Speciale
Halim Purellku: Veprimtaria e Komitetit të Kosovës
E diele, 16.12.2012, 06:30 PM
VEPRIMTARIA
E KOMITETIT TË KOSOVËS NË
MBRETËRINË SHQIPTARE NË VITET 1934-1939
Nga Halim PURELLKU
Sipas
burimeve dokumentare jugosllave, pas vrasjes së Bajram Currit dhe më vonë të
Hasan Prishtinës, Komiteti i Kosovës thuajse plotësisht ra në letargji. Ai
(Komiteti i Kosovës) ekzistonte më tepër si një ide se sa një organizatë e
vërtetë. Deri nga mesi i vitit 1934 përpjekjet e nacionalistëve shqiptarë për
të krijuar një organizatë e cila do t’i drejtonte të gjitha aksionet e
drejtuara kundër Shtetit jugosllav, rezultuan të pa suksesshme. Në këtë kuadër,
edhe tendenca e vazhdueshme e gjeneral Parianit (Alberto Pariani) dhe e
ndihmësve të tij për të organizuar Komitetin e Kosovës në Shqipëri, nuk rezultoi
me sukses. Mreti Zogu I kundërshtonte
organizimin e Komitetit të Kosovës në Shqipëri, sepse frikësohej se i
njëjti pastaj mund të vepronte kundër interesave të tij.
Mirëpo,
pas vrasjes së Hasan Prishtinës (më 14 gusht 1933), i cili e drejtonte më parë
Komitetin e Kosovës, mbreti Zog ia doli që personalisht ta merr në duar të veta
organizatën e tërë të komitetit. Ndërkohë qe bërë organizimi i Komitetit të
Kosovës në Shqipëri, dhe nga fillimi i gushtit të vitit 1934 burimet
dokumentare jugosllave njoftojnë se tani më ekzistonte Komiteti i Kosovës në
Shqipëri dhe në Jugosllavi. Mbreti Zog fillimisht, si duket, deri në vitin
1936, Komitetin e administronte me anë të instruksioneve që i jepte nëpërmjet
të Beqir Rexhës, kapiten i xhandarmerisë shqiptare, me origjinë nga Kërrnjina e
Burimit (Istogut), i cili për momentin llogaritej si njeriu më i besuar i tij.
Por, kjo mënyrë e administrimit të Komitetit nga ana e mbretit Zog mbase do të
vazhdon deri në vitin 1936. Në nëntor të vitit 1936, në Vlorë, Komitetit i
Kosovës qe riorganizuar dhe qe zgjedhur udhëheqja e re me në krye Sali Hoxhën
(Vuçiternin). Ndërkaq, figurat kryesore në Komitetin e Kosovës, dhe mbase ato
të cilët përbënin kryesinë e re të tij në periudhën nga viti 1934 e deri në
prill të vitit 1939, ishin: Sali Vuçiterni, ish ministër i qeverisë së parë
mbretërore, Ismet bej Kryeziu, ish deputet në parlamentin e Mbretërisë SKS dhe
një person i besueshëm i Oborrit mbretëror shqiptar, dhe Bedri bej Pejani.
Besohet se në verë të vitit 1937 kryetar i Komitetit të Kosovës ishte Ismet bej
Kryeziu, kurse pas tij, e deri në verë të vitit 1939, kryetar ishte sërish Sali
Vuçiterni. Mbi kohën e saktë të qëndrimit të tyre në funksionin e kryetarit të
Komitetit dhe për të dokumentuar procedurën e zgjedhjes apo emërimit të tyre,
ende nuk kemi të dhëna. Ndërkaq dimë se anëtarë të shquar të Komitetit të
Kosovës ishin: Sali Moni (Bajraktari) nga Gashi, Xhaferr Spahija nga Tropoja,
Mehmed Alija nga Vlana-prefektura e Kosovës, Baftijar Kollovozi nga Borja e
Lumës, Murat Kaloshi nga Maqellara e Dibrës (ky i fundit ishte njëri ndër
anëtarët më të rëndësishëm) etj. Të gjithë këta kishin në dispozicion pasuesit
e tyre, të gatshëm për çdo aksion me qëllim të realizimit të idesë së Komitetit
të Kosovës.
Komiteti
i Kosovës kishte ngritur celula-komitete lokale të veta në zonat përsëgjati
vijës së kufirit shtetëror Shqipëri-Jugosllavi, të cilat drejtoheshin nga
bajraktarët e sipërpërmendur, anëtarë të Komitetit (Sali Moni Bajraktari,
Xhaferr Spahija, Mehmed Alija, Baftijar Kollovozi, Murat Kaloshi etj.).
Nëpërmjet të këtyre celulave zhvilloheshin të gjitha veprimet e organizimit të
shqiptarëve në Jugosllavi, si dhe mbajtja e lidhjeve të fuqishme me to. Në këtë
drejtim shquhej Memet Alija. Qendra
kryesore e këtyre celulave ilegale të kosovarëve ishte në Gjakovë. Në raportet
e administratës jugosllave të kohës pohohej se edhe ndërmarrja “Rizvanolli”
financohej nëpërmjet Komitetit të Kosovës dhe se ajo ndërmarrje ishte në lidhje
të drejtpërdrejtë me Xhaferr Spahiun, nga Tropoja.
Gjithashtu,
Komiteti i Kosovës që nga viti 1934 kishte ngritur degën (filialin) e tij edhe
brenda në Jugosllavi, nën drejtimin e Ferhat Dragës, i cili qëndronte në krye
të një Komiteti të përbërë nga një grup i vogël personash: Xhafer Deva, Shaban
Mustafa dhe Mustafa Aliu, të gjithë nga Mitrovica. Qendra e këtij Komiteti
ishte në Mitrovicë. Ferhat bej Draga ishte në lidhje të vazhdueshme me qeverinë
e Tiranës, nga e cila pranonte edhe ndihma financiare, mbase ai kishte raporte
miqësore edhe me mbretin Zog. Kështu, Ferhat Draga, si figurë me shumë
autoritet ndër shqiptarët në Jugosllavi, ishte përfaqësuesi i lëvizjes
nacionaliste dhe irredentiste të kësaj pjese të popullit shqiptarë, si dhe
opozitë e pushtetit jugosllav. Bashkëpunëtor dhe miq të ngushtë të tij
konsideroheshin Iljaz Agushi nga Prishtina, Hafëz Abdullahu, myderriz nga
Prizreni, Kadri Saliu, ish avokat nga Gostivari, i cili, si që shprehej bani i
Banovinës së Vardarit, “për nga ndërgjegjja dhe kombësia është po i njëjti si
Ferhat Draga dhe haptazi është mik personal i tij”. Për autoritetet vendore
(lokale) jugosllave, Kadri Saliu ishte i dyshuar edhe si bashkëpunëtor i
Komitetit të Kosovës.
Duhet
theksuar, se ishin më shumë faktor që i mundësuan Zogut ta shtinte nën sqetull
Komitetin e Kosovës në periudhën e viteve 1934-1939. Ndoshta bindja që
mbizotëronte asokohe në radhët e drejtuesve dhe anëtarëve të Komitetit të
Kosovës, se me mbretin Zog mund të realizohet objektivi i bashkimit të Kosovës
me Shqipërinë, ishte nga faktorët kryesor që i mundësoj mbretit të siguron
supremacion ndaj komitetit. Mirëpo, ritmet dhe dimensionet e veprimtarisë dhe
të aksioneve të Komitetit të Kosovës determinoheshin nga më shumë faktor, si:
pozita ndërkombëtare e Shtetit shqiptar, ecuria e marrëdhënieve midis Italisë
dhe Jugosllavisë, dhe në këtë kuadër, përplasja e interesave të tyre jo vetëm
në Shqipëri por dhe në Kosovë; konstelacionet politike e diplomatike rajonale e
ndërkombëtare; zhvillimet e brendshme politike në Shtetin shqiptar; pozita
shoqërore e shqiptarëve nën sundimin jugosllav, etj.
Në harkun
kohor të viteve 1934-1936, burimet dokumentare nuk njoftojnë për ndonjë veprim
konkret politik ose revolucionar të Komitetit të Kosovës në territorin e
Jugosllavisë. Mbase veprimtaria e Komitetit qe kufizuar vetëm në aksione
mobilizuese. Kjo me siguri u dedikohet zhvillimeve të brendshme politike dhe
orientimit (kursit) të ri të politikës së jashtme të Mbretërisë Shqiptare në
raport me Jugosllavinë. Sipas burimeve diplomatike britanike, marrëdhëniet
bilaterale midis Tiranës e Beogradit gjatë gjithë vitit 1934 mbetën miqësore.
Ato u pasuruan me marrëveshje të reja plotësuese mbi tregtinë dhe detarinë.
Marrëdhënie të tilla midis dy vendeve vazhduan deri nga mesi i vitit 1935 kur
sërish rifilloi tendosja e tyre, pasi që Shqipëria u orientua sërish dhe filloi
të kreditohej nga Italia. Kurse, pas marrëveshjeve të reja ekonomike dhe
politike-ushtarake midis Italisë dhe Shqipërisë, të 19 marsit 1936,
marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave sërish i karakterizonte atmosfera e
mosbesimit reciprok, sikundër disa vite më parë. Një element tjetër që i
acaronte marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave ishte politika jugosllave e
shpronësimit të dhunshëm e sistematik të shqiptarëve në Jugosllavi nga pronat e
tyre dhe kolonizimi i serbëve në ata prona, si dhe politika e shpërnguljes së
dhunshme masive të shqiptarëve për në Turqi e Shqipëri, të cilat politika
vazhdonin që nga fundi i Luftës Botërore.
Për të
penguar shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve nga Kosova për në Turqi, në
gusht të vitit 1935, Shqipëria në rrugë diplomatike do ti drejtohet për ndihmë
edhe Britanisë. Mirëpo, presioni i pushtetit jugosllav ndaj shqiptarëve në
Jugosllavi po shtohej dhe po arrinte përmasat e persekutimit, për t’i detyruar
ata të shpërnguleshin. Në këtë kuadër, figuron edhe një Urdhëresë Tepër
rezervat II. Nr. 6, datë 29 prill 1936, mbi shpërnguljen e shqiptarëve e
lëshuar nga Administrata mbretërore jugosllave e Banovinës së Vardarit.
Masatë e
ndërmarra nga pushteti jugosllav për shpërnguljen e shqiptarëve, si dhe
tendosja e marrëdhënieve dypalëshe midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, siç duket
vuri në lëvizje në vitin 1936 edhe irredentizmin shqiptar, që sipas gjasave
duhet të ketë pasur mbështetje nga qeveria e Mehdi Frashërit. Sipas burimeve
diplomatike jugosllave, Mehdi Frashëri, po ndiqte një politikë proitaliane,
sepse ishte i bindur se me ndihmën e Italisë do të mund të realizonte idenë e
bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një shtet. Në korrik të vitit 1936, ka të
dhëna për një agjitacion të fuqishëm në popullatën shqiptare të rrethit të
Dibrës, për të përballuar stoikisht reprezaljet e pushtetit jugosllav dhe për
të qëndruar me çdo kusht në vatrat e vet, me premtimin se deri në vjeshtë të
këtij viti edhe këto shqiptarë do të jenë në kuadër të “shtetit të tyre”. Kurse
autoritetet jugosllave në ndërkohë po propagandonin mbi gjoja përgatitjen e
“një kryengritje shqiptare” në këtë rreth, për t’u çliruar nga sundimi serb,
mbi bazën e një programi të hartuar nga Abdurrahman Krosi (Dibra) nga Tirana.
Ndërkaq,
me negociatat italo-jugosllave të janar-marsit 1937, të zhvilluara në Romë, për
arritjen e një pakti të miqësisë, midis dy vendeve ku politika ndaj Shqipërisë
ishte një nga çështjet kryesore që u shqyrtua, u shënua kthesë në marrëdhëniet
italo-jugosllave. Me Paktin italo-jugosllav të, 25 marsit 1937, të cilin Ivo
Andriqi e ka vlerësuar si “modus vivendi” të tolerueshëm ndërmjet Jugosllavisë
dhe Italisë në terrenin shqiptar, u pakësua relevansa (vlera) gjeostrategjike
ndërkombëtare e Shqipërisë. Çështja e Shqipërisë në të kaluarën “ka luajtur
rrol më vendimtar në momente përcaktuese në marrëdhëniet italo-jugosllave”, por
tani, në atmosferën e re në marrëdhëniet italo-jugosllave, kjo çështje do të
shndërrohet në “problem modest lokal”, vlerësonin më vonë Çiano dhe
Stojadinoviq, kryeministri jugosllav. Pra, me Paktin italo-jugosllav të 1937,
rreziku latent i një konflikti midis Italisë dhe Jugosllavisë rreth Shqipërisë
u relativizua, dhe në këtë kuadër ky pakt paralajmëroi ndryshimin e gjendjes në
marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave. Megjithatë, Shteti shqiptar dhe Monarkia
shqiptare vazhdonin të ishin qendër joshëse për një numër të konsiderueshëm
emigrantësh shqiptarë, pra edhe për Komitetin e Kosovës. Sipas burimeve
dokumentare jugosllave, në verë të vitit 1937, të gjithë kosovarët dhe të
arratisurit e tjerë nga Jugosllavia në Shqipëri ishin të armatosur. Jankoviq,
ministri jugosllav në Tiranë, në një referat të tij të vitit 1937 vlerësonte
se: “Shqiptarët i kanë dhënë Italisë shumë koncesione, por deri më tani asaj
nuk ia kanë dhënë shpirtin e vet dhe patriotizmin e vet. Shqipëria nuk ka
abdikuar nga pavarësia dhe liria”.
Nga ana
tjetër, ndryshimi i gjendjes në marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe
Jugosllavisë, rezultoi me intensifikimin e fushatave sistematike të represionit
nga ana e pushtetit jugosllav mbi shqiptarët në Jugosllavi, por dhe me
paraqitjen në skenë të Komiteti të Kosovës në rrol shumë më aktiv. Komiteti i
Kosovës pasi u konsolidua në nëntor të vitit 1936 nën drejtimin e një kryesie
të re me në krye Sali Vuçiternin, në vitin 1937 intensifikoi veprimet dhe
aksionet politike e revolucionare. Gjatë muajve mars-prill 1937 Komiteti i
Kosovës po përgatiste në Shqipëri tri grupe “kaçakësh” për tu hedhur në territorin e Jugosllavisë. Grupi i parë do
të duhej të përbehej nga Feriz Salku (Salkoviq), një udhëheqës i çetave
kryengritëse të drejtuara nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” që para
vitit 1924, Huso Kolena, nga rrethi i Jenipazarit, banues në fshatin Fusha
Balonës të Fierit, Idriz Shabani, nga rrethi i Sjenicës, banues në rrethin e
Lushnjës, Ismet Rasovaci, nga Duga Poljana, banues në rrethin e Kavajës, Jonuz dhe Raka Bisheva
(Bishevac), banus në Fier, Hako Hamzagaj (Hamzagiq), nga Peja, banues në
Lushnjë, Bislim Bajgora dhe disa të tjerë. Grupi i dytë do të përbëhej nga Huka
dhe Haka Boshnjaku, nga Jenipazari, Hajdar Boshnjaku, nga Rozhaja dhe një
malazez, të cilët banonin në Shkodër. Grupi i tretë do të përbëhej nga Preng
Pali, pari nga Vermoshi, me disa njerëz të tij.
Mirëpo,
gjatë tre muajve të parë të vitit 1937 nuk pati aksione në terren nga kaçakët
ose komitët e armatosur kundër Jugosllavisë. Aksionet e tyre filluan nga muaji
prill dhe do të vazhdojnë deri në dhjetor të vitit 1937. Gjatë tre muajve,
prill, maj, qershor 1937 pati më shumë aksione të grupeve të armatosura
shqiptare për të kaluar në mënyrë ilegale kufirin nga Shqipëria në Jugosllavi,
përkatësisht në Kosovë, për motive të ndryshme, do të thotë edhe të
kontrabandës me duhan. Shtatë (7) nga ata aksione rezultuan me shkëmbim zjarri
midis grupeve shqiptare dhe forcave kufitare jugosllave, me ç’rast pati të
plagosur dhe dy të vrarë nga radhët e grupeve shqiptare, kurse nga radhët e
forcave kufitare jugosllave nuk pati as të plagosur e as të vrarë.
Ndërkohë,
gjatë muajve maj-qershor 1937 u zhvilluan bisedimet dypalëshe
shqiptaro-jugosllave për avancimin e marrëdhënieve ndërshtetëror. Në këto
bisedime pala shqiptare tentoi të ngrinte edhe çështjen e pozitës së
shqiptarëve në Jugosllavi, por kjo çështje nga pala jugosllave apriori u
refuzua. Në këtë kuadër, ministri shqiptar i Punëve të Jashtme e siguronte
ministrin britanik në Shqipëri ser A. Ryan se qeveria shqiptare nuk kishte kërkesa
irredentiste ndaj Jugosllavisë. Një qëndrim të këtillë të ministrit shqiptar,
ministri britanik e ndërlidhte me ndryshimin e gjendjes në marrëdhëniet
ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë, me paktin e 25 marsit 1937. Në frymën e
përmirësimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë, qeveria shqiptare kishte
ndërmarrë një fushatë arrestimesh dhe internimesh të kosovarëve dhe të
anëtarëve të Komitetit të Kosovës, gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator 1937,
me qëllim që të pengonte aktivitetet dhe aksionet e tyre kundër Jugosllavisë.
Në Tiranë ishte arrestuar kaçaku i njohur Memet Maloku, nga Kosova, me 40
shokë, dhe arrestimet vazhdonin.
Megjithatë
aksionet ilegale të grupeve të vogla të armatosura shqiptare për të kaluar
kufirin shqiptaro-jugosllav, nga të dyja anët e tij, do të vazhdonin. Nga muaji
korrik e deri në dhjetor të vitit 1937, pati rreth nëntëmbëdhjetë (19)
përpjekje të armatosura midis grupeve shqiptare që tentonin ta kalonin
ilegalisht kufirin me forcat kufitare jugosllave. Disa nga këto përpjekje rezultuan
me viktima: 2 të vrarë dhe 4 të plagosur nga radhët e grupeve shqiptare, kurse
2 të vrarë dhe 2 të plagosur nga radhët e forcave kufitare jugosllave. Burimet
ushtarake jugosllave kryesisht nuk bëjnë fjalë për motivet e kalimit të kufirit
nga ana e këtyre grupeve shqiptare, por i karakterizonin si “aksione në terren”
të Komitetit të Kosovës. Ndërkaq, ministri jugosllav në Shqipëri përpara
diplomatëve të huaj i cilësonte ato aksione si “incidente kufitare” për motive
të kontrabandës së duhanit, të provokuara nga ana e “plaçkitësve” shqiptarë nga
Jugosllavia, të cilët jetonin si emigrant në Shqipëri. Sipas tij gjatë vitit
1937 u shënuan 19 aksione të tilla, gjatë të cilave pati dhe disa viktima nga
pala jugosllave, por nga sa u tha më sipër, sipas vetë burimeve ushtarake
jugosllave, ky numër i aksioneve ishte shumë më i madh dhe shkonte së paku në
26.
Gjatë
vitit 1938, sipas burimeve diplomatike britanike, nuk kishte ndryshime të mëdha
në marrëdhëniet midis Jugosllavisë e Shqipërisë. Nuk pati as incidente kufitare.
Deri në muajin maj të vitit 1938, nuk qe hetuar kurrfarë aktiviteti serioz i
“propagandës shqiptare” e as ndonjë aksion i “propagandës irredentiste
shqiptare” në Jugosllavi. Mirëpo, lajmet mbi përgaditjen e Konventës
jugosllavo-turke (11 korrik 1938) për shpërnguljen masive të organizuar të
“myslimanëve”, përkatësisht të shqiptarëve nga Jugosllavia, shkaktoj alarm të madh, thuajse në shkallë kushtrimi, në
Shqipëri. Qeveria shqiptare nga fundi i vitit 1938 zhvillonte një aksion të
planifikuar politik e diplomatik në vend dhe jashtë, për ngritjen e çështjes së
Kosovës. Ndërkohë, nga ana e një numri studentësh, të rinjsh dhe emigrantësh
shqiptarë nga Kosova, si dhe të disa deputetëve, në tetor të vitit 1938
bëheshin përgatitje për organizimin e manifestimeve dhe protestave kundër
Konventës jugosllavo-turke; në Tiranë, Korçë, Shkodër etj. Njëherazi, nga këto
mitingje do t’iu kërkohej qeverisë shqiptare dhe Fuqive të Mëdha të ndërhynin
në Beograd, në favor të njohjes së të drejtave të pakicës shqiptarëve në
Jugosllavi, mundësisht të ngrihej edhe çështja e vetëvendosjes së shqiptarëve
në Jugosllavi. Nga alarmi i Tiranës nuk mbeti imune edhe qeveria turke në
Ankara. Përfaqësuesi diplomatik turk në Tiranë, para kolegëve të tij, sigurisht
edhe para autoriteteve qendrore shqiptare, dha shpjegime se Turqia me këtë
Konventë nuk synonte të dëmtonte elementin shqiptar në Jugosllavi dhe se do të merrte masa të nevojshme që në procesin
e shpërnguljes të përfshihet vetëm elementi turk.
Njëkohësisht
asokohe nga paria shqiptare qe ndërmarrë një aksion politik edhe ndër
shqiptarët në Jugosllavi, për të parandaluar shpërnguljen e tyre për në Turqi,
të bindur “se ekziston zgjidhje për çështjen e tyre”. Në këtë kuadër, Irredenta
shqiptare, nën drejtimin e Ferhat Dragës, kishte intensifikuar, “si asnjëherë
më parë”, aksionet e saj për bashkimin e tokave shqiptare nën Jugosllavin me
Shqipërinë. Organet policore jugosllave, nga fundi i vitit 1938, përmendin dhe
një “Proklamatë” të Komitetit të Kosovës për shtimin e ndërgjegjes për “Mëmën
Shqipëri”, ndër shqiptarët në Jugosllavi. Sipas këtyre organeve, Naim bej
Starova, emigrant nga Shqipëria, shquhej për veprimtarinë e tij ndër shqiptarët
në Tetovë në frymën e kësaj proklamate. Ndërkaq, Nazif Nushi, nga Peja,
nënshtetas shqiptar, pjesëtarë i Shërbimit të Zbulimit të policisë shqiptare, i
cili në mënyrë të ligjshme vizitoi Jugosllavinë, në nëntor 1938, qëndroi
Gjakovë, Shkup dhe Pejë, dyshohej nga organet jugosllave se kishte ardhur me
mision të veçantë politik. Por, burimet dokumentare jugosllave nuk njoftojnë
për incidente kufitare e as për “aksione në terren” nga ana e Komitetit të
Kosovës, gjatë vitit 1938.
Pas
paralajmërimeve mbi ripërtëritjen e kërkesave irredentiste shqiptare, në tetor
të vitit 1938, ministri jugosllav në Shqipëri i tërhoqi vërejtjen kolegut të
tij britanik, mbi “tendencën e shqiptarëve për të luajtur me irredentizmin.”
Meqë irredentizmi shqiptar po i prishte planet aneksioniste të Italisë ndaj
Shqipërisë, në raport me Jugosllavinë, nga fundi i vitit 1938 qeveria italiane
i sugjeroi qeverisë shqiptare që të ndalon një aksion të tillë. Duket se
sugjerimi i Italisë pati ndikim në zbutjen e fushatës irredentiste shqiptare.
Pavarësisht
nga qëndrimi italian i sipërpërmendur, sipas burimeve arkivore jugosllave aksioni
irredentist shqiptar, të cilin “e drejtonte regjimi i Mbretit Zog”, vazhdonte
edhe në fillim të vitit 1939. Gjatë muajit janar 1939, paria shqiptare në
Kosovë, Sherif Voca etj., vazhdonte aktivitetet e saja politike për forcimin e
ndërgjegjes kombëtare ndër shqiptarët, me qëllim që të përgatitej terreni për
bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, në momentin e duhur kur për këtë të
paraqiten rrethanat e volitshme. Paria pohonte se po afron ora e bashkimit të
Kosovës me Shqipërinë. Në funksion të këtij qëllimi ishte dhe shpërndarja e
hartës irredentiste të Shqipërisë. Mbase bëhet fjalë për hartën “Shqipëria e
Vërtetë”, e cila u shpërnda edhe në territoret e Jugosllavisë. Kështu, në prag
të pushtimit të Shqipërisë nga Italia, veprimi politik shqiptar për ngritjen e
ndërgjegjes kombëtare te popullsia shqiptare në Jugosllavi, deri diku ishte i
suksesshëm. Mirëpo, as gjatë tre muajve të parë të vitit 1939, pos këtyre
aksioneve politike, nuk pati ndonjë
aksion tjetër revolucionar në terren nga ana e kosovarëve e as nga
Komiteti i Kosovës kundër interesave të Jugosllavisë.
Në prag
të agresionit italian ndaj Shqipërisë duket se Komitetin e Kosovës po e
mbërthente një krizë e brendshme. Arsyet për momentin mbeten të panjohura.
Lidhur me këtë, indikative është arratisja në Jugosllavi në mars të vitit 1939
e Memet Alijës dhe e Murat Kaloshit, dy anëtarë të komitetit nga më aktivët dhe
më të rëndësishmit. Menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë nga ana e Italisë,
Komiteti i Kosovës pushoi aktivitetin e tij, sikur të mos ekzistonte.
Autoritetet italiane në Shqipëri, shpejt pas pushtimit të vendit, deri nga mezi
i dhjetorit të vitit 1939, e ndaluan veprimtarinë e Komitetit të Kosovës, me
siguri për shkak se pjesa më e madhe e anëtarëve të Komitetit të Kosovës kishin
qëndrim kundër italian dhe ishin për veprime kundër Italisë. Autoritetet
italiane, sipas të gjitha gjasave, në verë të vitit 1939 kishin internuar Sali
Vuçiterrnin, kryetar i Komitetit, me pretekst se kishte refuzuar ofertën e
organizatës bullgaro-maqedonase OBRM (VMRO) për veprim të përbashkët në
“Serbinë e Jugut”. Pas këtyre masave të italianëve kundër Komitetit të Kosovës,
përfundon edhe kjo fazë e veprimtarisë së tij.
Do theksuar se autoritetet ushtarake e policore jugosllave nuk ishin në dijeni për far raportesh midis Komitetit të Kosovës me organizata të tjera të ngjashme, qoftë me Komitetin Maqedonas apo me Komitetin Kroat, gjatë kësaj faze të veprimtarisë së tij.
Për shkak
të natyrës së gazetës janë hequr poshtëshënimet (referencat/fusnotat)