E shtune, 26.07.2025, 03:19 AM (GMT+1)

Speciale

Halim Purellku: Shqipëria në marrëveshjet, traktatet dhe konventat ushtarake bilaterale dhe multilaterale ndërmjet shteteve ballkanike 1861-1912

E merkure, 17.10.2012, 05:37 PM


SHQIPËRIA NË MARRËVESHJET/ TRAKTATET DHE KONVENTAT USHTARAKE BILATERALE DHE MULTILATERALE NDËRMJET SHTETEVE BALLKANIKE  1861-1912

Nga Halim PURELLKU

Objekt trajtimi i këtij studimi është Shqipëria në kontekstin e historisë diplomatike të Ballkanit, në periudhën midis viteve 1861-1912. Zhvillimi historik i marrëdhënieve ballkanike rreth çështjeve të rëndësishme politike, rezultojë dhe me arritjen e një sërë marrëveshjesh/traktatesh politike dhe konventa ushtarake oficiale publike dhe të fshehta bilaterale e multilaterale midis entiteteve/shteteve ballkanike. Në këtë punim do të përpiqemi t’i analizojmë çështjet kryesore që sqarojnë motivet për aprovimin e këtyre marrëveshjeve, ngjashmëritë midis tyre, si dhe ata dispozita që iu referohen drejtpërdrejtë marrëdhënieve të entiteteve apo të shteteve ballkanike dhe të politikës së tyre ndaj Shqipërisë.

Gjatë shekullit XIX dhe në fillim të shek. XX, emri Shqipëri kishte karakter territorial etnik. Shqipëria asokohe si një koncept etnik dhe gjeografik mbulonte thuajse mbarë hapësirën gjuhësore shqipe. Ndonëse në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XIX me termin “Rumeli” nënkuptohej zotërimet osmane në Gadishullin Ballkanik pa Bosnjën dhe Morenë, administrata zyrtare osmane bënte një përkufizim të qartë midis Rumelisë si nocion administrativ e gjeografik dhe Shqipërisë si nocion etniko-gjeografik që kufizohej me Rumelinë. Një përvijim më të saktësuar të vijës së kufirit etniko-gjeografik të Shqipërisë haset në vitet shtatëdhjeta të shek. XIX, që përafërsisht zgjatej kështu: Tivar-Shkodër (me Triepshin, Grudën, Hotin, Kelmendin, Shkrelin, Kastratin, Shalën, Shoshin dhe të gjitha malet e tjera që shtrihen gjerë në Pejë-Kurshumli-Prishtinë-Leskovc-Vranjë-Kumanovë-lumi Katllanovë (midi Shkupit dhe Velezit)-mali Mokrino-fshati Barbaras (në lindje të Makedonski Brod)-ndërmjet fshatrave Deviç dhe Ropotovë-fshati Sop (në juglindje të Kërçovës, i zhdukur më vitin 1913)-ndërmjet fshatrave Vraneshnicë (Kërçovë) dhe Dolencë (Demirhisar)-Gjavatë (ndërmjet Manastirit dhe Resnjës)-përmes Pelisterit-Follorinë-Kostur-Grebenjë-Pindi-Kalarita dhe Narta-gjiri i Ambrakisë. Shtrirja gjeografike e Shqipërisë brenda kësaj vije të kufirit, argumentohet edhe nga të dhëna të shumta fragmentare që iu referohen dokumenteve (lëndës arkivale) të proveniencave të ndryshme; osmane, britanike, franceze, ruse, serbe etj., të shekullit XIX e deri në vitin 1912. Në to dëshmohet se nga ana e qarqeve diplomatike e qeverisëse të kohës, shumë vendbanime, zona apo dhe rajone të caktuara, të cilat ndodhen pranë kësaj vije kufitare, në aspektin etniko-gjeografik identifikohen si vende me status të përcaktuar në Shqipëri.

***

Fillimi i shek. XIX shënon një epokë të re në proceset historike në Ballkan, e njohur në histori si “periudha e nacionalizmit”. Dinamika e politikës ballkanike në deceniet në vijim determinohej nga veprimi i tre faktorëve kryesor, dhe atë: dobësimi i fuqisë politike të Perandorisë Osmane, zgjerimi i sferave të interesit të Fuqive të Mëdha dhe rivaliteti ndërmjet tyre, si dhe nga zgjimi kombëtar i popujve të nënshtruar.

Si rrjedhojë e ndërhyrjeve (intervencioneve) diplomatike dhe ushtarake e faktorëve të jashtëm, e në veçanti pas ngadhënjimeve ushtarake të Rusisë mbi Perandorinë Osmane, u krijuan Principata e Serbisë (1830), Shteti i pa varur i Greqisë (1830), Principata e Malit të Zi (1859) dhe Principata e Bullgarisë (1878).

Shteti grek dhe entiteti serb e malazez që nga krijimi paraqisnin kërcënim permanent për interesat kombëtare të popullit shqiptar, sepse që atëherë ndër ata u shfaq ideja dhe koncepti i formimit të shteteve të mëdha e të pastra etnike e fetare në dëm të fqinjëve të vet. Një ideologji e këtillë filloji të zbatohet që nga kryengritja e parë serbe antiosmane (1804-1812), kur dhe njëkohësisht filloji dhe agresioni serbomadh mbi trevat shqiptare. Gjatë kryengritjes serbe, vendbanimet më veriore shqiptare; që nga Jagodina e drejtë jugut, ishin të parat që përjetuan praktikën serbe të spastrimit etnik të dhunshëm, në kohën e re. Ndërkaq, programet shtetmëdha serbe dhe greke u shpallën zyrtarisht në vitin 1848, me “Naçrtanien” dhe me Deklaratën e Janos Koletis, kryeministër grek, në Kuvendin popullor (e njohur në histori me emrin “Megali Idheja”), këto pastaj do t’iu shërbejnë politikës zyrtare serbe e greke si bazë ideologjike për krijimin e shteteve të mëdha në dëm të fqinjëve të tyre. Kështu, që nga krijimi i shteteve të reja ballkanike dhe në vazhdimësi, Shqipëria do të shndërrohet në element i rëndësishëm i pretendimeve territoriale serbe e greke, siç do të vërejmë në vazhdim.

Proceset fillestare të bashkëpunimit të shteteve ballkanike për formimin e një aleance kundër Perandorisë Osmane, filluan që në vitin 1860. Këto procese qen favorizuar, në vitet gjashtëdhjeta të shek. XIX, si nga rrethanat diplomatike në Europë ashtu dhe nga kriza ballkanike. Vendet ballkanike kërkonin mbështetjen e ndonjërës nga Fuqitë e Mëdha, në realizimin e pretendimeve të tyre shtetmëdha, dhe këtë mbështetje në veçanti e gjetën tek Rusia. Gjë që dhe sistemi i parë ballkanik i aleancave u krijua me mbështetjen diplomatike e materiale të Rusisë. Knjazi serb, Mihaillo Obrenoviq (1860-1868), ishte nismëtari dhe protagonist i procesit të krijimit të këtij sistemi aleancash, që pastaj një politikë e këtillë e jashtme do të ndiqet edhe nga të gjitha qeveritë e principatës/shtetit së Serbisë. Në harkun kohor midis viteve 1861-1912 do të arrihen një varg marrëveshjesh/traktatesh politike e ushtarake ndërmjet shteteve ballkanike, të motivuara nga ideja dhe koncepti i njëjtë; mbi “shtetet e mëdha kombëtare” në dëm të Perandorisë Osmane. Në këtë rast do të trajtojmë vetëm ata traktate politike e konventa ushtarake që i referoheshin edhe Shqipërinë.

Qeveria e Serbisë dhe e Greqisë në vitin 1861 hynë në bisedime për një aleancë politiko-ushtarake kundër Perandorisë Osmane. Projekt Marrëveshja (Konventa) prej tetë nenesh e vitit 1861, e ofruar nga Greqia, për ndarjen e sferave të veprimit propagandistik në trevat shtetërore osmane në Ballkan, shënon përpjekjen e parë për përafrimin e pozitave serbomëdha dhe grekomëdha mbi të ardhmen politike të Ballkanit, në variante e situata të ndryshme. Mirëpo, që atëherë ndërmjet tyre u shfaq përplasja e interesave të tyre rreth kufijve të mundshëm politik në Ballkan. Prandaj dhe secila nga të dyja palët pastaj përpiluan versionet e tyre plotësuese për traktat aleance, të cilat versione tejkalonin problematikën e sferave propagandistike dhe shpalosnin konceptet e tyre shtetmëdha. Sipas plotësimeve që pala greke i bënte nenit tre (3) të këtij Projekti, Greqia, veç tjerash, për vete synonte “Epirin” dhe Serbisë ia njihte të drejtën e aneksimit të Shqipërisë së Sipërme dhe të territoreve tjera. Gjithashtu, edhe versioni serb i perceptuar mbi bazë të disa varianteve eventuale pranonte ndarjen e Shqipërisë midis të dyja palëve. Nga sa shihet, që atëherë si nga pala greke ashtu edhe nga ajo serbe Shqipëria trajtohej si plaçkë tregu. Këto negociata përfunduan pa sukses.

Negociatat ndërmjet Serbisë dhe Greqisë do të vazhdonin edhe gjatë viteve 1862 dhe 1863. Ishte Kryengritja e Kretës, në verë të vitit 1866, që i shtyri grekët të kërkojnë aleancë me serbët. Negociatat greko-serbe për një luftë të përbashkët kundër Perandorisë Osmane rifilluan në janar të vitit 1867 dhe përfunduan më 26 gusht 1867 me nënshkrimin e një Traktati të fshehtë të aleancës ndërmjet Mbretërisë së Greqisë dhe Principatës së Serbisë. Kjo aleancë kishte për qëllim një luftë të përbashkët kundër Perandorisë Osmane, që planifikohej për vitin e ardhshëm (në vitin 1868). Marrëveshja përbën shtatëmbëdhjetë (17) nene, me të cilët harmonizohen obligimet dhe interesat dypalëshe, si dhe planet për zgjerim territorial të tyre, pas ngadhënjimit eventual ushtarak të aleancës mbi Perandorinë Osmane. Me nenin katër (4) konfirmohej e drejta e Greqisë për të aneksuar “Epirin” (Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut) dhe Thesalinë, ndërkaq Serbia do të aneksonte Bosnjën dhe Hercegovinën. Nga sa shihet Greqia dhe Serbia tani i kufizuan aspiratat e tyre territoriale vetëm në këta rajone, sepse jo se nuk pretendonin mbi territore të tjera por qen përcaktuar për strategjinë graduale të realizimit të aspiratave të tyre territoriale maksimaliste. Për të siguruar qëllimet e aleancës, palët kontraktuese obligoheshin se do të veprojnë në përgatitjen popujve të krishterë për bashkimin e tyre të suksesshëm me aleancën. Njëherit ata obligoheshin se popujve që do të ndihmonin me armë në dorë ushtritë aleate (greko-serbe), do t’iu respektohej e drejta e vetëvendosjes të verifikuar bashkërisht me Greqinë e Serbin. Në këtë kuadër, shqiptarët trajtohen si faktor i rëndësishëm me konsideratë të lartë për potencialin ushtarak të tyre, për këtë edhe neni dhjetë (10) i tëri i dedikohet vetëm shqiptarëve, dhe thotë: “Për të siguruar suksesin e kësaj aleance, të dyja palët marrin përsipër të ndikojnë po ashtu mbi shqiptarët me mjetet që disponon secila prej tyre.”

Pas traktatit aleancës, pason Konventa ushtarake ndërmjet Greqisë dhe Serbisë, që u nënshkrua në Athinë, më 28 shkurt 1868. Në këtë Konventë ushtarake Shqipëria na del si një nga potencialet e rëndësishëm në planin strategjik e ushtarak në luftën eventuale greko-serbe me Perandorinë Osmane. Në nenin nëntë (9) të konventës thuhet: “Shqipëria, në saje të pozitës së saj gjeografike, ka mundësi të mbyllë rrugët që çojnë nga Adriatiku në Vardar dhe në Drinat e ndarë (i Ziu dhe i Bardhi) dhe sidomos në Manastir.” Ndërkaq, neni dhjetë (10) i dedikohet vetëm “Rëndësisë së Shqipërisë”, dhe thuhet: “Pasi rëndësia e madhe e ndihmës së Shqipërisë u vlerësua në një shkallë të lartë, u arrit një marrëveshje që të dyja qeveritë, e Greqisë dhe e Serbisë, të kujdesen me të gjitha mjetet praktike dhe të mundshme për zbatimin e nenit 10 të traktatit.”

Pra, si në Traktatin e aleancës ashtu dhe në Konventën ushtarake, Shqipëria me pozitën e saj strategjike si hallkë ndërlidhëse midis frontit jugor grek dhe atij verior serb, si dhe potenciali ushtarak i shqiptarëve, zinin një vend të konsiderueshëm në planet e luftës antiosmane. Gjë që ndonëse Shqipëria dhe shqiptarët në këto akte nuk trajtohen si partner, por trajtohen si faktor i rëndësishëm në kombinatorikat politike e ushtarake.

Mirëpo, pas vitit 1868 u shpërbë sistemi i parë ballkanikë i aleancave, nga se ndërruan edhe qëllimet e politikës ruse në Ballkan. Pas ftohjes së marrëdhënieve ruso-serbe, Rusia tani u orientua nga Mali i Zi dhe nga bullgarët, kurse politika e jashtme serbe u orientua për lidhje të ngushta me Austrinë.

Përkundër, Marrëveshjes së Tre Perandorëve, të vitit 1872, për ruajtjen e status quos në Ballkan, Serbia nuk pushon me politikën e saj agresive ekspansioniste. Meqë tani Serbia nuk gëzonte mbështetje as të Rusisë e as të Austrisë për planet ekspansioniste në Bosnjë e Hercegovinë, vëmendjen e saj do ta drejton kryesisht drejtë jugut, përkatësisht drejtë Shqipërisë. Meqë aspiratat shtetmëdha serbe i referoheshin parimit të së “drejtës historike”, nga koha e Dushanit, gjoja për justifikim të kësaj të drejte Serbia tani imagjinoi dhe lansonte në opinion termin “Serbia e Vjetër” për Shqipërinë Verilindore, ndonëse shumicën absolute të popullsisë së këtij rajoni e përbënin shqiptarët. Do theksuar se termi “Serbia e Vjetër” jo vetëm që nuk haset në “Naçrtanie”, por nuk haset edhe më vonë në aktet e administratës zyrtare serbe e as edhe në tekstet integrale të marrëveshjeve bilaterale që i theksuam më parë. Xh. A. Longvort, konsulli britanik në Manastir“, në një raport të tij, datë 5 tetor 1858, shkruan në: “vilajetin (provincën) që kufizohet me Shkodrën, Bosnjën, Serbinë dhe Maqedoninë, selia formale e të cilit është Shkupi, kurse tani selia e administratës është në Prizren”, nëntëdhjetë për qind (apo si thotë ai 9/10) të popullsisë e përbënin myslimanët. Ndërkaq, Emond Fitzmorice, konsulli britanik në Bujukdere, në një raport të tij, datë 27 korrik 1880, shkruan se popullsia në “gjithë ish Vilajetin e Prizrenit” ishte “kryesisht mysliman dhe nga natyra shqiptar”.

Me kryengritjen e vitit 1875  në Bosnjë e Hercegovinë, fillon Kriza Lindore (1875-1878), që kjo ishte edhe një shkak për përshpejtimin e negociatave serbo-malazeze për aleancë. Më 3 qershor 1876, në Venedik u nënshkrua Traktat aleanca  e fshehtë ndërmjet principatës së Serbisë dhe asaj të Malit të Zi. Siç thuhej në nenin një (1) të këtij traktati, qëllimi përfundimtar ishte “çlirimi i të krishterëve, kurse qëllimi më i afërt dhe i drejtpërdrejtë ishte çlirimi i popullit serb në Turqinë evropiane”. Në funksion të sukseseve të tyre në luftën kundër Perandorisë osmane, Serbia dhe Mali i Zi synonin të organizojnë dhe një kryengritje të përgjithshme antiosmane të popullatës krishtere, veç tjerash, edhe në “Serbinë e Vjetër” dhe në Shqipëri. Në këtë kuadër, me Konventën ushtarake, midis Serbisë e Malit të Zi, e nënshkruar po në të njëjtën ditë (më 3 qershor 1876) dhe vend (Venedik), si pjesë përbërëse e Traktat aleancës, me nenin pesë (5) parashihej edhe angazhimi i shqiptarëve për krahë serbo-malazezëve në ndërprerjen e vijave të komunikacionit (komunikimet?) nga Manastiri nëpër Elbasan dhe Lumë në drejtim të Shkodrës.

Menjëherë pas nënshkrimit të traktat aleancës serbo-malazeze, Serbia dhe Mali i Zi duke llogaritur, në radhë të parë, në mbështetjen e Rusisë, por dhe të aleatëve të Serbisë; Greqisë dhe Rumanisë si dhe në reagimin e vendosur të “popullatës së krishterë” në Turqinë evropiane, po në qershor të vitit 1876 i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Beogradi zyrtar, duke u thirrur në traktatin serbo-grek të vitit 1867, dhe zyrtarisht i kërkoji Greqisë të inkuadrohet në luftën antiosmane, por me që midis grekëve asokohe ekzistonte një opinion antisllav për shkak se Rusia mbështeste krijimin e Ekzarkatit  bullgar, ndaj dhe Greqia mbajti një qëndrim indiferent gjatë kësaj lufte. Serbia dhe Mali i Zi mbetën të vetmuara  në këtë luftë, dhe ushtria serbe pësoj disfatë të plotë nga ajo osmane. Mirëpo, kur ushtria osmane kërcënoi Beogradin pasoji ndërhyrja e energjike e Rusisë dhe Serbia mbeti e pa prekur.

Pasi që proceset historike në Ballkan edhe gjatë këtij harku kohor determinoheshin nga gërshetimi i interesave strategjike të Fuqive të Mëdha, në kohën e Krizës Lindore (1875-1878)  edhe Çështja shqiptare fillon të llogaritet nga ana e tyre (Fuqive të Mëdha) si një element i situatës në Ballkan pas disfatës eventuale të Perandorisë Osmane. Marrëveshja e Rajshtadtit dhe ajo e Budapestit të dyja bashkë kanë  rëndësi të madhe për çështjen shqiptare, për arsyet që do ti shtrojmë në vazhdim. Në Marrëveshjen e fshehtë gojore austro-ruse të Rajshtadtit, 8 korrik 1876, me insistimin e Austro-Hungarisë Çështja shqiptare për herë të parë u shtrua për zgjidhje në tryezën e diplomacisë ndërkombëtare. Ndërkaq, Marrëveshja (Konventa) e fshehtë e Budapestit, 15 janar 1877, midis Rusisë dhe Austro-Hungarisë është akti i parë diplomatik ndërkombëtar që pranoi në parim idenë e konstituimit të një shteti të pavarur të Shqipërisë, në rast të shembjes së Perandorisë Osmane. Mirëpo, me këtë jo vetëm që nuk përcaktohej hapësira territoriale e Shtetit autonom shqiptar,  por cenohej rëndë tërësia tokësore e Shqipërisë në favor të Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Rumelisë.

Kriza Lindore e viteve (1875-1878) rezultoi me ndryshime politike radikale në Ballkan, të vendosura në Kongresin e Berlinit (1878), me çka u hap një kapitull i rijë në historinë politike të Ballkanit. Në Kongresin e Berlinit Serbisë dhe Malit të Zi iu njohë pavarësia dhe një zgjerim i konsiderueshëm territorial, si dhe u krijua principata e Bullgarisë. Shqipërisë jo vetëm që nuk iu njoh ndonjë status politik, por u bë cungimi territorial i saj në favor të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Për pjesën e madhe të territorit shqiptar që iu dhuruan Serbisë, Vasa Çubrilloviq në elaboratin e tij “Mbi shpërnguljen e shqiptarëve”, konstaton se: “Serbia kësaj pyke (“pyke shqiptare”-lexo Shqipërisë Verilindor-H.P.) ja shkëputi edhe një pjesë pasi fitoji Toplicën dhe Kosanicën... Asokohe trevat ndërmjet Jastrepcit dhe Moravës së Jugut në mënyrë radikale u spastruan nga shqiptarët.” Kështu, Serbia nga një humbëse në luftë (serbo-turke 1866) doli fituese në paqe.

Megjithatë, Serbia mbeti jo fort e kënaqur nga zgjerimi territorial i siguruar në Kongresin e Berlinit. Ajo pretendonte edhe sanxhakun e Jeni Pazarit, tërë vilajetin e Kosovës dhe pjesën veri-perëndimore të vilajetit të Manastirit, ndonëse shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë jo vetëm në vilajetin e Kosovës por edhe në atë të Manastirit. Në këtë kuadër, Rusia dhe Austro-Hungaria, që në vitin 1881, territoret në veri të Malit të Zi të Shkupit (Karadakut), pa sanxhakun e Jeni Pazarit, ia kishin premtuar Serbisë. Mirëpo, pretendimet serbomëdha ishin edhe më shum se kaq.

Pas Kongresit të Berlinit Vjena shfaqi një interes të ri për çështjen shqiptare, në kuadër të ndarjes së sferave të interesave strategjike me Rusinë. Marrëveshja e fshehtë austro-ruse për Ballkanin, e 17 maj 1897, sërish parashikonte krijimin e Shtetit shqiptar të pavarur, me emrin Principata e Shqipërisë, në rast të shkeljes të status quos në Ballkan. Për dallim nga Marrëveshja (Konventa) e fshehtë e Budapestit, 15 janar 1877, në këtë marrëveshje qen përcaktuar afërsisht caqet e shtrirjes së kufijve të Shtetit shqiptarë të mundshëm: „Pjesa e përfshirë midis Janinës në jug dhe liqenit të Shkodrës në veri me një shtrirje të mjaftueshme nga ana e lindjes, do të formojnë një shtet të pavarur me emrin Principata e Shqipërisë“. Por, edhe në këtë rast pjesa më e madhe e territoreve shqiptare mbetej jashtë kufijve të Shtetit shqiptar, të cilat territore me pajtimin e Rusisë dhe të Austro-Hungarisë do t’iu jepeshin shteteve ballkanike.

Do theksuar se projekti austro-rus mbi krijimin e një Shteti shqiptar në kufijtë e paraparë me marrëveshjen austro-ruse të 17 majit 1897, në mënyrë indirekte qe pranuar edhe nga Fuqitë tjerë evropiane dhe ata ballkanike. Indikativ është fakti se projekti i ashtuquajtur “Reformat e Mircshtegut” (22 tetore 1903) do të shtrihej vetëm në tre vilajetet; të Selanikut, Manastirit dhe të Kosovës, duke i përjashtuar vilajetet e Shkodrës dhe të Janinës, por dhe vetë përmbajtja e Traktatit të aleancës bullgaro-serbe të marsit të vitit 1904 ishte në këtë frymë.

Në decenien e parë të shek. XX sërish diplomacitë e vendeve ballkanike do t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre për krijimin e sistemit të aleancave, që do të kurorëzohet me krijimin e Aleancës Ballkanike, në vitin 1912.

Me traktatin e aleancës të nënshkruar më 30 mars 1904, në Beograd, Serbia dhe Bullgaria obligoheshin që të mbështesin zbatimin e programit të “Reformave të Mircshtegut” në tre vilajetet (Selanikut, Manastirit dhe Kosovës). Siç do të vërejmë në vazhdim nga temat qendrore të negociatave dypalëshe serbo-bullgare ishte dhe përkufizimi gjeografik i koncepteve “Maqedoni” dhe “Serbia e Vjetër”. Sa që pala serbe arritjen e marrëveshjes e kushtëzonte me futjen në tekst të emrit “Serbia e Vjetër”, më qëllim që në rrethana të caktuara një emërtim i këtillë i pa përcaktuar të interpretohet në varësi nga interesat e Serbisë. Njëherit me këto dy  nocione (“Maqedoni” dhe “Serbia e Vjetër”), në mënyrë unilaterale,  promovohej copëtimi i tokave shqiptare në vilajetet e Kosovës e të Manastirit. Sa i përkiste Shqipërisë ata premtonin se në rast se do të ngrihej çështja e saj, “ato do të përkrahin një zgjidhje që do të favorizonte interesat e Malit të Zi”.  Për t’iu shmangur interpretimeve të gabuara gjatë zbatimit të traktat aleancës, Serbia dhe Bullgaria, po më 30 mars 1904, nënshkruan edhe Protokoll përfundimtar, ku shtohen edhe këta shpjegime: Në nenin një (1) të traktatit ku përmendet vilajeti i Kosovës, të nënkuptohet se brenda kufijve të tij përfshihet edhe sanxhaku i Jeni Pazarit. Kurse, në nenin pesë (5) ”Shqipëria” duhet kuptuar brenda kufijve të vilajeteve të Shkodrës dhe të Janinës”.

Njëkohësisht, po në vitin 1904, Serbia kishte hyrë në negociata edhe me Malin e Zi për një marrëveshje politike dhe ushtarake. Temë e negociatave, veç tjerash, ishte dhe unifikimi i veprimeve të të dy shteteve në drejtim të zgjidhjes së çështjes shqiptare në favor të “pretendimeve të Malit të Zi dhe të popullit serb”. Por, ndonëse Serbia dhe Mali i Zi parimisht dhe deklarativisht kishin qëllime të njëjta në politikën e jashtme, mirëpo me që këto dy shtete vepronin në kushte të ndryshme, logjikisht se kishin edhe interesa të ndryshme. Çështja dinastike ishte ajo që ngarkonte, në radhë të parë, marrëdhënie politike dypalëshe. Meqë politika është tërësi interesash, këtë logjikë e ndjekke dhe Cetina zyrtare, ndaj dhe zhvillonte negociata paralele për marrëveshje politike si me Serbinë ashtu edhe me Austro-Hungarinë.

Kështu, më 12 qershor 1907 u arriti një Traktat aleance ndërmjet Malit të Zi dhe Austro-Hungarinë. Njëherit dispozitat edhe të këtij traktati implikoheshin në interesat kombëtare shqiptare, në rrafshin kur po definohen sferat e interesave midis palëve kontraktuese.  Në gjendjen e status quos, Mali i Zi i njihte si sfera të interesave austro-hungareze: sanxhakun e Jeni Pazarit (me përjashtim të rretheve: Plavë e Guci), “Serbinë e Vjetër”, Shqipërinë e mesme dhe “Maqedonin”, ndërkaq Austro-Hungaria do ta mbështeste Malin e Zi ta forcon ndikimin dhe autoritetin e vet në Shqipërinë veriore, deri në Dri. Ndërkaq, në rastin e ndërrimit të gjendjes në Turqinë evropiane, pas ngadhënjimit ushtarak të dy ushtrive aleate (austriake e malazeze) mbi Perandorin Osmane, Mali i Zi ia njihte Austro-Hungarisë të drejtën e aneksimit të sanxhakut të Jeni Pazarit, të “Serbisë së Vjetër” dhe të “Maqedonisë”, kurse Austro-Hungaria ia njihte Malit të Zi të drejtën e aneksimit të Shqipërisë së veriut (deri në lumin Drin).

Nga ana tjetër, Traktati i fshehtë ndërmjet Malit të Zi dhe Serbisë do të nënshkruhet në Beograd, më 24 tetor 1908, pas aneksimit të Bosnjës dhe Hercegovinës. Me çka palët kontraktuese plotësisht i harmonizuan çështjet që u përkisnin “interesave kombëtare dhe shtetërore”. Ndonëse në këtë traktat shprehimisht nuk përmendet drejtpërdrejtë Shqipëria, gjithsesi se ai me dispozitat e saj i referohet edhe asaj.

Në vitin 1912 me serinë e nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale ndërmjet shteteve ballkanike, u krijua Aleanca Ballkanike e përbërë nga katër shtete; Bullgaria, Serbia, Greqia dhe Mali i Zi. Aleanca Ballkanike u krijua nën patronatin e Rusisë, me qëllim që ta përdori si mjet në luftën botërore që po përgatitej. Krijimi i kësaj aleance fillon me traktatin e aleancës midis Serbisë dhe Bullgarisë, që u arrit me mbështetjen energjike të përfaqësuesit diplomatik rus në Beograd. Traktati i aleancës bullgaro-serbe u nënshkrua më 29 shkurt/13 mars 1912, i motivuar nga interesat ekspansioniste të dyja palëve. Ndërkaq, me Aneksin e fshehtë që iu shtua traktatit, po në të njëjtën datë, u arrit kompromisi mbi ndarjen e territoreve shtetërore osmane midis tyre. Në këtë kuadër, edhe ky traktat në thelb jo vetëm që kishte karakter kundërosman dhe kundëraustriak por kishte dhe karakter kundërshqiptar, sepse tokat shqiptare, përkatësisht Shqipëria, do të shndërrohen sërish në element i rëndësishëm i pretendimeve territoriale serbe e bullgare. Bullgaria i njihte të drejtën Serbisë “mbi territoret në veri dhe në perëndim të malit Sharr”, kurse territoret që ndodhen midis Sharrit, Rodopit, detit Egje dhe liqenit të Ohrit, do të thotë dhe tokat shqiptare lindore, nëse nuk do të organizoheshin në një “rajon special autonom”, atëherë do të ndahen midis tyre sipas kësaj vije të kufirit: nga mali Golem, në veri të Jegri Pallankës, më tej ndjek drejtimin e përgjithshëm jugperëndimor gjer te liqeni i Ohrit. Nga sa shihet, në të dyja variantet e parapara në këtë traktat (serbo-bullgar), thuajse e gjithë Shqipëria e veriut, do ti takonte Serbisë.

Për dallim nga herët tjera, ky sistem i Aleancës Ballkanike u realizua me një luftë të suksesshme kundër Perandorisë Osmane në vitin 1912 (Lufta e Parë Ballkanike), e cila rezultoi me disfatën e ushtrisë osmane në të gjitha vijat e frontit. Çështja shqiptare kaloj për zgjidhje në duar të Fuqive evropiane. Ata në seancën e parë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 17 dhjetor 1912, vendosën të formohet Shteti autonom shqiptar që do të kufizohej në veri me Malin e Zi dhe në jug me Greqinë. Kështu, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër projekti serbo-bullgar mbi copëtimin e tokave shqiptare nuk do të realizohet në tërësi, nga se në Konferencën e Londrës (1912/1913) faktikisht do të vihet në zbatim projekti austro-rus i konstituimit të Shtetit shqiptar afërsisht në caqet e shtrirjes së kufijve të përcaktuar me Marrëveshjen austro-ruse të vitit 1897.   Si përfundim, për dallim nga herët tjera ky sistem i Aleancës Ballkanike u realizua me një luftë të suksesshme të Aleancës Ballkanike kundër Perandorisë Osmane, në vitin 1912, e cila rezultoi me disfatën e ushtrisë osmane në të gjitha vijat e frontit. Çështja shqiptare kaloj për zgjidhje në duar të Fuqive evropiane. Ata në seancën e parë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 17 dhjetor 1912, vendosën të formohet Shteti autonom shqiptar që do të kufizohej në veri me Malin e Zi dhe në jug me Greqinë. Që do të thotë se projekti serbo-bullgar mbi copëtimin e tokave shqiptare nuk do të realizohet në tërësi, nga se në Konferencën e Londrës (1912/1913) faktikisht do të vihet në zbatim projekti austro-rus i konstituimit të Shtetit shqiptar afërsisht në caqet e shtrirjes së kufijve të përcaktuar me Marrëveshjen austro-ruse të vitit 1897.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx