Speciale » Mustafa
Avzi Mustafa: Përpjekjet e shqiptarëve të Maqedonisë për shkollën shqipe (1908-1912)
E diele, 21.11.2010, 08:59 PM
PERPJEKJET E SHQIPTARËVE TË MAQEDONISE PËR SHKOLLËN SHQIPE (1908-1912)
Nga Avzi Mustafa
Populli shqiptar, që kishte vuajtur shumë shekuj nga absolutizmi i sunduesve, kishte dhëne një kontribut të çmuar për fitoren e revolucionit të xhonturqve. Ky revolucion u mirëprit edhe nga shqiptarët, sepse ata kishin besim se rendi i ri do t’i mbante premtimet dhe se atyre do t’u njihte disa të drejta. Patriotët shqiptarë orvateshin me çdo sakrificë për ta shfrytëzuar gjendjen, që ishte krijuar për të zgjedhur disa nga detyrat e rëndësishme të lëvizjes pa hequr dorë nga pavarësia, siç ishin përforcimi i ndërgjegjes kombëtare, njohja e kombit shqiptar dhe e kufijve të tij etnikë, përhapja e arsimit, shtypit etj
Andaj që në fillim të muajit shator 1908 filluan të hapen klubet e para shqipe në shumë qytete shqiptare, si në Elbasan, Korçe, Pejë, Vlorë, Berat , Manastir, Shkup, Dibër, Ohër, Janinë e gjetiu. Bashkë me këto klube filluan të hapen edhe shkollat e para në gjuhën shqipe. Klubet e ndryshme në gjirin e tyre kishin futur shumë të rinj në shtigjet e luftës për liri, demokraci dhe arsim. Ata e ngritin lart mbi të gjitha rolin e madh të shkollës si burim i çdo të mire dhe të drejte. Ata kudo që shkonin i akuzonin feudalët e fanatikët që kërkonin “...të mbajnë hapur konakët e me anë të konakëve të rrjepin botën; ne nuk na duhet të hapim konakë, ne na duhet të hapim shkolla që populli të çelë sytë...
Por, pengesë serioze për hapjen dhe funksionimin e shkollave shqipe ishte pa dyshim çështja e përdorimit të alfabetit të vetëm për shkrimin e gjuhës shqipe, çështje që nuk kishte gjetur akoma zgjidhje përfundimtare edhe pas aprovimit të alfabetit të Stambollit më 1879, pasi përdoreshin edhe më tej alfabete të tjera. Këtij problemi të rëndësishëm që ishte edhe një detyrë shumë e rëndësishme dhe e ngutshme e kohës i dha zgjidhje të plotë Kongresi i Manastirit, që filloi punimet e tij më 14 nëntor të vitit 1908.
Në këtë Kongres, përveç vendimeve politike, gjithashtu u vendos përfundimisht edhe çështja e njësimit të alfabetit tonë. Në vend të alfabeteve të shumta, tani e tutje do të përdoreshin vetëm dy: ai i Stambollit, që siç dihej, ishte me bazë latine dhe bashkë me të edhe një alfabet, ky i sotmi që e përdor gjuha shqipe.
Në anën tjetër, edhe përpjekja për hapjen e shkollave, pra edhe në territorin e Maqedonisë së sotme, ishte shumë e madhe dhe dita-ditës interesi shtohej. Kështu disa klube filluan të hapin edhe shkolla nate për të rritur. Shkolla të këtilla u hapën në Dibër, Shkup, Manastir, Kërçovë,Tetovë , Kumanovë e gjetiu.
Gjatë vitit shkollor 1908/09 po përgatiteshin që të hapen shkolla në gjuhën shqipe edhe në Kërçovë, ku vepronin: Sadik efendi Kercova, Jusuf Turabi Kërçova, Rexhep Fasku Greshnica, Ali Jonuz Drogomishti, Sadik Efendi Kërçova; në Strugë: Dervish Hima e Ibrahim Temo, e veçanërisht duhet të përmendet kontributi i Haziz Lilës që zhvilloi aktivitete të gjera patriotike në Strugë, ne Gostivar e në Dibër. Jehona e alfabetit mori dhenë edhe në Karshiakën e Shkupit ku në fshatin Patishka Rekë hoxha i fshatit nxënësve ua mësonte germat shqipe. Gjithashtu në Malësinë e Dibrës, gjegjësisht në Rekë, siç mësojmë nga gazeta “Shqypeja e Shqypenis” që udhëhiqej nga Josif Bageri, aty nga një shkrim i një atdhetari mësojmë se si e qortojnë myftiun, e Gostivarit Veli beun duke i thënë “pse rri kështu në gjumë, kur e sheh se ton Shqipenija asht nxehur për mësim dhe shëndritje në gjuh të vet”.
Josif Bageri menjëherë pas themelimit të klubit të Selanikut udhëton për në Shkup. Aty takohet me patriotët shqiptarë, si dhe me parinë e Shkupit: me efendi Ibrahimin, me Rok Berishën dhe me Emin bej Kumbarën. Nga takimi i ngrohtë që pati Josifi dhe pas njoftimit se në Shkup po përgatitet të hapet një klub shqiptar, Ai shkroi edhe vjershën me titull “Shqyptarët e Shkupit”, që mban datën 25.10 1908, ku ai shkruan:/Shum i lumtur je , o Shkup? Se bijit e tu, ktu sivjet? Kan fillue me çel klub/Në atni në vendin e vet/”
Nga letra po ashtu kuptojmë se ai ka ca premtime që të punoj në një shkollë turke si mësues i gjuhës shqipe, por – unë – shton Bageri – “kam dëshirë të punoj në vendlindjen time, sepse aty ka nevojë të madhe për mua, e jo atje ku ka profesor...”. Më tutje ai thekson se veprimtarinë duhet ta kryejë edhe sepse atje nuk ka popuj të tjerë, përveç shqiptarëve dhe bullgarëve (maqedonasve) që ata të jenë të vëllazëruar dhe të bashkuar.
Gjithashtu edhe në Rekën e Poshtme pati përpjekje për të hapur shkollë në gjuhën shqipe dhe për të përdor kodin latin. Këtu u shquan hoxhallarët: Vildan Faik Dibra, Hafiz Maliq Tanusha, Abdurraman Dauti. Me këtë rast Hafiz Vildan Dibra u shpreh kështu: “Feja dhe Kurani nuk kanë kurrfarë lidhje me alfabetin. Mësimi i gjuhës me alfabetin latin nga pikëpamje fetare s’ka asnjë ndalim.”
Në shkurt të vitit 1909 filloi të funksiononte edhe shkolla shqipe e Kumanovës, që u hap nga klubi shqiptar i këtij qyteti që udhëhiqej nga Jashar Erabara. Hapja e kësaj shkolle dhe përhapja e shkrim-leximit bëhej sipas alfabetit të Manastirit. Jashar Erabara së bashku me Anastas Albanskin po në këtë qytet hapen edhe shkollën e natës për të rritur, në të cilën ndiqnin mësim 120-130 nxënës.
Në skajin tjetër, atdhetarët korçarë me nismën e tyre filluan ta futnin gradualisht gjuhën shqipe në kishat e fshatrave e pastaj edhe në qytete. Gjuha shqipe edhe më herët në pjesën më të mëdha në fshatrat e Rekës së Epërme në pagëzime e martesa thuhej në shqip, por tani, pas Kongresit, filloi të përdoret pa frikë edhe mesha në kishat ortodokse shqiptare, si në Belicë, Niqipur e Duf .
Mirëpo, kjo nuk kaloi pa vështirësi. Lëvizja për arsimin e kulturën kombëtare shqiptare u gjend shumë shpejt përballë goditjeve të komitetit “Bashkim e Përparim”, i cili meqë paraqitej si mbrojtës i kushtetutës, vepronte më shpesh në mënyrë të fshehtë sesa të hapur. Një nga mjetet kryesore që xhonturqit përdorën për të ndaluar këtë lëvizje, për t’i përçarë shqiptarët sipas ndasisë fetare dhe për ta penguar ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, ishte propaganda e shkrimit të gjuhës shqipe me alfabetin arab, që filloi menjëherë pas Kongresit të Manastirit. Në shërbim të kësaj propagande u vunë disa nga klerikë konservatorë dhe elementë të tjerë fanatikë e turkomanë, të cilët, duke shfrytëzuar ndjenjat fetare të popullsisë myslimane shqiptare, u përpoqën të formonin tek ajo bindjen se shkronjat latine janë të pafeve (të kaurëve), se binin ndesh me fenë islame dhe se shqipja mund të shkruhej vetëm me alfabetin turko-arab, që ishte i shenjtë, sepse me të ishte shkruar Kurani. Kjo propagandë lexohej qartë, sepse mitingjet mbaheshin nëpër xhamia. Po kështu, ulematë dhe disa nga hoxhallarët e Shkodrës, Dibrës, Shkupit, Prizrenit, të nxitur nga komiteti “Bashkim e Përparim”, duke përfituar nga fanatizmi i pjesës myslimane të popullsisë, në pranverën e vitit 1909 zhvilluan një agjitacion të fuqishëm për përdorimin e alfabetit arab në shkrimin e shqipes. Në fillim të vitit 1909 në Stamboll u formua “Shoqëria për mësimin dhe për shkrimin e gjuhës shqipe me shkronjat turqishte”, e përbërë kryesisht nga ulematë (klerikët e lartë) myslimanë, që shpërndante thirrje dhe abetare shqipe me alfabetin arab. Edhe një abetare e hartuar nga Rexhep Voka i Shipkovicës së Tetovës nëpërmjet Xhemijetit u përhap në viset e ndryshme të Shqipërisë në muajin janar të po atij viti.
Sulltanati, duke parë hovin që po merrte shkrimi shqip dhe për të ta ndaluar ketë hov, në Dibër e autorizoi Riza Rusin që të hapte një shkolle për përgatitjen e mësuesve në gjuhën turke se gjoja në Kongresin e Dibrës këtë e kanë kërkuar shqiptarët myslimanë. Hapja e kësaj shkolle u bë më 1910. Menjëherë pas hapjes së kësaj shkolle, falë atdhetarëve dibranë, në këtë shkollë e futën gjuhën shqipe si lëndë mësimore dhe për mësues e caktuan Ali Pustinën..
Marrë në përgjithësi, lirisht mund të thuhet se Kongresi i Manastirit ia dha hovin e madh përhapjes së arsimit dhe lëvizjes kombëtare në përgjithësi. Synimeve armiqësore të xhonturqve populli shqiptar mbi çështjen e arsimit në gjuhën amtare iu përgjigj me një kongres kombëtar në Kongresin e Elbasanit, sepse duhet të thuhet se ky kongres mori vendime të rëndësishme lidhur me arsimin dhe shkollat shqipe.