E shtune, 12.10.2024, 07:03 PM (GMT+1)

Speciale » Mustafa

Avzi Mustafa: Një fjalim i pabotuar i Ibrahim Themos mbi çështjen e Maqedonisë

E marte, 29.06.2010, 09:58 PM


NJË FJALIM I PABOTUAR I IBRAHIM THEMOS MBI ÇËSHTJEN E MAQEDONISË

 

Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa

 

            Në këtë artikull do të bëjmë fjalë për jetën, punën dhe kontributin e Ibrahim Themos në lëvizjen revolucionare, kulturore e publicistike, jo vetën në historinë e lëvizjes kombëtare shqiptare, por edhe të asaj turke.

            Familja e Ibrahim Themos origjinën e kishte nga krahina e Matit. Në Strugë u vendosën në kohën e Kara Mehmet Pashë Bushatlliut, vezirit të Shkodrës. Pas mbarimit të shkollës fillore dhe dy klasave të ruzhdijes, me ndihmën e disa miqve të babait të tij shkon për studime në Stamboll. Pastaj regjistrohet në shkollën paraprake të mjekësisë të tipit idadiysi. Në vitin 1885/86 Ibrahim Themo kalon në gjimnazin mjekësor ushtarak. Më 1888/89 regjistrohet në fakultetin modern mjekësor ushtarak. Në këtë fakultet Themo me intelektin e tij të çuditshëm vitin e parë dhe të dytë i mbaron përnjëherë. Si një njeri me aftësi komunikimi dhe shumë serioz bie në kontakt me shumë studentë shqiptarë, por edhe me turq, me të cilët bisedonin për hallet e shqiptarëve dhe të vetë Perandorisë. Siç thotë Dr. Hasan Kaleshi, Ibrahim Themo ishte një katalizator ndërmjet studentëve brenda fakultetit dhe njerëzve përparimtar jashtë fakultetit.

Në këtë kohë Perandoria me kokë ishte kthyer kah Anadolli, kurse në Ballkan i kishte mbetur vetëm bishti, madje në të ishte bërë një mozaik kombesh ku të gjithë kërkonin të fitojnë të drejtat e tyre.

Me iniciativën e Themos dhe të 4 (katër) studentëve të fakultetit ku studionte Themo, aty organizuan një lidhje sekrete, ndërsa më vonë klubin dhe komitetin me emrin “Bashkim e përparim”, një subjekt që më vonë u bë bërthamë e lëvizjes së turqve të rinj. Ishte kjo organizata e parë politike ilegale në Perandorinë Osmane që kishte për qëllim ta rrëzojë nga froni sulltani Abdyl Hamitin II. Prandaj ajo nuk kishte qëllim të ngushtë nacional, siç pretendonin në fillim disa anëtarë. Kështu falë bindjes së Ibrahim Themos në këtë organizatë mund të pranoheshin të gjithë ata nënshtetas osmanlinj që ishin të besueshëm dhe ishin në gjendje të mirë ekonomike, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale e konfesionale.

Kjo organizatë u përhap jo vetëm në Perandorinë Osmane, por edhe në Buhara, Kaukaz, Neapol, Kajro, Tunizi, Algjer, Marok, Beograd si dhe në disa qendra evropiane, si: në Paris, Gjenevë, Londër, Bruksel e Folkeston.

Pas një aktiviteti shumë intensiv në vitin 1889 Ibrahimi vjen në Strugë për të kaluar pushimet verore dhe për t’u parë me prindërit dhe miqtë. Po në këtë verë për aktivitetin e tij Ibrahim Themo burgoset dhe përmes të Shkupit dhe Selanikut dërgohet në burgun e Stambollit. Megjithatë në mungesë të provave dhe pas shumë kërkesave ai lirohet nga aktakuza.

Më 1893 me sukses i kryen studimet dhe para komisionit e mbron temën e diplomës “Kudiz hastaligi daulkelb” (Sëmundja e tërbimit).

Veprimtaria e tij udhëhiqej në dy drejtime: në organizimin e degëve të organizatës, dhe në profesionin e tij të mjekësisë. Ai punonte në spitalin e dëgjuar “Hajdarpasha”. SI studiues i pjekur, ai i shkroi veprat “Mjeku i shtëpisë dhe “Ushqimi për jetë të gjatë. Më vonë po në këtë spital me renome emërohet mjek i syve.

Në këtë kohë në disa qytete të Perandorisë kishte ra një dergjë e madhe, një kolerë, nga e cila vdisnin qindra e qindra njerëz. Ibrahim Themo i mbushur plot mllef se shumë pak po punohej për njerëzit e thjeshtë nga çdo aspekt, shkruan një poezi me titull “Termeku i madh”, të cilën Dr. Hasan Kaleshi e cilëson “poezi rasti”, ku ai e krahason kolerën me regjimin absolut të Sulltanin. Edhe për këtë poezi ai përsëri prangohet.

Ibrahim Themo edhe disa herë ndërrohet nga puna e disa herë burgoset për aktivitetin e tij politik. Meqë ishte njeri i kontakteve, ai bie në shoqëri me disa studentë vllahë dhe ilegalisht kalon në Rumani, për t’i ikur kështu burgut dhe për të ndërmjetësuar ndërmjet rumunëve dhe grekeve për ta ndarë shkollën dhe kishën.

Edhe këtu Themos iu dha mundësia që të ushtronte profesionin e mjekut. Pastaj ai transferohet në një vendbanim nja 30 kilometra prej Konstancës e më vonë edhe në Dobruxhë, ku ishin të vendosur shumë shqiptarë dhe turq. Por, ai nuk u ndal as këtu me aktivitetin e tij. Madje me të madhe e ushtronte aktivitetin e tij politik edhe në Rumani. Udhëtonte nëpër shumë qytete të Ballkanit e të Evropës për të shpjeguar idenë dhe për të themeluar komitete të xhonturqve. Ai kudo fliste për gjendjen e mjeruar, dërgonte letra, traktate, manifeste dhe shpeshherë i drejtohej edhe selisë së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, ku ankohej për gjendjen e rendë të popullit, pa marrë parasysh nacionalitetin dhe besimin e tyre fetar. Shkruante shpesh në shtypin e kohës, sidomos në gazetën e Dervish Himës me titull “L’independence albanaise”. Themo bashkëpunonte me bashkëvendësin e tij, Dervish Himën, i cili ishte përfaqësues i krahinës së Danubit me Jashar Erabarën si përfaqësues të osmanlinjve në Bukuresht me Behxhet Hoxhën nga Dibra e me shumë të tjerë. Ibrahim Themo mbetet jo si një organizator i Itihatitit ve Teraki, por edhe zëdhënës i saj.

Pas mbarit të të ashtuquajturës Kiza lindore, Perandoria dhe fuqitë e mëdha evropiane u ndeshën me një problem shumë të komplikuar – me “Çështjen e Maqedonisë”. Pikërisht në kohën kur propagandat luftarake të shteteve ballkanike, si Bullgaria, Serbia dhe Greqia vepronim me të madhe për të dezinformuar opinionin evropian dhe për të ngjallë apetitet shoviniste të këtyre shteteve ndaj territorit të Maqedonisë. Shtete shoviniste ballkanike pos propagandës ushtruan edhe forcë duke hedhur çeta të armatosura si pretekst se gjoja ato i mbrojnë vëllezërit e gjakut. Edhe Serbia, edhe Bullgaria edhe Greqia thirreshin në “kohërat e mira”.    Greqia me propagandën e saj, duke u mbështetur në aspektin historik e gjeografik, deklaronte se Maqedonia është “tokë greke”, ndërsa “banorët e saj me besim të krishterë janë pasardhësit e Filipit dhe të Perandorisë Bizantine. Bullgaria të ardhmen e shikonte ma Maqedoninë, pa të cilën shteti Bullgar as që mund të formohej. Nga ana tjetër Serbia propagandonte për një “bashkim të tërë serbëve”duke filluar nga Bosnja e deri në Selanik e Durrës, duke thënë se “Nëse Bosnja nuk mundet të vij te ne, ne atëherë ne do të shkojnë atje” dhe të drejtohemi kah jugu, me çka mendohej në okupimet e territoreve të Maqedonisë dhe Shqipërisë për të dalë kështu në det. Kjo shihet në këtë deklaratë të Nikolla Pashiqit: “Kjo në jug duhet të bashkëngjitet dhe asnjëherë të mos ndahet, për arsye se den baba den dihet se kush e ka pasur Maqedoninë”.

Edhe fuqitë e mëdha ishin të interesuara për Maqedoninë edhe për “Çështjen e Maqedonisë” pikërisht për shkak të Luginës së Moravës dhe daljes në Selanik dhe Detin Egje, që kështu të afrohen sa më afër Stambollit.

Propagandat dhe hedhja e çetave nga shtetet e Ballkanit mbi popullatën që jetonte në territorin e Maqedonisë sollën shumë të papritura dhe shumë vuajtje. Por moskuptime u paraqitën edhe nga shtetet e lartpërmendur, ndonëse shtetet e mëdha të Evropës varësisht nga simpatia bënë privilegje ndaj shteteve duke mohuar njërin ose tjetrin nacionalitet.

Kështu më 15 shkurt të vitit 1903 në Paris Ibrahim Themo merr pjesë si i deleguar shqiptar në konferencën e dedikuar “Çështjes së Maqedonisë”. Kjo konferencë u mbajt në Teatrin Chateau d’ Esu (Shato Doy) në Paris. Pasi folën shumë pjesëmarrës e merr pjesë edhe  një francez me emrin Pressense (Presenëse). Ky orator dëshironte ta shpjegojë çështjen e Maqedonisë ashtu si dëshironin të tjerët, pa e njohur mirë as Turqinë Evropiane e as nacionalitetet që jetonin në territorin e Maqedonisë, por duke u mbështetur vetëm në statistika arbitrare.

Pasi e dëgjoi me kujdes zotin Presenëse, i cili me oratorinë e vet e filloi ta mashtronte opinion evropian duke mohuar së pari vllahët, Ibrahim Themo e mori fjalën dhe tha :”Se arumunët nuk kanë vetëdije kombëtare se ato janë helenofil, këto nuk kanë të bëjnë me realitetin”. Ibrahim Themo iu kundërvu atij duke thënë se “Elenet e historisë as që ekzistojnë. Kurse vllahët, përkundrazi ata e afirmojnë nacionalitetin e vet nga dita në ditë, duke krijuar katundet e veta e duke themeluar shkolla të reja ku mësojnë gjuhën e tyre”. Pastaj Themo vazhdon se “Ata (vllahët) punojnë aktualisht për shkëputjen e kishës së tyre nga varësia e Patrikanës ekumenike”. “Ju zotëri po thoni se ky popull është i parëndësishëm dhe lansoni gjënjeshtra se bashkë me popujt të tjerë u jepni epitetin e renegatëve”, u shpreh ai Më pastaj Ibrahim Themo me një zë të lartë e të qartë u me një frëngjishte të përsosur u ndal rreth shqiptarëve duke thëne se Shqiptarët formojnë mazhoritetin e popullsisë totale në Maqedoni.

Në vazhdim do ta jap tekstin e plotë të Ibrahim Themos, ashtu si e ka përkthyer miku im Baki Ymeri në shqip prej gjuhës frënge.

...”Nëse ata bëjnë nga ndonjëherë ekskursione kundër fqinjëve si pasojë e hakmarrjes dhe të mungesës së shkollave, siç ballafaqohemi gjithmonë me gjëra të ngjashme në anë (vende) të shumta të Evropës, për shembull në Sicili dhe në Korzikë, kjo nuk ndodh për tiranizimin e të krishterëve ku shpeshherë në bandat e tyre gjenin edhe shqiptar katolikë dhe ata nuk sulmojnë asnjëherë gratë, fëmijët, nderin, përkundër të disertacioneve të propagandave që trumbetojnë për të mashtruar Evropën. Krejt bota e shkolluar e dinë se shqiptarët janë një komb kalorësiak, që konservon kostumet nacionale dhe moralitetin e vet të lashtë.

Unë kam qenë mjaft i habitur nga fjalët e Zt. Presenësenit, duke thënë se gjoja Aleksadrët dhe Filipët janë grek dhe se kalojnë heshtje prejardhjen e tyre pellazgjike, si dhe tonën. Më në fund, shqiptarët siç ka theksuar Zt. Leralle, janë një komb i përbërë prej fiseve të shumta katolike, muhamedane, ortodokse, që ruajnë traditat dhe veshjet e tyre kombëtare. Dhe njëherë ata nuk janë renegatë që i përkulen forcës. Kjo konfirmohet me faktin se gjenden në të njëjtën familje edhe të krishterë edhe myslimanë të cilët e thirrin njërin-tjetrin, motra ime, vëllai im, kushërira ime etj.

Sot, këta janë priftërinjtë, hoxhallarët dhe shkollat e themeluara për të mbjellë urrejtjen dhe përçarjen kundër pjellës së të njëjtë racë, por prej sekteve të ndryshme. Sipas qeverisjeve, këta janë gjëra që i thellojnë antagonizmat ndërmjet popullsive që jeta në një shtet, disi ende primitiv. U takon njerëzve eminentë si Zt Presessait të hulumtojë burimet e vërteta të çrregullimit dhe të tiranisë. Ai nuk ka nxjerrë asnjë fjalë për pansllavizmin i cili është një ndër çështjet më të rëndësishme pas tiranisë qeveritare aktuale.

Kjo çështje maqedonase që do të kallë atdheun tonë, mund të jetë vetë Evropa e cila mbjell aq shumë urrejtje ndërmjet popujve dhe e cila, jo vetëm që duhej ta shkurtojë dorën tiranike të qeverisë osmane, por duhej njëkohësisht t’i presë edhe gishtërinjtë e pansllavizmit. Në qoftë se ndërpritej njëri, mbetej tjetri, i cili bëhej më i fortë se i pari dhe nuk mbeti kështu, një çast qetësie në Evropë.

Dinjiteti i Evropës mbi të gjitha, është shtypi francez, i cili e ka për borxh të merret me të vërtetën, do me thënë me çështjen e Turqisë evropiane dhe jo me çështjen maqedonase ( të imagjinuar- sipas rezultateve të fjalimit të Zt. Pressense-Maqedonia nuk ekziston. Nuk është e vërtetë se fakti se revolucionarët bullgarë gjenden në terr e tirani, përkundrazi. Në qoftë se qenësorja është t’i shërbesë njerëzores, nuk duhet dëgjua francezët që punojnë për zbutjen e një Maqedonie të ashtuquajtur Maqedoni, duke i lënë Shqiptarët të banojnë njërën nga pjesët më të bukura të Evropës dhe fishkëllojnë ç’prej moti rrugën e turqve mbi një urë pushtuese të Evropës nga ana e Italisë.

Po i prezantoj publikut të interesuar, në emër të së vërtetës, numrin e popullsisë së Turqisë Evropiane (vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Selanikut, Manastirit, Janinës, Adrianopojës) me përjashtim të rrethit të Konstatinopojës:

 

Shqiptarë (të krishterë dhe myslimanë)...................2.600.000

Osmanlinj (Turq)....................................................0.900.000

Sllavë (serb e bullgarë)............................................0.800.000

Grekë.........................................................................0.550.000

Arumun (Vlleh).......................................................0.520.000

Çifutë.........................................................................0.095.000

Ciganë........................................................................0.020.000

                                                                                    ____________

                                                                                     5.485.000

 

Dhe, tani duhet pritur autonomitë që mund të jepen dhe pa marrë parasysh shumicën dhe nevojat lokale, masakrat fantastike që i vërshojnë për çdo ditë shtypin evropian. Megjithatë pa marrë parasysh këtë, ne shqiptarët i mbetemi besnik drejtësisë së Evropës, ne nuk e presim këtë nga librat dhe francezët fisnikë, por përkundrazi, ne presim përkrahjen me drejtësi dhe barabarësi”.

 

Ibrahim Themo me formimin e lëvizjes së turqve të rinj që në fillim pa se punët nuk do të shkojnë mirë dhe ashtu siç ai e kishte hartuar në programin e Shoqatës. Në vitin 1902 e lëshon punën si mjek dhe merr rrugën për në Evropën Perëndimore. Atje ai u takua me shumë miq e politikanë të ndryshëm me të vetmin qëllim që t’i koordinojë punët e komiteteve. Në të njëjtën kohë ai specializon sëmundjen e syve në Paris.

Revolucioni i xhonturqve Themon e gjeti në Kostancë. Ai para shtëpisë së tij ku banonte e mbajti një fjalim të zjarrtë dhe ishte më se i bindur sa tani “absolutizmit të Sulltanit iu thyen brinjët”. Por nuk ishte kështu pas pak kohe Themo shkon në Selanik për ta vizituar klubin qendror të Xhonturqve, ku aty u takua me Qamil Pashën. Qamil Pasha i tha troç Themos se: “Kjo organizatë nuk është e njëjta me atë që ju e krijuat dhe në emrin e së cilës ju keni bërë agjitacion jashtë shtetit; në të vërtetë kjo organizatë është rezultat i Manastirit dhe i Selanikut”. I dëshpëruar nga kjo që e dëgjoi ai kthehet në Strugë. Në këtë kohë Perandoria përgatiste votimet parlamentare. Populli i Strugës këtë bashkëqytetarë e kishte nominuar për deputet në Parlamentin Turk, mirëpo klubi i Xhemijetit nuk ia kishte pranuar kandidaturën. Sipas Manol Pandevskit, shkaku ka qenë se ky gjoja ka qenë deputet në Parlamentin Turk.

Pas pak kohe largohet nga Struga dhe shkon në Rumani. Por, më vonë përsëri shkon në Stamboll dhe punësohet si “Inspektor i shëndetësisë” në prefekturën e Paros (Bajagllu).

Aktivitetin e vet politik nuk e lë edhe pse ishte i zhgënjyer, nga që ia kishte kushtuar tërë jetën këtij ideali. Ai dha kontributin e tij deri në shpalljen e pavarësisë e më pas. Por, malli për vendlindje atij nuk iu shua kurrë. Ai në kujtimet e veta shprehet kështu: “Struga e jeme e bukur”.

Ibrahim Themo mbetet një ndër figurat me vlerë kombëtare në historinë e popullit tonë dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, sepse ai ishte vet i tillë. Themo sakrifikonte jetën për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare dhe ai sot për mbarë popullin shqiptar, e sidomos për Strugën, është një rrënjë e saj në tokë.

 

 



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora