| E hene, 10.12.2012, 07:01 PM |
KONTRIBUTI I HASAN PRISHTINËS PËR GJUHË TË ZYRTARIZUAR SHQIPE ME SHKOLLË TË PAVARUR
Në kohën
kur po gatuhej shteti shqiptar masat shtypëse të qeverisë turke, si dhe
veprimet e qeverive grabitqare fqinje, që ishin lëshuar si lakej grabitqarë kundër
interesave shqiptare, nuk kishin të ndalur. Dhe, kjo gjendje ishte një nxitje
që patriotët shqiptarë të merrnin hapat e duhura në drejtim të mbrojtjes së
trojeve shqiptare. Patriotët shqiptar që moti e kishin kuptuar këtë,a ndaj
energjitë e tyre i kishin orientuar duke u udhëhequr nga motoja se pa arsim
kombëtar nuk ka as zgjim kulturor e politik. Ata punuan dhe luftuan për të
ruajtur atë që është më qenësore për popullin shqiptar – gjuhën shqipe dhe
shkollën shqiptare.
Pa marrë
parasysh sakrificat, humbjet, burgosjet, internimet, helmimet e masakrimet, ata
me vetëdije të plotë iu përveshën punës kudo që u jepej rasti: në male e fusha,
në bodrume e qerthuj, në shtëpi e dyqane, pra kudo me të vetmin qëllim – të
mbjellin farën e dijes në gjuhën amtare në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare,
ashtu siç thoshte mjeku nga Struga Dr. Ibrahim Temo: “Se ne mund të shpëtojmë vetëm po të edukohemi në gjuhën tonë”[1].
Motoja e
këtillë, që u përfaqësua nga pjesa më e shëndoshë e popullit shqiptar, ndikoi
edhe në forcimin e ndërgjegjes kombëtare që me plot sukses në fazat e ndryshme
të lëvizjes arsimore dhe kulturore e sidomos të kuptohet dhe demaskohet
politikën e xhonturqve, e cila shpinte në një politikë shkombëtarizuese ndaj
popullit tonë. Dhe, tërë puna e patriotëve shqiptarë nuk shkoi huq, por
përkundrazi kjo ndikuan që në dy kryengritjet e viteve 1910 dhe 1911 kërkesat
kryesore të ishin pikërisht gjuha shqipe dhe shkolla kombëtare. Patriotët e
intelektualët e kohës i dhanë hov lëvizjes për arsim kombëtar veçmas pas
formimit të komiteteve të fshehta, në veçanti pas kushtetutës turke të vitit
1908 kur u organizuan edhe shkollat nën drejtimin e klubeve kombëtare[2].
Gjatë
këtyre viteve një ndër patriotët më të spikatur e tepër të rrallë, që shkroi
faqe të ndritura në historinë e arsimit shqiptar pa dyshim është Hasan
Prishtina. Me guximin e tij patriotik dhe me intelektin e tij të mrekullueshëm
ai nuk nguronte që haptazi të kërkojë pavarësinë e Shqipërisë, të mbrojë
shkronjat latine, të hapë mësonjëtore, të fusë gjuhën shqipe në Gjimnaz e në
Normalen e Shkupit, të dërgojë djem për shkollim, të mbrojë germat shqipe e
Normalen para Parlamentit Turk dhe të demaskojë hapur qeverinë osmane për
pengesat që i bënte arsimit shqip në trojet e Shqipërisë, duke theksuar, siç e
kanë venë në dukje edhe studiuesit e tij, se Thoni...., se u çelën shkolla, po të gjitha janë gënjeshtra, se asnjë
gjë s’është bërë. Ajo që bëtë, është vetëm mbyllët shkollat dhe shtypshkronjat
shqipe..”[3]
.
Kur ishte
fjala për shkollat e huaja Sulltanati udhëhiqte një politikë krejtësisht të
ndryshme, sidomos ndaj shteteve fqinje, ngase ato pranonin subvencione të
mëdha. Shkollat greke, përveç fondeve të llasove, merrnin edhe subvencione të
veçanta nga qeveria greke. Kjo nuk ndodhte edhe me shkollat shqipe, të cilat
ndiqeshin e mbylleshin. Prandaj shkollat klandestine në shumë qytete të
Shqipërisë mbaheshin me ndihmën e klubeve dhe nga patriotët
Megjithatë,
si problem kryesor, që ende nuk kishte gjetur zgjedhje përfundimtare, ishte
abec-ja shqipe. Që t’i jepej fund kaosit të alfabeteve që përdoreshin nga
shqiptarët dhe nga albanologët e huaj, Klubi i Manastirit “Bashkimi” mori
përsipër ta organizojë një kongres kombëtar për këtë çështje. Dhe, në këtë
kongres u vendos përfundimisht edhe çështja e njësimit të alfabetit shqip[4].
Aprovimi
i alfabetit shqip e irritoi Sulltanatin – atëherë filluan me të madhe manovrat
e xhonturqve. Edhe pse Kushtetuta 1908 jepte në fakt një liri që gjuha shqipe
të mësohej, de jure ajo ndalohej,
duke vënë në përdorim disa merimanga e klerikë myslimanë që të fusin huti në
popull. Ata dërguan disa emisarë që ta aktualizonin përdorimin e alfabetit
turko-arab, duke propaganduar se me germa kaurësh nuk shkohet në Qabe.
Xhonturqit nuk e shihnin problemin e alfabetit thjesht si problem grafie, por
si problem politik, pas të cilit fshihej diçka e madhe. Kjo çështje “e madhe”
do të vërehet në acarimin e marrëdhënieve shqiptaro-turke. Ndërsa ky acarim
vihet re edhe nga mendimi i ministrit xhonturk të Punëve të Brendshme të
Perandorisë, i cili deklaronte: “Shqipëri
nuk ka! Ka vetëm provincë turke”[5].
Kësaj
politike djallëzore iu kundërvu patrioti Hasan Prishtina, i cili në dhjetor të
1909 protestoi në Parlamentin Osman në Stamboll kur u kërkua të ndaloheshin
shkronjat shqipe[6].
Por, jo vetëm kaq – Hasan Prishtina si një intelektual i spikatur – aty ku i
jepej mundësia – i shprehte qartë kërkesat e shqiptarëve dhe e mbronte
alfabetin dhe gjuhën shqipe, si dhe trojet tona dhe nuk nguronte që haptazi të
deklarohej për një kryengritje të armatosur të përgjithshme ndaj Perandorisë
Osmane. Ai do t’i deklarojë konsullit britanik në Shkup: “Ne shqiptarët për t’i dhënë
fund mizorisë turke në Shqipëri, si dhe pengesave që po i bënë çështjes së
alfabetit e kulturës sonë kombëtare, kemi zgjedhur si të vetmin mjet shpëtimi
bërjen e një lëvizje të armatosur kundër sundimit turk”.[7]
Për Hasanin si parim pedagogjik kryesor ishte mësimi i gjuhës
amtare. Dhe, këtë parim e realizoi në Normalen e Shkupit, ku filloi të mësohet gjuha
shqipe. Por, jo vetëm kaq – ai kërkonte që 5% të ardhura vjetore të shkojnë në
dobi të arsimit kombëtar në Shqipëri. Gazeta “Dielli”, që botohej në Boston të
Amerikës do të shkruajë kështu: “...dëgjojmë
burra me vleftë si Hasan be Prishtina, i cili të lëçitnjë çiltazi se sot e
tutje pesë për qind nga gjë e tij e përvitshme, si edhe nga muaj që merr e do
të marrë qeverija, do ta përdorjë vetëm për mësimin e gjuhës shqipe”[8] .
Kështu me hapjen e shkollës Normale të Elbasanit në dhjetor të
1909-tës, sipas një dokumenti, kryetari i Klubit “Bashkimi” më 18 kallnor të
vitit 1325 (sipas kalendarit turk), gjegjësisht sipas kalendarit të ri – më 31
janar 1909, patrioti e pishtari i arsimit shqip Hamdi Ohri nga Ohri i drejtohet
Këshillit të Klubit “Bashkimi” në Elbasan “që
me nismën e Hasan Bej, deputet i Prishtinës ju rekomandojmë tre zotni Gillanas
e dy Vuçitërnas, të cilët, për me studjue në shkollën Normale t’Elbasanit, na u
dërguan prej Klubit “Bashkimi” të Manastirit, me lutje qi të përmendurve t’u
tregohet letësiant e duhuna në kryemejen e veprimeve qi lypen, për pranimin e
tyne në atë shkollë”.[9]
Pas pranimit të këtyre nxënësve, Hasani u nis bashkë me to dhe,
kur arriti në Shkup, ai bashkë me nxënësit një natë beri konak në shtëpinë e
Kolë Bojaxhiut, të atit të Nënës Tereze, të cilin Hasani shpesh e vizitonte,
herë vetë e herë me patriotët e tjerë. Për t’i disponuar nxënësit, Kola gjeti
momente që t’i argëtonte fëmijët, duke luajtur pak me instrumentin e muzikës.
Parimi kryesor i Hasan Prishtinës bazohej në një sistem arsimor të
përgjithshëm e të detyruar në gjuhën shqipe. Pra, jo vetëm arsim fillor, por
edhe të mesëm. Ai e quante bazë të çdo përparimi arsimin në gjuhën amtare në
shkolla të pavarura.
Kur u hap Normalja e Elbasanit, në këtë shkollë për një kohë shumë
të shkurtër u bënë mbi 100 nxënës, ndërsa numri i tyre dita-ditës shtohej. Ky
shtim bëhej gati gjatë gjithë vitit, sepse kushtet dhe vështirësitë nga vilajet
shqiptare ishin tepër të këqija. Kështu ndodhi edhe me ardhjen e dy grupeve të
fëmijëve nga vilajeti i Kosovës në muajin shkurt dhe mars të vitit 1910, të
cilat ishin organizuar dhe financuar nga Hasan Prishtina. Ato përfshin gjithsej
35 fëmijë. Për ardhjen e grupit të parë të 16 fëmijëve Hasan Prishtina e kishte
njoftuar me një telegram Shkollën Normale të Elbasanit. Ishte një gëzim i madh
i profesorëve të Normales së Elbasanit, por edhe i tërë qytetarëve të
Elbasanit, që dolën rrugëve dhe i pritën këta “bij të Kosovës” ose, siç e
quanin ata të “Shqipërisë së Sipërme”,[10] duke brohoritur: “Rroftë Hasan Prishtina!, Rroftë për jetë ky
atdhetar i shkëlqyer i Shqipnisë së mjerë!”. Po ashtu edhe ardhja e grupit
të dytë të nxënësve nga Shqipëria Lindore (nga Gjakova, Peja, Vushtrria, Shkupi
e Struga), që ishin gjithsej 19 nxënës, ishte një ngjarje dhe festë e madhe. Me
këtë rast ata i përshëndeti patrioti dhe drejtori i parë i kësaj shkolle, Luigj
Gurakuqi, i cili, siç theksojnë studiuesit, “në
atë ligjëratë të shkurtër edhe një herë spikati ëmbëlsirat e gjuhës shqipe,
bukurinë e të folurit e mendimin e ngjeshur të atdhedashurisë”[11]. Kjo ngjarje nuk ngeli
edhe pa fjalën e Nolit të madh, i cili do të shprehet kështu: “Të ardhurit tuaj na përsëriti gëzimin që
kemi ndëgjumun një muaj më parë, kur erdhën disa shokë tuaj nga ajo Kosovë
kreshnike që ka qenë kurdoherë çerdhe atdhetarësh të mirë e trimash skifterë,
na përsërit atë gëzim që dëgjojmë gjithmonë kur na vijnë nxanës të rinj në këtë
shkollë normale nga viset e ndryshme të atdheut tonë”.[12]
Hasan Prishtina për veprimtarin e tij arsimore pedagogjike na ka
lënë edhe veprën me titull “Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen
shqiptare të vitit
Me programin e tij arsimor Hasan Prishtina bashkohet me idenë e të
gjithë rilindëseve se parimi bazë për të ndërtuar një sistem arsimor me
karakter kombëtar është ngritja e shkollave në gjuhën amtare shqipe. Koncepti
për shkollën dhe arsimin ishin faktor kryesor për të arritur lirinë dhe
vëllazërimin midis njerëzve, sepse për të një popull i cili dëshiron të
trajtohet me të drejta të plota, duhet të jetë i arsimuar.
Duke i njohur mirë marifetllëqet e xhonturqve, në kohën kur ata u
frikësuan nga lëvizja e armatosur e shqiptarëve dhe kur duhej që të gjendej
ndonjë kompromis, Hasan Prishtina nuk ngurroi që me vendosmëri të kërkojë që
gjuha shqipe të bëhet gjuhë zyrtare në Shqipëri, të vendosej përdorimi i
detyruar i gjuhës shqipe në administratë, të bëhet krijimi i një sistemi unik
arsimor, ndërsa përmbajtja e shkollës shqipe të ketë synim frymën kombëtare
demokratike e laike, duke kërkuar: “Me
themelue e me hap shkolla reale në të gjitha prefekturat e qendrave të Kosovës
e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës... me hap edhe shkolla bujqësie, pasi
vendi në krejt kuptimin është një vend bujqësor, si dhe me shti në program të
mësimeve gjuhën e vendit. Me hap shkolla teknologjike moderne ndër vende ku e
lyp nevoja”[13].
Me ndihmën dhe përkrahjen e Hasan Prishtinës dhe me mbështetjen e
klubeve shqiptare dhe atdhetareve të tjerë që në vitin 1909 u hapën shkolla
shqipe në Moravë me mësues Rexhep Repën, në Gjilan me Adem Efendiun, ndërsa në
Pozheran me mësuesin Imam Pirrën e Baki Efendiut. Hasan Prishtina me padurim
priste që sa më parë të kthehen nxënësit që i kishte dërguar në Normalen e
Elbasanit, që pastaj ta hapë një shkollë edhe në vendlindjen e tij në Vushtrri
(Vuçitërnë)[14].
Puna frytdhënëse për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe u ndërpre
në vitet 1912-1913, kur tokat shqiptare të Kosovës u pushtuan nga shovinistët
serbë, malazezë e bullgarë, të cilët nuk donin nuk donin që popullsia shqiptare
të arsimohej në gjuhën amtare,
Pas rënies së qeverisë xhonturke dhe fitores së kryengritjes së
përgjithshme të vitit 1912, qeveria e re – me kërkesën këmbëngulëse të Hasanit
– vendosi që gjuha shqipe të futet edhe në gjimnazet turke me disa orë në javë
në shkollat fillore qytetëse e të mesme të arsimit të profesional.
Në librin e përmendur të Hasan Prishtinës në fund të parathënies
ka edhe një shënim ku thuhet: “Se fitimin
që ka për t’u nxjerrë nga kjo broshurë, do t’ia kushtoj sigurimit të arsimit të
fëmijëve jetim të Kosovës, Dibrës e të Çamërisë, që gjenden në Shqipëri”.
Puna e një luftëtari, si dhe humanizmi i tij i thellë me shpirtin
e tij të sakrificës dhe preokupimit për dije dhe ndihmë për të varfrit, e
lartëson më shumë atë si njeri në shërbim të njerëzve. Prandaj me të drejtë
Hasan Prishtinën mund ta quajmë Pestaloci
Shqiptar, ngase ai gjithçka bëri për të tjerët, e asgjë për vetveten.
Hasan Prishtina, që bëri gjithë atë sakrificë për shpëtimin e trojeve tona dhe për shkollën e arsimim në gjuhën amtare në kohët më të vështira, meriton që këto pak fjalë të jenë homazh nderimi për personalitetin e tij të shquar .
[1] Avzi Mustafa, Figura mësuesish shqiptarë 1, BKSH.Tetovë,
[2] Gaqo, Peci, “Arsimi Popullor” nr.
[3] Instituti i Studimeve Pedagogjike, Historia e arsimit dhe mendimit
pedagogjik shqiptar, vëllimi I, Tiranë,
[4] Avzi Mustafa, Studime dhe artikuj, UISHM,
[5] Po aty, f. 31
[6] Instituti i Studimeve Pedagogjike, Historia
e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, vëllimi I, Tiranë,
[7] Po aty, f.305
[8] Revista Shkencore “VJETAR” nr. 45-46, 2011 e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës në Prishtinë.(Fitim Ferati)
[9] AQSH,F 102, V.1909.D. 28.Fl.1
[10] “Lirija” 10 korrrik1910
[11] Piro
Tako, Liugj Gurakuqi, Jeta dhe vepra,
Tiranë,
[12] “Cit. sipas Piro Tako po aty, f.121
[13]
Insitituti i studimeve pedagogjike, Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik
shqiptar, vëllimi I, Tiranë,
[14]
Shih: Murat Gecaj, Nëpër udhët e shkollës shqipe, Tiranë