Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Partitë pa politika kulturore
E shtune, 18.05.2013, 06:10 PM
Partitë
pa politika kulturore
Nga Ndue Ukaj
Kultura
si term, ashtu siç e përkufizon Raymond Willims, një pionier i teorive
kulturore në marrëdhëniet ndërkombëtare, është një nga dy ose tri fjalët më të
komplikuara të gjuhës angleze. Ne do të thoshim se jo vetëm të gjuhës angleze,
por çdo gjuhe. Kultura është një nga termat të cilin çdo njëri duket se e
kupton, por asnjë në mënyrë adekuate s’mund ta definoj. Kur bisedojmë për
kulturën, ne mendojmë në shumësi tiparesh shpirtërore e materiale të një vendi,
siç janë: trashëgimia, libri, filmi, muzika, etj. Kulturat e vendeve të
ndryshme, kanë arrit të krijojnë shenjat e tyre identifikuese, të mirënjohur
ndërkombëtar, siç janë, ta zëmë kultura franceze, ajo gjermane, italiane apo
amerikane. Në kuadër të këtyre teorive, që kohëve të fundit gjithnjë e më shumë
kanë marrë peshë dhe vëmendje në studimet ndërkombëtare, kërkohet një qasje më
e sofistikuar e shteteve në raport me kulturën, për faktin se nëpërmjet saj ne
njohim më mirë vetveten dhe tjetrin. E kuptuar kështu, kultura është hiç më pak
se identiteti i një vendi.
Vendi
ynë, Kosova, s’ka zhvilluar politika
kulturore të tilla që kishin me fituar reputacion ndërkombëtar. Madje, në jetën
tonë shoqërore politike, ende s’është përcaktuar, cili është vendi i
kulturës në jetën e shtetit tonë? Për më tepër, viteve të fundit, e kemi pa e
përjetuar ne vazhdimësi një qasje miope të institucioneve shtetërore dhe
partive në vend në raport me kulturën. Nga ajo që shohim e lexojmë, duket se
këtë shije të hidhur, do ta përjetojmë edhe të ardhmen, ngase s’duken askund
shkëndija shpresëdhënëse. Kjo ka bërë që kultura ta humb krejtësisht vëmendjen
e opinionit publik dhe medias, e për fat të keq nganjëherë edhe të vetë atyre
që merren me të.
Një
politikë e mirëfilltë kulturore, është ajo që kulturën e vë në nivel të
barasvlefëshme me fushat tjera me interes publik, siç janë shkollimi,
shëndetësia dhe ekonomia e një vendi. Shteti duhet ta nxit jetën kulturore dhe
s’duhet të kërkoi assesi që kultura t’i shërbej politikës. Në këtë drejtim,
arti dhe kultura duhet të mbrohen me të njëjtin intensitet dhe kujdes, siç janë
fushat tjera të rëndësishme shoqërore, në mos edhe më shumë, sepse nga to varen
realisht gjitha segmentet tjera të jetës shoqërore e kombëtare. Kjo për faktin
se arti dhe kultura janë përfaqësimi shpirtëror i një shoqërie. Duke qenë
kështu, arti dhe kultura është ndërgjegjja e një shoqërie. Prandaj në qoftë se
dergjet kultura, atëherë dergjet e gjithë shoqëria dhe rrezikohet i gjithë
kohezioni i brendshëm.
Në
debatet e ndryshme për shtetin, ekziston një pajtueshmëri se kultura është
referencë e domosdoshme për një shoqëri dhe njëkohësisht pikëmbështetja më e
sigurt që e ruan kohezionin e brendshëm brenda kombit a shtetit të caktuar. Kjo
përmasë e tejkohëshme, në të vërtet është paradigma që i mban gjallë dhe i nxit
idealet e një shoqërie që bashkohet rreth një shteti të caktuar. S’është
ekonomia e as aspektet tjera që e nxisin idealin e vlerave të përbashkëta
brenda një shoqërie. Dihet mirëfilli se këtë gjë e bën më së miri kultura e një
vendi, që bëhet element harmonizues brenda dallimeve të ndryshme.
Ernest
Koliqi në një artikull të botuar me 1960, trajtonte pikënisjen e problematikës
shqiptare dhe ndër të tjera shkruante: “Ne jemi të mendjes se sidomos kultura
asht arma ma e përshtatun për t’ia thye hovin shkulmit të parimeve
shkombëtarizuese qi mërzisin e molisin popullin Shqipnis së mjerë.” Koliqi, si
erudit dhe njohës i mirë i problematikës shqiptare e dinte se vetëm me armët e
kulturës, mund të mbrohej kombi shqiptar, prandaj kërkonte që të sforcoheshin
ato.
Sot me të
drejt pyesim, cili është statusi i kulturës?
Në jetën
tonë kombëtare, siç na difton Koliqi, por edhe shumë korifenj tjerë shqiptarë,
kultura përbënte pikënisjen e çdo programi kombëtar. Kështu ka ndodh edhe me të
kaluarën e afërt në Kosovë. Ndërsa sot, po të bëjmë një analizë njëjavore dhe
të shohim emisionet e lajmeve, kronikat televizive, të shfletojmë shtypin
ditor, do të mund të kthjellojmë opinionin tonë, ngase do të shohim qartë se
asnjë ngjarje kulturore te ne nuk zë ndonjë vend me rëndësi në kronika
televizive a faqe të gazetave. Në Kosovë, s’ndodh ndonjëherë që në kronikat
televizive, ndonjë ngjarje kulturore të
jetë në qendër të vëmendjes, ta zëmë pas një kronike të rëndësishme
politike.
Kjo
gjendje, ka bërë që statusi i kulturës në vendin tonë të jetë i mjerë, ashtu
siç vazhdon të jetë e mjerë në përgjithësi atmosfera e përgjithshme, me kriza
të njëpasnjëshme, ku politika qëndron në maja të së keqes.
A kanë
partitë e Kosovës politika kulturore?
Partitë
politike në Kosovë, pa ndonjë traditë dhe të paprofilizuara, janë të limituara
në çdo aspekt, sepse janë shndërruar në kazane që marrin çdo gjë dhe pa ndonjë
selektim. Kësisoj çfarë janë, ato s’kanë arrit të zgjerojnë fushëveprimin e
tyre. Duke qenë të çintelektualizaura, partitë janë vërshuar nga militantë dhe
kështu s’i kanë kushtuar as vëmendjen minimale kulturës, sepse kjo fushë kërkon
dije, shije të lart kulturore dhe ndërgjegjësim. Nga kjo neglizhencë, kemi
humbur gjithë, e sigurisht edhe partitë sepse janë bërë çerdhe të padijes.
S’ka
dyshim se në kuadër të retorikës së partive në vend, është e mundur të gjendet
ndonjë rresht që i dedikohet kulturës. Mirëpo, kultura këto vite asnjëherë s’ka
qenë temë interesante për debatet mediatike, të cilat realisht s’janë gjë
tjetër veç një sorrogatllëk i debateve të mirëfillta që bëjnë shoqëritë e
emancipuara kulturalisht. Veç faktit se ato janë shterpe, debatet e tilla
asnjëherë s’kanë mbërri me provokua ndërgjegjen e qytetarëve tanë që t’i nxisë
të reflektojnë ma pozitivisht për vendin. Në gjithë këtë holli ku është
katandisur klasa politike vendore, kultura ka mbetur në zgrip jetës sonë.
Përgjatë këtyre viteve të lirisë, vendi ynë është udhëhequr pa politika të
mirëfillta kulturore. Kjo mund edhe t’i këtë interesuar dikujt.
Kur kihet
parasysh pozicioni i Kosovës në planin ndërkombëtar, reputacioni i rënduar,
kultura do të duhej të ishte në top prioritet e larta shtetërore.
Përvoja e
gjertanishme, të cilat i kemi ndjerë dhe jetuar, na ka dëftuar qartë se partitë
politike në vendin tonë, s’kanë ndonjë ndjeshmëri të posaçme për kulturën. Ato
kulturën e përdorin si një instrument për qëllimet e tyre te përtejme politike,
ndërkaq njerëzit e artit dhe kulturës, i kanë lënë në mëshirë të fatit, duke i
trajtuar si tepricë dhe shtresë “për gjynah.” Me këtë ritëm që e kemi parë e
përjetuar, është lehtë të pohohet se interesimet e partive politike për
kulturën në vendin tonë janë dritëshkurta. Ndonëse të gjithë deri diku pajtohen
se nëpërmjet kulturës mund t’i kundërvihemi të keqes që ngadhënjen shpesh ndër
ne, asnjë parti s’arrin të tejkaloj vetveten dhe ta bëj kulturën paradigmë të
angazhimeve të veta kombëtare e shtetërore. Marshimi drejt të ardhmes, pa një
kulturë të shëndoshë, është i pamundur, sepse esencialisht kombet dhe shtetet,
dihet mirëfilli se i mban të bashkuar në synimet e tyre, kultura. Nëse marrim
shembuj kombet europiane, ta zëmë popullin gjerman, e shohim se ata mund t’i
ndajë shumëçka, por është diçka më e madhe që i bashkon, e ajo është kultura
gjermane.
Cilat
janë shkaqet e kësaj gjendje, është një temë që kërkon vëmendje dhe analiza të
shumta, që duhet iniciuar nga njohës të fushave përkatëse. Mirëpo, një gjë
është e mirëditur, pa politika kulturore të shëndosha, vendi ynë s’mund të
arrijë një reputacion pozitiv ndërkombëtar dhe për më tepër, krizat identitare,
do të vazhdojnë të na shoqërojnë edhe në të ardhmen.
Në ethet
e pashpallura para zgjedhore, shohim sesi partitë politike në Kosovë, ende
s’kanë arrit të heqin lëvozhgën e ngushtë me të cilën ato synojnë të marrin
besimin e elektoratit. Gjer me tani, s’na ka ra në sy të shohim ndonjë parti
politike, e djathtë apo e majtë, të shfaq ndonjë mendim të vlefshëm për
kulturën.
Ka kohë
që ne s’shohim asnjë parti politike në vend, që ka ndonjë program për rritjen e
imapktit kulturor në vend, për plasimin e kulturës tonë përtej kufijve tanë. A
është kjo shenjë se politika ka bë një kompromis të heshtur, që ta mbaj
kulturën në bisht të jetës shoqërore, është një çështje që duhet të diskutohet.
Shija që
të lënë partitë politike, me tifozllëqet e tyre dhe militantët e panumërt, të
bën të kuptosh se ato s’duan të heqin lëvozhgën e militantizmit dhe për këtë,
mbajtja e kulturës larg epiqendrës së vëmendjes, është mënyra më e lehtë për të
krijuar ekuilibër të rrejshëm për një kauzistabilitet partiak.
Politikat
kulturore, duhet të stimulojnë veprimtaritë kulturore e artistike. Vetëm një kulture e mirëfilltë, mund t'iu jap
shtysë zhvillimeve tona dhe mund të na shtoj zellin për ta ndryshuar gjendjen
tonë të zymtë dhe të hap shtigje drejt një perspektive positive.