Speciale » Mustafa
Avzi Mustafa: Organizimi i shkollës shqipe në Maqedoni 1945-1990
E marte, 30.08.2011, 09:01 PM
ORGANIZIMI I SHKOLLËS SHQIPE NË MAQEDONI 1945-1990
Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa
Rrjedhat e zhvillimit të arsimit shqiptar në Maqedoni kanë qenë të kushtëzuara nga rrethanat kulturore, shoqërore dhe politike, herë- herë e penguar nga faktorët e ndryshëm. Para shkollës shqipe në Maqedoni pas Luftës së dytë Botërore po paraqiteshin sfida të ndryshme që pengonin zhvillimin normal të edukimit dhe arsimit të shqiptarëve në këtë republikë Jugosllave.
Me krijimin e marrëdhënieve të reja shoqërore ku të gjithë popujt e Ballkanit poashtu edhe shqiptarët pritnin barazi të plotë në gjitha sferat e jetës, gjë që shumë popuj i mashtroi sepse parimet që proklamoheshin për një barazi të plotë asnjëherë nuk u realizuan as që ndonjëherë u ndërtuan. Mos barazinë e shohim menjëherë që kur u hap diskutimi për Kushtetutën e parë në Maqedoni edhe pse në këtë Kushtetutë në nenin 12 thuhej: “Pakicat kombëtare në Republikën Popullore të Maqedonisë i gëzojnë të drejtat dhe mbrojtjen e zhvillimit të tyre kulturor dhe përdorimin e lirë të gjuhës së tyre”. Që këtu qartë shihet se fjala arsim në këtë kushtetutë po mungon.
Duke vështruar nga perspektiva e të sotmes mësojmë sipas një dokumenti se si ideologu i PKJ Svetozar Vukmanoviq-Tempo, menjëherë me vendosjen e sistemit të ri ai porositi udhëheqësit maqedonas dhe kërkonte nga komunistët maqedonas që në shumë vendbanime me shqiptarë, të vendoset gjendje e jashtëzakonshme ushtarako-policore, se gjoja ende vepronin forcat reaksionare balliste. Sa u përket hapjes së shkollave ne gjuhën shqipe kërkonte që të hapen vetëm në ato vende ku ishin instaluar poskomandat policore dhe jo në vendet ku kishte nevojë dhe kushte normale për punë.
Ky autoritet komunist nuk u mjaftua me kaq , ai këshillonte komunistët maqedonas që të kenë kujdes të mos lejojnë në Maqedoninë Perëndimore të krijohet një “Kosovë e vogël”. Bashkë me ta ai përcaktoi edhe metodat dhe format e ndryshme që ato në fillim dukeshin se janë forma të dhunës e jo të arsimit, duke e shfrytëzuar mirë psikologjinë e shqiptarit që ky e njihte fare mirë. Deklaratat e këtilla shkonin dhe preknin edhe atë të shenjtën arsimin ku ky arsim po kufizohej dhe kontrollohej në Maqedoni.
Mirëpo në Jugosllavinë e atëhershme jetonin edhe pakica të tjera kombëtare dhe për organizimin e shkollave të pakicave kujdesej e ashtuquajtur Pleqësia e përkohshme e Ministrisë së Arsimit në Jugosllavinë Demokratike. Ajo më 10 gusht të vitit 1945 aprovoi edhe dokumentin “Drejtimet për punën e shkollave të Pakicave kombëtare”. Në këtë dokument u dhanë kornizat dhe mundësitë e organizimit të shkollave të pakicave sipas orientimit jugosllav. Në këtë dokument thuhet:
Të gjitha pakicat kombëtare mund të hapin shkollat e veta në ato vende ku ka më së paku 30 nxënës edhe nëse atu nuk ekziston shkollë. Po nëse ekziston shkollë në gjuhë tjetër atëherë pranë kësaj shkolle mund të hapen paralele nëse ka 20 nxënës,
Secila republikë popullore kujdeset për hapjen e shkollave fillore edhe të mesme,
Mësimi në shkollat e pakicave zhvillohet në gjuhën e pakicës. Prej klasës së tretë me nga 3 orë në javë zhvillohet mësimi I gjuhës federale, gjegjësisht të gjuhës së republikës ku jeton pakica,
Mësuesit në shkollat e pakicave të jenë shtetas jugosllavë,
Kujdesin për shkollat e pakicave e kryen instruktorët mësimor pjesëtar të pakicave,
Administrata, në shkollat e pakicave kryhet Brenda shkollës në gjuhën e pakicave. Të gjithë formularët dhe dokumentet zyrtare jepen në dy gjuhë
Librat dhe tekstet shkollore të botohen në vend,
Në mbështetje të këtij dokumenti filloi të organizohet edhe shkolla shqipe ne Maqedoni nga njëra ane, kurse nga ana tjetër gjithsesi duhej të respektohej edhe ligji republikan i Maqedonisë. Edhe pse sipas Kushtetutës së Maqedonisë të aprovuar më 1946, ku Maqedonia proklamohej se është atdhe i maqedonasve, shqiptarëve, turqve dhe të gjithë duhet të kontribuojë për zhvillimin e saj në çdo pikëpamje. Mirëpo duke pasur parasysh rrethanat në të cilat u zhvillua shkolla fillore shqipe nga ajo që proklamohej dhe nga ajo që behej për shkollimin e fëmijëve shqiptar, shohim se ajo u zhvillua pa ndonjë plan të posaçëm . Këtë mund ta shohim këtë së pari në ndërtimin e objekteve shkollore ku nuk u ndërtua asnjë objekt i ri , Të gjitha shkollat ku zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe ndërtoheshin apo renovoheshin nga vetë fshatarët, Pjesa më e madhe për shkollë u shfrytëzuan shumë mejtepet ku as për së afërmi nuk i plotësonin kushtet për mbarëvajtjen e mësimit, Kështu sipas statistikave në periudhën e parë që kap periudhën prej vitit 1945-1950 në vendbanimet thjesht shqiptare nuk kemi ndërtime të godinave, por gjatë kësaj periudhe kemi ndërtime në vendbanimet e përziera ku janë ndërtuar 35 shkolla.
Mësimi për shqiptarët zhvillohej nëpër shtëpi private. Në etapën e parë të organizimit të arsimit shqip në Maqedoni zhvillohej sipas parimit të nacionaliteteve për çdo komb e pakice hapeshin shkolla të veçanta me drejtori të veçanta. Në mungesë të kuadrit kjo detyre fare nuk përfillej sepse në këtë kohë është mungesë e mësuese. Punën e drejtorëve e bënin vet mësuesit duke bashkëpunuar ndërmjet veti.
Gjatë periudhës 1948/49 ishte periudha më e rënduar për shkak të prishjes së marrëdhënieve me shtetin amë, shkolla shqipe ishte në shënjestër. Shqiptarët kudo ndiqeshin e sidomos mësuesit. Në këtë kohë me të madhe filloi favorizimi I kombësisë turke. Filluan të hapen paralele në gjuhën turke edhe atje ku nxënësit nuk dinin turqisht, por ato thonin se është dëshirë e prindërve. Kjo është periudha kur shumë mësues përjashtoheshin ose dërgoheshin në Goli Otok.
Në Plenumin e tretë të KQ të LKJ-së në dhjetor të vitit 1949, u shqyrtua arsimi në përgjithësi e veçanërisht arsimi dhe edukimi I pakicave ne shtetin Jugosllav. Në këtë Plenum u kërkua që edukata e arsimi të orientohet kah ideologjia komuniste me orientim jugosllav. Këshilli për arsim , shkencë dhe kulture I Qeverisë së RPM-së në Shkup u dërgon elaboratin për diskutim të gjitha shkollave dhe me pjesëmarrje të obliguar mësuesve dhe prindërve. Nga një raport mund të shohim diskutime dhe propozime shumë interesante se gjoja shkollat katërvjeçare në fshat të ngelin edhe më tutje katërvjeçare, kurse shkollat e qyteteve të kalojnë në tetëvjeçare pastaj të unifikohet plan-programi mësimor, të hapen shkolla te përziera. Krejt qëllimi ishte se shkollat e pakicave për nga forma dhe përmbajtja të jenë lidhura me shtetin ku jetojnë. Në të njëjtën kohë shtrua edhe nevoja për ndryshime të brendisë së punës në aspektin edukativ.
Gjatë përgatitjes së reformës së parë arsimore (1958) për shkollat e pakicave u përgatit edhe një elaborat ku u kërkua që shkollat e pakicave të integroheshin plotësisht në sistemin edukativo-arsimor të Jugosllavisë dhe prej tani shkollat e pakicave të mos quhen si shkolla shqiptare, hungareze, italiane etj, por shkolla me mësim në gjuhën shqipe, hungareze , italiane etj.
Për sa u përket specifiteteve për ruajtjen e vlerave kombëtare në Maqedoni asnjëherë nuk është përmend. Shqiptarët në këtë republikë përveç gjuhës amtare të tjera specificitete as që janë përmendur, por gjithçka është mbikëqyr dhe manipuluar në forma dhe metoda të ndryshme. Inspektorët e arsimit vëzhgime bënin vetëm në lëndën e gjuhës amtare dhe të historisë. Në bazë të raporteve shohin se si deklarohen inspektorët e arsimit ndaj gjuhës amtare, Ata shkruajnë në raportet e tyre “se gjuha shqipe ne shkollat me mësim në gjuhën shqipe nuk ka asnjë dallim nga mësimi i nxënësve të Shqipërisë , Pastaj në raport shkruan se Mësimi i gjuhës shqipe (shiptarski jazik) realizohet sipas programit të caktuar. Sipas deklarimit të drejtorit ai duhet të pësojë ndryshime në drejtim të dhënies sa më tepër karakter jugosllav dhe qëllimi të jetë në mësimin e shkrimtarëve jugosllav. Ky ndryshim duhet të behet sa më shpejt sepse ka rrezik që nxënësit të edukohen në frymën nacionaliste”.
Të gjitha dokumentet e konsultuara si dhe Ligji i parë për administrimin shoqëror në lëmin e shkollimit fillor të vitit 1953 si dhe kërkesat programore të Kongresit të VI i LKJ, Kongresi i Parë i pedagogëve të Jugosllavisë kërkohet që të dalin në pah dy momentet kryesore dhe atë 1. Trajtimi autentik të pozitës dhe të drejtave mbi shkollën apo paraleleve të pakicave në aspektin formal dhe 2 Statusi i shkollave të pakicave apo paraleleve të pakicave në përmbajtje.
Në Republikën e Maqedonisë si problem shumë të madh e paraqitnin mos njohjen e gjuhës maqedonase. Gati në të gjitha informata që posedojmë e cekin këtë problem, që ishte edhe një kusht për të leshur organizimin e shkollimit sipas parimit nacional dhe kërkohej që të kalohet në organizimin e shkollimit të ashtuquajtura të pakicave në bazë të parimit territorial. Kështu ata proklamonin se organizimi në bazë të këtij parimi do të bëhet integrimi i pakicave nëpër republika. Sipas këtij parimi duhej që një shkollë me një udhëheqje të përbashkët, por mësimi të mbahej në paralele të ndara. Në shumë shkolla edhe pse dominonte struktura nacionale e shqiptarëve për udhëheqës zgjidhej jo shqiptari. Këtë punë e rregullonte Ministria apo vet ministri I arsimit. Organizimi I shkollës sipas këtij parimi ishte që arsimtarët të shkëmbejnë përvojat me kolegët maqedonas, nxënësit takohen në oborr dhe mund të komunikojnë si dhe aktivitetet e lira i organizojnë bashkarisht dhe se kjo është mënyra ë e mire për të forcuar frymën e patriotizmit jugosllav. Meqenëse ky ishte problem I gjithë pakicave në shtetin Jugosllav. Ky problem ngjalli që në shkollat e përziera të mësohej edhe gjuhët e pakicave.
Në bazë të procesverbalit të mbledhjes së Komisionit për çështje të pakicave të KQ te LKM të mbajtur më date 4.09. 1960 në nga pikat e rendit të ditës është edhe informata në lidhje me mësimin e gjuhëve të pakicave. Edhe në Maqedoni u diskutua që mësimi i gjuhës së pakicës të eksperimentohet për një vit, ne disa shkolla të jetë i obliguar, kurse ne shkollat etnikisht të pastra maqedonase të mbetet ashtu si është, kurse në shkollat e mesme profesionale të jetë fakultative. Por kjo kërkesë as nuk u përfillte nga prindërit dhe nxënësit shqiptar në shkollat e përziera. Ne bazë të një raporti shohin deklaratat më të çuditshme nga prindërit maqedonas. Prindërit maqedonas janë shprehur se nuk kanë dëshirë që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën e shumicës në territoret e përziera. Ka shumë deklarata si p.sh. “Se këtu nuk është Shqipëri, por Maqedoni, nuk kemi nevojë për gjuhën shqipe (siptarski jazik) etj.”
Kjo periudhë është periudha e përpunimit të metodikës së punës aktiviteteve të lira dhe të letërsisë e lektyrave. Tani kemi 30% mësimin e letërsisë kombëtare dhe 40% të letërsisë jugosllave dhe 30% letërsisë botërore si dhe shtimin e gjuhës maqedonase edhe për një orë klasat e larta të arsimit fillor dhe të mesëm.
Prej vitit 1972 edhe pse shihet një transformim dhe liberalizim në sistemin edukativo mësimor sa i përket aspektit të organizimit nuk kemi ndryshime organizative në shkollat me mësimin në gjuhën shqipe. Tani në lëndën e gjuhës dhe letërsisë kemi heqjen e disa shkrimtarëve,që kishin pak vlera letrare dhe zëvendësimin e tyre me shkrimtar të Kosovës dhe të Shqipërisë. Në lëndën e historisë si specifikë tani po hyjnë pesë tema nga historia kombëtare ku dy tema janë tema të përgjithshme që mësoheshin në kuadër të historisë së popujve të Ballkanit. Sidoqoftë prej vitit 1972 e deri në vitin 1981 kjo periudhë mund të karakterizohet si një periudhë që shkolla shqipe merr një zhvillim të dukshëm në zgjerimin e rrjetit të shkollave, në hapjen e paraleleve ne shkollat e mesme dhe hapjen e disa programe studimore në arsim e lart.
Pas viteve 1981 është periudha me më e errët në historinë e arsimit shqiptar në Maqedoni. Në këtë periudhë u vu ë zbatim të hapur strategjia antishqiptare e përgatitur në kuzhinën e Beogradit . Pushteti maqedonas në këtë periudhë u treguan shumë të ashpër për të flakur “seperatizmin dhe iridentizmin shqiptar”. Politika antishqiptare që ushtronte organet partiake me direktivën e shtetit filluan arsimin shqiptar ta atakojnë nga të gjitha anët. Se pari filluan me evidence dhe dokumentacioni pedagogjik që shkruhej në gjuhën shqipe. Në vitin 1983 u kërkua që evidence dhe dokumentacioni pedagogjik të mbahej në dy gjuhë. Në vitin 1989 sillen dy amandamente 43 dhe 57 I Kushtetutës së Maqedonisë ku plotësisht u hoq gjuha shqipe nga përdorimi.
Prej vitit 1986/87 filloi kryqëzata kundër arsimit në gjuhën shqipe. Organet e pushtetit monist filloi të pushoj nga puna arsimtarë, u ndalua që në shkollë që të komunikohet në gjuhën shqipe, arsimtarët filluan të burgosen, u ndërruan emrat e shkollave u mbyllen shkollat e mesme si dhe shkollat e larta etj.
Tani arsimi I shqiptarëve filloi të organizohet sipas parimit të paraleleve të përziera ku mësimi zhvilloj vetëm në gjuhën maqedonase, kurse gjuha shqipe të mbetej vetëm si lëndë mësimore dhe ajo e kushtëzuar se cili shkrimtar dhe me çfarë vepre do të përfshihet,
Ky eksperiment i kuzhinës arsimore i Beogradit dëshironte se pari ta testonte në Maqedoni e mandej edhe ne viset tjera ku jetonin shqiptarët. Po kështu në vitin 1983/84 ishte formuar një Komision ndër republikan për të propozuar bërthamat e përbashkëta, ku përfaqësuesit e Kosovës e kishin bojkotuar dy herë, mirëpo më vonë u detyruan dhe marrin pjesë ne diskutimin e versionit të pestë që u organizua në Beograd ku u diskutua mbi bërthamat e përbashkëta programore të gjuhës amtare të letërsisë për edukimin arsimin fillor dhe për bërthamat e shkollës së mesme.
Sa i përket lëndës së historisë atë e kishin zgjedhur me një potez se “historia e kombësive është historia e atij kombi me të cilën jeton”. Sa i perket lëndës së muzikës pa asnjë diskutim u zëvendësua me himne sllave e këngë kishtare.
Arsimi shqiptar kaloi një golgotë të paraparë e gjithë kjo krijonte një pakënaqësi si në masën e nxënësve ashtu edhe të prindërve të tyre, të cilët nuk i shihnin me sy të mirë këtë forma të organizimit dhe ato konsideroheshin si akte shoviniste, antishqiptare të organeve burokratike maqedonase.