Speciale » Mustafa
Avzi Mustafa: Në kujtim të mësuesit Syreja Imami
E premte, 11.11.2011, 10:04 PM
Një javë pa Mësuesin
NË KUJTIM TË MËSUESIT SYREJA IMAMI
Shkuan: Avzi Mustafa
Të shkruash për mësuesin Syreja, megjithëse është kënaqësi, kjo nuk është edhe një punë e lehtë, pasi bëhet fjalë për njërin nga ai brez mësuesish që punuan plot përkushtim e sakrificë edhe në periudhat më të vështira nëpër të cilat kaluan shqiptarët e Maqedonisë.
Duke e njohur shpirtin e tij, të një bujari të pamatshëm, të këtij personaliteti dhe simbolit të një mësuesi të thjeshtë dhe të madh njëkohësisht, jo vetëm ne nxënësit e shkollave fillore dhe për ne normalistët, por të gjithë shqiptarët, institucionet dhe organizmat duhet ta vlerësojnë, të shprehin mirënjohje dhe respekt duke i thënë një të madhe “Faleminderit për kontributin, mundin dhe djersën që dhatë për arsimin shqip. Ju faleminderit, Mësues i Madh, që na mësuat të jemi mbi të gjitha njerëz”.
Syreja Imami ishte një intelektual i veçantë, sepse ai në kokë ruante dokumentet më origjinale të së kaluarës jo vetëm për nxënësit e kolegët e tij, por edhe për situatat e ndryshme të kohës. Si nxënës i shkollës Normale në Shkup kam pasur fatin që personalisht ta ndjej kujdesin dhe ngrohtësinë atërore të tij. Madje, me plot gojë mund të them se ai ka qenë faktori kryesor në mirërritjen dhe shkollimin tim, qysh nga strehimi në konvikt e deri në ditët e fundit të jetës së tij. Në shkollën Normale të Shkupit, ku i ndjeri Syreja ishte edukator dhe profesor i muzikës, vinin nxënës nga gjitha vendet e Maqedonisë. Në orët e tij të gjithë pa përjashtim, pra edhe ata që kishin talent si edhe ata që nuk kishin fare talent për muzikë, detyroheshin t’i mësojmë notat e muzikës e t’i binim mandolinës, ngase ai e konsideronte atë instrument të domosdoshëm për një mësues. Natyrisht ai gjërat i shikonte larg. Ai thoshte se një mësues i vërtetë jo vetëm në klasë ose në shkollë, por edhe në fshatrat ku do të punojë e veprojë do të duhet të jetë në gjende të krijojë një ambient të hareshëm e të kulturuar, që përmes kësaj të lumturohet populli.
Mbresat dhe kujtimet e mia për zotin Syreja edhe sot janë të gjalla, të paharruara dhe të tilla do të mbeten përgjithmonë. Emrin e tij e kisha dëgjuar qëmoti, por kontaktet e para i patëm në konviktin e shkollës. Ishte hera e parë që ne bënim një jetë kolektive dhe sigurisht na u desh të mësonim shumë gjëra, duke filluar që nga marrëdhëniet me njëri-tjetrin, ku ai kishte një përvojë të madhe, sepse ashtu ishte i edukuar gjatë jetës së tij.
Duke qenë në Normale, si nxënës të familjeve të varfra, që nuk mund t’i përballonim dot pagesat, shpesh na ndodhet të na përjashtonin ose të mos na i jepnin vaktet derisa nuk e paguanim konviktin. Prandaj jo vetëm unë, por të gjithë nxënësit, e prisnim profesorin Syreja që ta na japë vaktin. Bile, ka ndodhur në shumë raste që ai të na e paguante muajin dhe kurrë nuk i merrte të hollat prej nesh. Jo vetëm kaq, por kur sëmureshim, ai na merrte dhe na dërgonte edhe në mjek dhe na i blinte barnat. Kujdesej për ne më shumë e mirë se vetë prindërit tanë. Ajo që neve na bënte shumë përshtypje ishte dashuria dhe respekti që ushqenin për të njerëzit e thjeshtë të qytetit Shkupit. Ne, ish-nxënësit e tij, e quanim “Xhek”, sepse në zhargonin tonë rinor asgjë më shumë se kjo fjalë nuk e përshkruante atë. Ai vërtet ishte dhe mbeti “xhek”. Kjo ndodhte mbase për arsye se ai nuk kishte asnjë paragjykim në trajtimin e nxënësve dhe të njerëzve në përgjithësi. Për të ishin të huaja konceptet lokaliste, fetare ose kombëtare. Ai mbi të gjitha e çmonte njeriun.
Zoti Syreja kurrë nuk i harronte ish-nxënësit, me të gjithë kishte miqësi, të gjithë e respektonin, ndërsa ai çdoherë i këshillonte të mos mbesin prapa, por gjithnjë të lexojnë e t’i vazhdojnë studimet, duke e pasuruar kulturën e tyre.
Mbaj mend se u gëzua shumë kur u magjistrova në shkencat pedagogjike, kur u martova, kur doktorova e sa herë që botoja ndonjë artikull ose libër ai vinte në punë, qeraste për mua dhe thoshte se “veprat e mësuesve janë nxënësit; ja shikojeni punën time”... dhe fillonte të rrëfente për të gjithë ne.
Unë dhe familja ime do ta mbajnë mend Syreja Imamin gjithmonë si një njeri të qeshur, të afërt dhe shumë të dashur. Fjala e tij e ngrohtë më mbushte me besim dhe shpresë kur ndodhesha në vështirësi . Në familjen e mësuesit tim gjithmonë kam qenë një pjesëtar i përhershëm i saj. Ai dhe zonja Mejreme nuk na ka ndarë kurrë nga vëllezërit dhe djemtë e tyre.
Sot kur ai nuk është më me ne, përsëri emri Syreja Imami si mësues, mbetet i njohur për tërë mësuesinë shqiptare. Atë e bëri të njohur puna e tij. Në profesionin e bukur të mësuesisë, Syreja Imami e ngriti lart nivelin e dijes dhe shkallën e nderit. Nga një mësues i thjeshtë, nga një edukator i fëmijëve, i atyre që i bëri të nxënë dije e kulturë, u ngjit në nivelin e lartë të Tempullit të Mësuesisë
Mësuesi im, Syreja, fëmijëve, mbesave dhe nipave të tij nuk u la ndonjë pasuri materiale, por u la një pasuri mbi pasuritë: emrin dhe nderin. U la atdhetarizmin, mençurinë dhe dëshirën për dituri, fisnikëri, respekt dhe dashuri për njerëzit. Kohëve të fundit ai çdo të premte ose të diele e kishte bërë traditë të shkonte nëpër spitale dhe t’i vizitonte të sëmurit, të njohur e të panjohur. Më gjeti kështu edhe mua në spital kur kisha një sulm në zemër, por nuk desha t’i tregoj. Ndërsa ai, duke i vizituar të tjerët, më pa të shtrirë në krevat dhe filloi të qajë. Pastaj më qortoi, ndërsa unë nuk me gjithë këto vite moshë rrija para tij si një fëmijë pa përgjigje. Megjithëse nuk desha ta lodh, ai më vinte në vizitë çdo dite dhe gjithnjë pyeste në familjen time për shëndetin tim. Më kujtohet se më tha se “këtë që nuk më ke treguar nuk ta harroj kurrë”.
E tani kur duhet të mësohemi të jetojmë pa këtë mësues e njeri të madh, më shkon në mend se çka e karakterizonte shpirtin e këtij njeriu që mbeti aq i madh në mesin tonë. Në fakt, janë ca njerëz të mëdhenj që kur të tjerët rrinë pranë tyre ndjehen të vegjël. Ata janë njëmend njerëz të mëdhenj. Por, janë ca njerëz të tjerë edhe më të mëdhenj. Pranë tyre ndjehen të mëdhenj të gjithë. I tillë ishte Mësuesi Syreja Imami. Pranë tij të gjithë ishin të mëdhenj, ndërsa ai me gjithë atë madhështi, ishte modest dhe i pahetueshëm.
Prandaj të falemi, o mësues ynë i dashur, i falemi kujtimit, punës e dashamirësisë tënde, o pishtar i ndritur i arsimit shqip në Maqedoni! Paç ndjesë e pusho i qetë në amshim!