Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Përvjetori i masakrës së çamëve
E marte, 02.07.2013, 08:59 PM
PËRVJETORI
I MASAKRËS SË ÇAMËVE
Nga Frank Shkreli
Muaji i
Qershorit është muaji që Çamët dhe të gjithë Shqiptarët kudo, kujtojnë viktimat
e masakrës të vitit 1944, kur forcat e gjeneralit grek Zervës ekzekutuan
barbarisht mijëra shqiptarë, kryesisht gra pleq e fëmij, nga Çamëria, pikërisht
në qytetin e Paramithisë. Këjo ishte
një prej masakrave më të mëdha dhe më të egëra të Luftës së Dytë Botërore, kur
forcat greke të gjeneralit Zerva, vetëm brenda një nate, vranë pamëshirshëm
shqiptarë të pafajshëm çamë në qytetin e Paramithisë. A ishte këjo një masakër apo një përpjekje
gjenocidi kundër popullësisë shqiptare autoktone çame, është diçka që
historianët shqiptarë dhe evropianë duhet të vendosin. Por ajo që bie në sy, vit pas viti, në
lidhje me këtë masakër, është hipokrizia e shtetit grek që mohon si gjithmonë të ketë
ndodhur një gjë e tillë, si dhe
heshtja e autoriteteve zyrtare shqiptare në lidhje me këtë tragjedi, gjoja për
të mos trazuar marrëdhënjet shqiptaro-greke.
Por kujtimi i kësaj masakre, si edhe masakrave të tjera, siç është ajo e
Tivarit - është i gjallë anë e mbanë trojeve shqiptare. Këto krime, qartë, janë krime kundër
njerëzimit. Si të tilla, ato nuk mund të
konsiderohen dhe të harrohen, thjeshtë,
vetëm si padrejtësi historike kundër shqiptarëve. Në Evropën
e sotëme, përgnjeshtrimi i këtyre masakrave dhe mos ballafaqimi me të
kaluarën, sado e tmershme që të jetë ajo,
jo vetëm që pengon demokratizimin e rajonit të Ballkanit, por kërcënon
sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe
njëkohësisht kërcënon zhvillimin normal
të marrëdhënjeve midis shteteve dhe grupeve të ndryshme etnike të rajonit.
Kryeministri
i ardhëshëm i Shqipërisë, Zoti Edi Rama, në një intervistë me të përditshmen greke “Kathimerini”, tha se “acari’ në marrëdhëniet tona, mori
fund dhe ‘vera’ do vijë përsëri shumë shpejt në marrëdhëniet
shqiptaro-greke........Jetojmë në kohë të ndryshme nga disa vjet më parë dhe
popujt tanë nuk mund të përfitojnë, nëse nuk ndryshojmë duke ecur me kohën, e
cila gjithashtu ecën shumë shpejt”.
Marrëdhënjet
greko-shqiptare duhet të bazohen në pranimin e plotë nga ana e Greqisë, të
fakteve dhe të pasojave të masakrimit dhe të shpërnguljes me forcë të çamëve
nga trojet e tyre autoktone, gjë që do të çonte në një zgjidhje të drejtë dhe
të gjithanshme të çështjes çame midis dy vendeve. Këjo duhet të bëhet për hir të marrëdhënjeve
të mira fqinjësore dhe duke u bazuar në vlerat dhe marrveshjet ndërkombëtare të
të drejtave të njeriut, pasi masakra kundër çamëve ishte një përpjekje e
tmershme për t'i zhdukur ata nga faqja e dheut, si individë dhe si popull. Këjo është një detyrë solemne e qeverisë së
re shqiptare, e të gjithë shqiptarëve kudo, dhe të gjithë atyre që mbështesin
drejtësinë dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës. Do e s’do Tirana zyrtare, shqiptarët kudo në
trojet e tyre, jashtë kufijve të Shqipërisë londineze dhe në diasporë,
shikojnë tek Tirana zyrtare për mbështetje, si dhe
për zbardhjen e masakrave siç është ajo e Çamërisë dhe e Tivarit.
Faktet e
kësaj historie, megjithëse të shtrembëruara dhe të mohuara, dihen mirë. Por fatkeqsisht, koha kalon dhe numri i të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të
kësaj masakre po pakësohet nga dita në ditë.
Prandaj, zgjidhja e kësaj çështjeje nevojitë një ndjenjë të fortë
urgjence, si dhe një thirrje të fortë morale për të njohur këtë masakër, pa
vonesë. Greqia dhe Shqipëria janë dy
vende me marrëdhënje relativisht të mira.
Janë anëtare të NATO-s dhe shpresohet, me anëtarsimin e shpejtë të Shqipërisë
në Bashkimin Evropian, dy vendet do të jenë pjesë e Evropës së bashkuar, me
interesa të përbashkëta ekonomike dhe sigurie.
Greqia dhe Shqipëria janë gjithashtu dy vende nënshkruese të konventave
ndërkombëtare, të dedikuara ndaj mbështetjes së të drejtave të njeriut dhe ndaj
demokracisë dhe stabilitetit rajonal, por mbi të gjitha si anëtare të botës
euro-atlantike, Athina dhe Tirana janë gjithashtu të dedikuara ndaj të zbulimit
të së vërtetës dhe për të venë në vend të vërtetën. Ka ardhur koha që Athina të pranojë të
vërtetën e masakrës dhe të shpërnguljeve me forcë të popullsisë çame nga trojet
e veta. Njohja e së vërtetës çon tek
pajtimi dhe së bashku – pajtimi dhe e vërteta – duhet të jenë pjesë integrale e
vendosjes së marrëdhënjeve të reja dhe të qendrueshme midis dy vendeve, të bazuara
në respektimin e standardeve ndërkombtare për të drejtat e njeriut, si dhe një
dinjitetin njerëzor dhe kombëtar, për të cilat u shpreh kryeministri i posa
zgjedhur shqiptar. Pa zgjidhjen dhe
përballimin serioz me çështjen çame,
deklarata për një gazetë greke e Kryeministrit të ardhëshëm shqiptar Edi
Rama - se “acari’ në marrëdhëniet tona,
mori fund dhe ‘vera’ do vijë përsëri shumë shpejt në marrëdhëniet
shqiptaro-greke..." - nuk besoj se ka ndonjë kuptim. Njohja dhe dënimi zyrtar grek i masakrës
kundër çamëve duhet të bëhet me qëllim që të vendoset drejtësia historike, për
ata që besojnë në drejtësi dhe për hir të mbarëvajtjes së marrëdhënjeve
dy-palëshe. Për më tepër, pasi Shqipëria
dhe Greqia janë fqinje dhe dashtë e pa dashtë duhet të jetojnë së bashku. Ky
është realiteti. Pranimi i masakrës dhe
krimeve të tjera kundër popullësisë çame nga ana e Athinës zyrtare, do të
ndihmonte në ndërtimin urave të pajtimit midis dy popujve dhe do të forconte
paqën, sigurimin dhe begatinë në mbarë rajonin.
Angazhimi në një dialog midis dy palëve, mbi këtë çështje, është tepër i
rëndësishëm.
Mirëpo,
që të ndodhë një gjë e tillë, mentaliteti i sotëm grek duhet të ndryshojë, por
edhe shqiptarët njëkohsisht duhet të heqin dorë nga amnesia ose humbja e plotë
e kujtetesës, me qëllim që harresa të mos bëhet më e keqe se vet krimi. Në këtë përvjetor të masakrës çame, le të
kujtojmë pra kurajon e viktimave si dhe të atyre që mbijetuan atë tragjedi,
zëri i të cilëve dëgjohet ende - duke shpresuar që krime të tilla të tmershme
kundër njerëzimit të mos ndodhin më kundër shqiptarëve, as nga dora e të
huajit, e as nga dora shqiptare, ashtuqë këto krime të tmershme
anti-njerzore, racizmi dhe viktimizimi
të njerëzve të pafajshëm, të mos harrohen dhe të mos përsëriten më në trojet
shqiptare.