Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: ''Të ushtojë kambana e lirisë''
E enjte, 15.08.2013, 08:16 PM
"LE
TË USHTOJË KAMBANA E LIRISË"
50-JETË NGA FJALIMI HISTORIK I MARTIN L. KING-UT
Nga Frank
Shkreli
Ishte
muaji gusht i vitit 1963. Në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, lëvizja për të drejtat civile e udhëhequr nga prifti
protestant, i përndershmi Martin Luther King, kishte arritur kulmin. Ajo ishte një lëvizje, misioni i së cilës
ishte për të siguruar të drejta të barabarta për shtetasit zezakë
afrikano-amerikanë dhe kundër
diskriminimit të tyre në aktivitetet e jetës së përditshme në këtë vend. Ishte në përpjekje e Martin Luther Kingut, si
udhëheqsi kryesor i kesaj lëvizjeje që t’i siguronte popullit të vet të pakën
mundësinë për të marrë pjesë në të ashtuquajturën “ëndërrën amerikane.”
Qendra
Martin L. King në qytetin Atlanta të shtetit Xhorxha, në një njoftim për mediat
në lidhje me këtë pëvjetor, shpalosi
planet për festimin prej dhjetë ditësh të këtij përvjetori, njëkohësisht u bën
thirrje komuniteteve në Amerikë dhe anë e mbanë botës që të marrin pjesë në përkujtimin e këtij përvjetori duke
u rënë kambanave, (me 28 gusht,në ora 3 pa dreke, sipas orës së Uashingtonit),
në kujtim të njërit prej fjalimeve më historikë të shekullit të kaluar, fjalim
ky që ndryshoi përgjithmonë Amerikën dhe
pati jehonë anë e mbanë botës.
Vajza e
Martin L. King-ut, Bernice King u bëri
thirrje komuniteteve të ndryshme anë e mbanë botës që të adaptojnë programe
përkujtimore, që sipas saj, “të bashkojnë njerëzit me pikpamje të ndryshme
politike dhe kulturore, ashtuqë të festojmë humanizmin e përbashkët në mënyra
krijuese dhe shpresëdhënse, në frymën e “ëndërres” së Martin Luther King-ut.
Fjalimi u
mbajtë në datën 28 gusht, 1963 në përmbyllje të të ashtquajturit , “Marshimi në
Uashington”, ku morën pjesë mbi 250-mijë
marshues, përfaqsues të të gjitha racave, para monumentit të presidentit
Abraham Linkolnit në Uashington.
Marshimi ishte pa dyshim demonstrata më me rëndësi në historinë e
lëvizjes së të drejtave civile në Amerikë, dhe fjalimi i Martin Luther Kingut
ishte kulmi i atij marshimi. Thirrja e
marshuesve ishte “për punë e për liri” dhe për të drejta të barabarta, por
ishte toni i shpresës në fjalimin e Martin L. King-ut ai që, sipas
historianëve, e dallon atë fjalim klasik dhe për këtë ai mbahet mend dhe
kujtohet.
Sipas
historianëve dhe bashkpuntorve të ngushtë të tij, Martin Luther Kingu e kishte
përgatitur më përpara fjalimin për këtë rast të rëndësishëm, megjithëse ai
rrallë herë, sipas tyre, i shkruante fjalimet dhe predikimet e tija, por fliste
gjithmonë pa letër. Por pjesën më të
rëndishme, për të cilën ky fjalim mbet në histori, ai nuk e kishte të
shkruar. Atje nga fundi i fjalimit,
thuhet se ai largon mënjanë fjalimin e shkruar dhe i drejtohet turmës me këto
fjalë:
“Unë u
them ju sot miqë të mi se ndonëse përballemi me vështirsitë e mëdha të sodit
dhe të nesërmës – unë gjithnjë
ëndërroj. Është këjo një ëndërr që i ka
rrënjët e saja thellë në ëndërrën Amerikane. Është një ëndërrë, se një ditë ky
komb do të zgjohet dhe do të jetojë
sipas, nenit themelor të kushtetutës, se ‘Ne i konsiderojmë këto të vërteta si
provë dhe dëshmi se të gjithë njerërzit janë krijuar me të drejta të
barabarta.’
Atëherë sikur deshti që pësëri të theksonte ‘ëndërrën’’ e tij përtej
drejtësisë dhe barazisë midis racave, ai foli për një të ardhme që tejkalonte
edhe ndryshimet raciale, duke thënë se, “Ëndërrojë se një ditë në kodrat dhe
logjet e shtetit Xhorxha, bijtë dhe bijat e ish-skllevërve dhe bijtë e bijat e
ish-skllavo-pronarëve do të kenë mundësinë të ulen së bashku në të njëjtën
sofër të vëllazërimit….Ëndërroj se një ditë, katër fëmijtë e mi do të jetojnë
në një vend, ku ata nuk do të gjykohen për nga ngjyra e lëkurës së tyre, por
për nga karakteri i tyre.”
Ishte
shpresa biblike e Martin Luter Kingut 50-vjetë më parë, që pothuaj askush nuk e
parashikonte atë ditë të nxehtë të gushtit, të vitit 1963. Ishte e vështirë të parashikohej 50-vjetë më parë – ndoshta edhe për vet
Martin Luter Kingun -- se, sot në 50-vjetorin e këtij fjalimi historik, do të ishte një president i Shteteve të Bashkuara
me origjinë afrikano-amerikane, ai i cili do të kryesojë festimet me rastin e
këtij përvjetori, ku sipas organizatorëve, do të fillojnë në Atlanta dhe do të
vazhdojnë në Uashington për gjithsejt 8 ditë, dhe ku pritet të marrin pjesë me
qindra mijëra veta nga Amerika dhe
qindra mijëra të tjerë anë e mbanë botës.
Përfshirë ish-presidentë, kongresmenë e senatorë dhe zyrtarë të qeverisë
federale, si edhe përfaqësues të lartë
ndërkombtarë dhe të organizatave kombëtare dhe ndërkombtare.
Më 28
gusht, ditën aktuale të 50-vjetorit të mbajtjes së fjalimit historik, do mbahet
një shërbim ndër-fetar në Uashington para ceremonive dhe para se Presidenti Barak Obama të mbajë fjalimin e
rastit, në shkallët para monumentit të
Abraham Linkolnit, ekzaktërisht aty ku 50-vjetë më parë mbajti fjalimin e tij i
Përndershmi Martin Luter King, duke i deklaruar kombit dhe botës, se “ Ëndërroj
se do vijë dita kur të gjithë bijtë dhe bijat e Perëndisë, të bardhë e zezakë,
hebrejë dhe të tjerë, përfshirë katolikët dhe protestanët do të bashkohemi dhe
dora dorës të këndojmë së bashku se më në fund jemi të lirë, jemi të lirë më në
fund – dhe falenderojmë të Madhin Zot, se më në fund me të vërtetë jemi të
lirë.”
Për
lexuesit anglisht-folës do të rekomandoja që pot ë kenë mundësi të ndëgjojnë këtë fjalim në youtube. Është 17-18
minuta i gjatë por është me të vërtetë një fjalim klasik për nga përmbajtja po
se po, por edhe për nga mënyra e të shprehurit të këtij oratori të madh. Është një fjalim plot pasion që të frymëzon
për të mbrojtur drejtësinë, është si një gjëmim kundër padrejtësisë, por është
njëkohsisht edhe një fjalim shprese për
një ditë më të mirë për të gjithë bijtë
dhe bijat e Perëndisë. Është këjo një
thirrje nga një gjuhë biblike që mundë të keqen me të mirën, nga goja e një
predikatori Baptist protestan, por edhe një udhëheqsi moral kombëtar, i cili
tani me të drejtë e ka monumentin e tij ball për ball me monumentet e
themeluesve dhe baballarëve të kombit amerikan, në kryeqytetin e Shteteve të
Bashkuara të Amerikës në Uashington, në mirënjohje të kontributeve të tij ndaj
këtij kombi dhe mbarë njerëzimit.