E diele, 04.05.2025, 05:02 AM (GMT+1)

Speciale

Albert Ramaj: 40-vjetori i Koncilit të Vatikanit

E marte, 19.02.2013, 09:02 PM


Me rastin e 40-vjetorit të Koncilit të II-të Ekumenik të Vatikanit (1962-1965)

Nga Albert RAMAJ

Hyrje

Ky shkrim ka për qëllim njohjen e lexuesit shqiptar me Koncilin e II-të të Vatikanit që u mbajt në vitet 1962-1965. Me rastin e 40-vjetorit të fillimit të këtij Koncili, që ndonjëherë e quajmë edhe Vaticanum II, dëshirojmë të hedhim dritë mbi një nga ngjarjet më të rëndësishme të shekullit të XX-të për Kishën dhe për mbarë njerëzimin. Do të kemi parasysh që të reflektojmë edhe ngjarjet që janë zhvilluar në kohën pas këtij Koncili. Vëmendje do t’i kushtojmë edhe Kishës tek ne, pra asaj në Kosovë e Mal të Zi, si edhe asaj në Shqipëri. Me fjalë të tjera do të mundohemi të bëjmë një krahasim të gjendjes së Kishës së gjithëmbarshme (katolike) në dallim nga ajo ndërshqiptare në kohën kur u mbajt koncili në fjalë dhe pas tij.

1. Ç’do të thotë fjala “koncil”?

Që në fillim të këtij shkrimi duhet të shohim se ç’është në përgjithësi një koncil për Kishën katolike. Do të fillojmë me shqyrtimin e vetë fjalës koncil.

Për termin koncil shpesh mund të gjejmë edhe një fjalë tjetër, si p.sh. sinod, që në shekujt e parë të Kishës kishte të njëjtën domethënie. Më vonë ky term, për Kishën perëndimore (latine), u zëvendësua me fjalën koncil ekumenik. Në fakt kemi të bëjmë me të njëjtën gjë, vetëm se termi koncil rrjedh nga latinishtja (concilium) kurse ai sinod (synodos) është fjalë greke.* Në shqip mund të përdorim me të njëjtin kuptim fjalët kuvend apo këshill. Ndonjëherë në ditët e sotme termi sinod përdoret për një mbledhje kishtare të një rajoni apo ipeshkvie. Fjala koncil është fjalë latine, dhe në shqip mund ta përkthejmë: mbledhje, tubim, pleqërim, kuvend, takim, pjekje. Për të mos ia humbur përmbajtjen termit origjinal ne do të vendosim për përdorimin e fjalës “koncil” duke i dhënë përparësi termit latin, pasi në këtë gjuhë janë shkruar dhe botuar edhe dokumentet e vetë Koncilit.

Në Kishën katolike ekzistojnë dy lloj koncilesh, ai provincial (koncil i veçantë apo sinod ipeshkvnor), që përfshin një rajon apo një vend (shtet) dhe ipeshkvinjtë që përfaqësojnë kishën vendore, dhe ai që përfshin Kishën e gjithëmbarëshme nën udhëheqjen dhe thirrjen e Papës, pra ku marrin pjesë të gjithë ipeshkvinjtë katolikë të botës dhe quhet koncil ekumenik. Kur është fjala për një ndarje të tillë të koncileve këtu mund të përmendim si shembull Koncilin shqiptar të njohur si Kuvendi i Arbënit që i përket koncilit të veçantë. Pikërisht në këtë vit (2003) përkujtojmë 300-vjetorin e këtij koncili (1703) i cili pati rol shumë të rëndësishëm për kohën kur u mbajt dhe vendimet e tij, jo për mbarë kishën, por vetëm për Kishën shqiptare. Kur bëhet fjalë për një koncil ekumenik duhet të thirren të gjithë ipeshkvinjtë, por ndonjëherë mund të ndodhë që nuk mund të marrin pjesë të  gjithë. Kemi rastin konkret kur u zhvillua Koncili i II-të i Vatikanit, në të cilin nuk mori pjesë asnjë ipeshkëv nga Shqipëria. Shkaqet e kësaj mungese i dimë dhe për këtë do të flasim më vonë. Ekzistojnë edhe raste të ndryshme që mund ta bëjnë të pamundur pjesëmarrjen e  ipeshkvinjve në koncilin ekumenik, si p.sh. shkaqet shëndetësore dhe të tjera. E rëndësishme për një koncil ekumenik është që aty të përfaqësohet Kisha nga e gjithë bota. Quhet koncil ekumenik sepse në të është i thirrur i gjithë episkopati katolik i botës dhe shqyrtohen problemet që kanë lindur dhe merren vendime për të ardhmen e Kishës Katolike.

Fjala ekumen apo ekumenik është fjalë greke që në shqip do të thotë “e tërë toka e banuar”, kurse sot përdoret me dy kuptime, njërin e përmendëm më parë në lidhje me koncilin ekumenik (ku janë të thirrur ipeshkvinjtë katolikë të të gjithë botës për të shtjelluar një problem apo për të marrë një vendim), ndërsa domedhënia tjetër e kësaj fjale është përpjekja e të gjithë të krishterëve për afrim e, më pas, për bashkimin e tyre në një Kishë të vetme.

1.2. Ç’trajton një koncil?

Deri tani u përqëndruam më shumë në shpjegimin etimologjik të fjalës koncil, ndërsa më tutje do të mundohemi të shqyrtojmë se ç’bën apo ç’trajton një koncil. Koncilin ekumenik të Kishës Katolike ka të drejtë ta thërrasë, sipas ligjit të sotëm të Kishës, vetëm Ati i Shenjtë, Papa, dhe është po ai që vërteton vendimet e koncilit. Udhëheqjen në përgjithësi e bëjnë delegatët e tij apo personat e caktuar nga ai. Përveç ipeshkvinjve që marrin pjesë në një koncil ekumenik, në të mund të marrin pjesë edhe persona që nuk janë ipeshkvinj, të cilët thirren për të diskutuar apo për të dhënë këshilla, siç janë: teologët, meshtarët, abatët, prelatët, patriarkët, apo persona të tjerë që janë kompetentë për një fushë të caktuar. Marrin pjesë sidomos edhe eprorët e urdhrave rregulltarë. Të gjithë pjesëmarrësit që kanë të drejtë të votojnë (episkopati) për një përfundim në koncil quhen etër konciliarë. Koncili është, pra, mbledhje e të gjithë ipeshkvijve katolikë me Papën në krye ku debatohet, pleqërohet për çështje kishtare apo fetare dhe në fund shpallen vendime në mënyrë solemne. Të gjitha vendimet që shpallen në koncilet ekumenike dhe vendimet që shqyrtohen dhe miratohen nga ipeshkvijtë, me Papën në krye, janë pushteti më i lartë në Kishën katolike. Të gjitha vendimet që merren në një koncil ekumenik janë detyruese për të gjithë ipeshkvijtë, klerikët dhe për të gjithë besimtarët e tjerë katolikë (laikët) në të gjithë botën. Koncilet, sidomos në të kaluarën janë thirrur në kohët më të nevojshme për apologji, pra për mbrojtjen e çështjeve fetare doktrinore. Me fjalë të tjera koncili thirret kur Kisha, me Papën në krye, e sheh shumë të nevojshme dhe të arsyeshme kohën për të përcaktuar dhe zgjidhur çështje kishtare. Pra, koncili thirret sipas nevojave të kohës dhe rrjedhës apo zhvillimit të ngjarjeve në Kishë, në botë, për të mirën e të gjithëve.

Deri tani Kisha Katolike ka njohur 21 koncile ekumenike. Duhet të mbajmë parasysh se edhe në kohën e apostujve është mbajtur një lloj koncili, aty rreth vitit 50. Kështu lexojmë në Veprat e apostujve (15, 1-35). Problemi ishte se judenjtë kërkonin nga paganët që, nëse këta dëshironin të bëheshin të krishterë (të pagëzoheshin) atëherë duhej të rrethpriteshin dhe të mos hanin mishin e kafshëve të furura apo të mbytura në ujë, siç ishte rregull i judenjve. Kështu që u mblodhën apostujt dhe pleqtë në kuvend në Jeruzalem për të diskutuar mbi këtë çështje. Ky kuvend i apostujve dhe pleqve u bë një lloj tradite se si duhej të mblidheshin  e të diskutonin etërit dhe në fund të merrnin vendimet përfundimtare, nëse ekzistonin apo lindnin paqartësi në bashkësitë e krishtera.

Më parë thamë se Kisha katolike ka njohur 21 koncile. I pari prej tyre u mbajt në Nike në vitin 325 për të gjykuar mësimin e Arianizmit. Koncili i II-të ekumenik u mbajt më 381 në Konstantinopojë. Është me interes të themi se “Credo-ja” apo “Besoj-ma” e krishterë (që e pranojnë katolikët, ortodoksët e protestantët) është Credo – Besoj që u krijua dhe u miratua në Koncilet e Nikesë dhe të Konstantinopojës dhe për këtë arsye quhet “Besojma e Nike -Konstantinopojës”. Për të treguar rëndësinë e koncileve të para disa i konsiderojnë katër koncilet e para si katër ungjijt e shkrimtarëve të shenjtë (Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni), ku u formulua thelbi i fesë së krishterë. Nga koncilet, të cilat Kisha katolike i pranon si koncile ekumenike, tetë janë mbajtur në lindje ndërsa të tjerët janë mbajtur në perëndim. Në këtë shkrim do të shqyrtojmë Koncilin e II-të të Vatikanit, të fundmin në vargun e tyre, që u mbajt nga 1962 në 1965-ën. Ky koncil është shumë i rëndësishëm për Kishën Katolike në përgjithësi e veçanërisht për ditët që po jetojmë.

2. Koncili i II-të i Vatikanit

Të 20 koncilet ekumenike që janë mbajtur në Kishë, ishin pothuajse të gjithë, mund të themi, koncile që trajtonin çështjet e Dogmës, apo gjykonin ndonjë mësim të gabuar që shfaqej brenda Kishës, apo mund të ishte dhe nevoja e mbrojtjes së Kishës nga ndonjë sulm i jashtëm. Ndërsa Koncili i 21-të nuk ishte i këtij lloji. Ky Koncil ndryshon shumë nga të tjerët. Koncili nuk gjykoi dhe as nuk shqyrtoi ndonjë dogmë të vendosur në koncilet e mëparshëm. Pas vdekjes së Papës Piu i XII-të në 1958-ën, si Papë i ri u zgjodh Kardinali nga Italia e veriut – nga Venediku – që nuk ishte i njohur dhe që ishte i moshuar (77-vjeçar), me emrin Giuseppe Angelo Roncalli. Siç është zakon, çdo Papë i ri i emëruar merr një emër të ri. Ky mori emrin Gjoni i XXIII-të (mbi Gjonin e XXIII-të mund të lexoni edhe në revistën e ipeshkvisë së Kosovës Drita, nr 5-6/1978, fq. 8, nga V. M.). Ky Papë më vonë u quajt edhe Papa i mirë. Të shumtë ishin ata që nuk e kishin menduar se pikërisht ky kardinal do të zgjidhej për Papë të ri. Madje edhe në rrethet kishtare nuk mund ta besonin lehtë se ky kardinal u zgjodh për Papë. Disa mendonin se ky Papë do të ishte vetëm “kalimtar”, pasi ishte i moshuar dhe nuk ishte emër shumë i njohur në botë dhe në Kishë. Më parë kishte qenë nunc në Bullgari, Turqi e Greqi dhe më vonë në Francë. Gjatë Luftës së II-të Botërore u kishte shpëtuar jetën disa hebrenjve. Në vitet e para të pontifikatit të tij, edhe pse disa mendonin se ky Papë ishte thjesht “plak” dhe “kalimtar”, ai bëri disa ndryshime të dukshme, sepse kishte plane të mëdha për Kishën. Pas një kohe shumë të shkurtër që ishte Papë (pas tre muajsh), ai, më 25 janar 1959, paralajmëroi se do të mbahej një koncil i ri ekumenik.

Në revistën e ordinariatit të ipeshkvisë Shkup-Prizren në gjuhën shqipe “Zani i Zojës Cernagore” që botohej në Prizren, më 1962, nr. 1. fq. 7, lexojmë kështu: “Papa i soçëm, Gjoni XXIII, me 25 kallnduer 1959 i shpalli botës katolike, se e ka menden m’e thirrë Koncilin e përgjithshëm. Tue u drejtue në nji fjalim kardinajve të pranishëm, u tha: ‘Vllazën të ndershëm e bij tonë të dashtun! Po shpallim para jush, ka pak tue u dridhë prej të thekunit, se kemi vendosë me përvujtni por edhe me guxim, qi të mbahet synoda dioçezane per qytetet të Romës dhe Koncili përgjithshëm për mbarë Kishën...’ Në nji letër ma vonë; papa shkruen se ky mendim i ka ardhë si ‘nji lule e prandverës së papritshme’”.

Shumica mendonin se ky do të ishte një koncil ku do të diskutohej për bashkimin e kishave të krishtera. Por ideja e Papës ishte diçka tjetë. Duhet të kuptojmë se koha e kishte bërë të vetën për thirrjen e një koncili ekumenik, dhe me të drejtë. Sepse njerëzimi përparonte në shumë fusha dhe për Kishën nuk ishte aq lehtë që t’u përgjigjej pyetjeve që parashtroheshin në kohën moderne. Thjesht koha kishte ndryshuar dhe shumë gjëra të reja kërkonin edhe përgjigje më të përshtatshme. Ndiheshin shumë edhe një sërë pasojash që Lufta e II-të Botërore kishte lënë pas, kështu që Kisha duhej që patjetër t`i merrte në konsideratë, t`i sqaronte, t’i diskutonte dhe të merrte qëndrim ndaj tyre, si p.sh. ndaj antisemitizmit. Koncili i II-të i Vatikanit i hapi sytë ndaj botës moderne, dhe kërkonte trajtime bashkëkohore, pra të ballafaqohej me kohën e vet e jo të ecte një hap prapa apo një hap para, por të ecte bashkë me të, në hap me kohën. Kisha ishte e vetëdijshme se duhet ta pyesë veten: ç`është Kisha në vetvete dhe në ç`raport qëndron ajo me botën? Ky ishte qëllimi kryesor dhe vizioni i papës Gjoni i XXIII-të që e thirri këtë koncil. Shumë vetë u befasuan ndaj kumtimit për mbajtjen e një koncili të ri, sepse me përkufizimin  e parësisë dhe të pagabueshmërisë së Papës në Koncilin e I të Vatikanit, mendohej se koha e koncileve kishte përfunduar dhe se nuk do të kishte më koncile të reja, pasi të përfundohej ai i pari i Vatikanit i mbajtur në 1869-1870. Ndërsa tani, gati një shekull më pas, Papa shpalli koncilin e ri, që nuk do të ishte vazhdim i të parit, por një tjetër krejt i ri. Dhe ky do të jetë Koncili i II-të i Vatikanit që do të sjellë kthesa të mëdha në zhvillimin dhe përparimin e Kishës në shumë mënyra dhe fusha. Nuk duhet harruar se një pjesë e madhe e vendeve evropiane gjendej nën regjimet komuniste dhe për Kishën nuk ishte e lehtë që të vepronte lirisht në këto vende.

Nëse do t’i përgjigjeshim shkurt pyetjen se pse u thirr dhe u mbajt Koncili i II-të i Vatikanit, atëherë do të thonim kështu: koha e kërkonte. Ideja e Papës që e thirri të gjithë episkopatin e botës në koncil ishte që Kisha të restaurohej nga brenda, por edhe që ajo e “jashtmja” të mos lihej pas dore kurrsesi. Pra, kishte për qëllim që “t`i hapte dyert e dritaret” vërtet dhe t`i drejtohej njeriut bashkëkohor me ide dhe ajër të freskët që sa më shumë të mund të gjallërohej dhe të pranohej Lajmi i gëzueshëm në mbarë botën duke pasur parasysh gjendjen e botës së sotme - sa më pragmatike të bëhet shpallja e ungjillit për të gjithë besimtarët dhe për të ndërtuar ura që njerëzit të mund të takohen me njëri-tjetrin - për të komunikuar me njëri-tjetrin. Ky koncil, pra, bëri një hap shumë të rëndësishëm, le të themi një hap paraprirës takimi për të treguar se Kisha është e të gjithë besimtarëve, për të gjithë të krishterët, për të gjithë njerëzit. Në radhë të parë bëhej fjalë për një koncil baritor, për ata që duhet të përkujdeseshin për shpirtrat e njerëzve dhe për çdo besimtar vullnetmirë në rruzullin tokësor që të ketë mundësi ta shpallë ungjillin me mënyrën e vet, si di dhe sipas mundësive. Këtë dëshironte Papa Gjoni i XXIII-të, që jo vetëm me autoritetin dhe parësinë e tij të tregonte ç`dëshironte ai vetë, por i thirri të gjithë ipeshkvinjtë nga e gjithë bota që, nëse do të kishin mundësi, të merrnin pjesë në koncil. Shumë me rëndësi është të themi se fjalimet e tij nuk pretendonin të shtjellonin një temë të nxitur personalisht nga vetë ai. Kjo shihet nga fjalimet para Koncilit, ku nuk  përdorte termat “unë” apo “pasardhësi i Pjetrit” apo “ipeshkvi i Romës”, por termin “NE”, pra bashkarisht, në mënyrë kolegjale me gjithë episkopatin. Ideja e tij ishte që problemet para të cilave ndodhej kisha në botën moderne, të mos zgjidheshin nëpërmjet dekreteve nga lart, por nëpërmjet këshillave të përbashkët ku të mund të merrnin pjesë përfaqësuesit e mbarë Kishës.

Motoja e Koncilit të II-të të Vatikanit ishte një fjalë profane e gjuhës italiane “aggiornamento” që ka disa domethënie. Në shqip, për shkak të kuptimit të saj origjinal, mund ta përkthejmë saktë vetëm duke e përshkruar atë: rishikimi i diçkaje (librave apo regjistrave) në dritën e njohurive apo elementeve të reja. Nëse e kuptojmë këtë fjalë në kuptimin teologjik të Koncilit të II-të të Vatikanit atëherë mund ta përkthejmë si “përshtatje” apo “ditësim”, përshtatshmëri me kohën, në hap me kohën, apo “bashkëkohësim”. Kjo fjalë nuk është menduar vetëm për domethënie profane, por, në frymën e të menduarit, është kuptuar që Kisha të ketë para sysh kohën dhe botën që po (sh)ndërrohet dhe që tradita kishtare të ecë bashkë me kohën. Ripërtëritja e nxitur nga Koncili shpie deri në një “revizion” të traditës, normave, institucioneve, shkurt, “strukturave njerëzore” dhe për këtë arsye ato i nënshtrohen ndryshimeve nga ana e Kishës. Kjo ripërtëritje nuk mbaron kurrë: ajo është e përhershme (LG 4a, 7g, 8c). Por është për t’u larguar çdo triumfalizëm që do ta pëfaqësonte Kishën të gërshetuar vetëm me triumfet e saj. Duhet të ruhemi edhe ndaj njëfarë lloji të “episkopolatrisë” apo “popullatrisë”. Në popullin e Zotit të gjithë kanë të drejta dhe detyrime të barabarta, që do të thotë se kemi të bëjmë me një realitet që quhet shërbesë e përvuajtur, besnike, e krishterë në mënyrë aktive dhe pasive, në kuptimin e udhëheqësit dhe të të udhëhequrve. Në këtë kuptim mund të themi se fjala “ditësim” nënkupton zbulimin e ri dhe të sërishëm dhe pranimin e sërishëm të vlerave të pranishme në Kishën e parë dhe në traditën më të vjetër.

2.1. Parapërgatitjet dhe zhvillimi i Koncilit të II-të të Vatikanit

Pas lajmërimit për mbajtjen e koncilit filluan përgatitjet për koncil. Më 17 maj 1959 Papa formoi një komision “Commissio ante-preparatoria” i cila ishte i angazhuar në mbledhjen e materialit përgatitor nga e gjithë bota për koncilin që do mbahej. Këtë komision e udhëhiqte Kardinal D. Tardini. Papa vendosi që ky koncil të quhet Koncili i II-të i Vatikanit. Në mes viteve 1960-62 filluan të konkretizoheshin gjërat për punën e koncilit. U krijua një komision qëndror dhe 10 komisione të posaçme. U përcaktua se nuk do të jetë koncili i bashkimit të të gjithë të krishterëve, dhe se ky koncil do të ketë karakter baritor. Po ashtu se ky koncil nuk do të sjellë dogma të reja dhe se nuk do të gjykojë asnjë sikurse ishte vepruar në koncilet e mëparshëm. Dhe në këtë koncil protagonist do të jetë episkopati, pra një koncil liberal. Në këtë kohë u krijua sekretariati për përkrahjen e bashkimit të të krishterëve me kardinalin Agustin Bea në krye. Ky sekretariat ia arriti qëllimit që kishat motra, të ndara nga Kisha katolike, si ajo ortodokse, protestante dhe anglikane, të merrnin pjesë në Koncil duke patur përfaqësuesit e tyre si vëzhgues.

Periudha e parë. 11 tetor 1962 u hap solemnisht dhe filloi punimet Koncili i II-të i Vatikanit. Në periudhën e parë që zgjati deri më 8 dhjetor 1962 u diskutua për liturgjinë, dëftimin, mjetet e komunikimit, kishat lindore dhe për Kishën.

Papa Gjoni i XXIII-të shkroi enciklikën “Pacem in terris” pikërisht më 11 prill 1963, pra pas përfundimit të periudhës së parë të zhvillimit të Koncilit. Kjo enciklikë luajti një rol shumë të madh për sjelljen e paqes, sepse në këtë kohë ishin tensionuar shumë marrëdhëniet ndërmjet Amerikës dhe Rusisë dhe ishte ngritur muri i Berlinit; Papa i mirë, siç quhej Gjoni i XXIII-të bëri një punë shumë të madhe për arritjen e paqes në botë.

Më 3 qershor 1963 vdiq Papa Gjoni i XXIII-të dhe, për këtë arsye, Koncili i ndërpreu punimet. Të gjithë pritnin se ç`do të ndodhte pas konklavës, pra pasi të zgjidhej pasardhësi i Gjonit të XXIII-të. A do të vazhdonte apo nuk do të vazhdonte punën Koncili II-të i Vatikanit, pasi, sipas ligjit të Kishës, nëse gjatë një koncili vdes Papa, atëherë ai koncil ndërpritet. Dhe për këtë arsye të gjithë ishin në pritje. Po të zgjidhej për Papë ndonjë kandidat konservator, do të ishte vështirë që të vazhdohej koncili. Pas tri javësh u zgjodh si Papë arqipeshkvi i Milanos, Kardinali Giovanni Montini, i cili mori emrin Pali i VI-të. Ky ishte edhe kandidati që kishte për zemër Papa Gjoni i XXIII-të. Më 27 qershor 1963 u bë e njohur zyrtarisht se Koncili do të vazhdonte punën, tani pra, nën udhëheqjen e papës Pali i VI-të.

Periudha e dytë. Periudha e dytë filloi më 29 shtator 1963. Në këtë periudhë u diskutua mbi kishën, ipeshkvinjtë dhe mbi ekumenizmin. Kjo zgjati deri më 4 dhjetor 1963. Në këtë periudhë u miratua dhe u shpall solemnisht Konstitucioni mbi liturgjinë e shenjtë dhe Dekreti mbi mjetet shoqërore të komunikimit. Papa Pali i VI-të në këtë përiudhë bëri disa ndryshime për moderimin e koncilit që të lehtësohej më mirë puna dhe zhvillimi i tij. Në periudhën e tretë u krijua edhe sekretariati për besimet jo të krishtera.

Na duhet themi se pas përfundimit të periudhës së dytë u zhvillua një takim shumë i rëndësishëm për të gjithë të krishterët. Papa Pali i VI-të më 5 janar 1964 u takua në Jeruzalem me patriarkun ekumenik Atenagora i I-rë (Për më shumë mbi këtë figurë kishtare shih: Atenagora – profet i bashkimit (1886-1972)). Krerët e dy kishave motra, të ndara që në vitin 1054, nuk ishin takuar për shekuj. Shihet shumë qartë se ky takim ishte fryt i Koncilit të II-të të Vatikanit. Mbase ia vlen të përmendim se Patriarku ekumenik Atenagora i I-rë ishte me prejardhje shqiptare (arvanitas nga Greqia).

Periudha e tretë. Kjo periudhë zgjati nga data 14 shtator 1964 deri më 21 nëntor të të njëjtit vit. Gjatë kësaj kohe u diskutua për shumë dokumente. Mbi Kishën, ipeshkvijtë, lirinë fetare, besimet jo të krishtera, dëftimin, apostullimin e laikëve, shërbimin dhe jetën meshtarake, kishat lindore, kishën sot në botë, misionet, rregulltarët, formimin e meshtarëve, edukimin e krishterë, martesën. Në këtë periudhë u miratuan dhe u shpallën solemnisht këto dokumente: Konstitucioni dogmatik mbi Kishën, Dekreti mbi katolikët e kishave lindore dhe Dekreti mbi ekumenizmin.

Periudha e katërt. Kjo periudhë, e cila edhe ishte e fundit e këtij koncili, zgjati nga 14 tetori deri më 8 dhjetor të 1965-s. Kjo periudhë shënoi numrin më të madh të pjesëmarrjes së etërve konciliarë: gjithsej 2400. Në këtë periudhë u diskutua për lirinë fetare, për Kishën sot në botë, për misionet, për shërbimin dhe jetën meshtarake. Në këtë periudhë u miratuan dhe u shpallën solemnisht shumë dokumente. Më 28 tetor 1965 u miratuan dhe u shpallën solemnisht këto dokumente: Dekreti mbi detyrën e barinjve ipeshkvinj, Dekreti mbi formimin e meshtarëve, Dekreti mbi ripërtëritjen e rregulltarëve, Deklarata mbi edukimin e krishterë, Deklarata mbi besimet jo të krishtera. Kurse më 18 nëntor 1965 u miratuan dhe u shpallën solemnisht Konstitucioni dogmatik mbi dëftimin hyjnor dhe Dekreti mbi apostullimin e laikëve. Më 7 dhjetor 1965 u miratuan dhe u shpallën solemnisht Konstitucioni baritor mbi Kishën sot në botë, Dekreti mbi shërbimin dhe jetën meshtarake, Dekreti mbi veprimtarinë misionare të Kishës, Deklarata mbi lirinë fetare. Është me rëndësi të themi se më 7 dhjetor 1965 me një deklaratë të përbashkët të papës Pali i VI-të dhe Patriarkut ekumenik Atenagora i I-rë u hoq mallkimi i dyanshëm, ndërmjet Kishave të perëndimit dhe të lindjes, që ishte në fuqi që nga viti 1054. Më 8 dhjetor 1965 përfundoi zyrtarisht dhe solemnisht Koncili II-të i Vatikanit.

Duhet thënë se kur citohen dokumentet e Koncilit II-të të Vatikanit, këto shënohen përherë vetëm me shkronjat e para të tij, si p.sh. për dokumentin “Lumen gentium” përdoret shkurtimi LG dhe pastaj numri i këtij dokumenti që ëshë cituar; kjo mënyrë imiton traditën e lashtë kishtare.

3. Ç`solli në dritë Koncili II-të i Vatikanit?

Ky koncil miratoi 16 dokumente. Këta janë: 4 konstitutione, 9 dekrete dhe 3 deklarata.

Në vijim do të shënojmë shkurt cilat janë ata dhe për çfarë flet secili prej tyre.

Konstitucionet:

1.       Konstitucioni dogmatik mbi Kishën “Lumen Gentium” bën fjalë për Kishën e Krishtit e cila është e vërteta e brendshme dhe e padukshme e saj; edhe për bashkësinë e saj të dukshme në tokë, e cila udhëton drejt amshimit, pra për kishën udhëtare. Ky dokument është përkthyer në shqip nga Imzot Nikë Prela, dhe është botuar nga shtëpia botuese Drita në vitin 1992 me titull “Dokumentet konciliare”.

2.      Konstitucioni dogmatik mbi Dëftimin hyjnor “Dei Verbum” bën fjalë për dëftimin hyjnor dhënë njeriut; si ky dëftim iu dha Kishës dhe se si Kisha e ruan me kujdes atë dëftim dhe Shkrimin e Shenjtë; si duhet që Kisha të jetojë me Shkrimin e Shenjtë. Ky dokument ndodhet në “Dokumentet konciliare” të lartpërmendur, të përkthyera nga Imzot Nikë Prela.

3.      Konstitucioni mbi liturgjinë e shenjtë “Sacrosantum Concilium” bën fjalë për liturgjinë e shenjtë dhe reformat e saj. Pa reformën liturgjike ndoshta nuk do të mund të kishte as reforma të tjera vijuese në këtë koncil. U vendos që gjuha liturgjike të jetë gjuha e popullit, të rishikohen dhe të ribotohen librat e ri liturgjikë si dhe përshtatja e kremtimeve ndaj situatave të ndryshme dhe krijimtaria graduale.

4.      Konstitucioni baritor mbi Kishën në botën e sotme “Gaudium et spes” bën fjalë për Kishën dhe rolin e saj në botën e sotme. Këtu përshkruhet se si Kisha e kupton dhe e sheh botën në kohën e sotme. Dhe se si duhet t`i ndihmojë njerëzimit në kohën e sotme sipas udhëzimeve ungjillore. Ky dokument është shumë i rëndësishëm për mbarë njerëzimin e jo vetëm për të krishterët. Po ashtu edhe ky konstitucion është përkthyer në shqip dhe bashkë me dy konstitucionet e para (LG dhe DV) ndodhen në “Dokumentet konciliare” të lartpërmendur.

Dekretet:

1.       Dekreti mbi detyrën baritore të ipeshkvinjve “Christus Dominus” bën fjalë për ipeshkvinjtë dhe detyrat e tyre dhe kërkon nga ipeshkvinjtë që të jenë më aktivë në detyrën e tyre baritore dhe kërkon bashkëpunim sa më të mirë mes ipeshkvinjve që të udhëhiqet sa më mirë Kisha e Krishtit.

2.      Dekreti mbi shërbimin dhe jetën e priftërinjve “Presbyterorum Ordinis” bën fjalë për priftërinjtë dhe i nxit që të përgatiten sa më mirë shpirtërisht dhe ta pranojnë jetën e tyre priftërore dhe të jenë në shërbim dhe angazhim të popullit të Zotit.

3.      Dekreti mbi ripërtërirjen dhe përshtatjen e jetës rregulltare “Perfectae Caritatis” bën fjalë shkurtimisht për parimet të cilave duhet t`u përmbahen rregulltarët dhe mbi domethënien e tyre për Kishën.

4.      Dekreti mbi formimin e priftërinjve “Optatam Totius Ecclesiae Renovationem” bën fjalë për edukimin e kandidatëve për meshtari dhe se si duhet të duket edukimi i priftërinjve të ardhshëm. Atyre u duhet të studiojnë dhe të mësojnë më shumë Shkrimin e Shenjtë.

5.      Dekreti mbi veprimtarinë misionare “Ad Gentes” bën fjalë për misionet në vendet (sidomos të varfra) ku mungojnë priftërinjtë dhe se çdo i krishterë duhet të jetë i ndërfutur në mision sipas mundësive.

6.      Dekreti mbi Kishat lindore katolike “Orientalium Ecclesiarum” bën fjalë për Kishat e ritit lindor që janë të bashkuara me Kishën e Romës.

7.      Dekreti mbi ekumenizmin “Unitatis Redintegratio” bën fjalë në fillim për afrimin e më vonë për bashkimin e të gjithë të krishterëve në një Kishë. Ky dokument i thërret të gjithë të krishterët që të angazhohen sa më shumë për bashkimin e Kishave në një Kishë katolike.

8.      Dekreti mbi apostullimin e laikëve “Apostolicam Actuositatem” bën fjalë për angazhimin dhe detyrat e laikëve në Kishë dhe për përhapjen në botë të Lajmit të gëzueshëm. Është me interes të themi se për herë të parë në historinë e Kishës iu kushtua një dokument laikëve në një koncil. Pra nuk është më detyrë vetëm e priftërinjve që të angazhohen në përhapjen e mbretërisë qiellore, por edhe e laikëve. Dhe i udhëzon laikët të merren me gjëra të tjera publike që nuk janë të lidhura drejtpërdret me Kishën në mënyrë që të mund të ndikojnë në këto institucione dhe që në to të jetë fryma e krishterë. (Ky dokument është përkthyer edhe në shqip dhe po jua sjellim të plotë për herë të parë në këtë numër (1/2003) të revistës sonë ku do mund ta lexoni).

9.      Dekreti mbi mjetet e komunikimit social “Inter Mirifica” bën fjalë për mas mediat në kohën e sotme.

Deklaratat:

1.       Deklarata mbi lirinë fetare “Dignitatis Humanae” bën fjalë për lirinë fetare të njeriut dhe për faktin se askush, asnjë njeri dhe asnjë institucion, nuk ka të drejtë ta cenojë lirinë e njeriut, sepse për sa i përket fesë njeriu duhet të veprojë sipas ndërgjegjes së vet dhe askush nuk duhet të guxojë të ndërmarrë diçka kundër kësaj lirie.

2.      Deklarata mbi marrëdhëniet e Kishës Katolike me besimet jo të krishtera “Nostra Aetate” bën fjalë për judaizmin, islamin, budizmin e të tjerët. Është deklaratë shumë e shkurtër por ka një rëndësi shumë të madhe, sidomos kur flet në mënyrë pozitive për popullin hebraik dhe kur gjykon antisemitizmin. Ky dekret është i përkthyer në shuhën shqipe, e ka botuar revista fetaro-kulturore Urtia (2001, fq. 94-98).

3.      Deklarata mbi edukimin e krishterë “Gravissimum Educationis Momentum” bën fjalë për edukimin e brezave të rinj.

4. Rëndësia e Koncilit dhe koha pas tij – 40 vjet pas Koncilit

Ky shkrim, siç e thamë edhe në fillim, bëhet me rastin e 40 vjetorit të fillimit të punimeve të Koncilit. Rëndësia e Koncilit të II-të të Vatikanit është se ky Koncil nuk solli dogma të reja në Kishë, por as nuk i përgënjështroi ato të mëparshmet. Nuk skomunikoi apo largoi ndokënd nga Kisha për shkak të doktrinës, por i hapi dyert e dritaret ndaj të gjithëve, sidomos ndaj Kishave motra. Pra, udhëzoi bashkimin e të gjithë të krishterëve në të gjithë botën.

Me gëzim mund të konstatojmë sot se Koncili (apo  Kisha në përgjithësi), me të vërtetë nuk mbeti vetëm në letër, por u zbatua edhe në jetë. Koncili (Kisha) u hap ndaj besimeve jo të krishtera; ndaj judaizmit, islamzmit, budizmit etj. e dha një mendim pozitiv për ta. Kjo është diçka e veçantë për historinë e njerëzimit në përgjithësi. Ndoshta kjo është edhe hera e parë në histori kur Kisha katolike, zyrtarisht, u deklarua për një gjë të tillë. Një dokument si “Nostra Aetate” e kemi për të parën herë në historinë e koncileve kishtare. Ishte me shumë rëndësi, sidomos përsa i përket judaizmit, se si të gjehej zgjidhja më e përshtatshme për të dyja palët, dhe për këtë meritën më të madhe e pati kardinali Augustin Bea. Dihet se gjatë historisë marrëdhëniet ndërfetare nuk ishin aq të mira dhe që nga Koncili i II-të i Vatikanit u mor një orientim shumë më i mirë sidomos ndaj judaizmit dhe popullit të Izraelit. Duhet thënë se edhe ndaj Islamizmit në këtë deklaratë u shpreh një qëndrim pozitiv i Kishës për të krijuar marrëdhënie ndërnjerëzore sa më të mira, për krijimin e një paqeje mbarënjerëzore. Këtu shihet shumë qartë se Kisha nuk iu përmbajt, në këtë Koncili, vetëm suazave kishtare, por shprehu dimensionin e saj dialogues ndaj mbarë njerëzimit.

Në qendër të vëmendjes së këtij Koncili ishte njeriu si i tillë. Ky Koncil iu përshtat kohës në frymën e Ungjillit që besimtarët ta kuptonin sa më mirë Ungjillin, ta pranonin atë dhe ta zbatonin në kohën që po jetonin. U ofroi besimtarëve që të jenë pjesëmarrës në shërbesën liturgjike apo në përgjithësi në ritet fetare. Reforma liturgjike nëpërmjet koncilit tregon dhe argumenton se të gjithë besimtarët duhet të jenë pjesëmarrës aktivë në liturgji dhe në jetën famullitare, kështu që bashkësia famullitare të jetë e gjallë. Koncili kishte si qëllim të tregonte se ishte i gatshëm t`i kuptonte problemet bashkëkohore dhe të bënte të ditur se në zgjidhjen e problemeve duhet të jetë i pranishëm dialogu. Nuk donte të përqëndrohej vetëm në traditën dhe të kaluarën, por e tashmja – e sotmja, theksohej shumë më tepër. Koncili, në këtë kuptim, ishte i drejtuar kah e ardhmja dhe donte të përgatitej më shumë rruga drejt saj. Koncili nuk kishte si qëllim të përkufizonte dhe të përcaktonte diçka në mënyrë ekskluzive. Qëllimi i tij ishte të qartësonte atë që tashmë ishte thënë për t`iu afruar kështu njerëzve dhe që në këtë mënyrë Kisha të paraqitej më qartë dhe më thjesht në botën moderne. “Gëzimi dhe shpresa, pikëllimi dhe ngushtica e njerëzve të kësaj kohe, sidomos e të varfërve dhe e të gjithëve atyre që vuajnë, gjithnjë janë gëzimi dhe shpresa, pikëllimi dhe ngushtica edhe e nxënësve të Krishtit...”. kështu fillon Konstitucioni baritor mbi Kishën (Gaudium et spes). Kjo fjali përshkruan njëkohësisht edhe detyrën e Koncilit. Ky Koncil ishte më i madhi në përgjithësi për Kishën Katolike ku merrnin pjesë për të parën herë ipeshkvinjtë nga të gjitha kontinentet e botës, nga të gjitha racat, gjuhët, kulturat e ndryshme. Ky Koncil i “zhveshi rrobat” evropiane, sepse deri atëherë nëpër koncilet ekumenike merrnin pjesë pothuajse vetëm evropianët, ndërsa tani ishte e gjithë bota. Me këtë Kisha shprehu dimensionin e saj botëror.

Ia vlen të veçohet Konstitucioni “Gaudium et spes” që i kushtoi rëndësi të madhe edhe kulturës. Numrat 53 – 62 i kushtohen tërësisht kulturës. Shihet qartë se sa është e angazhuar Kisha për ngritjen e kulturës. Këtë ajo e ka dëshmuar edhe gjatë historisë së vet, saqë nuk ka nevojë të komentohet. Po t`i hiqej kultura e krishterë, sidomos kontinentit të vjetër të Evropës dhe kontinenteve të tjera si Amerikës dhe Australisë, çfarë do të mbetej në këto troje? Po ta bënim vetëm këtë pyetje, do të merrnim një përgjigje mjaft të qartë dhe domethënëse. Madje të njëjtën pyetje mund ta parashtrojmë edhe për kulturën tonë shqiptare. Po ta largonim kulturën që kleri shqiptar zhvilloi gjatë historisë, çfarë do të mbetej në kulturën shqiptare?

Dekreti “Apostolicam Actuositatem” është dekreti mbi apostullimin e laikëve. Thamë më parë se për herë të parë një koncil i kushton laikëve një dokument të tërë. Mendoj se ishte e drejtë dhe e qëlluar kjo, sepse laikët janë po ashtu trupi i gjallë i Kishës dhe pa ta nuk do të mund të arrihet shumë. Këtu është me rëndësi të themi se, për shkak të këtij dekreti, janë ndryshuar disa gjëra që si rrjedhojë sollën ndryshime në shumë sfera të jetës. Kështu angazhimi i laikëve në institucione jo vetëm kishtare por edhe jo kishtare është i dukshëm në të gjithë botën. Laikët, nëpërmjet veprës së tyre të pazëvendësueshme, e kryejnë misionin e tyre në art, kulturë, masmedia, në angazhimin e tyre në fushën sociale, për të drejtat e njeriut, që i gjejnë fillesat në ungjill, e këtë sot e përgjithmonë. Madje ata, si qytetarë, janë të ftuar që të kryejnë detyrimet e tyre ndaj shtetit me ndërgjegje dhe të kenë një ndikim të mirëfilltë dhe të bazuar në ungjill në ndonjë qeveri, që ndoshta nuk është demokratike për ta korrigjuar dhe për ta mësuar atë të veprojë sipas ndërgjegjes dhe moralit. Angazhimi i institucioneve bamirëse të laikëve në të gjithë botën është shenjë dhe porosi e këtij dokumenti. A nuk e kemi përjetuar këtë në Kosovë dhe në Shqipëri? Sidomos në Kosovë a i kemi përjetuar këto gjëra? Sigurisht se po. Po ta injoronim këtë të vërtetë atëherë kjo nuk do të ishte në rregull, sepse jeta do të na tregonte të kundërtën. Në atë rast do të ishim edhe mosmirënjohës ndaj këtyre institucioneve dhe personave. Angazhimi social i laikëve të krishterë që nga Koncili i II-të i Vatikanit është i pazëvendësueshëm në të gjithë botën.

5. Gjendja e kishës ndër Shqiptarë gjatë dhe pas Koncilit të II-të të Vatikanit

Në vijim do të flasim për gjendjen e Kishës ndër shqiptarë gjatë dhe pas kohës së Koncilit dhe për rëndësinë e tij për popullin shqiptar. Nuk është qëllimi ynë të themi gjithçka apo të japim një pasqyrë të hollësishme të saktë të të gjitha dimensioneve kishtare ndër Shqiptarë. Do të bëjmë një lloj krahasimi ndërmjet gjendjes së Kishës së gjithëmbarshme dhe asaj vendore, pra Kishës ndër Shqiptarë duke mos harruar edhe Kishën Katolike të ritit lindor ndër Arbëreshët e Italisë. Në përfundim do të provojmë të themi diçka edhe për gjendjen aktuale në fushën e baritores sakramentore si fushë ku shafqen më mirë risitë e Koncilit.

Gjatë kohës kur Kisha universale po përgatitej për Koncilin e II-të të Vatikanit, dhe pas Koncilit kur po lulëzonte e ngazëllente, për ne shqiptarët gjendja ndryshonte. Madje, në shumë raste ishte e kundërta, sidomos në Shqipëri. Në këtë Koncil mori pjesë ipeshkvi i atëhershëm i Shkupit, Imzot Dr. Smilan Çekada. Dr. Don Gapër Gjini mbi pjesëmarrjen e Ipeshkvit Çekada në Koncil shprehet kështu: “mori pjesë në punën e Koncilit të Dytë të Vatikanit: u paraqit në Kongregatën e 86-të të përgjithshme më 23 shtator 1964, kur u diskutua për lirinë fetare, pastaj në Kongregatën e 95-të të përgjithshme të mbajtur më 6 tetor 1964 e cila trajtoi problemin e Shkrimit të Shenjtë, dhe në fund mori pjesë edhe në Kongregatën e 101-të të përgjithshme të mbajtur më 14 tetor 1964  (Gjini, fq. 203-204). Me fillimin e Koncilit, në ipeshkvinë tonë filloi të botohet në gjuhën shqipe revista “Zani i Zojes Cernagore” që shpallte shkurtimisht ngjarjet kryesore që ndodhnin në Koncil. Këtë revistë e drejtonte Don Nikollë Mini. Pastaj, vite më vonë, filluan të botohen tekste liturgjike siç e kërkonte Koncili në gjuhën e popullit, e këtu duhet përmendur “Meshari i të kremeve” përgatitur nga At Danjel Gjeçaj që i kushtohej besimtarëve të ipeshkvisë së Shkupit dhe të Tivarit.

Nga Shqipëria nuk mori pjesë asnjë ipeshkëv apo përfaqësues në Koncil. Sipas ligjit të Kishës duhej të merrnin pjesë së paku Imzot Ernest Çoba i Shkodrës, Imzot Nikoll Troshani i Lezhës dhe Imzot Antonin Fishta i Pultit. Por qeveria e atëhershme komuniste, jo vetëm që nuk lejoi të merrnin pjesë dhe të votonin për miratimin e dokumenteve konciliare dhe ndoshta diskutimin, por bëri kërdinë në Kishën katolike dhe vrau klerikët nëpër mbarë Shqipërinë. Në të njëjtën kohë kur Kisha e gjithëmbarshme lulëzonte nga përparimi dhe nga idetë e freskëta për besimtarët e saj, në Shqipëri, Kisha Katolike luftonte për ekzistencën e vet dhe për mbijetimin e meshtarëve që përndiqeshin pa mëshirë nga ana e komunistëve. Mbi përndjekjen e klerit na ka dokumentuar dhe informuar më së miri në atë kohë Gjon Sinishta në Albanian Catholic Bulletin (Buletini Katolik Shqiptar) në Santa Clara (Ca) – SHBA dhe në librin e botuar nga ai “The fulfilled promise”. Pas vitit 1990 vetë klerikët e burgosur na informuan saktësisht për mizëritë që iu bënë atyre. Disa prej tyre as që kishin dëgjuar për mbajtjen dhe përfundimin e Koncilit të ri. Nuk është keq që të pyesim se a i kërkoi shteti shqiptar më vonë falje klerit dhe Kishës për të gjitha ato mizëri që iu bënë. Edhe një gjë duhet mbajtur parasysh: përqindja e të vrarëve nga kleri katolik në proporcion me klerin tjetër (ortodoks apo musliman) kur e dimë fare mirë se sa pak katolikë ka në Shqipëri. Kjo argumenton se kleri katolik në Shqipëri nuk mund të shikonte duarkryq atë që po ndodhte me vendin e vet. Këtë e paguan shtrenjtë katolikët: u përndoqën e u burgosën, për fat të keq edhe u vranë egërsisht. Qëllimi i komunizmit ishte që të shkatërronte Kishën, po t’ia dilte dot. E, ndërsa një patriark ekumenik, Atenagora I, me prejardhje shqiptare, bënte çmos për bashkimin e të krishterëve dhe bota gëzohej që kishte njerëz të tillë, bashkëvëllezërit e tij meshtarë dhe peshkopët e tij mbyteshin pamëshirshëm nga komunistët. Ndërsa Kisha e gjitrhëmbarshme në të gjithë botën gëzohej se po zhvilloheshin reformat e Koncilit, Kisha në Shqipëri përjetonte ferrin e vet. Ekzekutoheshin klerikët vetëm e vetëm pse ishin klerikë dhe dëshironin të mbronin të vërtetën, e asgjë tjetër. Kishat shëndrroheshin në kinema apo palestra, pra “shkatërroheshin”. As në Kosovë e Mal të Zi nuk ishte aq lehtë siç mendohet, por prapseprapë nuk mund të krahasohet me gjendjen e Kishës në Shqipëri. Edhe në Kosovë burgoseshin priftërinjët dhe keqtrajtoheshin, siç është rasti i Don Dedë Ramajt. Ja se si i shkruan ai në një letër nga burgu i Nishit më 9 qershor 1966 familjes së vet:

“ Malli më ká marrë me i pá edhe nji herë ato duvare si i kam pasë lanë tek të daluna për mî tokë. Malli më ka marrë me i pâ famullinat e mija e shokët e mi se mâ per rrfim, kungim e meshë mos pvetni. Per dit, kuer të zbardhin drita, mue më bje në mend se shokët e mî çohen e bahen gati për meshë; ditve festa më bahet se po e shof popullin ty shkue te kisha, priftin kah rrfen, kungon e thotë meshë e predikon e tham vet me veti: “e une ku jam? Shka jam ty bâ?“ E nuk më jetë tjeter gjâ me bâ vetem se me ju shtrue vullnesës së Zotit e me bâ saber.“ (Kjo letër është e botuar e tërë në rrjetin mbarëbotëror: www.stublla.com).

Nuk ishte edhe aq lehtë për besimtarët e famullisë së Klinës, të cilëve nuk u lejohej për vite me radhë të ndërtonin kishën e tyre. Nuk ishin të lehta as edhe ato akt-akuzat që i bëheshin klerit dhe Kishës nëpër mas mediat kosovare. Për shkak të kufizimit të vendit nuk kemi mundësinë të flasim për to më gjerësisht. Këtë do ta bëjmë, shpresoj, një herë tjetër.

Nuk mund të mos përmend edhe diçka tjetër që mendoj se duhet të kemi parasysh. “Gjuha e njësuar” siç quhet edhe sot, pra gjuha zyrtare, nuk ishte gjë tjetër veçse një luftë kundër gegërishtes e në këtë mënyrë, tërthorazi, edhe kundër Kishës Katolike. Përderisa në Koncilin e II-të të Vatikanit flitej për përparësinë e gjuhës së popullit në liturgji, në Shqipëri dëshironin të shkatërronin gjuhën e popullit, pasi e dimë mirë se sa përqind e popullatës fliste gjuhën gege. Dhe e dyta ishte që brezave që vinin pas t`ua bënin pengesë kuptimin e shkrimeve dhe librave kulturore të botuara nga Kisha në dialektin geg, që paraqiste kulturën perëndimore tek populli shqiptar.

Ndërsa e gjithë bota shpallte përparimin e ideve të Koncilit, në enciklopeditë dhe në leksikonet nëpër botë shkruhej për shtetin e parë ateist në botë, për Shqipërinë. Ndërsa e gjithë bota befasohej për veprën e një bije shqiptare që punonte për të sëmurët dhe të varfërit nëpër botë e sidomos në Kalkutë (Indi), të cilën e quanin NËNË - Nënë Tereza, po kjo Nënë nuk kishte mundësi që të vizitonte nënën e vet, Drane Bojaxhiun, dhe as nuk iu lejua të shkonte në varrimin e saj. Vendi i vet ia ndaloi këtë. Çfarë kontradikte dhe çfarë marrëzie!

Të gjitha këto ishin jo njerëzore dhe asgjë nuk kishin të përbashkët me idetë dhe zhvillimin e frymës së Koncilit të II-të të Vatikanit.

Nganjëherë mund të themi se nuk janë realizuar idetë e Koncilit në Kishën shqiptare, por duhet pasur parasysh se në çfarë rrethanash kemi jetuar. Pikërisht ky ishte shkaku kryesor që nuk e bënte të lehtë realizimin e frymës konciliare tek ne. Por megjithatë, si popull i vogël dhe si pakicë e krishtere, kemi vepruar shumë në këtë drejtim. Duhet të themi se në liturgji janë bërë shumë ndryshime, sidomos me përkthimet e teksteve liturgjike nga Imzot Simon Filipaj. Është e pazëvendësueshme puna që ai ka bërë për popullin shqiptar. Në vijim do të mundohemi të tregojmë përse.

5.1. Ripërtëritja liturgjike**

Ripërtëritja liturgjike ishte fryti i parë i Koncilit II-të të Vatikanit. Librat e rinj liturgjikë, që janë udhërrëfyes për kremtimin e sakramenteve dhe liturgjisë, tashmë janë përkthyer dhe botuar në gjuhën e popullit, edhe pse tani gjithnjë e më shumë po na detyrohet nevoja për gjetjen e rrugëve dhe mënyrave që populli besimtar të mund të marrë pjesë dhe ta kuptojë rëndësinë dhe domethënien e sakramenteve që i jepen apo që i merr. Ndoshta për disa kjo “risi” është pak e dukshme, meqenëse edhe në jetën shoqërore kanë ndodhur aq shumë risi dhe ndryshime në mendësi edhe në zakonet kishtare. Shumë është kërkuar dhe shumë është pritur, ndoshta tepër, që gjuha liturgjike të kalonte në gjuhën e gjallë. Kjo mbart me vete edhe pasoja të parashikueshme dhe të paparashikueshme. Nuk është e thënë që një tekst i përkthyer nga latinishtja të jetë automatikisht i kuptueshëm.

Në ripërtëritjen konciliare rëndësi të madhe iu dha fjalës së Zotit në çdo kremtim të sakramenteve. Sot, për shembull, brezat e rinj nuk mund ta marrin me mend kohën kur sakramentet dhe Mesha kremtoheshin në një gjuhë të panjohur, në heshtje, me këndimin e organos apo me këndimin e këngëve që nuk kishin ndonjë lidhje me vetë aktin e shenjtë në altar.

Pika qëndrore e ripërtëritjes liturgjike mbetet pa dyshim pjesëmarrja e vetëdijshme, aktive dhe e lirë e popullit të Zotit në ritet e ndarjes së sakramenteve. Pikërisht kjo është ajo që besimtarët ndiejnë më tepër si të re përsa i përket ripërtëritjes liturgjike dhe që e përjetojnë si diçka më të rëndësishme për vetë ata. Njëkohësisht me kërkesën për pjesëmarrje, gjithnjë e më shumë piqet nevoja për forma dhe hapësira të reja në kremtim të cilave duhet që patjetër t`u kushtohet vëmendje e madhe. Është e nevojshme të kërkohet si të harmonizohet kjo kërkesë e ligjshme me mundësitë dhe nevojat objektive të kremtimit kishtar. Në librat e rinj vihet re lehtë se të ashtuquajturat rubrika nuk janë më të mbyllura fort në vetvete me direktiva ekskluzive (siç ishte në situatat e mëparshme). Shenjat e bashkimit shprehen në vendet më të larta dhe më të rëndësishme të kremtimit kishtar e jo në ndonjë detaj të imtë. Por, ç`është e vërteta, në këtë suazë është shumë vështirë të arrihet barazpesha e kërkuar për shkak të mungesës së kompetencave, prirjes për veprim baritor dhe krijimtarisë së duhur. Ripërtëritja konciliare vuri në dukje se sakramentet nuk janë disa akte jashtë-tokësore, por i përkasin njeriut dhe bashkësisë njerëzore në jetën e tyre konkrete.

Imzot Simon Filipaj që në moshë të re u angazhua që fjala e Koncilit të zbatohej konkretisht. Kështu ai, përveç se përktheu Biblën në tërësi në gjuhën shqipe (Drita Ferizaj, 1994), bëri shumë përkthime, të shtypura në ciklostil, për rite fetare në Ipeshkvinë Shkup – Prizren dhe Arqipeshkvinë e Tivarit. Këtu mund të përmendim Leximet gjatë vitit të ndara në tri vëllime: Leximet A (Prishtinë 1979), Leximet B (Prishtinë 1978) dhe Leximet C (Prishtinë 1976). Prej ritualeve fillimisht përktheu Ritualin Romak: rendi i pagëzimit për të vegjël (Ferizaj 1972), pastaj Rendin e martesës (Prishtinë 1982) dhe Rendin e salikimeve (Prishtinë 1982). Këto vepra do të botohen sërishmi dhe aktualisht janë në përdorim në shërbesat fetare shqipe: Rendi i pagëzimit, Rendi i salikimeve dhe Rendi i martesës u botuan në vitin 1992 nga “Drita”, Ferizaj, edhe pse në to nuk është i shënuar përkthyesi, pasi një gjë e tillë praktikohet zakonisht në këto botime kishtare. Leximet A, B, C në pesë vëllime i ka botuar edhe “Qendra dom Bosko” në Shkodër, në 1993-n. Në vitin 1992 dom S. Filipaj botoi Mesharin romak bashkë me Rendin e meshës me popull që është i përputhshëm me Mesharin. Mendojmë se mbetet të punohet shumë për përshtatshmërinë dhe thellimin e ripërtëritjes liturgjike në kuptimin baritor ndër Shqiptarë.

  1. Vlerësimi i ripërtëritjes konciliare dhe perspektivat

Koncili i II-të i Vatikanit ishte koncil baritor. Pasojat e tij më të dukshme në fushën teologjike, antropologjike dhe kishtare, si dhe në atë baritore, janë realizuar në sektorin liturgjik-baritor. Një shikim i ecjes së deritanishme të Kishës në këtë drejtim do të na jepte mundësinë të gjenim perspektivat që do të garantonin një vazhdimësi të zhvillimit në harmoni me ripërtëritjen e cila ende është gjithnjë në vazhdimësi dhe që ka para vetes një rrugë të gjatë.

Kështu në opinionin e krishterë janë krijuar dy rryma të kundërta – dy mendime krejtësisht të ndryshme – mbi ripërtëritjen liturgjike në frymën e Koncilit të II-të të Vatikanit.

- Për ata që do t`i quanim të padurueshmit nuk është ndryshuar ende asgjë kryesore, nuk është bërë asgjë serioze. Atë që më së shumti arrijnë të pranojnë si fitore është që liturgjia e vjetër “është përkthyer”, konkretisht Meshari dhe Ritet. Fakti se është vënë re rënia e praktikimit të sakramenteve,l në disa vende veçanërisht për disa sakramente (sakramenti i rrëfimit), për ta është provë që ripërtëritja liturgjike është përqëndruar në ndryshime të vogla dhe të parëndësishme të disa detajeve. Është kaluar nga ekskluziviteti i gjuhës latine në ekskluzivitetin e gjuhëve të gjalla ndërsa rezultati është nën çdo shpresë apo parashikim të vërtetë.

- Për ata që do t`i quanim tradicionalistë rezultati i ripërtëritjes liturgjike duhet kuptuar ndryshe. Nën maskën e ripërtëritjes, thonë ata, është ndryshuar gjithçka, edhe vetë feja e me të edhe përmbajtja e fesë. Ajo që na çudit në argumentimin e këtij grupi është mungesa e materialit provues për një gjykim kaq të rëndë. Atyre u shërben si provë ndërrimi i gjuhës në liturgji, një lloj ndryshimi i muzikës apo i këngëve e, në veçanti, mungesa gjithnjë e më e madhe e këngës gregoriane. Qëndrimi i tyre në thelb është qëndrim i nostalgjikëve dhe mbi të gjitha anim kah një lloj i dyshimtë i të “shenjtës”. Kundërshtohet Kisha kinse për shkak të pelëshimit ndaj tendecave shekullarizuese të lëvizjes bashkëkohore shoqërore. Për ta ripërtëritja liturgjike është dështim i keq, pasi nuk ka asgjë për t`i dhënë jetës shpirtërore dhe të brendshme të njeriut.

Megjithatë e vërteta është shumë më e ndryshme nga sa mund të arrihet në përfundim duke u nisu nga këto dy qëndrime krejt të kundërta. Ekziston një shumicë e madhe e heshtur e të gjitha moshave të besimtarëve katolikë që në thelb janë mjaft të kënaqur me atë që ka ndodhur në planin liturgjik pas Koncilit dhe për të cilët kjo gjë ka një dobi shumë të madhe shpirtërore. Megjithatë ekzistojnë dy fakte që në këtë rast nxisin vëmendjen tonë dhe që nuk bëjnë pjesë në kategorinë e rrymave të përmendura. Ne i kemi përmendur që të ndërgjegjësohemi për të vërtetën se ripërtëritja liturgjike ka nxitur edhe pakënaqësi në qarqet katolike.

- Përmbi të gjitha është shfaqur tundimi i politizimit. Fakti mund të jetë i diskutueshëm, ama para tij nuk duhen mbyllur sytë. Në qarqe të ndryshme ka bërë rrugë pohimise është shenjë e paaftësisë së krishtërimit në qoftë se ai në lëvizjet botërore bashkëkohore nuk angazhohet në planin politik në luftë për vlerat për të cilat njeriu sot ka nevojë. Kremtimi liturgjik është – thonë ata – i paaftë që të zgjidhë problemet e një qyteti. Për këtë arsye ata që dëshirojnë të angazhohen politikisht në planin e qytetit apo shtetit, pak nga pak i lënë kremtimet tona dhe një Kishë të tillë, që i ka paramenduar në këtë mënyrë, dhe lënë vetëm ndonjë vend për vetë personin e Jezu Krishtit.

- Tundimi tjetër është me tipar shpirtëror dhe në vetvete përfshin lëvizje dhe grupe të ndryshme. Për idhtarët e tyre kremtimi liturgjik nuk është i mjaftueshëm: synojnë për hapësira dhe forma më të ndryshme të lutjes që ritet liturgjike nuk lejojnë. Fryma, thonë ata, nuk vjen vetëm nëpërmjet ritit.

Këto dy rryma janë prova se ekzistojnë njëkohësisht kërkesa legjitime që të mos ndalemi në gjendjen e tanishme të ripërtëritjes liturgjike por që të shkojmë më tutje dhe më thellë në realizimin e saj. Kjo, në radhë të parë, do të thotë që baritorja e sakramenteve ka nevojë për nisma të reja dhe mundësi të tjera.

Nga ana tjetër kur ritet shkrihen apo shterren vet më veti dhe nuk bëhen shenjë e bashkimit dhe dëshmi  e pranisë së Krishtit në botë dhe në jetën e njeriut atëherë tradita jonë judeo-krishtere në një mënyrë para këtyre riteve mban një qëndrim mosbesimi.

Përfundim

Koncili II-të i Vatikanit luajti një rol të rëndësishëm për kishën universale, por edhe për kishat vendore, në këtë rast për Kishën shqiptare. Mos të harrojmë se në Koncilin e II-të të Vatikanit kishte pjesëmarrës shqiptarë, edhe pse jo nga shteti nënë – Shqipëria. Arbëreshët e Italisë ishin shumë aktivë, sidomos kur kishte diskutime mbi ekumenizmin dhe mbi kishat katolike të ritit lindor. “Ndër shqiptarët e Italisë kemi tre që gëzojnë këtë të drejtë (votimit të dokumentëve, vër A.R.): Imzot Male, i Lungros; Imzot Perniciaro, i Piana degli Albanesi të Sicilisë dhe Imzot Theodor Minishi, Arkimandrit i Abacisë në Grottaferrata (Romë)“ (Oroshi, 159).

Mbajtja e këtij koncili ishte ndikim frymëzimi nga Shpirti i Shenjtë që, së pari, Kisha ta kuptonte sa më mirë veten dhe misionin e saj ndaj botës. Duke i qenë mirënjohëse përvojës së marrë në shekujt e kaluar të ecjes së saj në histori, nëpërmjet përparimit të shkencës dhe në sajë të visarit të pranishëm në rrethet e ndryshme shoqërore dhe kulturore – visarit kulturor, Kisha sot ka mundësinë që ta kuptojë më mirë Ungjillin dhe ta shprehë atë më thjesht e kuptueshëm për popujt dhe kulturat e ndryshme në botë.

Duke u pasuruar me zhvillimin shoqëror, veçanërisht në kohën bashkëkohore, Kisha ka mundësinë që t`i kuptojë më mirë dhe më thellë detyrat që i ka marrë nga Krishti dhe institucionin të cilën ia ka lënë ai, për këtë arsye mund të organizohet më mirë edhe vetë dhe t`ia përshtasë institucionet e veta nevojave të kohës së sotme.

Në fund ajo bëhet e vetëdijshme se e ka detyrë që të piqet vazhdimisht në mënyrë që t`i realizojë më mirë marrëdhëniet e veta me botën (GS 43a).

Për këtë arsye është e nevojshme për Kishë që ajo të vendosë me botën një dialog të përhershëm dhe të frytshëm duke u orvatur që me Ungjillin ta bëjë të frytshme botën dhe përvojën bashkëkohore njerëzore. Së bashku me botën e ka për detyrë të kërkojë përgjigjet për pyetjet, enigmat dhe çështjet e vështira të cilat shqetësojnë sot njerëzimin. Meqenëse problemet janë gjithmonë të reja, dialogu duhet të përsëritet vazhdimisht; problemet shpesh herë janë multiformë kështu që në këtë dialog askush nuk duhet përjashtuar.

Në fund dëshiroj të them se në gjuhën shqipe nuk i kemi të përkthyera të gjitha dokumentet e  Koncilit të II-të të Vatikanit, por shpresoj se me ndihmën e Zotit do t’ia arrijmë ta bëjmë edhe këtë, që ta kuptojmë sa më mirë Koncilin dhe vendimet e miratuara prej tij, të gjitha për lavdinë e Zotit dhe shpëtimin e shpirtrave.

Me Koncilin e II-të të Vatikanit duhet të njihen mirë si besimtarët laikë po ashtu edhe vetë kleri, dhe ta studiojnë atë, sepse është ende aktual dhe këtë gjë e kërkon edhe vetë Kisha. Koncili i mbajtur nuk është mbarimi i një pune por fillimi i saj.

Bibliografia

DOKUMENTET konciliare (përkthyer nga Imzot Nikë Prela), Drita, Ferizaj, 1992.

DRITA, revistë fetaro-kulturore, nr 5-6/1978.

FILIPAJ Simon, Historia e shëlbimit, Shpresa, Prishtinë, 2000.

GJINI Gaspër, Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj, Drita, Ferizaj, 1992.

GJERGJI Lush, Atenagora – profet i bashkimit (1886-1972), Drita, Ferizaj, 1995.

MIRDITA Zef, Krishtenizmi ndër shqiptarë, Drita & Misioni katolik shqiptar, Prizren-Zagreb, 1998.

OROSHI Zef, Koncili ekumenik, në: Shejzat, vjeti V, nr. 5-6, 1961, Romë, fq. 157-160.

PESCH Hermann Otto, Das zweite vatikanische Konzil. Vorgeschichte Verlauf – Ergebnisse Nachgeschichte, Würzburg, 1994.

RAHNER K. & VORGLIMER H., Kleines Konzilkompendium, botimi 27, Herderverlag, 1998.

RAHNER Karl, Theologische Grundinterpretation des II. vatikanischen Konzil, në: Schriften zur Theologie XIX, Zürich-Einsiedeln-Köln, 1980, fq. 287-318.

RAMAJ Albert, Detyra dhe obligimi i një meshtari apo individi në Kishë, në: Urtia revistë fetaro-kulturore, VII 1/1998 (11), fq. 22-35.

RAMAJ Albert, Nostra aetate. Deklarata e Kishës katolike për marrëdhëniet me besimet jo të krishtera, në: Urtia revistë fetaro-kulturore, 1/2001, fq. 94-98.

ŠAGI-BUNI? T., Ali drugog puta nema, KS, Zagreb, 1986.

SEIBEL Wolfgang SJ, Vierzig Jahre Zweites Vatikanisches Konzil, në: Stimme der Zeit,  vëllimi 220, viti 127, nr. 10, 2002, fq. 649-650.

SINISHTA Gjon (ed.), The fulfilled promise. A Documentary account of religious persecution in Albania, Santa Clara, California, 1976.

SOPI Mark, Koncilet ekumenike, Drita, Prizren, 2000.

VORGRIMELR Herbert, Neues theologisches Wörterbuch, Herber Freiburg-Basel-Wien, 2000.

XHUXHA David, Papa në Shqipëri. 25 prill 1993, Radio Vatikani – Drita, 1995.

ZANI i Zojës Cernagore, revistë e përkohshme fetare.


* Nocioni “koncil” nuk ekziston në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (Tiranë 1980). Në vend të tij gjejmë nocionin “sinod” dhe “këshill” që, me përkufizimet që u jepen, mund të themi se përputhet me termin “koncil”.

** Kapitujt në vijim ”Ripërtëritja liturgjike” dhe “Vështrimi i ripërtëritjes konciliare dhe perspektivat” janë shtuar më vonë nga kryeredaktori me lejen e autorit të artikullit.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx