Speciale » Mustafa
Avzi Mustafa: Letërkëmbime të pabotuara të Josif Bagerit
E diele, 09.08.2009, 06:24 PM
LETËRKËMBIME TË
PABOTUARA TË JOSIF BAGERIT
Në Arkivin Shtetëror të R. Maqedonisë u
gjetën disa letërkëmbime të rilindësit
shqiptar nga Reka e Epërme, Josif
Bagerit mbajnë nr. 1493.5.3/4-7
“Ju Zotëri mos
brengoseni për ata që janë të shëndosh si thëna, por brengosuni për ata që ua
grabisin jetët e njerëzve të cilët unë dua t’i arsimoj dhe t’i vetëdijesoj me
ndihmën e Zotit.”
Shkruan Dr. Avzi Mustafa
Historia e popullit shqiptar është e
mbushur plot e përplot me veprimtari vetëmohuese për liri, bashkim dhe progres
të gjithanshëm shoqëror. Me vendosjen e kushtetutës turke të vitit 1908 për shqiptarët fillon një
periudhë e re për çlirim kombëtar. Kjo periudhë karakterizohet me hapjen e
shkollave në gjuhën amtare, me përdorimin e gjuhës amtare nëpër shkolla e
institucione të ndryshme, si dhe me përdorimin e një alfabeti të përbashkët të
shqiptarëve. Patriotët shqiptarë qëmoti e kishin kuptuar se pa enmacipim
politik nuk ka as emancipim kulturor. Andaj kjo periudhë është e mbushur me plot
ngjarje politike e arsimore
Josif
Bageri si një rilindës i shquar i kësaj ane ishte futur shumë herët në shtigjet
e luftës për liri, demokraci dhe arsim. Ky patriot e kishte kuptuar po ashtu se
shkolla është një prej burimeve kryesore për të jetuar një komb. Si një
aktivist i shquar duke përfituar nga mundësitë që i kishte krijuar nga
kushtetuta e ashtuquajtur e xhonturqve i drejtoi fuqitë e veta në
zhvillimin e arsimit, në hapjen e shkollave
në gjuhën amtare, në përdorimin e një
alfabeti dhe në përdorimin e gjuhës shqipe në shkolle. Josif Bageri u shqua si
një demokrat i vërtetë midis shumë aktivistëve të Rilindjes ku dha një
kontribut të çmuar në fushën e arsimit dhe kulturës.
Josif Bageri,
ky veprimtar i shquar, tregoi një veprimtari të gjallë për të vënë në jetë
qëllimet e klubeve shqiptare që ishin ngritur kudo nëpër qytete të ndryshme që
ishin bërë qendra vatre për të hapur shkolla popullore në qytete e në katunde.
Menjëherë
pas ngritjes së Klubit të Selanikut, Josifi e kishte vizituar atë dhe më pastaj
kalon në Shkup. Në Shkup Josifi takohet me patriotët shqiptarë, si dhe me
parinë e Shkupit: me Efendi Ibrahimin,
me Rrok Berishën dhe me Emin bej Kumbarën etj. Nga takimet ai u mahnit, sepse
këtu gjeti një pritje shumë të ngrohtë e patriotë të zjarrtë dhe përmes tyre u
njoftua me idetë rreth formimit të Klubit të Shkupit. Ai me këtë rast e shkroi
edhe vjershën me titull “Shqyptarët e
Shkupit” që e mban datën 25.10.1908 ku ai shkruan: “Shum i lumtur je, o Shkup / Se bjit e tu, ktu sivjet:/ Kan fillue me
çel klub../ Në atni n’vendin e vet.”.
Gjithashtu ai në Shkup u njoftua për së afërmi
me punën e Kongresit të Manastirit dhe në gazetën “Uria” nr. 18 të datës 29.XI.1908
që dilte Selanik e botoi një vejrshë për Kongresin e Manastirit. Vetëm pas pak
ditë pasi kishte mbaruar kuvendi i Kongresit të ABE-së, ai i dha përkrahje
jashtëzakonisht të madhe njësimit të alfabetit shqip dhe me këtë rast u shpreh
kështu: “Shkronja për me zgjedh, se shum’ na duhen / Se kombi dhe gjuha: besa
me kta ruhen !../”
Nga letra kuptojmë se Josifi ishte
nisur për të shkuar në Dibër për të hapur një shkollë dhe atje të punojë si
mësues i gjuhës shqipe. Gjithashtu nga dokumenti apo letra që ia ka dërguar Lumturushmit
të priftërisë Zotëri Zotëri Kozmos e njofton se si një mik i tij quajtur Iliev
i ka propozuar të hapë një shkollë në vendlindje në Nistrovë me një rrogë prej
18 lirash. “Duke menduar se nga Klubi i
Selanikut do të shpërblehem me 20 lira në vit, pranova të rri në vendlindje dhe
të shkruaj në shtypin e kohës për ta dhënë kontributin tim në forcimin e vëllazërimit të dy popujve: shqiptar dhe
bullgar (maqedonas), për arsye se armiku është i përbashkët, por gjendja
materiale ishte ajo që më diktoi që unë bashkë me fëmijët në këmbë të kthehem
në Shkup. Pas dy muajve vuajtjeje, Klubi i Shkupit më caktoi mësues të gjuhës
shqipe duke më paguar 5 napolona në muaj, andaj unë e pranova dhe tani e dy
muaj po punoj.”, shkruante ai.
Nga letra po ashtu kuptojmë se shkolla
mund të mbyllet në gjysmëvjetor, ngase “kjo punë është e përkohshme” thotë ai. Kam
ca premtime që të punoj në një shkollë turke si mësues i gjuhës shqipe, por – unë
– shton Bageri – kam dëshirë të punoj në vendlindjen time, sepse aty ka nevojë të madhe për mua, e jo
atje ku ka profesor... Më tutje ai thekson se
veprimtarinë duhet ta kryejë edhe sepse atje nuk ka popuj të tjerë,
përveç shqiptarëve dhe bullgarëve (maqedonasve) që ata të jenë të vëllazëruar
dhe të bashkuar, posaçërisht u drejtohet shqiptarëve të krishterë të cilët nuk
kishin kishë autoqefale dhe duhej të jenë në djepin e Egzarhisë së juaj të
cilët do të mund t’i mbronin. “Prandaj i Lumturushëm
Ju lus me dëshirën më të madhe që ta keni parasysh këtë pyetje dhe të më
siguroni 36 lira në vit nga shteti si mbështetje dhe atëherë do t’na shohë Zoti
dhe do të na e bekojë punën tonë”.
Shpirti i tij i trazuar nuk e la të
qetë pa ia përmendur Zotëri Zotëri Kozmos që “ta lërë të lirë dhe t’ia japë bekimin që të rrëfejë shqiptarizëm dhe t’i
mësojë shqiptarët në gjuhën shqipe në shkolla dhe në kishë të rrëfej në gjuhën
shqipe”.
Në kohën kur Josifi iu drejtua
Mitropolisë se Dibrës, ai ndodhej në një krizë shumë të madhe materiale. Këtë e
shohin se ai nuk ka asnjë qindarkë për të udhëtuar deri në vendlindje. Në letër
ai kështu i shkruan të Lumturushmit: “Nëse
më siguroni 36 lira në vit rrogë dhe nëse është e mundur prej shatorit të vitit
1908 më lëshoni avancë 10 lira që sa më shpejt të shkojë në Nistrovë (në fshatin
e lindjes) në shtëpinë e vëllait prift
Todor që ka një dëshirë shumë të madhe që unë te jem atje bashkë me të”.
Josif Bageri në letrën e protokolluar
me nr. 326 me 19 janar të vitit 1909 mitropoliti i Dibrës Zotëri Zotëri Kozma e
njofton Josif Bagerin me keqardhje se nuk mund ta ndihmojë në misioni e tij.
Josifi i mllefosur nga kjo përgjigje që
mori, më datë 10.02.1909 kështu i përgjigjet mitropolitit të Dibrës: “I Lumturushëm ... pse po brengoseni kaq
shumë, qoftë bekuar Zoti, unë janë shëndosh si thënë! Juve ju vjen keq pse unë
po kërkoj punë apo pse unë kam shprehur që të rrëfej në gjuhën amtare shqipe?
Unë nga Ju nuk kërkoj ndihmë nga
mitropolia, por zotëri Ilievi i juaj, administrator, më habiti për shërbimin prej 18 lirash rrogë në vjet, ngase
kishin thënë se nëpërmjet vllahut Todor do
të më jepni 30 lira në vit dhe se Ju i keni thënë se mund të kem liri edhe për
gjithçka... Unë i besova, por duke iu falënderuar logjikës sime për të mos u
ngutur, se përndryshe unë do të pësoja”. Mandej Josifi i thotë zotërisë: “Ju Zotëri mos brengoseni për ata që janë të
shëndosh si thëna, por brengosuni për ata që ua grabisin jetët e njerëzve të
cilët unë dua t’i arsimoj dhe t’i vetëdijesoj me ndihmën e Zotit.” Në fund
në p.s. Josifi i kërkon falje kryesuesit të mitropolisë pse letrën nuk e ka
futur në zarf dhe shpjegon se këtë e bën për arsye ekonomike
Çështja e
arsimit, çlirimit të atdheut dhe e përdorimit të gjuhës shqipe ishin bisedat
kryesore dhe preokupimi i vazhdueshëm i Josif Bagerit edhe në letërkëmbimet e
shqyrtimet e tjera. Gjithë kjo dëshmon se kemi të bëjmë me një personalitet
poliedrik dhe rilindës që shkriu gjithë ç’pati në jetë për iluminizmin e këtij
populli.
p.s.
Dokumenti është një korrespondencë që i
drejtohet të Lumturushmit Mitropolitit të Dibrës Zotëri Zotëri Kozmës, pas një
letre të marrë nga një bashkëfshatar i quajtur Todor, i cili i e ka njoftuar
për interesimin e Zotëri Zotëri Kozmos, dërguar më 3 janar 19009.