E enjte, 03.10.2024, 02:32 PM (GMT+1)

Speciale » Mustafa

Avzi Mustafa: Shkollat fetare private në Gostivar e rrethinë ndërmjet dy luftrave botërore

E shtune, 30.04.2011, 07:59 PM


SHKOLLAT FETARE PRIVATE NËGOSTIVAR E RRETHINË NDËRMJET DY LUFTËRAVE BOTËRORE

 

Shkruan: Prof. Dr. Avzi Mustafa

 

Lufta e Parë Botërore solli ndarje të re të Maqedonisë midis tri shteteve ballkanike: Mbretërisë SKS, përkatësisht Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Pjesa veriore dhe qendrore e Maqedonisë rreth Povardarjes u përfshi në shtetin e posaformuar jugosllav Mbretërinë SKS.1) Të gjitha këto shtete, me metoda dhe forma të ndryshme, bënim padrejtësi nacionale dhe sociale. Me formimin e kësaj mbretërie, borgjezia serbomadhe në Maqedoni zbaton një politikë të ashpër edhe ndaj kombësisë*) shqiptare dhe turke, duke e shfrytëzuar fenë si mjet për ti përçarë kombet dhe kombësitë që me shekuj kanë jetuar dhe jetojnë së bashku në Maqedoni.

Kur kombësia shqiptare dhe turke në regjimin e Mbretërisë paraqitet si problem shoqëror, ekonomik, kulturor dhe arsimor, atëherë borgjezia serbe ua imponon dhe i orienton këto kah arsimimi fetar, duke i ikur çdo arsimimi tjetër. Sipas disa dokumenteve të publikuara shkolla serbe përfshihej vetëm 25%, **) kurse pjesa tjetër në shumicë ishte përfshirë në shkollat fetare private Sibijan-mejtepe,2) që ishin sihariq i sundimit shumëshekullor Osman.

Këto shkolla, përkatësisht Sibijan-mejtepet, për kombësitë e fesë myslimane punonin pranë xhamive dhe zhvillimin më të madh në Maqedoni e arritën në kohën e lëvizjes së xhon-turqve, ku në çdo qytet e fshat punonte një numër i madh i shkollave fetare. Me ligjin e 25. 02. 1915 të gjitha shkollat u reformuan dhe u orientuan nga këshillat,3) kurse shkollat fetare të këtij lloji ende më tej mbetën nën këshillat e vakëfeve.

Në kohën kur borgjezia serbe në Maqedoni dërgonte mësues për hapjen e shkollave serbe, hoxhallarët përpiqeshin ti 4) bindin prindërit se këto shkolla janë në kundërshtim me Kuranin dhe sduhet dërguar fëmijët në shkollë. Për ti ikur konfliktit në mes hoxhallarëve dhe mësuesve serbë, Ministri i arsimit i njoftoi punëtorët e vet që, me marrëveshje, lëndën e fesë tua lënë hoxhallarëve. Në anën tjetër, qeveria e atëhershme serbe formoi nga disa shqiptarë dhe turq një organizatë politike- fetare me emrin »XHEMIET«, që reklamohej si mbrojtëse e të »drejtave myslimane« në Serbinë jugorë.5) Disa prej këtyre mbrojtësve„ si dorë e djathtë e borgjezisë serbe, e bindnin popullsinë e paarsimuar duke deklaruar se Serbia nuk ishte kundër fesë, kurse hoxhallarëve u premtonin sigurim social dhe një sërë benificionesh të tjera.6)

Që ti kënaqin intencat edukuese dhe arsimore të kombësisë shqiptare dhe turke, si dhe ti plotësojnë disa premtime formale ndaj tyre këta, me një dinakëri të madhe iu drejtuan me kërkesë Bashkësisë fetare islame të Ulema-Mexhlisit në Shkup, që të marrin vendim të gjithë hoxhallarët, të cilët punonin si imamë, të përparohen në titull imamë-ofiqarë, me detyrë që të jenë edhe mësues, përkatësisht mualimë atje ku do të caktoheshin të punonin.7)

Nga Bashkësia fetare dhe Ulema-Mexhlisi i Shkupit u njoftuan të gjithë imamët që me dokumentet e nevojshme të emëroheshin edhe si mësues të fesë. Prej rrethit të atëhershëm të Vardarit, ku jetonin pjesëtarët e fesë myslimane, u paraqit një numër i madh mualimësh, pjesa dërmuese e të cilëve ishin nga Gostivari dhe rrethina. Për shkak të bazës më të mirë ekonomike, Pollogu i Epërm tregonte interesim relativisht të madh për këtë lloj shkollimi. Qysh prej shekullit XIX, Gostivari kishte shkolla edhe biblioteka fetare,8) kurse kah fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, në Gostivar dhe rrethinë, ekzistonin këto shkolla: Sibajan mejtepe (i ngjashëm me mejtepet e sotëm), Iptadije (1889), Ruzhdije (1870), Medresë (?); në fshatin Vrapçisht: Iptadije (1887)), dhe medresa e ulët (1827); në fshatin Banjica e Epërmc: Iptadije (1890) dhe medresë e ulët (2) dhe Iptadije në Banjicën e Poshtme (1905); Dobërdoll (1890), Debresh (1900), Gjenovicë (1907), Zhdunjë (1902); Llakavicë (?); Reçan (1901); Raven (1903); Serbinovë (1905); Çegran (?); Forinë (?); Çajle (1905).9)

Nga këto të dhëna shihet se interesimi te gostivarasit ka qenë mjaft i madh. Në vitin shkollor 1921/22 në Pollogun e Epërm punonin 6 sibijan mejtepe me 7 klasë. Deri në fund të këtij viti shkollor numri u rrit në 19 shkolla fetare me 30 klasë dhe gjithsejt 1587 nxënës, prej të cilëve 374 femra.

Me ligjin e vitit 1929, që filloi të zbatohet në vitin 1933, u aprovuan planprograme të reja për shkollat serbe, ku vend të posaçëm zente religjioni.10). Këto plane mësimore i nxitën shkollat fetare në Gostivar dhe rrethinë për punë intensive. Prej vitit në vit numri i shkollave fetare rritej, kurse numri i nxënësve zvogëlohej, sepse shumë gostivaras ishin zejtarë dhe fëmijët i merrnin si ndihmës. Prej vitit shkollor 1921/22 në këtë rajon punonin 25 sibijanë mejtepe, me 37 klasë dhe 20 mësues (muaalimë) të përhershëm dhe 5 të përkohshëm. Është interesant të theksohet që nga fundi i këtij viti shkollor pranë këtyre shkollave fetare punonin edhe 9 mësuese (mualeme) të fesë.11)

Sipas materialit të shfrytëzuar arkivor, në Gostivar dhe rrethinë deri në mbarim të luftës se dytë botërore punuan intensivisht këto shkolla private fetare: Në Gostivar 6; në fshatin Vrapçishtë 3 dhe nga një në Çegran, Deb- resh, Zdunjc, Koritë, Trebishtë, Vranjovcë, Vërbjan, Llakavicë, Reçan, Tanushë, Miletinë, Dobridoll, Vellobërdë, Vrutok, Zherovnicë dhe Prisojnicë. Këto shkolla fetare qenë të hapura me vendimin e Ulema-Mexhlisit në Shkup. Këso shkollash punonin edhe në disa fshatra të Gostivarit, të hapura me iniciativën e fshatarëve, të cilët edhe financonin. Muhalimët nga ana e Mbretërisë, merrnin të ardhura prej 940 din. në vit, kurse për imamë pranë xhamive merrnin prej familjeve edhe një pjesë në natyrë.

*******

Detyrat e sibijan mejtepeve ishin dhënia e rregullave elementare të fesë dhe përvetësimi i shkrim-leximit të një gjuhe krejtësisht të panjohur- arabe. Në këto shkolla fetare mësonin edhe meshkuj edhe femra. Femrat mësonin deri në moshën 12-13 vjeçare dhe pastaj siç thonin hynin në “bylik”. Në vitet e moshuara ndonjëra prej tyre merrej me mjekësi të rrejshme dhe me ceremonitë që i para sheh Feja islame për varrimin e grave.

Mësimi në këto shkolla është zhvilluar me metoda primitive, kryesisht mbështetej në mësim verbal. Nxënësit ishin të detyruar pa kurrfarë mjetesh didaktiko-metodike ta mësojnë gjuhën arabe dhe fragmente të Kuranit.

Organizimi, format dhe metodat ishin të ngja shme me ato të mejtepeve të shekullit XVIII dhe XIX. Është për tu cekur se mualemët shkronjat i krahasonin me ndonjë objekt që fëmijët ti mbanin në mend më mirë. P.sh. shkronja e parë (elif) e krahasonin me shtyllën, të dytën (Be) me tepsinë etj. Krahasimet i shqiptonin në gjuhën amtare.

Të gjitha këto mejtepe ishin pranë xhamive. Nëse pranë xhamive nuk kishte ndonjë lokal, atëherë fëmijët i vendosnin në ndonjë shtëpi private afër xhamisë. Dhomat ku mbahej mësimi ishin to papërshtatshme, bile, edhe në ndonjë vend pa dritare. Në vend të bankave përdornin hastra, ndërsa mejtepet e qytetit ishin me minderë.

Arsimi i fituar në këto shkolla ishte minimal, kurse suksesi thuajse krejtësisht ishte i dobët. Nuk ekzistonte kurrfarë plan-programi mësimor. Suksesi varej nga aftësia e mualemëve (mësuesit). Nxënësit mësonim në grupe dhe me zë dhe kur i përvetësonin shkronjat kalonin në metodën e rokëzimit që ti lidhnin fjalët.

Pastaj kalonin në mësimin e fragmenteve (ajete) nga Kurani si dhe vjersha. Gjatë shpjegimit të fragmenteve nga Kurani shumë sosh nuk i kuptonin dhe vetë mualimët, dhe në shumë raste gjatë orës ata krijonin përralla fantastike lidhur me xhehenemin e xhenetin***).

Klasa, në kuptimin e ngushtë të fjalës, nuk ekzistonte. Nxënësit në këto mejtepe mësonin prej 4-8-9 e më tepër vite. Nxënësit e vjetër u ndihmonin të rinjve. Mësimi gjatë stinës së dimrit mbahej me rregull, kurse në stinën e vjeshtës dhe pranverës një pjesë e nxënësve nuk i vijonin mësimet me rregull për shkak të punëve të ndryshme bujqësore. Disiplina ishte shumë e ashpër dhe çdo gjë duhej të përvetësohej ashtu siç e kërkonte mualimi. Masat ishin shumë të rënda, qëndrimi në një këmbë, duart e ngritura lart, por edhe në të shumtën e rasteve përdorej edhe falaka. Prindërit jo vetëm që nuk ankoheshin, por deklaronin para mualimëve: “Mish të sjell, eshtra të mi kthesh”. Hoxha mualim, që respektohej më së tepërmi si në qytet ashtu edhe në fshat, çdo herë para prindërve dhe nxënësve e përsëriste thënien, gjoja e thënë nga Kurani: “Aty ku të mëshon dora e hoxhës -muhalimit, nuk e djeg zjarri i xhehenemit”.

Nxënësit më të mirë veçanërisht ata me zë të bukur, mualimi i emëronte si ndihmës nëpër xhamia dhe nëpër ceremonitë e ndryshme fetare: mevlud, hatme, myzeine etj. Rrallë ndodhte që ndonjë nxënës që mbaronte këtë shkollë të vazhdonte mësimet, jo pse nuk donin, por nga këto shkolla nuk fitonin edhe njohuritë më elementare. Tentime për tu shkolluar në medreset e reformuara në Isak Beg, medrese në Shkup e gjetiu, pat mjaft të interesuar, por përfundonin pa sukses. Një nga shkaqet ishte që nxënësit nuk e posedonin teknikën e shkrimit, sepse ajo shkathtësi as që mësohej në këto shkolla.

Funksioni kryesor i shkollave fetare private ishte që nxënësit të fitojnë njohuri elementare të fesë nga lëmi i ahlakut (moralit), që ti përgatitnin për fetarë besnikë, me mendje dhe zemër, dhe në bazë të këtij mësimi ta ndërtojnë personalitetin e tyre dhe të gjejnë prehje në shpirt me atë që u është siguruar  pas vdekjes.

 

Referencat

1. Istorija na makedonskiot narod, kniga 3, Skopje, 1969, faq .7

*) Në vend të terminit pakicë do të përdorim termin kombësi

** Në dokumentin nr. 29 thuhet: … i nën- shkruari mendon dhe mban qëndrimin se nuk duhet të shkollohen të gjithë fëmijët me fe myslimane me gjuhë turke dhe shqipe, por vetëm një pjesë. Dokumenti është botuar si shtojcë në studimin e Dr Gligor Todorovskit, Prosvetna politika na Kralstvoto Srbija vo Makedonija po balkanskite vojni 1912 1915, Skopje, 1975

2. Pedagoski reçnik, Prosveta, Beograd, 1967, faq. 545 (pjesa I)

3. »Juzhni pregled«, ëasorpis za nauka i knjizev- nost, br. 3-4, Skopje, 1939, faq.

4. Dr Gligor Todorovski, Glasnik na INI, God. XII, Skopje, 1969, br. 3, fq. 195

5. Dr M. Kodra, Pozita ekonomike shoqërore dhe politika e kombësisë shqiptare midis dy luftë- rave, pjesa II, »Jehona« nr. 5, Shkup, 1973, f. 100

6. Informatë nga A. Bexheti, hoxhë të fshatin Greslmicë Kërçovë (vdiq 1967)

7. Arhivi i Bashkësisë islame në Shkup (Shih dekretet)

8. A. Vishko, Prosvetnite priliki vo Tetovskata kaza vo II polovina na XIX vek, Skopje, 1979, faq. 159 (separat

..D. Gmjiq, Muslimanske skole Gornog Pologa u proslosti, »Juzni Pregled«, nr. 3-4, Skopje, 1939, faq. 111

10.N. Potkonjak, od etatisticke ka samoupravnoj socialistickoj osnovnoj skoli, Beograd, 1975, str. 24

11) »Juzna Srbija«, Skole u Vardarskoi Banovini od 16. 08. 1922. faq. 18

***) Sipas dokumenteve që gjenden në Bash- kësinë fetare në Shkup të gjithë hoxhallarët muhalemët kishin thuaja një arsimim të njejtë, me disa vjetë të medreses apo iptadijes ose kurse analfabetike. Shqip dinin vetëm të flasin.



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Avzi Mustafa: Shkolla shqipe qëndron mbi eshtrat e patriotëve tanë Avzi Mustafa: Disa probleme në punën e mësuesve të gjuhvs për përvetësimin e gjuhës letrare në shkollë Avzi Mustafa: Përpjekjet e shqiptarëve të Maqedonisë për shkollën shqipe (1908-1912) Avzi Mustafa: Nëna Terezë në 100-vjetorin e lindjes Avzi Mustafa: Ju mbeteni përherë ''Zoti Mësues'' Avzi Mustafa: Një fjalim i pabotuar i Ibrahim Themos mbi çështjen e Maqedonisë Avzi Mustafa: Imam Vehbi Ismaili, një hallkë e rëndësishme e traditës islame shqiptare Avzi Mustafa: Ndihmesë e madhe arsimit shqip në Maqedoni Avzi Mustafa: Kush ishte Ali Bej Kërçova Avzi Mustafa: Gjuha shqipe në traditën e historisë së shkollave Avzi Mustafa: Mësimi i gjuhës maqedonse nga klasa e parë është problem politik Avzi Mustafa: Akademik Olivera Jashar - Nasteva - 10 - vjet e mertisur dhe e harruar Avzi Mustafa: Kur bëhej Kongresi i Shkronjave në Manastir Avzi Mustafa: Prof. dr. Nexhat Abazi, Personalitet i shquar i shkencave pedagogjike dhe i kulturës shqiptare Avzi Mustafa: Një dorëshkrim i posazbuluar në gjuhën shqipe me shkronja cirilike nga viti 1868 në Rekën e Epërme Avzi Mustafa: Mësuesia një nga zanatet më njerëzore Avzi Mustafa: Reformat e shkollës evropiane kërkojnë edhe ligje evropiane Avzi Mustafa: Vështrim në librin “Vullneti i dhunuar” të autorit Mahi Nesimi Avzi Mustafa: Kongresi i Elbasanit vepër me rëndësi për historinë e arsimit dhe gjuhës shqipe Avzi Mustafa: Letërkëmbime të pabotuara të Josif Bagerit

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora