Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Copëtimi i Shqipërisë
E diele, 18.08.2013, 03:45 PM
100-VJETORI I COPËTIMIT TË SHQIPËRISË
Nga Frank
Shkreli
29
Korriku, 2013 shënoi 100-vjetorin e Konferencës së Ambasadorëve të gjashtë
fuqive të mëdha evropiane të kohës mbajtur në Londër më 29 Korrik, 1913. Disa historianë mund e shikojnë këtë datë si
një datë e miratimit përfundimtar të pavarësisë së Shqipërisë, por në të
vërtetë, është 100-vjetori i vendimeve të copëtimit të trojeve shqiptare, i
cungimit të Shqipërisë natyrale, ashtu sikur shqiptarët me mija vjetë në
trojet e tyre autoktone, të ishin plaçkë
tregu në duartë e fqinjve të mbështetur nga fuqitë e mëdha të kohës, Britania e
Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia. U vendosën kufijtë krejtsisht artificial duke
hedhur poshtë dhe duke mos marrë në konsideratë faktet historike, etnike, linguistike
dhe gjeografike të shqiptarëve.
Konferenca e ambasadorëve në Londër, këputi për gjysëm kombin shqiptar,
i fali Greqisë Çamërinë me kryeqytetin e saj historik Janinën. Kosova dhe trojet shqiptare në Maqedoni i
jepen Serbisë, dhe Mali i Zi merr Ulqinin, Tivarin, Plavë e Guci dhe ndanë Malësinë
e Madhe për gjysëm duke i falë Knjazit
pjesë të mëdha të Malësisë megjithëse nuk kishte asnjë sllav malazias në ato
anë.
Por
megjithëse duke jetuar në trojet e veta me shekuj, shqiptarët autoktonë të Kosovës
dhe Shqipërisë veriore, përveç përpjekjeve të suksesshme diplomatike të
fqinjve për të asgjësuar kombin shqiptar duke e copëtuar dhe duke e ndarë midis
tyre, ata njëkohsisht me diplomacinë e ndyrë të tyre, filluan spastrimin dhe
ndërmorën një gjenocid kundër shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre. Ishte këjo edhe periudha e progaganadës
serbe e greke në gazetat e asaj periudhe që përpiqej ti tregonte botës për
“egersinë” e shqiptarëve dhe si të tillë, sipas tyre, ata duheshin ''kulturuar'' nga “kultura”
serbe dhe greke, ose të zhdukeshin fare si popull. Këtë ata e bënë me efikasitetin më të madh,
duke djegur dhe shfarosur fshatra të
tëra shqiptarësh, siç vihej në dukje në një raport të entitetit humanitar amerikan,
Carnegie të vitit 1913.
Siç
ndodhi fund shekullin e kaluar me tragjedinë e Kosovës, ashtu edhe 100-vjetë më pare, ishte Amerika
ajo që me këtë raport i hoqi maskën dhe zgjoi ndërgjegjen e botës së
atëhersheme, mbi krimet dhe gjenocidin e bërë kundër fisit më të lashtë të
Ballkanit, Shqiptarëve. Raportin i
vitit 1913 I përgatitur dhe botuar nga Instituti Carnegie, i cili kishte
dërguar një delegacion në Kosovë dhe në
Shqipërinë e Veriut për të parë gjëndjen
për së afërmi se ç’po ndodhte atje,
dërguar Lidhjes së Kombeve, ndër të tjera, përshkruan atë që kishin parë anëtarët e
komisionit: "Djegie shtëpishë e
fshatrash, vrasje me grumbuj mbi popullsinë e çarmatosur e të pafajshme
shqiptare, përdhunime që nuk janë parë kurrë më parë, rrëmbime dhe brutalizime
të të gjitha lllojeve. Këto janë mjetet
që përdorin trupat serbe dhe malazeze -- dhe po përdorin gjithnjë -- me qëllim
për ta ndryshuar fizioniminë ethnike krahinave që banohen prej Shqiptarësh.''
Edhe
sjelljet e grekëve në jug të Shqipërisë
dhe në Çamëri, sipas Edith Durham që kishte vizituar ato zona, nuk ndryshonin për nga brutaliteti kundër
popullsisë shqiptare të këtyre trojeve, duke vrarë e prerë pa mëshirë dhe duke
përdorur barbarizmat, vrasjet dhe djegëjet e shtëpive dhe fshtarave shqiptare,
ashtu siç bënin sllavët në anë e mbanë
trojeve shqiptare në veri.
Historia
e kombit shqiptar ka pësuar tragjedi të papërshkuara, por rrënjët e tij,
megjith tundjet e rënda shekullore, kanë qëndruar të patundura. Këjo, falë
patriotëve të mëdhej të kombit të cilët megjithë vështirsitë nuk humbën kurrë
drejtimin dhe të cilët me largpamje u kanë qëndruar besnikë vlerave dhe
bashkimit të kombit.
Ndonëse
vetëm 100-vjetë më parë u krijua shteti gjysmak shqiptar, sipas Naim Frashërit,
''Bota që kur është zënë, Shqipërija gjallë ka qenë." Në këtë përvjetor, u takon autoriteteve të
sotëme kombëtare të jenë të ndërgjegjëshëm dhe njëkohsisht mbi ta bie
përgjegjësia politike dhe morale për të
kultivuar një besim të patundur për një të ardhme më të mirë për fatin e
Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ashtu që të bashkuar, të tejkalohen problemet
kombëtare të së kaluarës dhe me guxim e vëndosmëri të shkohet kah e ardhmja përballë rreziqeve dhe
furtunave që mund të dalin përpara. Për
liri e pavarësi, Shqiptarët kanë luftuar gjatë gjtihë historisë. Por a kanë
qenë të bashkuar. Kurrë si në kohën e
Gjergj Kastriotit-Skenderbe. Andaj, duke
nderuar dhe kujtuar të kaluarën, të shkohet me besim të patundur përpara, por
pa tradhëtuar të kaluarën, pa nepërkëmbur kultin e shqiptarizmit. Megjithë hallet e tyre, Shqiptarët kurrë nuk
kanë qenë më të lirë se sot dhe më vetvendosës për fatin e tyre se sot. Prandaj, ky realitet i ri, le të shërbej si
premtim për të ardhmen, për tu renditur me nder në radhën e kombeve të
përparuara. Këjo është përgjegjëgjësia
e vet shqiptarëve dhe e udhëheqsve të tyre, dhe jo e konferencave anti-shqiptare ose e vendimeve të autoriteteve të ndryshme
ndërkombëtare. Por Shqiptarët nuk do të
jenë të vetdijshëm për një të ardhme më të miër për veten, nëqoftse nuk
e kuptojnë me të vërtetë historinë si
dhe natyrën dhe origjinën e tyre kombëtare.
Përpjekjet
the thirrjet nga jashtë për të rishqyrtuar me qëllim për ta bërë ndryshime në
historinë e kombit shqipatr dhe
flirtimet në vet radhët e shqiptarëve, nga njëherë edhe në nivele të larta
poltike si në nivel parlamenti, që kanë përfunduar me deklarata të papërgjegjëshme kohët e
fundit, duke mohuar historinë dhe heronjtë kombëtarë të Shqiptarëve si Gjergj
Kastrioti - Skenderbe. Këto përpjekje
dhe tendenca, sidomos në radhë të vet shqiptarëve, janë aq të rrezikshme për
ekzistencën e kombit shqiptar dhe për ndryshimin e fizionomisë së tij, sa ishte edhe Konferenca e Londrës 100-vjetë
më parë, qëllimi i së cilës ishte që më në fund, nepërmjet coptimit të trojeve
shqiptare, të zhdukej kombi shqiptar si entitet dhe si fisi më i vjetër i
Ballkanit. Siç duket, ky është gjithnjë
objektivi i disa elementëve të jashtëm dhe i fqinjve të Shqiptarëve, të cilët
nga ana e tyre, 100-vjetë e këndej, nuk kanë pushuar kurrë përpjekjet e tyre për
të zhdukur racën shqiptare nga faqja e dheut dhe për të ndryshuar fizionominë e
Shqiptarve, në çfardo qoftë, ashtuqë ajo të mos mbetet ajo që është: Shqiptare.
Vet shqiptarët nuk duhet të bien pre e këtyre armiqve të kombit dhe infleuncave
të huaja, të cilët gjatë gjithë historisë i kanë paraqitur Shqiptarët si një
grumbullim organizimesh primitive.
Është
kritike që forcat e shëndosha të kombit, sidomos ato me përgjegjësi politike,
kulturore dhe fetare të jenë të vetdijshëm mbi përçarjet serioze që ekzistojnë
dhe të njohin natyrën e këtyre forcave që kanë çuar kokë kohët e fundit dhe të
cilat siç duket kanë për qëllim për të gërryer dal ngadalë nga vlerat, nga
mirëkuptimi dhe nga bashkimi shpirtëror dhe aktual kombëtar i Shqiptarëve. Këjo është me rëndësi për vet Shqiptarët, por
edhe para syve të botës. Është detyrë
dhe përgjegjësi personale e çdo shqiptari, por sidomos e atyre që sot kanë në
dorë fatin e kombit – që me energji morale dhe guxim civil -- të promovojnë NJË
dhe të vetmin identitet kombëtar të të gjithë Shqiptarëve, besimin e plotë në
të, nepërmjet unitetit kombëtar dhe të promovojnë politika kombëtare, si dhe
vetitë etnike të kombit dhe herojtë e tij, që do të forcojnë identitetin e
kombit dhe do të nderojnë gjakun shqiptar, anë e mbanë trojeve tona.
At Gjergj
Fishta i cili në veprat e tija u këndon gjithmonë hidhërimeve dhe gëzimeve të
historisë së Shqiptarëve, këngën e fundit të Lahutës së Malësisë ia kushton
“Konferencës së Londonit”, duke hyrë në temën e konferencës dhe megjith pasojat
e rënda të vendimeve të saja, At Fishta gjënë arsye të këndojë me optimizëm
duke thënë se 100-vjetë më parë, mbi kalatë e Shqipërisë valvitë Flamuri
Kombëtar, “Porsi fleta e Engjllit të Zotit”.
Brohorisin, thotë poeti kombëtar, fusha e male, sepse,
“Për inat
të Shkjeve të Ballkanit
Për gazep
të atij Sulltanit,
Si
premtue
Prapë
zojë m’vedi duel Shqipnia”.
Në këtë
100-vjetor të copëtimit të trojeve shqiptare dhe cungimit të tokave të Arbërit,
dëshira e të gjithë Shqiptarëve është që Shqipëria të jetë gjithmonë Zojë më
vete, dhe që Shqiptarët të jenë të bashkuar me një ide, të një mendjeje dhe një
qëllimi. Ashtu qoftë mot pas moti.