E shtune, 03.05.2025, 03:48 PM (GMT+1)

Speciale

Tefik Basha: Eksodi rural në Kosovë

E marte, 02.04.2013, 04:23 PM


EKSODI RURAL NË KOSOVË PARA DHE GJATË TRANSICIONIT - SHKAQET DHE PASOJAT

Shkruan: Prof. dr. Tefik BASHA

Migrimet e popullsisë paraqiten si rregullator i përgjithshëm i kushteve jo të njëjta ekonomike, sociale, demografike mes  hapësirave të ndryshme. Shikuar historikisht, migrimet e popullsisë, ose lëvizjet hapësinore të popullsisë, kanë shoqëruar individin, familjen dhe shoqërinë gjatë të gjitha etapave të zhvillimit, duke filluar nga lëvizjet e para të grupeve njerëzore, për të siguruar ushqimin, e deri të lëvizjet bashkëkohore metropolitane dhe tejoqeanike. Këto lëvizje manifestohen në forma dhe përmasa të ndryshme, para së gjithash përmes mobilitetit hapësinor (territorial),  social dhe profesional.

Lëvizjet hapësinore janë të motivuara me dëshirën për  plotësimin e disa nevojave jetësore ose të largimit nga vështirësitë e ndryshme dhe, sipas qëndrimeve teorike  të shumë autorëve,  duke theksuar se, njeriu përpiqet të qëndrojë në të njëjtën hapësirë gjithnjë derisa atij i plotësohen shumica e nevojave jetësore. Njeriu në njëfarë mënyre identifikohet me mjedisin në të cilin jeton në një kohë të caktuar dhe ndarja nga ai mjedis shpreh përpjekje emocionale - të ndarjes nga familja, miqtë, kolegët për të jetuar në mjedis të ri. Migrimet do të vazhdojnë derisa të  ekzistojë  pabaraspesha dhe  ato do të ndërpriten vetëm atëherë kur  kjo pabaraspeshë nuk do të ekzistojë.

Që nga ndarja dihotomike fshat-qytet, janë krijuar konfliktet të theksuara shoqërore. Qyteti ishe qendër e pushtetit, me përqendrimin e kulturës dhe kryqëzimit të dijes e eksperimentit, përderisa fshati është karakterizuar me pak ndryshime,statizëm dhe izolim,që e  ka cilësuar mënyrën e jetës në fshat

Ekzistonte një shpërputhje e pandërprerë mes deagrarizimit dhe urbanizimit të Kosovës në mungesë të një politike dhe programi për zhvillimin e fshatit. Përpjekja për një progres të shpejtë me çdo kusht e njerëzve të pushtetit ishte përqendruar më shumë për qytetin sesa për fshatin. Prandaj, tema dhe problemi të cilin e kemi marrë në shqyrtim është mjaft i gjerë dhe do analizë  të thellë e shumëdisiplinore, me ç’rast mund të theksojmë se tash një kohë të gjatë vetëm mund të përmendej, por jo edhe të ndërmerrej diç konkretisht në zgjidhen e këtij problemi aq të ndejshëm për vendbanimin, regjionin, shtetin dhe popullatën në tërësi. Në këtë kumtesë është bërë një përpjekje  modeste për theksimin dhe aktualizimin e disa veçorive të problemit të eksodit rural në Kosovë, si një problem mjaftë aktual dhe shumëdimensionali i cili kërkon zgjidhje.

Veçoritë e eksodit rural në Kosovë

Kosova, me pozitën e saj gjeografike, socioekonomike dhe politike, është një hapësirë, në të cilën eksodi rural paraqet një suigeneris në vete. Ajo, me numrin më të madh të vendbanimeve për njësi të sipërfaqes në rajon e me gjerë, me numrin mesatar më të vogël të popullsisë për vendbanim, më dendësi të madhe të popullsisë, me rrethanat historiko-politike dhe me pozitën e  saj gjeografike dhe gjeopolitike, ka qenë ndër hapësirat në të cilën eksodi rural në  periudha të ndryshme ishte i pranishëm dhe  i karakterizuar me dinamikë të ndryshuar, por të pandërprerë.

Pozita e saj gjeografike, relievi kodrinor-malor, prapambetja ekonomike, ngjarjet e ndryshme historiko-politike, ndryshimet e zhvillimeve regjionale, si dhe ato ndër vendbanimet urbane e rurale, janë ndër faktorët që kanë shkaktuar migrimin e popullsisë fshatare në vazhdimësi.

Me numrin e madh të vendbanimeve të vogla, ku prej gjithsej 1445, sa ka Kosova sipas regjistrimit të 1981, me më pak se 500 banorë ishin 634 vendbanime, prej 500-1000 banorë  ishin 426 dhe prej 1000-2000 ishin 292 vendbanime, ndërsa me më tepër se 2000 banorë ishin 93 vendbanime. Ndërkaq, me vetëm prej 1-199 banorë ishin më se 15% të vendbanimeve, ose gati çdo i gjashti vendbanim. Vendbanimet e vogla, kryesisht shtrihen në pjesën kodrinore-malore dhe në periferi të Kosovës, të cilat me prapambetjen e tyre ekonomike dhe ifrastrukturore, kanë paraqitur  dhe paraqesin burim potencial dhe të pandërprerë për eksodin rural. Ndërmjet dy luftërave botërore, për shkak të strukturës homogjene ekonomike të fshatit, eksodi ishte më pak i shprehur, ndërsa gjatë periudhës komuniste fare pak ishin bërë investime në zhvillnin ekonomik dhe infrastrukturor, kurse periudha e pasluftës së fundit shënoi intensitetin më të madh të eksodit rural në Kosovë.

Vendbanimet rurale në viset periferike të Kosovës paraqesin shembullin më eklatant të eksodit rural. Kështu, në fshatin kosovar vërehen ndryshime në kuadër të lëvizjeve demografike, sidomos në aspektin e eksodit rural mes vendbanimeve të mëdha në viset luginore e fushore, si vendbanime të cilat kanë treguar rritje të shtimit në numrit të popullsisë, jo vetëm nga shtimi natyror, por edhe nga shtimi mekanik, domethënë nga imigrimi. Ka raste kur disa prej tyre në periudhën e pasluftës kanë fituar numër të madh të popullsisë së ardhur, si që është rasti më fshatin Koretin i komunës së Dardanës e shumë fshatra tjera që paraqesin shembull tipik, në të cilin popullsia e ardhur nga viset kodrinore-malore të malësisë së Gallapit (Gollakut) përben pothuajse gjysmën e popullsisë së atij vendbanimi. Raste të tilla të eksodit rural në drejtim të vendbanimeve më të mëdha rurale, të cilat ishin me një pozitë me të përshtatshme gjeografike dhe diç me një pajisje  infrastrukturore pak më të mirë, që pranuan popullatën nga viset kodrinore-malore përreth, janë një numër i konsiderueshëm i vendbanimeve kosovare.

Kapitull më vete paraqet eksodi rural në drejtim të qendrave urbane, veçanërisht, qendrave më të mëdha, siç është rasti me Prishtinën, Gjilanin, Ferizajn, Prizrenin, Gjakovën, Pejën, Mitrovicën dhe Podujevën. Të gjitha këto qendra urbane, gjatë gjithë periudhës komuniste, por edhe në periudhën transitive nëpër të cilin po kalon Kosova, shënuan rritje të popullsisë, përveç nga shtimi natyror, edhe nga imigrimi i popullsisë nga fshatrat përreth. Në kuadër të shtimit të përgjithshëm të popullsisë, një pjesëmarrje të konsiderueshme të popullsisë  e përbente popullata e ardhur nga fshatrat përreth tyre –si popullatë imigrante.

Në periudhën e pasluftës së fundit, për shkak se gjatë luftës ishin përndjekur dhe u ishin djegur shtëpitë e pronat, një numër i madh i popullatës ishin detyruar që t’u drejtoheshin qyteteve. Një rritje të tillë enorme dhe një pranim të madh të popullsisë nga e tërë Kosova, veçmas nga regjionet përreth, si të atij të Llapit, Shalës së Bajgores, Drenicës e gjetiu, shënoi kryeqyteti i Kosovës-Prishtina. Ajo, edhe para, por edhe gjatë periudhës komuniste, kishte shënuar rritjen më të madhe të popullsisë,  nga  popullsia e ardhur më shumë se të gjitha qytetet tjera kosovare. Ndërkaq, në periudhën e pasluftës së fundit, shënoi pranimin më të madh të popullatës nga të gjitha periudhat e gjertanishme. Aty vërshuan nga të gjitha drejtimet, veçmas nga fshatra përreth. Në mungesë të rezultateve të regjistrimit, i cili nuk është realizuar qe më se 30 vjet, nuk mund të jepen të dhëna të sakta. Kjo ka ndikuar që nga ky eksod shumë qytete të humbin edhe disa nga vlerat urbane, duke i ruralizuar ndonjëherë edhe periferitë urbane të tyre.

Braktisja e fshatit dhe veprimtarive të ekonomisë primare në fshatra, paraqet një sintezë ndërthurjesh të formave të mobilitetit të popullsisë, që është e lidhur me mobilitetin territorial, domethënë zhvendosja  popullative të masave dhe grupeve të njerëzve në format nga më të ndryshmet. Lëvizjet e masave të tilla  hyjnë ne ciklin e migrimeve të brendshme ose të jashtme.

Shkaqet dhe pasojat e eksodit rural

Për shqyrtimin dhe iterpretimin shkencor të këtij problemi, studimet dhe analizat kanë vënë në dukje dy koncepte të huazuara nga literatura anglo-saksone e më gjerë me përdorim  të shpeshtë në gjithë botën shkencore dhe akademike si gjithpërfshirse,por autori, Donald Bogue, mendon se nuk janë universale për gjitha mjediset:

a ) Pull Faktors (Faktorë tërheqës, joshës) dhe

b) Push faktors (Faktorë shtytës).

Studimet e ndryshme kanë evidentuar se faktorët shtytës janë: jeta e vështirë, papunësia, etj., të cilët veprojnë në të njëjtën kohë te individi, duke  bërë përpjekje për alternativë të mundshme dhe veprojnë me të njëjtën forcë dhe në të njëjtën kohë me faktorët  joshës, ofrues, tërheqës (mundësi të shumta të punësimit, avantazhet e jetës në qytet etj.). Asnjë nuk do të nisej të braktiste fshatin dhe punën në sektorin primar, sado dëshpëruese të ishin kushtet, nëse në qytet, sektorë të tjerë nuk do të ofronin shpresë dhe kushte më të mira dhe në qofte se nuk do të kishin një alternative joshëse. Asnjë nuk do ta lëshonte fshatin e të shkonte në qytet, në qoftë se jeta e fshatit dhe puna në bujqësi, nuk do të shfaqet si faktor shtytës.

Ndër faktorët që do të duhej përmendur dhe zbërthyer në mënyrë të përgjithësuar për eksodin rural do të ishin: ekonomikë, demografikë, politikë, natyrorë, socialë, psikologjikë etj. Secili nga këta faktorë, veç e veç, por edhe bashkërisht, veprojnë me intensitet të ndryshëm në eksodin rural në kohë dhe hapësirë.

a )Ekonomik - të kuptuarit mirë të fenomenit të eksodit rural e bujqësor kërkon sqarimin e   faktorëve shtytës dhe tërheqës, që bëjnë të mundur lindjen dhe nxitjen e vazhdueshme të lëvizjeve hapësinore të popullsisë. Vlen të theksohen disa nga faktorët që veprojnë në nivelin ndërkombëtar për fshatin (si faktorë shtytës). Vënia në dukje e faktorit ekonomik (rënia e çmimeve të blerjes së produkteve bujqësore, të ardhurat më të  ulëta në krahasim me sektorët e tjerë ekonomikë, në një anë, si dhe modernizimi dhe mekanizimi  bujqësisë,  e cila zvogëlon fuqinë punëtore, si dhe shtrirja e industrializimit në zonat rurale dhe mos industrializimi i prodhimeve bujqësore në lokacionet prodhuese të lëndës së parë, në anën tjetër, luajnë rol të rëndësishëm në eksodin rural.

Në shkenca shoqërore dhe ndër shumë studime dhe analiza thuhet se fshatar  e bujk në Kosovë deri vonë,për shkak të moszhvillimit të sektorëve tjerë të ekonomisë sekondare dhe terciare nuk mbetet ai që do, por ai që nuk arrin të jetë ndryshe nga ajo bujqësi tradicionale. Largimi nga bujqësia ndodh në format më të ndryshme: ikja në qytet, punësimi në fshat  ose në qytet në sektorë  jashtë aktiviteteve primare, në shërbime shoqërore, infrastrukturë etj. Sot është një dëshmi se në fshat kanë filluar aty-këtu edhe sektorë të tjerë ekonomikë, jashtë bujqësisë, si: riparime, shërbime, zejtari, ndërtimtari etj.

Nga ana tjetër, fenomeni i emigracionit jashtë vendit, kryesisht i popullatës fshatare, është njohur që nga fundi i viteve gjashtëdhjetë të shukullit të kaluar. Është fenomen i njohur i popullatës fshatare nga Kosova, por edhe i popullatës së Shqipërisë pas viteve ‘90 të shekullit të kaluar, në disa shtete evropiane dhe   tejoqeanike.

Ndër faktorët që do shkoqiten për eksodin rural, shumë autorë theksojnë faktorët:

a) Natyrorë-varësia nga kushtet të cilat i ka sjellë natyra, trualli, kushtet klimatike, (reshjet, thatësira; vështirësive të jetës në fshat dhe të punës në bujqësi, u shtohet varësia  nga kushte natyrore).

b) Socialë-jeta e fshatit diç më e vonuar dhe më e mbyllur në krahasim me qytetin, me rregullat tradicionale etj., ambienti monoton, pa ndryshime ose me ndryshme fare të ngadalshme, konflikti me mentalitete brezash dhe kërkesash dhe shthurja e lidhjeve patriarkale. Të gjithë këta faktorë veprojnë së bashku, por me shkallë të ndryshme veprimi, në përputhje me  veçoritë e krahinave dhe zonave përjashtuese.

Faktorët  shtytës  gjithnjë shtyjnë  njeriun që të kërkojë një jetë më të mirë dhe më të lehtë, si në aspektin ekonomik, po ashtu edhe në mënyrën e jetës.

Në Kosovë, ndër faktorët shtytës, vlen të përmendet dukuria e shumë familjeve të cilat ndodhen në nivel ekzistence ose gjysmekzistence. Mungesa e një pakete masash subvencionesh për fshatin, luhatja jo e favorshme e çmimeve të produkteve ushqimore, sidomos e prodhimeve të drithërave dhe e kulturave të tjera, si: pemësh dhe perimesh, vështirësitë e gjetjes së tregut, çmimet e larta të mekanizimeve bujqësore, konkurrenca e huaj në tregun e ushqimeve, si dhe mungesa e transportit dhe e shërbimeve  shëndetësore, arsimore, kulturore, infrastrkturore në ambientet rurale etj.

c)Politikë- mungesa e ligjeve dhe e zbatimit rigoroz të tyre, mungesa e ligjeve ndaj importeve të produkteve ushqimore të huaja etj.

Ç) Psikologjikë - frika nga e reja, paqartësi për jetën  e re, mungesa e një sistemi  të plotë garancish për jetën, vështirësitë e gjetjes së pozicionit në shoqëri, vështirësitë e mbështetjes për gjithçka në  aftësitë personale etj.

d) Qyteti - paraqet faktorin e  veprimit joshës, ndonëse, do të thoshim se qytetet tona janë larg standardeve urbanistike dhe joshëse dhe akoma nuk kanë arritur nivelet e qyteteve evropiane e botërore, sepse si para transicionit, por veçmas tani, me përqendrimin e popullatës në periudhën  pasluftës së fundit, edhe vetë qyteti kosovar ka problemet dhe vështirësitë e veta ekonomike, sociale; mungesa e funksionimit të reparteve industriale, papunësia, mungesa e infrastrukturës, objekteve të banimit, mungesa e trojeve dhe lagjeve të urbanizuara për ndërtim dhe shumë e shumë probleme të tjera, por, megjithatë, qyteti dhe faktorët e sipërpërmendur veprojnë si faktorë joshës, duke mbetur për qytetarin edhe më tutje vendbanim i preferuar. Në këtë drejtim mund të përmendim disa prej tyre, si: punësimin, të ardhurat më të larta që mund të sigurohen në qytet, shërbime më të plota dhe më të mira, qyteti gjithnjë bëhet si sinonim i jetës më të lirë (nga rregullat patriarkale për breza të rinj në fshat, anonimiteti, mundësia e diversifikimit social  etj). Ndër faktorët joshës në qytet poshtu vlen të përmenden oprtuniteti më i madh në punësim, shërbimet më të gjera dhe më të mira, jeta më dinamike dhe ikja nga jeta monotone e fshatit. Në fakt, ky është fenomen më i përgjithësuar, që haset sot në disa shtete jo mjaft të zhvilluara. Rënia e pjesëmarrjes së popullatës rurale dhe rritja e asaj urbane, ka të bëjë kryesisht më këtë fenomen - lëvizjen masive drejt qytetit për të banuar dhe punuar në të.

Ky fenomen ndeshet te ne dhe në Shqipëri dhe në shumë rajone përreth, në forma, përmasa dhe me pasoja nga më të ndryshmet.

Në Kosovë hasen të gjitha llojet e eksodit, duke filluar nga ai:

a. I përhershëm - ikja definitive nga fshati i lindjes, nga vendbanimi ose nga puna në bujqësi (i përfshirë këtu mobiliteti territorial dhe profesional).

b. Përkohshëm - shkëputja sipas stinëve nga vendbanimi, apo nga puna për t’u rikthyer  prapë pas stinës së angazhuar diku tjetër. Zonat më të ekspozuara ndaj eksodit, në radhë të parë janë zonat malore për vetë natyrën e vështirë të jetës në të gjitha aspektet. Në këto zona banorët e zonave  malore janë të prirur të kenë “paradisponime” të ikjes nga vendbanimi i tyre, apo nga puna në bujqësi. Ata kryesisht largohen drejt zonave fushore, por në masë të konsiderueshme edhe drejt qyteteve (në mungesë të politikave të investimeve dhe stimulimeve, duke dhënë edhe lloje të kredive të ndryshme për të mbetur popullata ne ambiente emigrative).

Në pikëpamje të trajtimit të formave të eksodit, do të dallohen ato të organizuara dhe të kontrolluara, si dhe, në mungesë të tyre, sporadike, spontane, të paorganizuara dhe të pakontrolluara.

Fenomeni i eksodit rural, pra, paraqet një lëvizje hapësinore ose zhvendosje të  individëve, familjeve, grupeve dhe masave më të mëdha njerëzore nga viset rurale drejt hapësirave urbane ose regjioneve më të zhvilluara. Domethënë bëhet fjalë për procesin e braktisjes së fshatit  si vendbanim i profesionit bujqësor, pra i veprimtarive primare, fenomen ky i cili në disiplinat e shumë shkencave shoqërore njihet me emrin eksod rural dhe bujqësor.

Profesioni bujqësor ishte dhe është në shkallën e fundit të vlerësimeve të profesioneve në nivel të përgjithshëm shoqëror, që kërkon mund dhe fuqi të re fizike, domethënë popullatë vitale. Statika dhe izolimi dhe jeta pa ndryshime  e monotone ishin vijat dominonte të mënyrës së jetës në fshat, ndërsa kalimi në qytet, në të njëjtën kohë ishte kalim në situata të cilat stimulojnë individin dhe shoqërinë, ndërsa mobiliteti hapësinor, siç ka theksuar Pitrim Sorokin, i sjell disa përparësi dhe të papritura individit, stimulon intelektin, vërteton dhe verifikon standardet morale, imponon përshtatshmërinë. Vetë shprehja fshatar, në shumë mënyra, ishte nënçmuese shekuj me radhë nga pushteti dhe  shoqëria për shkak të lënies pas dore të ambientit rural.

Eksodi rural sjell një mori pasojash të padëshiruara, duke i çrregulluar shumë karakteristika të shoqërisë bashkëkohore. Për një pasqyrë sa më reale të dimensionit dhe karakterit të eksodit rural, do të duhej të studiuar dhe analizuar të gjitha format që karakterizojnë ambientin kosovar, duke filluar prej eksodit:

- fshat-fshat, inter-rural,

- fshat-qytet

- fshat- qendër industriale

- fshat-qendër komunale etj.

Eksodi do të duhej të analizohej sipas të gjitha karakteristikave demografike ekonomike, politike, sociale, historike, psikologjike etj. Pa u ndalur në hollësi, po i përmendim vetëm disa aspekte negative ose pozitive, në të vërtetë disa nga pasojat të cilat i sjell eksodi rural, si:

1. Senilizimi ose mplakja e popullsisë fshatare

2. Tendencat e shpopullimit

3. Braktisjet; individuale, familjare dhe e popullatës ndër faza të ndryshme e sidomos të popullatës së re dhe riprodhuese dhe rritjet demografike nuk e ndjekin ritmin e nivelit të urbanizimit, duke i sjellë probleme të pandërprera qytetit

4. Vështirësitë e akomodimit të popullatës fshatare

5. Theksimi i  çrregullimeve regjionale në hapësirën nacionale

6. Theksimi i ndryshimeve fshat-qytet.

Trajtimi i pasojave nga eksodi rural, sipas disa studiuesve shqiptarë e të huaj, do të evidentonte disa nga problemet më të detajizuara dhe më të theksuara, si:

?        Meqenëse nga fshatrat largohet pjesa më e re e popullsisë, në zonat e prekura nga  eksodi rural, sipas shumë autorëve shqiptarë, ky fenomen që po ndodh, në gjuhën e demografisë, quhet mplakje e popullsisë - senilizim (d.m.th rritja e moshës mesatare të popullsisë).

?        Largohet rinia dhe pjesa më aktive, më e arsimuar, potencialet e fuqisë punëtore, por edhe të riprodhimit të popullsisë. Kjo është pasojë e karakterit selektiv të eksodit: ikën më i afti dhe ai i cili është më mobil dhe më i përgatitur për ballafaqim me jetën dhe  vështirësitë.

?        Ndodh përqendrimi i femrave në aktivitete bujqësore ose, thënë ndryshe, feminizmi i këtyre aktiviteteve. Një gjë e tillë ndodh sepse eksodi prek më tepër meshkujt sesa femrat dhe kjo për shkaqe fizike, psikologjike dhe traditash. Struktura e mbetur e popullsisë ne fshat është kryesisht e dominuar nga gratë, fëmijët dhe pleqtë.

?        Pasojat shihen edhe në aspektin kulturor. Braktisja e shtëpive dhe e ambienteve të ndryshme me vlera karakteristike e tradicionale, te cilat shpijnë në shkatërrim gradual të tyre.

?        Rënia e nivelit të shërbimeve artizanale, rënia e interesit dhe mundësisë për punë, do të krijojë edhe probleme në nivelin kombëtar, do të shtohet importi i produkteve bujqësore, me gjithë natyrën e përshtatshme që ekziston për kultivimin e atyre produkteve dhe zhvillimin e bujqësisë.

?        Lëvizja e shpejtë dhe e pakontrolluar krijon probleme edhe në qytet, ku krijohen vështirësi për zgjidhjen e problemit të strehimit dhe të punësimit.

?        Eksodi paraqet një problem të natyrshëm, por ai mund të kontrollohet dhe të krijohen kushtet për një proces pa shumë dhembje e plagë të rënda sociale, psikologjike e emocionale.

Masat që do të mund të ndërmerreshin si rezultat i hartimit të një politike të saktë dhe efikase, janë:

?        Hartimi i një legjislacioni të përshtatshëm dhe zbatimi i tij rigoroz për krijimin e garancive politike për zhvillimin e jetës së shoqërisë rurale.

?        Hartimi dhe zbatimi i një sërë masash proteksioniste dhe një politike doganore që të favorizojë dhe të nxisë prodhimin bujqësor në vend.

?        Shpërqendrimi i aktiviteteve ekonomike të prodhimeve industriale në lokacionet  e lëndës së parë.

?        Krijimi i lehtësirave në dhënien e kredive bujqësore dhe kontrollimi i përdorimit të destinacionit të tyre.

?        Përsosja e marketingut dhe shërbimit këshillimor me qëllim që fshatari të kryejë një prodhim mbi baza shkencore dhe sipas shijes së masës, ku si pasojë kemi rritjen e fitimit.

?        Organizimi më i mirë i punës dhe intensifikimi i prodhimit, e sidomos në zonat e përshtatshme klimatike, që ofron natyra dhe konfiguracioni i vendit për blegtori dhe pemëtari.

?        Nxitja dhe zhvillimi i artizanatit dhe shërbimeve të tjera të cilat rrisin mjaft cilësinë e jetës në fshat.

?        Zhvillimi i turizmit, e sidomos agroturizmit dhe turizmit rural, ku jo vetëm punësohen njerëzit, por edhe rrisin mjaft cilësinë e jetës në fshat.

?        Zhvillimi i infrastrukturës (rrugë, furnizimi me ujë të pijshëm), i shërbimeve arsimore, shëndetësore, kulturore, shërbimeve të informimit, komunikimit etj.

?        Faktorë që do ndikojnë dukshëm në lehtësimin e komunikimit të fshatrave me zonat urbane dhe tregjet për konsumatorë etj.Duke bërë një përmbledhje, mund të themi se, në përgjithësi, eksodi prek më shumë ato zona, ato fshatra, ku ruraliteti identifikohet me bujqësinë dhe me punën në bujqësi. Veprimi i faktorëve të tjerë të jetës luan rolin ose të amortizatorëve ose të frenave të proceseve të  gjithëmbarshme që ndodhin në jetën e fshatit.

Edhe pse teoria push dhe pull është gjithëpërfshirëse dhe universale, ka përjashtime; nëse ato janë vullnetare, paraqesin reagim subjektiv ndaj faktorëve subjektivë. Paraqet reagimin subjektiv në dy mjedise sociekonomike; në njërin, në të cilin njeriu ndodhet,  dhe, në të dytin, ku ekziston mundësia alternative për të zgjedhur mes ekzistueses dhe alternatives.

Gjatë vitit l98l, kishin ndërruar vendbanimin më se një e treta e popullatës së Kosovës, nga të cilat ishin të shprehura më tepër si migrime lokale, kryesisht nga fshati në fshat ose qytet, ose gjatë kësaj periudhe janë zhvendosur më se një e treta e popullsisë nga zonat kodrinore-malore drejt zonave fushore dhe qendrave urbane.

Në zonat kodrinore-malore, ku familjeve fshatare nuk u sigurohen sipërfaqe të nevojshme të tokës bujqësore, shteti merr mesazhe duke u siguruar burime të tjera të jetës, përmes subvencioneve, shtimit të investimeve për punësimin e njerëzve, vendosjes së asistencës sociale dhe lëvizjes së kontrolluar të popullatës, në bazë të një programi të caktuar nga Këshilli i ministrave, veçmas ministria për bujqësi dhe zhvillim rural.

Eksodi rural nuk është një fenomen i ri në vendin tonë, por do të ishte me vend ta vëmë në dukje si një tendencë të re që po shfaqet në vendet e industrializuara. Kjo tendencë njihet me emrin eksod urban drejt fshatit, ose, siç quhet ndryshe, rizbulim i vlerave të ambientit rural. Parashtrohet pyetja se, a thua kurdo të vijë koha kur kosovari t,i rikthehet këtyre “vlerave” rurale nëse një tendencë e tillë e lënies pas dore të fshatit vazhdon edhe më tutje. Kjo do të thotë se gjithnjë e më shumë qytetarë kërkojnë të shkojnë të banojnë në fshat, të organizojnë jetën në ambiente të pastra dhe të hapëta, të cilat në qytet janë më të kufizuara. Është interesant të ceket fenomeni të shumë autorë, se ata të cilët kthehen në fshat, nuk janë ata që kanë origjinën prej atij vendi, por të tjerë. Ajo që vlerësohet në këtë rast është mungesa e ndotjes së ambientit, jeta më e qetë, pa zhurmë dhe kriminalitet, nga të cilat vuajnë ambientet urbane jo vetëm  në botën shqiptare por gjithnjë e më i shprehur është  edhe në botën e zhvilluar dhe të urbanizuar.Në Kosovë veçmas eksodi rural do trajtuar hapësirat pranë  zonave kufitare me popullatën sllave rreth e përqark Kosovës,  që për shkak të pasigurisë përmanente kanë qenë dhe janë zona që në vazhdimësi janë zbrazur dhe boshatisur  duke mbetur edhe sot shumë fshatra pa fshatarë.

Kumtesë e marrë nga një tubim shkencor.

(Për shkak të natyrës së gazetës fusnotat dhe burimet janë hequr.)



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx