhunuara. Në njoftimin e OBSH-ës për median, theksohen
në hollësi efektet që ushtrimi i dhunës
ka në shëndetin e përgjithshëm fizik dhe mendor tek gratë dhe vajzat.
"Këto
të dhëna statistikore paraqesin një mesazh dhe paralajmërim të fuqishëm se
dhuna kundër femrave është një problem botëror shëndetsor, me proporcione
epidemike", tha Drejtoresha e Përgjithëshme e OBSH-ës, Dr. Margaret
Chan. Ajo tha gjithashtu me rastin e
botimit të këtij studimi se , "sistemet botërore të shëndetsisë mund të
bëjnë dhe duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar femrat e dhunuara.
Në
studimin e OBSH-ës vihet në dukje madhësia e këtij problem, ku thuhet se 38% e femrave që vriten anë e mbanë botës,
vriten nga partneri i tyre, bashkshorti, i dashuri ose ndonjë anëtar i
familjes. Dhe 42% e femrave që dhunohen
fizikisht ose seksualisht nga partnerët e tyre kanë pësuar plagosje fizike
gjatë dhunës, sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetsisë. Në raport thuhet gjtihashtu se dhuna nga partnerët kundër femrave kontribon shumë që ato të
zhvillojnë edhe probleme mendore dhe psikike, ndërkohë që femrat e dhunuara,
sipas raportit, ka të ngjarë që të zhvillojnë gjithashtu probleme duke anuzuar
me përdorimin e alkoolit.
''Këto
statistika të reja nënvijojnë faktin se dhuna kundër femrave është
jashtzakonisht e rëndomtë dhe kemi nevojë urgjente për të investuar në
identifikimin e arsyeve të këtij problemi shëndetsor në botë", citohet të
keët thënë Prof. Charoltte Wats, njëra prej pjesmarrseve në përpilimin e të këtij studimi.
OBSH-ëja,
në raportin e saj bën thirrje për
përpjekje më të mëdha në nivel global, për të parandaluar të gjitha llojet e
dhunave kundër femrave, duke u marrë drejtë për drejtë me faktorët shoqërorë
dhe kulturorë që kontribojnë në përkeqsimin e këtij fenomeni.
Në në
këtë studim thuhet se rajonet më të prekura nga dhuna kundër femrave janë Azia
Jug-lindore, rajoni i Mesdheut lindor dhe Afrika, ku dhuna kundër femrave nga
partnerët e tyre arrinë rreth 37%. Në
raport thuhet gjithashtu se ky problem nuk është vetëm një fenomen i vendeve në
zhvillim e sipër. Sipas raportit, edhe
në vendet më të zhvilluara, dhuna fizike dhe seksuale kundër femrave është diku
rreth 32%.
Raporti i
bën thirrje sektorit shëndetsor në çdo vend, për marrjen e masave urgjente për
një përkujdesje më të mirë shëndetsore për femrat e dhunuara, duke rekomanduar
një seri propozimesh për Ministritë e Shëndetsisë anë e mbanë botës. Në njoftimin e OBSH-ës thuhet gjithashtu
se Drejtoresha e Përgjithëshme e OBSHës,
Dr. Chan, dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-s bënë thirrje për zero tolerancë
ndaj dhunës kundër femrave. Gjithashtu
gjatë Asamblesë së 66-të mbi Shëndetësinë në botë që u mbajtë Majin që kaloi,
shtatë qeveri --Belgjika, India, Meksika, Holanda, Norvegjia, Shtetet e
Bashkuara dhe Zambia -- deklaruan se dhuna kundër grave dhe vajzave,
"është një problem i madh shëndetsor në nivel botëror dhe një sfidë e
madhe për barazi dhe të drejta të njeriut, që prekë çdo vend dhe çdo sektor të
shoqërisë."
Në
raportin e Organizatës Botërore të Shëndetsisë thuhet se në shumë vende debati
ose diskutimi mbi dhunën kundër femrave, në shumë vende, është një tabu dhe si
rrjedhim abuzimet vazhdojnë. Në raportin
thuhet se të qenët në dijeni të ekzistencës së problemit dhe diskutimi i hapët
dhe serioz rreth këtij problemi është një faktor kyç ky për parandalimin e
dhunës kundër femrave. Por, për më
tepër, zyrtarja e OBSH-ës, Garcia Moreno
tha se shpesh janë normat shoqërore ato që tolerojnë dhunën kundër femrave,
duke shtuar se, "Në shumë vende këjo lloj dhune shikohet si diçka e
pranueshme nga shoqëria", dhe si e tillë e pandëshkueshme, ndërkohë që
dhuna kundër femrave vazhdon anë e mbanë botës.
OBSH-ëja thotë në raportin e saj se është i nevojshëm miratimi dhe
zbatimi i ligjeve më të mira nga ana e shtetve të ndryshme me qëllim për të
ndaluar dhe për të eliminuar dhunën
kundër femrave.
Në
fjalimin e saj të famëshëm në Pekin në
shtator të vitit 1995, mbi të drejtat e femrave, Hillari Klinton ka thënë se
"të drejtat e femrave janë të drejtat e njeriut'', dhe se nuk është më e
pranueshme që të drejtat e femrave të diskutohen si diçka tjetër nga të drejtat
e njeriut. Për një kohë të gjatë, ka
thënë Znja Klinton, historia e femërave ka qenë një histori e heshtjes. Është
një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, ka thënë ajo në Pekin në vitin
1995, kur shkaku kryesor i vdekjes së femërave anë e mbanë botës -- midis
moshës 14 deri 44 -- është dhuna në shtëpinë e vet ku jetojnë. Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty
International (AI), duke bërë thirrje për dhënjen fund të ciklit të dhunës
kundër femërave në botë, thotë se miliona femra anë e mbanë botës vuajnë nga dhuna
e shtetit, nga dhuna në shtëpitë e tyre, si dhe në komunitetin ku jetojnë. Dhuna ndaj femërave, thotë AI, është një
dështim i papranueshëm i qeverive dhe i shoqërisë, në përgjithësi, për të
respektuar dhe zbatuar të drejtat e njeriut edhe për femërat. Shtetet dhe qeveritë, thotë organizata e të
drejtave të njeriut, e kanë për detyrë dhe përgjegjësi të mbrojnë dhe të
ndëshkojnë ata të cilët përdorin dhunën kundër femrave, duke marrë masa për të
mbrojtur femrat nga shkelja dhe abuzimet e të drejtave të njeriut ndaj tyre, me
qëllim që t'i jepet fund këtij cikli të dhunës kundër femrave.