Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Gëzuar Ditëlindjen Amerikë
E merkure, 03.07.2013, 09:31 PM
GËZUAR
DITËLINDJEN AMERIKË
NDIKIMI I PAVARËSISË AMERIKANE NË BOTË
Nga Frank Shkreli
Me 4
Korrik, 1776, Kongresi i dytë Kontinetal,
miratoi Shpalljen e Pavarësisë të 13 kolonive amerikane duke shpallur
kështu ndarjen, njëherë e mire, të
kolonive nga Britania e Madhe dhe shënon ditën ku iu shpallë mbarë botës se,
"Të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta." Në thelbin e revolucionit amerikan, ishte
ideja e vet-qeverisjes, dmth. e drejta e një populli për të ushtruar vet të
gjitha kompetencat e pushetit pa ndërhyrje nga dikush tjetër. Tomas Xhefersoni, kryeautori i Kushtetutës së
Shteteve të Bashkuara ka thënë se vetqeverisja është një e drejtë që njerëzit e
kanë, në bazë të "ligjeve të natyrës dhe të Perendisë''.
Historia e kombit te ri amerikan ishte plot e për plot
konflikte të mbrendshme por edhe të jashtme, me vendet që kërcënoheshin nga
krijimi i një sistemi republikan të qeverisjes, siç ishte sistemi i republikës
së re amerikane. Por pas shumë debatesh
dhe argumentash, Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë, 237 vjetë më parë nga
kolonitë amerikane, vendosi bazën e një kombi të ri, - që sot quhet Shtetet e
Bashkuaratë Amerikës - një dokument ky që ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë
si një frymëzim për mbrojtjen e të drejtave
të njeriut si edhe për sovranitet dhe pavarësi. Anë e mbanë botës, për ata që duan t'i
degjojnë dhe për ata që nuk duan, gjithnjë
bën jehonë deklarata e
Kushtetutës amerikane se, "Perëndia
i ka pajisë të gjithë njerzit me disa të drejta të pa tjetërsueshme,
ndër të cilat janë Jeta, Liria dhe e Drejta për të ndjekur mundësinë për të qenë i kënaqur në jetë". Fjalët e para të Shpalljes së Pavarësisë së
Shteteve të Bashkuara, se "ne besojmë në këto të vërteta se të gjithë
njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta", kanë bërë jehonë gjatë histories së tre shekujve të kaluar, duke
nxitur bërjen e ndryshimeve për të
siguruar barazi për të gjithë, duke
filluar nga zhdukja e skllavërisë e deri tek miratimi i ligjeve për sigurimin
dhe mbrojtjen e të drejtave të barabarta për burrat dhe për femërat. Dokumenti i
Shpalljes së Pavarësisë Amerikane, që zyrtarisht zyrtarizoi pavarësinë
nga Britania e Madhe, është në të
vërtetë një përmbedhje e 10-amandamenteve të kushtetutës amerikane, dokument
ky që njihet si ''Bill of Rights'', që
sot njihen si të drejtat bazë të njeriut, përfshirë lirinë e fjalës, lirinë e
shtypit dhe të fesë, ndër të tjera.
Në
Filadelfia të shtetit Pensilvania, 56 burra nga te gjitha kolonitë hodhën votën
e parë për pavarësi nga Britania e Madhe duke nënshkruar Shpalljen e Pavarësisë së Amerikës më 4 Korrik, të vitit 1776 dhe njëkohësisht
duke i shpallur edhe botës së atëhershme parimin radikal për kohën, se
qeveria duhet të bazohet në pëlqimin dhe
miratimin e saj nga populli. Ndonëse natyrisht 4 Korriku është një festë amerikane, parimet e Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve
të Bashkuara janë bërë bazë gjithashtu
edhe e kushtetutave të shumë vendeve të botës, por mbi të gjitha, ato janë
përfshirë edhe në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Andaj si e
tillë, këjo ditë mund të konsiderohet si një ditë feste e të drejtave të
përbashkëta dhe universale të njerëzimit.
Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara ka ndikuar dhe ka bërë
jehonë në zhvillimet historike të shumë vendeve, përfshirë edhe Francën. Në dokumentat e Revolucionit francez
mund lexohet, se "Njerëzit janë
lindur të lirë dhe mbeten të tillë, me të drejta të barabarta".
Historianët
thonë se ndikimi i Shpalljes së Pavarësisë amerikane ishte i drejtë për drejtë,
në valën e shpalljeve për pavarësi të shumë vendeve pas Luftës së Parë Botërore
me shëmbjen e perandorisë osmane, ruse dhe austro-hungareze, si dhe gjatë
periudhës deri në fund të shekullit të kaluar, me shpartallimin e perandorive të
tjera, përfshirëa tëë komuniste, kur nga
shpartallimi i këtyre perandorive lindën
një numër shtetesh të pavarura anë e mbanë botës.
Edhe
Shqiptarët kudo kanë të drejtë të festojnë sot 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë
së Shteteve të Bashkuara, pasi ishin parimet për të drejtat universale të
njeriut dhe për vetvendosje dhe sovranitet të shteteve që rrjedhin nga këjo
deklaratë - ato që shtynë Presidentin amerikan Uilson të mbronte Pavarësinë e
Shqipërisë në Konferencën e Paqës në Paris në fillim të shekullit të kaluar - dhe ishte
besimi në këto parime dhe si rrjedhim, detyrimi moral, ai që detyroi
Shtetet e Bashkuara, me në krye Presidentin Klinton, të ndërhynin ushtarakisht në Kosovë, në fund të
shekullit që kaloi, për të ndaluar shfarosjen dhe shpërnguljen e
shqiptarëve nga ushtria dhe policia terroriste serbe. Politika uilosniane, “se çdo popull ka të
drejtë të zgjedhë sovranitetin nën të cilin dëshiron të jetojë dhe të veprojë”,
u çua në vend.
Në të
vërtetë, ishin parimet që rrjedhin nga deklarata e Pavarësisë së Shteteteve të
Bashkura, se qeveritë duhet të kenë pëlqimin dhe miratimin e popullit, ato që
çuan në prishjen e marrëdhënjeve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të
Amerikës, kur në vitin 1945, Enver Hoxha refuzoi të lejonte mbajtjen e
zgjedhjeve të lira, gjë që përfundoi në
mbylljen e misionit diplomatik amerikan në Tiranë. Me rivendosjen e marrëdhënjeve diplomatike
midis tyre në vitin 1991, dy vendet kanë zhvilluar marrëdhënjeve të mira, në
bazë të parimeve të përbashkëta për respektimin e të drejtave të njeriut dhe
për të drejta të barabarta për të gjithë. Dhe duke u bazuar në parimin mbi
sovranitetin dhe pavarësinë e shteteve - Shtetet e Bashkuara, sipas zëdhënsve
amerikanë, vazhdojnë të jenë të angazhuara dhe të vendosura seriozisht që
Shqipëria dhe Kosova - si shtete sovrane
dhe të pavarura - të realizojnë aspiratat e tyre për integrimin e plotë të
kombit shqiptar në organizmat euro-atlantike, dhe në një Evropë, "të lirë,
të tërë dhe në paqë", aty ku e ka vendin dhe karrigën e vet.
Mesazhi i
kësaj dite të rëndësishme për kombin amerikan - por edhe për të gjithë ata që
vlersojnë dhe besojnë në parimet e Shpalljes së Pavarësisë amerikane - është i
thjeshtë por edhe i rëndësishëm sa vet jeta.
Është një mesazh që jehon sot e kësaj dite anë e mbanë botës - se të
drejtat tona bazë, si qenje njerëzore, e "që janë Jeta, Liria dhe e Drejta
për të ndjekur mundësinë për të qenë i kënaqur në këtë jetë ", vijnë nga
Perëndia dhe jo nga ndonjë autoritet qeveritar ose shtetëror i kësaj bote. Dhe
si të tilla, qeveritë ekzistojnë me pëlqimin dhe miratimin e popullit, për t'i
mbrojtur këto të drejta, dhe jo për t'i shkelur ato. Në të vërtetë ky ishte një mesazh
radikal për kohën, por është i tillë
edhe sot në shumë vende autoritare të botës ku shkelen të drejtat e njeriut dhe
ku nuk merret parasyshë dëshira e shumicës.
Prandaj, mesazhi i kësaj dite është se, qytetarët kudo kanë jo vetëm të
drejtë, por edhe detyrë të heqin qafe cilindo regjim që përpiqet t’i
dhunojë këto të drejta.
Sot, në këtë ditë të shënjtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm amerikanët, por edhe popujt anë e mbanë botës, duhet të jenë krenarë dhe të kujtojnë ata që shpallën pavarësinë e Shteteve të Bashkuara, sepse ata hodhën në veprim një forcë pozitive që solli dinjitet, dhe njëherazi çimentoi idenë e të drejtave të barabarta për të gjithë njerërzit jo vetëm sot, por edhe për breznitë e ardhëshme anë e mbanë botës. Ishin këto parime morale dhe jehona e tyre - nevoja pra për lirinë dhe respektimin e të drejtave bazë të njeriut - që çuan më në fund në shëmbjen e komunizmit në Evropë, duke bërë që qindra miliona njerëz të gëzojnë jetën në liri. Ishin idetë e themeluesve të kombit amerikan, Xhorxh Uashingtonit, Tomas Xhefersonit, Xhon Adamsit, Benjamain Franklinit e shumë të tjerë, por dhe të vërtetat morale të tyre, ato që edhe sot vazhdojnë të frymëzojnë të shtypurit e botës.