E diele, 28.04.2024, 09:41 PM (GMT+1)

Speciale » Mustafa

Avzi Mustafa: Kontributi i Hasan Prishtinës për gjuhë të zyrtarizuar shqipe me shkollë të pavarur

E hene, 10.12.2012, 07:01 PM


KONTRIBUTI I HASAN PRISHTINËS PËR GJUHË TË ZYRTARIZUAR SHQIPE ME SHKOLLË TË PAVARUR

Ekskluzive nga Prof. Dr. Avzi Mustafa

Në kohën kur po gatuhej shteti shqiptar masat shtypëse të qeverisë turke, si dhe veprimet e qeverive grabitqare fqinje, që ishin lëshuar si lakej grabitqarë kundër interesave shqiptare, nuk kishin të ndalur. Dhe, kjo gjendje ishte një nxitje që patriotët shqiptarë të merrnin hapat e duhura në drejtim të mbrojtjes së trojeve shqiptare. Patriotët shqiptar që moti e kishin kuptuar këtë,a ndaj energjitë e tyre i kishin orientuar duke u udhëhequr nga motoja se pa arsim kombëtar nuk ka as zgjim kulturor e politik. Ata punuan dhe luftuan për të ruajtur atë që është më qenësore për popullin shqiptar – gjuhën shqipe dhe shkollën shqiptare.

Pa marrë parasysh sakrificat, humbjet, burgosjet, internimet, helmimet e masakrimet, ata me vetëdije të plotë iu përveshën punës kudo që u jepej rasti: në male e fusha, në bodrume e qerthuj, në shtëpi e dyqane, pra kudo me të vetmin qëllim – të mbjellin farën e dijes në gjuhën amtare në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, ashtu siç thoshte mjeku nga Struga Dr. Ibrahim Temo: “Se ne mund të shpëtojmë vetëm po të edukohemi në gjuhën tonë”[1].

Motoja e këtillë, që u përfaqësua nga pjesa më e shëndoshë e popullit shqiptar, ndikoi edhe në forcimin e ndërgjegjes kombëtare që me plot sukses në fazat e ndryshme të lëvizjes arsimore dhe kulturore e sidomos të kuptohet dhe demaskohet politikën e xhonturqve, e cila shpinte në një politikë shkombëtarizuese ndaj popullit tonë. Dhe, tërë puna e patriotëve shqiptarë nuk shkoi huq, por përkundrazi kjo ndikuan që në dy kryengritjet e viteve 1910 dhe 1911 kërkesat kryesore të ishin pikërisht gjuha shqipe dhe shkolla kombëtare. Patriotët e intelektualët e kohës i dhanë hov lëvizjes për arsim kombëtar veçmas pas formimit të komiteteve të fshehta, në veçanti pas kushtetutës turke të vitit 1908 kur u organizuan edhe shkollat nën drejtimin e klubeve kombëtare[2].

Gjatë këtyre viteve një ndër patriotët më të spikatur e tepër të rrallë, që shkroi faqe të ndritura në historinë e arsimit shqiptar pa dyshim është Hasan Prishtina. Me guximin e tij patriotik dhe me intelektin e tij të mrekullueshëm ai nuk nguronte që haptazi të kërkojë pavarësinë e Shqipërisë, të mbrojë shkronjat latine, të hapë mësonjëtore, të fusë gjuhën shqipe në Gjimnaz e në Normalen e Shkupit, të dërgojë djem për shkollim, të mbrojë germat shqipe e Normalen para Parlamentit Turk dhe të demaskojë hapur qeverinë osmane për pengesat që i bënte arsimit shqip në trojet e Shqipërisë, duke theksuar, siç e kanë venë në dukje edhe studiuesit e tij, se Thoni...., se u çelën shkolla, po të gjitha janë gënjeshtra, se asnjë gjë s’është bërë. Ajo që bëtë, është vetëm mbyllët shkollat dhe shtypshkronjat shqipe..”[3] .

Kur ishte fjala për shkollat e huaja Sulltanati udhëhiqte një politikë krejtësisht të ndryshme, sidomos ndaj shteteve fqinje, ngase ato pranonin subvencione të mëdha. Shkollat greke, përveç fondeve të llasove, merrnin edhe subvencione të veçanta nga qeveria greke. Kjo nuk ndodhte edhe me shkollat shqipe, të cilat ndiqeshin e mbylleshin. Prandaj shkollat klandestine në shumë qytete të Shqipërisë mbaheshin me ndihmën e klubeve dhe nga patriotët vendas, që ndanin kafshatën e fëmijëve të vet që ashtu t’i mbajnë gjallë shkollat në gjuhën shqipe.

Megjithatë, si problem kryesor, që ende nuk kishte gjetur zgjedhje përfundimtare, ishte abec-ja shqipe. Që t’i jepej fund kaosit të alfabeteve që përdoreshin nga shqiptarët dhe nga albanologët e huaj, Klubi i Manastirit “Bashkimi” mori përsipër ta organizojë një kongres kombëtar për këtë çështje. Dhe, në këtë kongres u vendos përfundimisht edhe çështja e njësimit të alfabetit shqip[4].

Aprovimi i alfabetit shqip e irritoi Sulltanatin – atëherë filluan me të madhe manovrat e xhonturqve. Edhe pse Kushtetuta 1908 jepte në fakt një liri që gjuha shqipe të mësohej, de jure ajo ndalohej, duke vënë në përdorim disa merimanga e klerikë myslimanë që të fusin huti në popull. Ata dërguan disa emisarë që ta aktualizonin përdorimin e alfabetit turko-arab, duke propaganduar se me germa kaurësh nuk shkohet në Qabe. Xhonturqit nuk e shihnin problemin e alfabetit thjesht si problem grafie, por si problem politik, pas të cilit fshihej diçka e madhe. Kjo çështje “e madhe” do të vërehet në acarimin e marrëdhënieve shqiptaro-turke. Ndërsa ky acarim vihet re edhe nga mendimi i ministrit xhonturk të Punëve të Brendshme të Perandorisë, i cili deklaronte: “Shqipëri nuk ka! Ka vetëm provincë turke”[5].

Kësaj politike djallëzore iu kundërvu patrioti Hasan Prishtina, i cili në dhjetor të 1909 protestoi në Parlamentin Osman në Stamboll kur u kërkua të ndaloheshin shkronjat shqipe[6]. Por, jo vetëm kaq – Hasan Prishtina si një intelektual i spikatur – aty ku i jepej mundësia – i shprehte qartë kërkesat e shqiptarëve dhe e mbronte alfabetin dhe gjuhën shqipe, si dhe trojet tona dhe nuk nguronte që haptazi të deklarohej për një kryengritje të armatosur të përgjithshme ndaj Perandorisë Osmane. Ai do t’i deklarojë konsullit britanik në Shkup: “Ne shqiptarët për t’i dhënë fund mizorisë turke në Shqipëri, si dhe pengesave që po i bënë çështjes së alfabetit e kulturës sonë kombëtare, kemi zgjedhur si të vetmin mjet shpëtimi bërjen e një lëvizje të armatosur kundër sundimit turk”.[7]

Po në verën e vitit 1909 Hasan Prishtina merr një mision të ri – si një sofist shkon prej një vendi në një vend tjetër në të gjitha trojet shqiptare për të agjituar në lidhje me rëndësinë e hapjes së shkollave në gjuhën amtare. Sepse, mendonte ai, vetëm shkolla në gjuhën shqipe do të jetë e aftë për t’u kuptuar. Instinktet natyrore janë nga më të ndryshmit, por instinkti i dashurisë ndaj atdheut, gjuhës amtare, me të cilën lindesh dhe vdes, janë tipare të identiteti të çdo kombi. Intelektualet e kohës si dhe patriotët shqiptare këtë e kuptuan më së miri në momentet më të vështira kur popullit tonë i kanosej rreziku i asimilimit nga sllavët, helenët e turqit, ashtu që ruajtja e gjuhës dhe e kombit ishte strumbullari ku shqiptarët bashkoheshin pa marrë parasysh fenë dhe krahinën.

Për Hasanin si parim pedagogjik kryesor ishte mësimi i gjuhës amtare. Dhe, këtë parim e realizoi në Normalen e Shkupit, ku filloi të mësohet gjuha shqipe. Por, jo vetëm kaq – ai kërkonte që 5% të ardhura vjetore të shkojnë në dobi të arsimit kombëtar në Shqipëri. Gazeta “Dielli”, që botohej në Boston të Amerikës do të shkruajë kështu: “...dëgjojmë burra me vleftë si Hasan be Prishtina, i cili të lëçitnjë çiltazi se sot e tutje pesë për qind nga gjë e tij e përvitshme, si edhe nga muaj që merr e do të marrë qeverija, do ta përdorjë vetëm për mësimin e gjuhës shqipe”[8] .

Kështu me hapjen e shkollës Normale të Elbasanit në dhjetor të 1909-tës, sipas një dokumenti, kryetari i Klubit “Bashkimi” më 18 kallnor të vitit 1325 (sipas kalendarit turk), gjegjësisht sipas kalendarit të ri – më 31 janar 1909, patrioti e pishtari i arsimit shqip Hamdi Ohri nga Ohri i drejtohet Këshillit të Klubit “Bashkimi” në Elbasan “që me nismën e Hasan Bej, deputet i Prishtinës ju rekomandojmë tre zotni Gillanas e dy Vuçitërnas, të cilët, për me studjue në shkollën Normale t’Elbasanit, na u dërguan prej Klubit “Bashkimi” të Manastirit, me lutje qi të përmendurve t’u tregohet letësiant e duhuna në kryemejen e veprimeve qi lypen, për pranimin e tyne në atë shkollë”.[9]

Pas pranimit të këtyre nxënësve, Hasani u nis bashkë me to dhe, kur arriti në Shkup, ai bashkë me nxënësit një natë beri konak në shtëpinë e Kolë Bojaxhiut, të atit të Nënës Tereze, të cilin Hasani shpesh e vizitonte, herë vetë e herë me patriotët e tjerë. Për t’i disponuar nxënësit, Kola gjeti momente që t’i argëtonte fëmijët, duke luajtur pak me instrumentin e muzikës.

Parimi kryesor i Hasan Prishtinës bazohej në një sistem arsimor të përgjithshëm e të detyruar në gjuhën shqipe. Pra, jo vetëm arsim fillor, por edhe të mesëm. Ai e quante bazë të çdo përparimi arsimin në gjuhën amtare në shkolla të pavarura.

Kur u hap Normalja e Elbasanit, në këtë shkollë për një kohë shumë të shkurtër u bënë mbi 100 nxënës, ndërsa numri i tyre dita-ditës shtohej. Ky shtim bëhej gati gjatë gjithë vitit, sepse kushtet dhe vështirësitë nga vilajet shqiptare ishin tepër të këqija. Kështu ndodhi edhe me ardhjen e dy grupeve të fëmijëve nga vilajeti i Kosovës në muajin shkurt dhe mars të vitit 1910, të cilat ishin organizuar dhe financuar nga Hasan Prishtina. Ato përfshin gjithsej 35 fëmijë. Për ardhjen e grupit të parë të 16 fëmijëve Hasan Prishtina e kishte njoftuar me një telegram Shkollën Normale të Elbasanit. Ishte një gëzim i madh i profesorëve të Normales së Elbasanit, por edhe i tërë qytetarëve të Elbasanit, që dolën rrugëve dhe i pritën këta “bij të Kosovës” ose, siç e quanin ata të “Shqipërisë së Sipërme”,[10] duke brohoritur: “Rroftë Hasan Prishtina!, Rroftë për jetë ky atdhetar i shkëlqyer i Shqipnisë së mjerë!”. Po ashtu edhe ardhja e grupit të dytë të nxënësve nga Shqipëria Lindore (nga Gjakova, Peja, Vushtrria, Shkupi e Struga), që ishin gjithsej 19 nxënës, ishte një ngjarje dhe festë e madhe. Me këtë rast ata i përshëndeti patrioti dhe drejtori i parë i kësaj shkolle, Luigj Gurakuqi, i cili, siç theksojnë studiuesit, “në atë ligjëratë të shkurtër edhe një herë spikati ëmbëlsirat e gjuhës shqipe, bukurinë e të folurit e mendimin e ngjeshur të atdhedashurisë”[11]. Kjo ngjarje nuk ngeli edhe pa fjalën e Nolit të madh, i cili do të shprehet kështu: “Të ardhurit tuaj na përsëriti gëzimin që kemi ndëgjumun një muaj më parë, kur erdhën disa shokë tuaj nga ajo Kosovë kreshnike që ka qenë kurdoherë çerdhe atdhetarësh të mirë e trimash skifterë, na përsërit atë gëzim që dëgjojmë gjithmonë kur na vijnë nxanës të rinj në këtë shkollë normale nga viset e ndryshme të atdheut tonë”.[12]

Hasan Prishtina për veprimtarin e tij arsimore pedagogjike na ka lënë edhe veprën me titull “Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912”, ku qartë e shpalos programin e tij të arsimit, të cilin e shihte si pjesë më të rëndësishme të luftës për të drejtat e shqiptarëve. Në këtë broshurë, siç e quan ai vetë, e gjejmë platformën dhe sintezën për arsim në Shqipërinë e plotë e të pavarur, për një sistem arsimor me bazë të vetme në gjuhën shqipe.

Me programin e tij arsimor Hasan Prishtina bashkohet me idenë e të gjithë rilindëseve se parimi bazë për të ndërtuar një sistem arsimor me karakter kombëtar është ngritja e shkollave në gjuhën amtare shqipe. Koncepti për shkollën dhe arsimin ishin faktor kryesor për të arritur lirinë dhe vëllazërimin midis njerëzve, sepse për të një popull i cili dëshiron të trajtohet me të drejta të plota, duhet të jetë i arsimuar.

Duke i njohur mirë marifetllëqet e xhonturqve, në kohën kur ata u frikësuan nga lëvizja e armatosur e shqiptarëve dhe kur duhej që të gjendej ndonjë kompromis, Hasan Prishtina nuk ngurroi që me vendosmëri të kërkojë që gjuha shqipe të bëhet gjuhë zyrtare në Shqipëri, të vendosej përdorimi i detyruar i gjuhës shqipe në administratë, të bëhet krijimi i një sistemi unik arsimor, ndërsa përmbajtja e shkollës shqipe të ketë synim frymën kombëtare demokratike e laike, duke kërkuar: “Me themelue e me hap shkolla reale në të gjitha prefekturat e qendrave të Kosovës e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës... me hap edhe shkolla bujqësie, pasi vendi në krejt kuptimin është një vend bujqësor, si dhe me shti në program të mësimeve gjuhën e vendit. Me hap shkolla teknologjike moderne ndër vende ku e lyp nevoja”[13].

Me ndihmën dhe përkrahjen e Hasan Prishtinës dhe me mbështetjen e klubeve shqiptare dhe atdhetareve të tjerë që në vitin 1909 u hapën shkolla shqipe në Moravë me mësues Rexhep Repën, në Gjilan me Adem Efendiun, ndërsa në Pozheran me mësuesin Imam Pirrën e Baki Efendiut. Hasan Prishtina me padurim priste që sa më parë të kthehen nxënësit që i kishte dërguar në Normalen e Elbasanit, që pastaj ta hapë një shkollë edhe në vendlindjen e tij në Vushtrri (Vuçitërnë)[14].

Puna frytdhënëse për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe u ndërpre në vitet 1912-1913, kur tokat shqiptare të Kosovës u pushtuan nga shovinistët serbë, malazezë e bullgarë, të cilët nuk donin nuk donin që popullsia shqiptare të arsimohej në gjuhën amtare,

Pas rënies së qeverisë xhonturke dhe fitores së kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912, qeveria e re – me kërkesën këmbëngulëse të Hasanit – vendosi që gjuha shqipe të futet edhe në gjimnazet turke me disa orë në javë në shkollat fillore qytetëse e të mesme të arsimit të profesional.

Në librin e përmendur të Hasan Prishtinës në fund të parathënies ka edhe një shënim ku thuhet: “Se fitimin që ka për t’u nxjerrë nga kjo broshurë, do t’ia kushtoj sigurimit të arsimit të fëmijëve jetim të Kosovës, Dibrës e të Çamërisë, që gjenden në Shqipëri”.

Puna e një luftëtari, si dhe humanizmi i tij i thellë me shpirtin e tij të sakrificës dhe preokupimit për dije dhe ndihmë për të varfrit, e lartëson më shumë atë si njeri në shërbim të njerëzve. Prandaj me të drejtë Hasan Prishtinën mund ta quajmë Pestaloci Shqiptar, ngase ai gjithçka bëri për të tjerët, e asgjë për vetveten.

Hasan Prishtina, që bëri gjithë atë sakrificë për shpëtimin e trojeve tona dhe për shkollën e arsimim në gjuhën amtare në kohët më të vështira, meriton që këto pak fjalë të jenë homazh nderimi për personalitetin e tij të shquar .


[1] Avzi Mustafa, Figura mësuesish shqiptarë 1, BKSH.Tetovë, 1995, f. 6

[2] Gaqo, Peci, “Arsimi Popullor” nr. 2, f. 82-83

[3] Instituti i Studimeve Pedagogjike, Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, vëllimi I, Tiranë, 2003, f.304

[4] Avzi Mustafa, Studime dhe artikuj, UISHM, 2012,f. 16

[5] Po aty, f. 31

[6] Instituti i Studimeve Pedagogjike, Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, vëllimi I, Tiranë, 2003, f.304

[7] Po aty, f.305

[8] Revista Shkencore “VJETAR” nr. 45-46, 2011 e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës në Prishtinë.(Fitim Ferati)

[9] AQSH,F 102, V.1909.D. 28.Fl.1

[10] “Lirija” 10 korrrik1910

[11] Piro Tako, Liugj Gurakuqi, Jeta dhe vepra, Tiranë, 1980, f.120-121

[12] “Cit. sipas Piro Tako po aty, f.121

[13] Insitituti i studimeve pedagogjike, Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, vëllimi I, Tiranë, 2003, f.305

[14] Shih: Murat Gecaj, Nëpër udhët e shkollës shqipe, Tiranë 108, f.106



(Vota: 25 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Avzi Mustafa: Pasqyrimi i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në gazetën ''Politika'' të Beogradit Avzi Mustafa: Ecuritë e arsimit fillor shqip në Kërçovë e rrethinë Avzi Mustafa: Pasqyrimi i trashëgimisë kulturore shqiptare në tekstet shkollore në Maqedoni Avzi Mustafa: Në kujtim të mësuesit Syreja Imami Avzi Mustafa: 8 Shtatori - Dita Ndërkombëtare Kundër Analfabetizmit Avzi Mustafa: Organizimi i shkollës shqipe në Maqedoni 1945-1990 Avzi Mustafa: Përpjekjet e Josif Bagerit për gjuhën dhe shkollën shqipe Avzi Mustafa: Disa shënime të mësuesit bullgar për Tetovën me rrethinë Avzi Mustafa: Zajavi përballë pushtuesit serb (1912-1915) Avzi Mustafa: Shkollat fetare private në Gostivar e rrethinë ndërmjet dy luftrave botërore Avzi Mustafa: Shkolla shqipe qëndron mbi eshtrat e patriotëve tanë Avzi Mustafa: Disa probleme në punën e mësuesve të gjuhvs për përvetësimin e gjuhës letrare në shkollë Avzi Mustafa: Përpjekjet e shqiptarëve të Maqedonisë për shkollën shqipe (1908-1912) Avzi Mustafa: Nëna Terezë në 100-vjetorin e lindjes Avzi Mustafa: Ju mbeteni përherë ''Zoti Mësues'' Avzi Mustafa: Një fjalim i pabotuar i Ibrahim Themos mbi çështjen e Maqedonisë Avzi Mustafa: Imam Vehbi Ismaili, një hallkë e rëndësishme e traditës islame shqiptare Avzi Mustafa: Ndihmesë e madhe arsimit shqip në Maqedoni Avzi Mustafa: Kush ishte Ali Bej Kërçova Avzi Mustafa: Gjuha shqipe në traditën e historisë së shkollave

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora