Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Malala - vajza që sfidoi talebanët
E diele, 14.07.2013, 05:59 PM
VAJZA QË SFIDOI TALEBANËT, IKONË GUXIMI DHE SHPRESE
E
FRYMËZUAR
Nga Frank Shkreli
Malala
Yousufzai, vajza 16-vjeçare nga
Pakistani e cila vitin e kaluar u qëllua me
plumb nga talebanët, vetëm e vetëm se mbështeste dhe progandonte në
favor të edukimit për vajzat, ishte ftuar të fliste të Premtën
në Organizatën e Kombeve të
Bashkuara, (OKB) në 16 vjetorin e lindjes dhe në ditën që organizata botërore ka shpallur si, "Dita e Malalës'', në nder dhe respekt
për guximin e saj përballë sfidave tepër të rrezikshme për një vajzë të
re. Vitin që kaloi, Malala Yousafzai u
plagos rëndë, në luginën Swat në veri të
Pakistanit, në jë sulm barbar nga talebanët, të cilët njëherazi plagosën edhe dy shoqe të saja, kur talebanë të armatosur u futën në autobusin e
fëmijve të shkollës duke kërkuar me emër vajzën e re Malalën -- e cila njihej
si kundërshtare e politikës së tyre për të mos lejuar vajzat të shkonin në
shkollë -- dhe e qëlluan disa herë duke e plagosur rëndë. Fatbardhësisht, ajo u shërua plotësisht nga plagët e saja nën kujdesin e mjekëve
pakistanezë dhe më vonë nga mjekët
anglezë në një spital britanik. Ishte ky
një incident i cili shokoi botën e qytetëruar dhe shkundi ndërgjegjen e botës
rreth gjëndjes së vështirë të vajzave në shoqëritë islamike fondamentaliste. Ky akt, u dënua rëndë nga e gjithë bota si
një akt barbar, kriminal dhe i shëmtuar.
Ishte
Ish-Kryeministri britanik, Gordon Brown, tani Përfaqsues i posaçëm global i
OKB-së për arsimin, ai që e paraqiti
pakistanezen 16- vjeçare para nja një mijë studentëve të ardhur në OKB nga 100
vende nga mbarë bota, duke thënë se me të
vërtetë ishte një mrekulli, që Malala gjëndej në mesin e tyre. "Më lejo", tha ai, duke iu
drejtuar Malalës, "të përshëndes me fjalët që Talebanët nuk do të dëshironin t'i dëgjonin: “Gëzuar 16-vjetorin e lindjes, Malala''. Ai e quajti vajzën pakistaneze, të plagosur
nga talebanët, si ''vajzën më guximtare në botë''. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së,
Ban Ki Moon tha se, “Duke sulmuar Malalën, ekstremistët treguan se frika më e madhe e tyre është një
vajzë me një libër në dorë.”
"Ata
menduan se plumbat do të na heshtnin, por talebanët dështuan".
Ajo e
filloi fjalimin e saj në OKB -- një fjalim që sipas shumë komentuesve nuk do të
harrohet shpejt -- duke falenderuar
Zotin, "para të cilit", tha ajo, ''të gjithë jemi të barabartë",
dhe shtoi se "kjo nuk ishte dita ime, por dita e çdo femre, e çdo djali
dhe çdo vajze të cilët kanë ngritur zërin e tyre në mbrojtje të të drejtave
të tyre." Malala u tha të pranishmëve se, "nuk
po flasë për veten, por për të gjithë ato dhe ata të cilët nuk kanë mundësi të
flasin, për të gjithë ata dhe ato që
kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e veta, si dhe për të
drejtën e tyre për të jetuar në paqë."
"Terroristët",
tha ajo, "kanë vrarë me mijëra veta dhe kanë plagosur miliona të tjerë. "Unë", shtoi ajo, "jam vetëm
një prej këtyre të plagosurve....një vajzë ndër shumë të tjera...Terroristët
menduan se do ndryshonin objektivat dhe
të shuanin ambiciet e mia, por asgjë nuk ka ndryshuar në jetën time." Por, ajo që ka ndryshuar pas sulmit kundër
saj nga talebanët, vitin që kaloi, tha Malala, është se, "vdiq dobësia, u
zhduk frika dhe u rivendos shpresa", duke shtuar se sulmi taleban kundër saj, e kishte bërë atë
më të fortë duke thënë se, si rrjedhim, për të
"lindi forca dhe guximi.''
Duke
thënë se pena është më e fortë se shpata, dhe se kjo është arsyeja që talebanët
''kanë frikë nga libri dhe pena", ajo theksoi se, "Një fëmi, një
mësues, një libër dhe një penë, mund të ndryshojnë botën”. Talebanët ekstremistë”, shtoi ajo, "kanë
frikë nga femrat dhe nga zëri i fuqishëm i tyre....kanë frikë nga ndryshimet që
barazia për të gjithë, do të sjellë për shoqërinë tonë."
"Unë
e ngre zërin tim jo për të tërhequr vëmendjen ndaj personit tim”, tha ajo, “por
për të gjithë ata që luftojnë për të drejtën e tyre që të trajtohen me dinjitet
njerëzor,për të gjithë ata që ngulin këmbë dhe kërkojnë të drejta të barabarta në çdo fushë dhe për të
drejtën e të gjithëve për të shkuar në shkollë dhe për tu edukuar."
Duke
thënë se nuk po fliste në një frymë hakmarrjeje, ajo shtoi se dëshiron që edhe
fëmijtë e ekstremistëve talebanë të shkojnë në shkollë dhe të edukohen. 16-vjeçarja Malala, tha në fjalën e saj në
OKB, se ajo kishte ardhur në Kombet e Bashkuara
e bindur dhe duke u mbështetur në trashëgiminë e pa dhunë të Martin Luter King-ut, Gandit dhe
Nënë Terezës, si edhe në mëshirën dhe mësimet e Jezu Krishtit, Muhametit dhe
Budës. "Zemra më thotë, paqë dhe
dashuri me të gjithë, dhe për të gjithë", tha vajza e re pakistaneze në
paraqitjen e saj në OKB, në Nju Jork.
Ajo u
bëri thirrje udhëheqsve botërorë që të mbrojnë të drejtat e femrave dhe të fëmijve anë e mbanë botës,
dhe njëherazi u bëri thirrje të gjithë
komuniteteve që të tregojnë tolerancë ndaj atyre që janë ndryshe, duke
insistuar në mbrojtjen e lirisë dhe barazisë për femrat, dhe duke theksuar se
asnjë shoqëri, "nuk mund të jetë e sukseshme, kur (femrat) gjysma e
popullsisë së saj, "nuk gëzon të njëjtat të drejta me gjysmën tjetër të
popullsisë”. Vajza pakistaneze u bëri
thirrje, atyre që ajo cilësoi si, "motrave tona anë e mbanë botës që të
jenë të guximshme -- të besojnë në
vetvete dhe të përqafojnë fuqinë mbrenda vetes së tyre, ashtuqë të realizojnë
potencialin e tyre të plotë."
Askush nuk mund t'na ndalojë, tha ajo, në rrugën tonë për realizimin e
paqës dhe të edukimit për të gjithë.
Presidentja
e Fondacionit të Kombeve të Bashkuara, Kathy Calvin tha se, "Guximi dhe
anagazhimi i Malalës na frymëzon të gjithëve”.
Znja Calvin shtoi se, “Ajo
mishëron vendosmërinë dhe guximin e të rinjve e të rejave anë e mbanë botës, të
cilët ndeshin në pengesa të mëdha për të shkuar në shkollë. Por, të edukuar, ky brez i ri do të jetë një
forcë e fuqishme për përparim në botë.....Le të nderojmë sot Malalën", tha
Zonja Calvin, "duke bërë realitet edukimin e të gjitha vajzave dhe djemve,
anë e mbanë botës, pa përjashtim."
Me
fjalimin e saj në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Malala Yousafzai triumfoi mbi
terroristët talebanë, megjithse prej tyre kishte marrë plumbin, vetëm e vetëm
se nguli këmbë në mbrojtje të së drejtës së vet dhe shoqeve të saj të shkonin
në shkollë për tu edukuar. Dy prej
tyre u plagosën gjithashtu me atë rast.
Ajo kundërshtoi guximshëm urdhërat e radikalve të çmendur talebanë dhe
vazhdon të flasë në mbështetje të edukimit të vajzave në
Guximi i
Malalës dhe të tjerëve si ajo, duke kundërshtuar ideologjinë çnjerëzore
mesjetare të talebanëve, është e vetmja shpresë për një lëvizje mbarë popullore
për të mundur ideologjinë e talebanëve dhe për të mposhtur fushatën e tyre të
shtypjes në Pakistan, Afganistan dhe kudo tjetër në botë.
Në mirënjohje dhe falënderim për guximin e saj të pashëmbullt, sipas BBC-së, janë mbledhur me mijëra nënshkrime “online” nga e gjithë bota, për një peticion, me të cilin bëhet thirrje që vajza trimëreshë pakistaneze Malala, të emërohet për Çmimin Nobel për Paqë. Ajo me të vërtetë është një kandidate e denjë për këtë çmim prestigjioz.