E merkure, 22.05.2024, 10:11 AM (GMT+1)

Editorial

Ramiz Selimi: Politika e sotme - shumë e ndyrë!

E shtune, 06.07.2013, 06:11 PM


Funksionimi i shtetit të suksesshëm, meritë e partive të shëndosha

Politika e sotme është shumë e ndyrë!

Shkruan Ramiz Selimi

Rekrutimi dhe zgjedhja e personelit politik në formë korrekte dhe sipas meritës, si në drejtimin e partisë, ashtu edhe atë të komunave, garanton një perspektivë të zhvillimeve pozitive në shoqëri.

Përmes partive politike bëhet rekrutimi dhe seleksionimi i njerëzve të ditur apo elitës së shoqërisë, nga organet e thjeshta partiake, tek organet komunale, si Kryetari, e deri të Kryeministri. Ajo që tani gjithnjë e më shpesh po anashkalohet dhe nënvlerësohet është fakti se partitë dhe funksionimi i tyre nuk po kuptohen drejt, pikërisht nga njerëzit që udhëheqin me to. Partitë ishin dhe do të mbeten gjithmonë organizata patronazhi, që nënkuptojnë, se ato janë shoqata të qytetarëve, përmes të cilave personat ndajnë pozita, poste, funksione, ngritje në pozita të ndryshme, si dhe ata aty ndërtojnë karrierën e tyre, etj. Sikur emërimet të bëheshin në bazë të meritave, këtu nuk do të kishte asgjë të keqe. Si moralisht ashtu edhe natyrisht, situata politike bëhet problematike, kur pozitat e pushtetit merren për vete, përmes personave të caktuar dhe kur nuk bëhet fjalë më për realizimin e përmbajtjeve, apo projekteve të caktuara të shoqërisë.

Demokratizimi i brendshëm i partive dhe me këtë edhe i shoqërisë fillon pikërisht këtu, tek nominimet. Po të hedhim një vështrim që nga shpallja e pavarësisë e këtej, nuk vërehen përmirësime dhe ngritje me të lartë të vetëdijesimit të partive, pa dallim, për të perceptuar rrolin e partive drejt në shoqëri. Partitë si ndërmjetësuese në mes të sistemeve politike dhe shoqërisë, si në organizimin e zgjedhjeve, artikulimin e interesave të shoqërisë, krijimin e legjitimitetit politik, përfaqësimin dinjitoz të interesave të shoqërisë, të gjitha këto pika zbatohen në formë korrekte, atëherë kur të kemi rekrutim dhe zgjedhje të personelit politik në mënyrë të drejt dhe korrekte.

Shumica pothuaj se tani e kemi kuptuar, se politika e sotme është shumë e ndyrë. Shumica e politikanëve duan të denigrojnë tjetrin, me çdo kusht, pa zgjedhur mjete, edhe duke gënjyer, edhe duke shpifur, edhe duke linçuar, edhe duke eliminuar personat kundërshtar fizikisht për të arritur caqet e caktuara personale. Sa herë që flasin, gjithnjë e më shpesh ata nuk e thonë të vërtetën, këtu ata nuk bëjnë dallim se cilit krah politik i përkasin. Gënjeshtra e tyre bëhet e vërtet për një periudhë të shkurtër, me ndihmën e mideive dhe sa hapë e mbyllë sytë vlera fundoset. Por, tani populli e ka kuptuar ketë fenomen, ai ka njohuri më shumë. Zgjedhjet e ardhshme në Kosovë sikur të ishin të lira e të ndershme, politika do ta prekte seriozisht forcën e popullit dhe dëshirën e tij. Nominimet politike të kandidatëve për zgjedhjet lokale, apo të atyre në pozitat kyçe të partive janë bërë pikërisht në bazë të parimit të politikës së ndyrë. Do të ishte e udhës dhe shumë e ndershme që për secilin kandidat veç e veç të tregohen përparësitë apo defektet dhe të thuhet se ne u përcaktuam për x personin për shkak të planeve ambicioze të ofruara për zhvillim ekonomik, apo për ngritjen e  niveleve politike në nivelet e politikave perëndimore.

Tani kur vëmendja e shoqërisë është koncentruar të mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, shumë njerëz në shoqërinë kosovare shprehin hapur dëshpërimet e tyre për emërimet e fundit për kryetarë të komunave, pasi ata dyshojnë se këta persona kanë aftësi profesionale për të realizuar interesat e shoqërisë drejt, shumë prej tyre i janë të njohur publikut me aftësi dhe përgatitje profesionale, këtu nuk ka mbet aspak hapësirë për të shpresuar për mirë. Personat e konsumuar politik dhe ata që kanë kontribuar tridhjetë vite, në sisteme të ndryshme është koha të tërhiqen dhe të kontribuojnë në prapavijë, nëse kanë akoma diçka për ti dhënë shoqërisë. Personat ekonomik që janë edukuar në sistemet komuniste, e kanë shumë vështirë të korrin suksese në sistemet e reja demokratike, pasi ndërdija e tyre është e programuar në sugjerime dhe udhëzime nga lart.

E kam cekur  disa herë në shkrimet e mia, se është koha e fundit të hulumtohet kualiteti në diasporë, për të ngritur nivelin e zhvillimit politik dhe ekonomik. Duket qesharake, por është shumë e vërtet, se një praktikant në Diasporë ka njohuri më të mira se një i diplomuar në Kosovë.

Për të eliminuar imazhin se partitë janë të ndyra, ato duhet të tregojnë të kundërtën. Partitë e shëndosha brenda mureve të veta gjejnë kompromise duke barazuar interesat e ndryshme kontradiktore, në dobi të shoqërisë dhe jo në dobi të personave.  Emërimet e fundit janë bërë kryesisht për të kënaqur individët, në dëm të kolektivit. Ata në një formë ose tjetër ndihmuan në raste të caktuara kreun e partive të tyre , emërimet janë shpërblim për kontributin e dhënë. Për të ndikuar në ndryshimet sociale dhe politike të shoqërisë, partitë duhet të kenë persona që janë në të vërtet katalizator të ndryshimeve pozitive, por, shumica  e personave të emëruar nuk e kanë aftësinë as diturinë për të realizuar hapin që dëshiron shoqëria.

Nuk është thënë me kot, se secila shoqëri meriton qeverinë që ka, edhe atëherë kur zgjedhjet manipulohen, por edhe atëherë kur ato fitohen. Me një shoqëri jo të pjekur politikisht është lehtë të manipulohen zgjedhjet, të ndikohen/blihen votuesit, ka raste edhe kur ju imponohet partia e caktuar, ka raste kur edhe shoqëria demokratike gabon me zgjedhjen në një mandat, por e korrigjon ne zgjedhjet tjera. Pa ekzistencën e partive të shëndosha nuk ka sistem të suksesshëm shtetëror, parti e shëndoshë është ajo që në gjirin e saj ka njerëz të kualifikuar, për të përfaqësuar denjësisht interesat e shoqërisë në sistemin shtetëror.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora