Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: OKB dhe të Drejtat e Njeriut në Shqipëri
E premte, 19.07.2013, 07:56 PM
OKB-eja DHE
TË DREJTAT E NJERIUT NË SHQIPËRI
Nga Frank Shkreli
Komisioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së) për të Drejtat e Njeriut është duke zhvillur punimet e sesjonit të 108-të në Gjenevë, gjatë të cilit po shqyrton raportet mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut në gjashtë vende anëtare të komisionit, ku bëjnë pjesë 167 vende që kanë ratifikuar Konventën mbi të drejtat e njeriut, përfshirë edhe Shqipërinë. Gjatë sesjonit mbi të drejtat e njeriut, Komisioni shqyrton zbatimin ose jo të angazhimeve të marra nga vendet anëtare, në bazë të Konventës Ndërkombëtare që kanë nënshkruar, në mbrojtje të të drejtave civile dhe politike. Konventa Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, e cila është miratuar në vitin 1967 dhe ka hyrë në fuqi në vitin 1976, thekson të drejtën e të gjithë popujve për vet-vendosje dhe ndër të tjera, njeh të drejtën e çdo personi për të jetuar i lirë dhe në siguri dhe njëherazi ndalon torturën, trajtimin ose dënimin çnjerzor dhe marrjen e jetës në mënyrë arbitrare. Konventa mbi të drejtat e njeriut njeh gjithashtu të drejtën dhe lirinë e të shprehurit, të menduarit, të ndërgjegjes, si dhe lirinë e fesë. Marrveshja ndërkombëtare ndalon njëkohsisht propagandën e luftës dhe urretjet kombëtare, raciale ose fetare.
Përveç delegacioneve qeveritare, përfaqsuese të vendeve anëtare, Komisioni i OKB-së ka ftuar gjithashtu edhe ekspertë nga organizata të tjera të OKB-së, ente jo-qeveritare si dhe përfaqsues të institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut të vendeve anëtare, nga të cilët dëgjon dëshmitë e tyre në sesjone me dyerë të mbylluara, mbi liritë dhe sigurinë e çdo personi në vendet nga vinë ata.
Punimet
e këtij sesjoni përfundojnë me 26 korrik, por seanca e dytë periodike mbi
zbatimin e kësaj marrveshjeje nga ana e Shqipërisë u mbajtë të
marten me 16 korrik. Delegacioni shqiptar në këtë seancë
përfshinte përfaqsues nga një numër institucionesh, përfshirë Ministrinë e
Mbrendshme, Ministrinë e Jashtme dhe Ministrinë e Arsimit. Mirëpo, sipas
njoftimit për media nga Zyra e OKB-së në Gjenevë, thuhet se raportin mbi
gjëndjen e të drejtave të njeriut, në emër të qeevrisë së Shqipërisë, e
paraqiti përfaqsuesja e përhershme në Zyrën e OKB-ës në Gjenevë, Filloreta
Kodra. Përfaqsuesja e Tiranës, i siguroi pjesëmarrsit se sipas
kushtetutës së vendit, Konventa Ndërkombëatre për të drejtat e njeriut është
pjesë e sistemit ligjor të Shipërisë.
Ajo përmendi garancitë institucionale në mbrojtje të të drejtave ë
njeriut, si Gjykatën Kushtetuese, Zyën e Ombudsmenit si dhe Komisionin për
mbrojtjen kundër diskriminimit. Në emër të qeverisë shqiptare, Filloreta
Kodra i raportoi seancës në Gjenevë se janë shënuar përmirësime të
dukshme në legjislacionin e vendit për barazinë gjinore dhe dhunën në
familje, por shtoi se prioriteti mbetet zbatimi i ligjit. Ajo shtoi
se një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare është gjithashtu që të
vendoset një bashkpunim më i madh midis qeverisë dhe shoqërisë civile për
mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të njeriut.
Sipas njoftimit të OKB-së në Gjenevë, pas paraqitjes së raportit nga
Filloreta Kodra, ekspertët e Komisionit të OKB-së për të drejtat
e njeriut, diskutuan pikërisht rreth zbatimit të neneve të
marrveshjes ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri.
Ata, sipas njoftimit për media, prekën një çështje aktuale në Shqipëri, atë të
dhunës kundër grave dhe njëherazi kërkuan informacion mbi përhapjen dhe
seriozitetin e këtij fenomeni në shoqërinë shqiptare si edhe kërkuan
informacion mbi masat që janë marrë për të siguruar se rreth rasteve
të dhunës, sidomos kundër grave, janë bërë hetime të efektëshme.
Ekspertët ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut u interesuan gjithashtu mbi
personat e zhdukur, si edhe mbi torturat dhe dhunimet që janë bërë gjatë
periudhës së regjimit komunist në Shqipëri, si dhe gjatë luftës në
Kosovë. Ekspertët donin të dinin se çfarë kriteresh po përdoreshin
për të rihapur raste të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist dhe
nëse këto zhdukje gjatë asaj periudhe njihen gjithnjë, në bazë të ligjeve të
tanishme, si shkelje e të drejtave të njeriut
të garantuara nga Konventa Ndërkombëtare mbi të drejtat e
njeriut? Dhe nëse personat që kanë kryer akte të torturës
janë ndjekur penalisht dhe nëse ata janë dënuar për krimet e tyre, në bazë të
ligjit mbi torturat?
Gjatë shkëmbimeve në lidhje me gjëndjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, ndër shqetsimet kryesore zuri vend trafikimi i qenjeve njerzore, një shqetësim ky që nënvijoi dy ditë më parë edhe ambasadori amerikan në Tiranë, gjatë një vizite në Elbasan.
Kryetari i Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, përfaqsuesi britanik Nigel Rodley tha se megjithse në Shqipëri është shënuar përparim ç'prej periudhës komuniste, në përmbledhje të punimeve të seancës, ai theksoi se është e doemosdoshme që të adresohen problemet që kanë të bëjnë me trajtimin e keq dhe dhunën ndaj femrave si the trafikimin e qenjeve njerzore. Përfaqsuesja shqiptare falënderoi Komisionin për atë që ajo cilësoi si, dialog konstruktiv dhe shtoi se qeveria shqiptare është e angazhuar për përmirësimin e gjëndjes së të drejtave të njeriut në vend. Pritet që në fund të punimeve, Komisioni i OKB-së të botojë raportin përfundimtar të punimeve të kësaj seance mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Tema e të drejtave të njeriut është gjithmonë
aktuale dhe kurrë nuk është mjaftë të flitet në mbrojtje të tyre, në nivel
kombëtar dhe ndërkombëtar. Historia
botërore, por edhe ajo e kombit shqiptar sidomos periudha komuniste, është
plotë raste të hidhura e tragjike ku mosrespektimi dhe shkelja flagrante e të
drejtave bazë të njeriut, ka përfunduar në vepra barbare që gjithnjë tronditin
ndërgjegjen e njerëzimit. Njeriu nga
natyra dëshiron për veten dhe familjen e tij, të jetojë i lirë dhe të gëzojë të
drejtat bazë që sot njihen si të drejtat e njeriut. Është një term ky që vetëm ka filluar të përdoret
pas Luftës së Dytë Botërore. Ishte një
zgjim pas Luftës së Dytë Botërore kur njerzit me ndërgjegje vendosën të mos
heshtnin më përballë torturave, vrasjeve internimeve dhe burgosjeve të
anëtareve të familjeve dhe të afërmëve të tyre nga tiranët e frymëzuar nga
fanaticizmat kombëtare siç ishte nacizmi dhe ideologjitë ndërkombëtare, si komunizmi.
Ishte Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e viti 1948 që,
“njohu se dinjiteti i natyrshëm dhe të drejtat e barabarta dhe të pamohueshme
të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore, janë themeli i lirisë, drejtësisë
dhe paqës në botë.”
Paqa, liria dhe të drejtat e njeriut nuk mbrohen
vetëm me deklarata por me vepra, pasi sipas Marrveshjes Ndërkombëtare të të
Drejtave Civile dhe Politike,“Ideali ku të gjithë njerzit janë të lirë dhe
gëzojnë të drejtat e tyre civile dhe politike si edhe lirinë nga frika - mund të realizohet vetëm e vetëm atëherë kur
të krijohen kushtet, ku secili anëtar i shoqërisë të gëzojë të drejtat e
barabarta civile dhe politike si dhe të drejtat shoqërore, ekonomike dhe
kulturore”.
Këto të drejta janë të thjeshta dhe duhet të
kuptohen lehtas. Në një fjalim në Paris
me 1948, Eleanor Roosvelt e pat filluar luftën në mbrojtje të të drejtave të
njeriut, luftë që siç vihet në dukje nga seanca aktuale e OKB-së në Gjenevë --
vazhdon edhe sot, duke thënë se, “Nuk duhet të jemi të hutuar mbi domethënjen e
lirisë, se cila është liria. Të drejtat
bazë të njeriut janë të thjeshta dhe të qarta që duhet të kuptohen lehtë. Ato janë liria e fjalës dhe e shtypit, liria
e fesë, liria për të demonstruar dhe liria per tu ankuar për pakënaqsitë ndaj
qeverisë. Si dhe e drejta e njerzëve për të jetuar të sigurtë në shtëpitë e
tyre dhe që personi të jetë i lirë nga kontrollet e pa arsyeshme dhe që të mos
arrestohet dhe të dënohet në mënyrë arbitrare
nga autoritetet shtetërore”.
Përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare për sigurimin e të drejtave të njeriut vazhdojnë të jenë një sfidë e madhe dhe një mision i pa realizuar.