Speciale
Marjan Sebaj-Sopi: Krishterimi religjioni më i vjetër në Kosovë
E diele, 16.09.2012, 01:10 PM
Krishterimi
religjioni më i vjetër në Kosovë
Nga Marjan Sebaj-Sopi
Krishterimi është religjioni
më i vjetër në Kosovë, që u përhap qysh gjatë misioneve të Shën Palit në
provincat ilire të Perandorisë Romake. Perandori bizantin, Konstandini i Madh,
i lindur në provincën e Dardanisë, e bëri krishterimin fe zyrtare /me Ediktin e
Milanos, vitin 313/ të perandorisë. Niketë Dardani shkroi njërin prej himneve
të para kishtare, "Te Deum." Më 1054, Kosova u ndodh në udhëkryq mes
juridiksionin të Kishës Ortodokse të Lindjes, mirëpo prijësit politikë të
kohës, parapëlqyen lidhje me papatit dhe perëndimin. Lekë Dukagjini, i lindur
në Lipjan, i dha Kishës Katolike vend qendror në kodin e tij të drejtësisë,
ndërsa klerikët Gjon Buzuku dhe Pjetër Bogdani botuan në shqip vepra të rëndësisë, letrare, fetare dhe gjuhësore.
Me përfshirjen e Kosovës nën
Perandorinë Osmane, u përhap edhe feja islame, mirëpo Shqiptarët, edhe pse të
ndarë në myslimanë dhe të krishterë, identifikohen si një komb.
Kisha katolike ka Selinë e
saj Ipeshkvnore në Prishtinë.
IPESHKVNIA SHKUP-PRIZREN!
Dikur në Ipeshkvninë Shkup-Prizren, në
një hapësirë prej 46.500 km², jetonin diku rreth 3 milion Shqiptar. Me
përqindje rreth 96% përbënin shqiptarët të konfesionit mysliman dhe diku rreth
4 % ata të konfesionit katolik.
Vitin 1967 Selia e Shenjtë emëron Mosn.
Joakim Herbut (greko-katolik), nga Kulla, (Vojvodinë), ordinar, dhe Mons
Nikë Prela (1918-2006) shqiptar i lindur në Kotorr, Mali i Zi, ipeshkëv
ndihmës “sedi datus” për besimtarët shqiptarët të Ipeshkvisë Shkup-Prizren (Mbi
Imzot Nikë Prela më tepër shih: Frok Kristaj; “Nikë Prela”, Shoqate HEKAS ,
Ferizaj 2006; Marjan Sebaj-Sopi; “Flijimi Ngadhënjyes” fq.179-181, Sh.HEKAS,
Ferizaj 2006)/. Në rend të parë, duke iu falënderuar Zotit e më pas
ipeshkvit Nikë Prela për flijim dhe kujdesin e madh kushtuar thirrjeve
meshtarake dhe rregulltare, fillon lulëzimi i ipeshknvisë, kështu ai gjatë
mandatit të tij gati 30 vjeçar, arrin të shuguroi më tepër se 20 meshtar, të
cilët sot shërbejnë në Ipeshkvni dhe jashtë saj.
Pas krijimit të kushteve, dhe shpalljes
së lirisë fetare në Shqipëri, disa meshtarë, rregulltarë e rregulltare tona,
menjëherë iu dolën në ndihmë vëllezërve në ndihmë të pakursyer vëllezërve në Shqipëri,
në mëkëmbjen e kishës së rrënuar. Me këtë edhe u realizua paralajmërimi
profetik i ipeshkvit të ndjerë mons. Nikë Prelës, i cili thuajse në çdo
predikim të tij, me kënaqësi cekte dhe lajmëronte hapjen, domethënë lirinë
fetare në Shqipëri, duke porositur baballarët e nënat: “na jepni fëmijët për
meshtar sepse po vije koha kur do të ketë liri fetare në Shqipëri...ajo na
pret, jemi të përgatitur t’iu dalin vëllezërve tanë të vuajtur në ndihmë...”
Imzot Nikë Prella e thoshte këtë, atëherë kur lidhja me këtë ishte thuajse e
pamundur edhe të mendohet. Mirëpo, ja edhe kjo u vërtetua dhe u realizua, duke
iu falënderuar Zotit dhe sot “bijtë” dhe “bijat” tona atje me sukses dhe
flijime të mëdha, i shërbejnë Zotit dhe vëllait e motrës njeri. Ipeshkvi mons Nikë
Prela, punoi aq shumë për ipeshknvni dhe Shqiptari, si në pajtime të gjaqeve,
kundër dhunës e të padrejtave që i bëheshin popullit të stërvuajtur shqiptar në
Kosovë etj...sa që me shumë të drejtë, populli e quante “Plaku i Kosovës”,
“njeri i urtë”, etj.
I lodhur dhe rraskapitur nga barra e rënd
e jetës (i burgosur dhe përndjekur disa herë nga regjimi ish-jugosllav) dhe
dukshëm i dobësuar me shëndet ai vitin 1994 jep dorëheqje, kurse në moshë 78
vjeçar ndërroi jetë. Në vend të tij e në rrethana tashmë edhe më të ndërlikuara
dhe rrezikshme për shqiptar në përgjithësi (ishte kohë kur në ish Jugosllavi
zhvilloheshin luftëra të rrepta mes Serbisë, në Kroaci e Bosnjë dhe
Hercegovinë, në krye të ipeshkvnisë emërohet në vitin 1996, Imzot Mark
Sopi 1938-2006 (për herë të parë pas qindra viteve emërohet për
ipeshkëv në Kosovë një bir i saj, meshtar i Kosovës atëherë në shërbim të
vëllezërve në Shqipëri, dhe njëkohësisht birë i famullisë së Binçës. Ai e
drejtoi ipeshkvninë me urti dhe sukses, por në rrethana shumë të vështira, kur
edhe tek ne në Kosovë ndihej erë lufte. Këtë veprimtari të urtë e ndoqi edhe më
vonë gjatë luftës, sikurse edha pas përfundimit të saj 1997-99 (Mbi gjendjen
e para luftës dhe luftës në Kosovë më tepër shih; Marjan Sebaj-Sopi, “Flijimi
Ngadhënjyes”, Sh. HEKAS, Ferizaj 2006). Ai ishte me popullin në çdo
kohë dhe moment. Ndihmoi shumë të varfër, ndërtoi shumë Kisha dhe si prioritet
pati fillimin e ndërtimit të Katedrales në Prishtinë, mirëpo papritmas kur
ishte në vrullin e punës, ai ndërroi jetë dhe kaloi në amshim. Ai Ipeshkvninë e
Kosovës e drejtoi për dhjetë vite me radhë dhe me suksese të shumëfishta. Në
vend të tij, ipeshkvin-administraturën apostolike- Prizren, do ta drejton
përkohësisht, një vit, argjipeshkvi i Tivarit imzot Zef Gashi. Ndërkaq, pas
argjipeshkvit Zef Gashit për Ipeshkëv të Kosovës vitin 2006 emërohet biri i saj
ipeshkvi monsinjor Dodë Gjergji.
Ati i Shenjtë Benedikti XVI emëroi
Administrator Apostolik të Prizrenit (Kosovë) Shkëlqesinë e Tij, Imzot Dodë
Gjergjin, duke e transferuar nga Dioqeza
e Sapës (Shqipëri).
Shkëlqesia e Tij Dodë Gjergji lindi në Stubllë të Vitisë,
(Kosovë) më 16 janar 1963. U shugurua meshtar më 15 gusht 1989, në dioqezën e
Shkup-Prizrenit.
Më pas, gjithnjë në këtë dioqezë, punoi si redaktor i revistës ‘Drita’ dhe si
përgjegjës për botimin e librave liturgjike në gjuhën shqipe. Nga viti 1991
deri më 1994 qe Kapelan i shqiptarëve në Kroaci. Më pas, shërbeu si famullitar
në Kallmet, në dioqezën e Lezhës (Shqipëri), ku vijoi të kryente misionin si
‘fidei donum’ nga viti 1994 deri në vitin 2000. Më 5 shkurt 2000 u emërua
Administrator Apostolik i dioqezës së Sapës. Ndërsa më 25 nëntor 2005 u zgjodh
Ipeshkëv i Sapës. U shugurua ipeshkëv më 5 janar 2006.
Në krye të Ipeshkvnisë së Kosovës vjen në
dhjetor të vitit 2006, ku me urti e vizion vazhdon të udhëheq Ipeshkvin e
Kosovës.
Ipeshkvnia e Kosovës sot!
Në hapësirën gjeografie 10.908 km², të
Ipeshkvnisë të Kosovës jetojnë rreth 1.
9 e deri në 2. 2 milion banorë. Pjesa më e madhe e popullsisë i takon besimi
Mysliman, përderisa një numër i vogël i popullsisë i takojnë
besimit Katolik dhe Ortodoks. Edhe pse nuk ka statistika zyrtare lidhur
me përkatësinë fetare të popullsisë, konsiderohet se rreth 90% e
popullsisë së Kosovë i takojnë besimit Mysliman, 6% e saj i takojnë
besimit Ortodoks, 3% i takojnë besimit Katolik dhe 1% të tjerë. Kosova
është e pasur me një numër të madh të xhamive por gjithashtu edhe numri i
kishave si katolike, ashtu edhe atyre ortodokse nuk është i vogël. Shumë prej
xhamive dhe kishave në Kosovë paraqesin monumente me vlera të mëdha historike
dhe kulturore dhe janë të mbrojtura me ligj.
Në Ipeshkvnin e Kosovës gjinden 24
famulli. Në 23 famulli, shërbejnë meshtarët dioqezan gjersa në famullinë e
Gjakovës shërbejnë Etërit françeskan, e deri vonë në Prishtinë shërbyen Etërit
Salezian (tashmë këta mbajnë Qendrën “Don Bosko” në Prishtinë dhe Gjilan). Ne
këtë dioqeze shërbejnë rreth 40 meshtarë: ne mesin e tyre janë 30 meshtar
dioqezan, 5 françeskan dhe 4 salezian.
Kurse sa i përket motrave të nderit,
numri është 79.
Bijat e Dashurisë së Krishterë (Vinçenciane) - 25 motra
Motrat e Shën Kryqit - 15 motra
Motrat Françeskane - 12 motra
Bijat e Dashurisë Hyjnore - 11 motra
Motrat engjëllore të Shën Palit - 8 motra
Misionaret e Bamirësisë M.C. (N.Tereze) - 4 motra
Motrat Baziliane - 4 motra
(Ps. Sa i përket numrit të meshtarëve
dhe motrave që shërbejnë në Ipeshkvni, mund të mos jetë numri i saktë i atyre
që shërbejnë me qe, çdo vit bëhen ndërrime e ndryshime, ku vijnë dhe shkojnë
meshtarë e motra në ndihmë edhe jashtë Ipeshkvnisë, si në Shqipëri, misione anë
e mbarë Evropës, si Zvicër, Gjermani, Austri, Kroaci bile edhe jashtë
Kontinentit si në Amerikë, Australi e kudo kërkohet nevoja për kujdesin e
besimtarëve dhe shqiptarëve në botë).
Por, edhe pse numri i besimtarëve katolik
nuk është i madh, ajo që është me rëndësi dhe që secili mund të vërejë, është
fakti se këtu ekziston një Kishë shumë
mirë e organizuar në krye me Ipeshkvin. Vlen të përmendet fakti se më parë
Ipeshkvnia ishte në lulëzim për sa i përket thirrjeve të shenjta meshtarake e
rregulltare.
Në ipeshkvninë e Kosovës, sot në 24
famulli ka famullitarë dhe thuajse gati në çdo famulli ka edhe ndihmës
famullitar (kapelan) dhe motra nderi.
Kishat katolike janë të rregulluara mirë,
me objekte tjera përcjellëse fetare dhe shtëpi famullitare. Çdo famulli gati ka
edhe kapelania, që në të ardhmen pritet të bëhen famulli. Në Ipeshkvnin e
Kosovës është edhe seminari në Prizren (shkolla) për përgatitje të kandidatëve
për meshtar. Ndërkohë që duhet cekim edhe faktin se më parë kandidatët për
meshtar nga Kosova, gjimnazin klasik katër vjeçar, apo shkollën e mesme e
kryenin në seminarin e Suboticës, në Vojvodinë. Studimet e larta (fakultetin)
në mungesë të fakultetit teologjik, më parë e tash në Kosovë, këta kandidat i
kryejnë anë e mbarë Europës, si në Kroaci, Itali, Austri e gjetiu.
Situata e tendosur politike në Kosovë, para dhe pas luftës, ka ndikuar në masë të madhe që shumë njerëz të emigrojnë. Përderisa para luftës arsyet ishin politike, tanimë pas luftës, arsyet janë të karakterit social, për shkak të kushteve të rënda ekonomiko-sociale, që detyruan shumë nga shqiptarët dhe besimtarët tanë u shpërngulën dhe shkapërderdhën nëpër mbarë Europën dhe në botë. Sidomos, një përqindje e madhe e këtyre shqiptuarve në diasporë jetojnë në shtetet e Europës, si në Zvicër, Gjermani, Itali, Austri, Suedi, Kroaci,...e vende tjera të Europës, por edhe Amerikë dhe Australi. Mirëpo, ajo që duhet cekur është fakti se edhe pse këta lanë përkohësisht trojet e tyre të përgjakura shumëshekullore prapëseprapë, nuk janë të harruar dhe braktisur. Në Zvicër për ta përkujdeset shpirtërisht Misioni Katolik Shqiptar me tri seli dhe meshtarë nga Kosova, më pas në Gjermani, Austri, Kroaci...gjithashtu. Ndërkaq, njësoj edhe në Amerikë dhe Australi, kemi misionin katolike dhe meshtarë që ju vinë në shërbim shqiptarëve katolik...Por, nuk duhet harruar se edhe mërgimtarët si gjithnjë të etshëm për vendlindjen e tyre, me të madhe kontribuojnë dhe ndihmojnë si gjithnjë pa ndërpre famullit, fshatrat, Kosovën e tyre të dashur martire.