Speciale » Mustafa
Avzi Mustafa: Ndihmesë e madhe arsimit shqip në Maqedoni
E shtune, 01.05.2010, 09:59 PM
NDIHMESË E MADHE ARSIMIT SHQIP NË MAQEDONI
Nga Prof. Dr Avzi Mustafa
E ndie veten të obliguar që të them ca mendime për revistën pedagogjike-arsimore “Mësuesi” si organ periodik i parë në Maqedoni në këtë fushë. Me iniciativën e forumit intelektual “Argumenti” sot kemi në dorë të parën revistë që do të trajtojë probleme të teorisë e të praktikës së pedagogjisë, probleme të edukimit e të mësuarit, të psikologjisë, të udhëheqjes, të historikut të shkollave dhe të mendimit pedagogjik, si dhe tema të ndryshme për zgjerimin e horizontit të mësuesit. Ashtu siç na njoftojnë iniciatorët e saj, në këtë botim nuk do të mungojnë as artikujt me vlerë praktike nga arsimtarët e pedagogët e shkollave, si dhe artikujt e profesionistëve të tjerë të shkollave.
Kjo nismë e mbarë, që kam shpresën se jo që do të mbijetojë, por kam shpresë se do të tubojë rreth vetes një numër të konsideruar dashamirësh të fjalës së shkruar arsimore në gjuhën shqipe, qysh në hapin e parë shpreh seriozitet dhe entuziazëm që besoj se në të ardhmen edhe më do të pasurohet dhe ushqehet për të qenë një strumbullar i vërtetë i shkollës shqipe. Prandaj më mban shpresa se kjo revistë pedagogjike-arsimore do të arrijë shumë shpejt të bëhet kronikë e vërtetë e jetës sonë shpirtërore.
Lexuesit tanë, sidomos punëtorët e arsimit, viteve të fundit e kanë ndjerë një mungesë tejet të madhe për një periodik të këtillë. Jo që s'ka pasur iniciativa, por kushtet materiale e financiare, që shqiptarët nuk i gëzojnë si të tjerët, u desh që me vetiniciativë dhe falë vullnetit dhe përpjekjeve të një grupi të vogël entuziastësh, si: Xhelal Ramadani, Vehbi Rustemi, Hazbi Topojani, Hisen Zekiri, Osman Zendeli, Mujafet Osmani, që pa hamendje, por me besim në vetvete dhe te fjala e bukur shqipe, të nxjerrin një revistë të këtillë, ku fjala e shkruar shqipe mbi edukatën dhe arsimin do të dëgjohet jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë.
Sot këtu nuk e kam ndërmend të hyj e të bëj vlerësimin e punimeve te këtij numri të parë, se megjithatë duhet të kalojë një kohë më e gjatë dhe të krijohet një traditë, për të dhënë një vlerësim të tillë, por nga vet përmbajtja mund të vërehet se aty ka përpjekje për të vënë në spikamë një gamë problemesh që sot rëndojnë mbi supet e mësueseve, nxënëseve dhe prindërve.
Siç shihet nga ky numër, në faqet e kësaj magazine pedagogjike- arsimore një vend i veçantë do t'i kushtohet edhe botës prindërore, sepse prindërit shqiptarë kanë nevojë të madhe për t'u informuar mbi shumë çështje që kanë të bëjnë me shkollimin e fëmijëve të tyre, duke filluar me informacionet mbi sistemin shkollor, mbi reformat që ndërmerren, e deri te temat mbi vështirësitë konkrete që i mundojnë ato.
Qysh në këtë numër vërehet se në të në veçanti do të zënë vend punimet e ndryshme shkencore nga fusha e mësimdhënies, si nga ekspertë shqiptarë, ashtu edhe të huaj. Aty sigurisht do të gjejnë vend edhe punimet nga praktika mësimore, si dhe do të bëhen shkëmbime të përvojave të ndryshme nga vendi dhe jashtë.
Në këtë revistë ma merr mendja se do të përfshihen edhe shumë personalitete të arsimit nga e kaluara, por edhe e tanishmja. Me prezantimin e tyre nëpërmjet gjurmimeve arkivore, intervistave ose kujtimeve që mund të titulloheshin “Ata rrojnë në zemrat tona”, sigurisht do të gjenin vend edhe shumë arsimtarë, edukatorë e veteranë të arsimit shqip. Njerëzit vdesin, ngjarjet harrohen, objektet sado që të jenë të mëdha, shkatërrohen nga dhëmbi kohës, por mbetet vetëm fjala e shkruar si dëshmi e kontributit dhe përpjekjeve të njeriut për kryerjen e misionit të tij.
Duke pasur në dorë numrin e parë të kësaj reviste me titullin “Mësuesi” nuk është me rëndësi se çfarë do të jetë kontributi i numrit të parë, por me rëndësi është vetëm fillimi, ndërsa fillimi asnjëherë nuk është i lehtë. Kjo është një nismë e mbarë, që do të thotë se MESUESI është i hapur, se ai u takon të gjithë atyre që dëshirojnë të bashkëpunojnë me të. Te MESUESI ka vend për të gjithë dhe aty secili mund ta japë kontributin e vet. Se vetëm kështu në numrat tjerë me siguri do të ketë edhe më tepër përmirësim dhe përparim, sepse duke kontribuar, ne dëshmojmë arsyeshmërinë e kësaj nisme të drejtë e të mbarë për t'i kontribuar jo vetëm arsimit, por edhe shkencës në përgjithësi.
Prandaj me këtë rast shfrytëzoj edhe unë rastin t'u bëj apel të gjithë atyre që kanë mundësi të japin kontributin e tyre, të shkruajnë në revistën që mbanë emrin MESUESI, që ajo të bëhet me të vërtetë tribunë e fjalës së shkruar të shkencës, kulturës e arsimit.
Në këtë moment më kujtohet një fjalë e urtë shqipe që thotë se "dita e mirë shihet në mëngjes". Ky, sipas meje, është një mëngjes i mirë për mbarë shkollën shqipe në Maqedoni. Prandaj MIRËMËNGJESI ju qoftë atyre që e bënë këtë revistë!