Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Anthony Athanas - Nderi i Kombit
E merkure, 10.07.2013, 07:50 PM
ANTHONY ATHANAS, NDERI I KOMBIT
DHE KRENARIA E KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
RESTORANTI ANTHONY'S PIER 4 NUK ËSHTË MË
Nga Frank Shkreli
Mediat e
Bostonit në Shtetet e Bashkuara njoftojnë se restoranti i famshëm i Bostonit
dhe për një kohë të gjatë ikona e restoranteve në Amerikë, Anthony's Pier 4, do
të mbyllet përgjithmonë muajin e ardhëshëm.
Restoranti Anthony's Pier 4,
ishte hapur në vitin 1963 nga Anthony
Athanas, afaristi dhe patrioti i dalluar i komunitetit shiptaro-amerikan. Anthony Athanas ndërroi jetë në vitin 2005,
në moshën 93 vjeçare.
Historia
e tij ishte e një jete që është quajtur ''ëndërra amerikane'', e realizuar me
punë të rëndë dhe dedikim. Ish-Senatori Xhin Kerry i shtetit Masaçusets dhe
tani Sekretar I Shtetit Amerikan ka thënë për emigrantin shqiptar nga Korça
se, “Antoni Athanas jetoi ëndrrën
amerikane dhe për asnjë minutë nuk harroi se nga kishte ardhur. Me një
prejardhje të thjeshtë nga Shqipëria, Antoni mundi të realizojë ëndrrën e çdo
emigranti duke punuar dhe arritur të bëhet një institucion kombëtar”. Ai ishte
larguar nga vendlindja e tij Korça në vitin 1911 dhe emigroi në Shtetet e
Bashkuara në moshën 4 vjeçare për tu
bashkuar me babain e tij i cili ndodhej në Amerikë. Antoni ishte ndër të parët shqiptarë që
zbriti në Amerikë. Nga nevoja për të
bërë jetesën dhe i detyruar të punonte, ai largohet nga shkolla në moshën 13
vjeçare dhe punon ditë e natë, shtatë ditë në javë në restorante të ndryshme,
ndërsa përpiqej të mbledhë një grusht dollarë për të blerë restorantin e tij të
parë në vitin 1938, për 1800 dollarë.
Ndërkohë, Antoni hapë edhe restorante të tjera por në vitin 1961, ai
blenë një truall buzë ujit dhe hapë restorantin që e pagëzon me emrin e tij
Anthony's Pier 4, një restorant ky që mbrenda një kohe të shkurtër u bë i
njohur jo vetëm në
Është e
qartë se Anthony Athanas ishte shumë i suksesshëm si afarist dhe u bë i njohur
në të gjithë Amerikën si pronar lokalesh.
Si i tillë, Antoni kishte mundësitë të njihej me personalitetet më të
shquara amerikane të politikës, kulturës dhe botës së artit, që kishin dëgjuar
për famën e restorantit të tij, dhe të cilin ata e frekuentonin shpesh.
Provë për këtë janë fotografitë e
renditura në mur në lokalin Anthony's Pier 4, përfshirë emërat më të njohur të
elitës politike të Bostonit, të shtetit Massaçusets dhe mbarë Shteteve të
Bashkuara. Aty, ndër të tjera, janë fotografitë e Antonit me personalitete
si Frank Sinatra, Elizabeth Taylor, Xhon Kenendy, Riçard Nikson, Henry
Kissinger, Alfred Hitçkok, dhe dyzina të tjera figurash të dalluara nga fusha
të ndryshme të jetës amerikane.
Megjithëse u largua nga shkolla në moshën 13 vjeçare për të punuar, për
të siguruar jetën e vet dhe të familjes, Antoni Athanas, falë zgjuarsisë së
shqiptarit, ai gjatë viteve ka shërbyer edhe si lektor shumë popullor i ftuar
nga universitetet më të dalluara të Amerikës, si Harvard Buisness School,
Cornell University e të tjera.
Megjithë
famën dhe sukseset në botën amerikane, Anthony Athanas mbeti përgjithmonë një
patriot, i cili punoi vazhdimisht për të mirën e shqiptarëve në Shqipëri,
Kosovë e kudo. Për dekada me radhë,
Anthony Athanas ishte njëri ndër figurat kryesore të organizatës pan-shqiptare
Vatra. Antoni nuk e zhvilloi punën e tij
patriotike, as për nam as për para, pasi ai i kishte të dyja, por si atdhetarët
e gjeneratës së tij, ai e bëri këtë vetëm e vetëm se kishte ndjenja të
thella atdhetare, duke mos kursyer
asgjë kur vinte puna tek Shqipëria dhe
shqiptarët. Agim Karagjozi, një
bashkohas i Antonit dhe ish-kryetar i Vatrës, ka thënë në një intervistë për Zërin e Amerikës, me
rastin e vdekjes së Antoni Athanas se, "Ai kishte një krenari dhe
ndjenja të thella shqiptare, prandaj e
gjente kohën, sado i zënë që ishe.
Kishte dhe kapacitetin financiar dhe moral që t'i kushtohej Vatrës, e ndjente
këtë si detyrë." Për më tepër,
vazhdon Agim Karagjozi, "Antoni Athanas ishte trashëgimtari i Nolit në
Vatër, ishte ai që i siguroi jetën Vatrës për shumë dekada."
Antoni
Athanas, si bashkpuntor i ngushtë i Fan Nolit dhe Faik Konicës, megjithëse
kishte të lidhje të ngushta dhe reputacion shumë të mire me ajkën e shoqërisë
amerikane, ai kurrë nuk harroi rrënjët e tija, kurrë nuk harroi Shqipërinë dhe
kombin e tij. Është e vërtetë se
restoranti i tij frekuentohej nga antarët më të dalluar të elitës amerikane,
por Antoni Athanas, si patriot shqiptar që ishte, i mbante dyertë e restorantit
të tij gjithmonë hapur edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan. Më kujtohet disa herë që kam vajtur në
restorantin e tij, me bujarinë e tij, Antoni të
bënte të ndihesh sikur të ishe në shtëpinë tënde. Ai të ndeshte dhe të
përcillte vet, nganjëherë edhe të shërbente, deri në ditët e fundit të jetës së
tij. E tillë ishte atmosfera në restorantin e Antonit, për të gjithë
shqiptarët, pa dallim. Ishin të shumëta
darkat e drekat, mbledhjet dhe festimet e ndryshme, por njëra nga më të
dalluarat ishte festimi i 60-vjetorit të gazetës Dielli më 1969, ku ishin ftuar
edhe përfaqsues të Arbëreshve të Italisë.
Ernest Koliqi, pjesëtar i delegacionit arbëresh, e përshkruan kështu në
revistën Shëjzat, atë që ai quan ''mrekullinë e mikpritjes'' në restorantin
Pier 4 të Antoni Athanas, njërit, sipas tij,
ndër ''shtyllaat e papërkulshme të Shoqatës Vatra". Koliqi thotë se, "Ky zotni i njerzishëm
shtroi ato ditë papra sofra e gostina...dhe me buzë në gaz qerasi të parin e të
mbramin, tue ndejë vet në kambë dhe shpesh tue u dhanë dorë atyne që u
shërbejshin tryezave. Këtij zotënie i përshtatet njimend fjala derë çelë."
Në kulmin
e punës, nga 800-puntorët që kishte gjithsejt, shumë nga ata ishin shqiptarë të
posa ardhur në Amerikë dhe të cilët kishin nevojë urgjente për punë. Më kujtohet se në fillim të 70-ave, Antoni
kishte marrë në punë të gjithë familjen e një kunatës time, me të ardhur në
Amerikë. I tillë ishte Antoni
Athanas. Gjatë dekadave të fundit të
shekullit të kaluar, aty janë mbajtur takime me rëndësi të përfaqsuesve të
komunitetit shqiptaro-amerikan për të biseduar mbi hallet e Shqipërisë dhe të
Kosovës, si dhe për strategjitë për marrjen e
masave për të siguruar përkrahjen amerikane për fatet e shqiptarëve,
ekzaktërisht ashtu si në kohën e Nolit e të Konicës. Ishte përvoja e hidhur e Antonit -- kur si
fëmij ai u detyrua nga masakrat greke të shpërngulej nga vendlindja – ajo që e ndoqi gjithë jetën
e tij dhe që e bëri atë të punonte me gjithë mundësitë e tija për të drejtat
e shqiptarëve kudo. Madje, në moshë të shkuar, gjatë luftës në
Kosovë, në vitin 1999, ai i bashkohet një delegacioni të Kongresit amerikan që
vizitoi Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.
Antoni Athanas, përveçse ishte një ndër afaristët më të dalluar të Amerikës, ai personifikonte bartësin e atdhetarizmit të frymëzuar nga objektivat e larta të kombit shqiptar. Mund të mbyllet restoranti Anthony's Pier 4, që ishte krenaria dhe suksesi i tij i madh profesional, por vepra patriotike e Antoni Athanas, njëri prej biznismenve më të dalluar të Amerikës dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, nuk do të harrohet kurrë.
Më poshtë disa nga fotografitë e Antoni Athanas me personalitete në murin e restorantit Anthony’s Pier 4