Editorial
Dimal Basha: Nuk është ilegale të jesh i marrë
E marte, 11.06.2013, 09:10 PM
NUK ËSHTË
ILEGALE TË JESH I MARRË
Nga Dimal Basha
Unë
mendoj se do të ishte i drejtë vendimi për shkarkimin e hoxhës Irfan Salihu,
por është me rëndësi të ceket që hoxha në fjalë nuk ka kryer ndonjë vepër
penale që dënohet ligjërisht. Arsyeja e
vetme pse hoxhallarë si Irfan Salihu lejohen të ligjërojnë marri është se në
Kosovë nuk është ilegale të jesh i marrë.
Mirëpo
nuk është për tu nënvlerësuar ankesa e shumë individëve sepse ka pak hipokrizi.
Nuk flas për femrat që kanë lirinë të vendosin se çka bëjnë me trupin e tyre që
fatkeqsisht hoxhallarët e indoktrinuar nuk e kuptojnë, por po ju drejtohem
atyre që nuk janë po aq të zëshëm për shkarkimin e të marrëve që kanë nën
radhët e tyre. A nuk do të ishte e arsyeshme, për shembull, nëse do të kishte
një thirrje po aq të furishme për shkarkimin e Azem Sylës që fundja kishte
vetshpallur veten si i “marrë” në
Zvicërr dhe të njejtën kohë vazhdonte të na shërben si i tillë në Kuvendin e
Kosovës në cilësinë e deputetit, ku edhe ende vazhdon? Pra, njëri i shpallur si
i marrë nga opinion publik derisa tjetri i vetëshpallur me dëshirë. Prandaj,
besoj se do të ishte e moralshme që kërkesa për shkarkimin e Aze Sylës të ishte
po aq e zëshme sa edhe për Irfan Salihun.
Problemi
tjetër me bujën që bëri fjalimi i turpshëm i një hoxhe është e pakuptueshme kur
qeveria e Kosovës së bashku me Bashkësinë Islame, por edhe shumë anëtarë të
partive të ndryshme, nuk kanë reaguar edhe pse kanë qenë në dijeni për marri
edhe më të mëdha nga këta imamë që kanë shpallur veten si “autoritete të
moralit” në vendin tonë. Jo se është reagimi i padrejtë sepse mendoj se përulja dhe denigrimi nuk
ishte vetëm kundër femrës por edhe meshkujve sepse secila femër ka një burrë,
një djalë dhe një baba që gjithashtu mbeti i ofenduar në këtë rast, mirëpo
pyetja ime mbetet pse u prit kaq vonë për tu shqetësuar kur kemi pasur
deklarata publike edhe më të tmerrshme nga këta pseudo-hoxhallarë?
Ku ishin
reagimet e deputetëve, Bashkësisë Islame, autoriteteve të sigurisë dhe
opinionit publik kur Shefqet Krasniqi haptazi i quante mësuesit të pakulturum,
gratë si qenie të “ndyta,” artistët dhe këngëtarët si “virus dhe argat të
shejtanit” dhe gjithashtu publikisht shprehi se “të gjithë ateistët dhe
komunistët duhet myt se janë të
rrëzikshëm” dhe theksonte haptazi në emisione se është legjitime dhuna ndaj
atyre që ofendojnë besimin e tij. Po pra, besimi i tij “paqësorë”
legjitimizonte dhunën që militantët të tij ushtronin mbi qytetarë. Nuk dua të
besoj se autoritetet e sigurisë kanë frikë nga statusi i tij të një heroi
telenovelash që përcillet me xhelozi nga një turmë injorantësh. Kështu që
predikimet ofenduese në fjalimin e një palaço si Irfani janë me të vërtetë
shqetësuese, por më shqetësuese janë mos-reagimi dhe indiferenca nga
institucionet dhe vet BIK-u për predikime radikale që rrezikojnë drejtpërdrejt
sigurinë dhe kohezionin e shoqërise
Kosovare dhe vazhdimisht cenojnë liritë dhe të drejtat e një demokracie sado të
brishtë që e gëzojmë.
Këtu nuk
duhet të lejojmë pa e theksuar edhe hipokrizinë e Myftiut Tërnava, i cili në
njërën anëi bën thirrje publike qeverisë
që të ndihmojnë në ndalimin e depërtimit të “rrymave ekstremiste fetare” derisa
të njejtën kohë pozitat kryesore ju ndan po atyre ekstremistëve që ai i
kritikon. Bashkësia Islame ka rastin e fundit të largohet nga kallëpi i të
pamoralshëve dhe t’i pushoj nga puna sojin e Shefqet Krasniqit dhe Irfan
Salihut për hatër të moralit që ata hidhen se e përfaqsojnë, derisa autoritetet
e sigurisë në vend e kanë për detyrë që të ndërmarrin masa ndaj Shefqet
Krasniqit që është aktori i vetëm jo-shtetërorë që legjitimizon dhunën haptazi,
dhe për befasi vazhdon të qarkulloj i lirë.
Përfundimisht,
rrëziku i predikimeve radikale ka qenë prezent një kohë të gjatë në Kosovë
mirëpo qeveria ka zgjedhur të neglizhojë problemin dhe ka qëndru indiferent
ndaj këtyre palaçove sikur që po qëndrojnë indiferent ndaj të marrëve në radhët
e tyre. Përndryshe, arsyeja e vetme pse pseudo-hoxhallarë si Irfan Salihu
lejohen të ligjërojnë marri është se në Kosovë nuk dënohesh me ligj të jesh i
marrë.