Speciale
Arben Llalla: Kryengritja e Ilindenit ishte me karakter bullgar
E enjte, 02.08.2012, 06:34 PM
Kryengritja
e Ilindenit ishte me karakter bullgar
Masa e gjerë e popullsisë shqiptare që jetonin në fshatrat e Kosturit dhe Follorinës nuk e mbështetën këtë kryengritje sepse ajo nuk kishte karakter për çlirim e popujve që jetonin në Maqedoninë Gjeografike, por qëllimi ishte kontrollimi i Maqedonisë nga forcat bullgare.
Nga Arben LLALLA
Kryengritja
e Ilindenit filloj më 2 gusht 1903, të dielën në mbrëmje. Kjo datë lidhet me
ditën e Shën Ilias (Elias) të kalendarit Grigorian që praktikohej në atë periudhë
nga besimtarët ortodoks të kishës së Pavarur Bullgare Exartia. (Në të vërtetë data
e fillimit të kryengritjes është 20 Korriku me kalendarin e vjetër, por kjo datë
përshtatet me datën 2 gusht të kalendarit të ri).
Kryengritja
filloj pasi bullgarët nuk bindën Fuqitë e Mëdha për zgjerimin e kufijve të shtetit
të tyre si dhe organizatat e ndryshme bullgare nuk mundën të bindnin popullsinë
sllave në Maqedoninë Gjeografike për kryengritje të madhe për tu bashkuar me
Bullgarinë. Që nga viti 1880 e deri 1905 misionar të ndryshëm si grek, serb dhe
bullgarë bridhnin nëpër fshatrat e Maqedonisë për të regjistruar banorët, përkatësitë
e tyre fetare dhe kombësinë si dhe përshkrimin e rrugëve nga fshati në fshat
dhe qytetet.
Në vitin 1878,
Rusia pushtoi Turqinë dhe ndaloi në dyert e Stambollit. Traktati i Shën
Stefanit u bë në mes të dy ndërluftuesve dhe me të cilin mjeshtërisht Rusia për
të mirën dhe përdorimin e vet krijoi një shtet të madh Bullgar, që nga ana
Jugore do të shtrihej deri në detin Egje duke përfshirë edhe portin e Selanikut.
Kjo shkaktoi mbledhjen e shpejtë të fuqive Evropiane të cilat bënë traktatin e
Berlinit. Ky traktat ndaloi formimin e shtetit Bullgar të projektuar nga Rusia
dhe vuri në heshtje kërkesat e saja për të pasur një port në detin Mesdhe. Vendimet
në Kongresin e Berlinit për të lënë Maqedoninë brenda kufijve të Perandorisë Osmane
u kthyen shpejt në zonën e kontestit mes Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Lufta
e pamëshirshme, e qasjeve propagandistike nxitën më shumë dhunën dhe pamundësinë
e fuqive të mëdha për të siguruar një zgjidhje të kënaqshme dhe përfundimtare për
territorin e Maqedonisë, ndryshe nga shumica e territoreve të diskutueshme të cilat
u zgjidhën përfundimisht.
Bullgarët,
duke parë që nuk mund ta gllabëronin direkt Maqedoninë, i dhanë përparësi
tendencës së shkëputjes dhe të autonomisë në mjedisin maqedonas dhe veçanërisht
në fshatrat sllavofonë. Të njëjtën gjë bënë edhe serbët nga ana e tyre, me
shpresë se duke u bërë autonome Maqedonia, dhe duke u caktuar si gjuhë zotëruese,
idioma e saj, ai shtet autonom apo i pavarur që do të krijohej, shpejtë a vonë do
të ishte nën ndikimin e madje nën zotërimin e tyre. Sipas tyre, e rëndësishme
ishte të mos i bashkohej Greqisë, sepse në këtë rast nuk do kishte asnjë shpresë
për ndonjë dalje në Egje dhe në Mesdhe
Tendencat
e dy qeverive, bullgare dhe serbe, u përplasën mbi terrenin perëndim-verilindje
të asaj që ata e quanin Maqedoni, domethënë në krahinat lindore dhe verilindore
të Shqipërisë. Pra, fronti i një lufte gjithnjë e më të ashpër sapo kishte
filluar të shoqëruar me propagandë, literaturë dhe etnografinë e Maqedonisë.
Kështu,
grupet e organizatave bullgare për të rritur ndërgjegjen e Fuqive të Mëdha për
tju bashkangjitur Maqedoninë Bullgarisë themeluan milicinë dhe forcat
paramilitare të cilat nisën kryengritje që do të quhet Ilinden.
Kryengritja
e Ilindenit më shumë u përhap në Maqedoninë Perëndimore dhe kryengritësi
keqtrajtuan popullsinë myslimane dhe ortodokse që besonte në kishën e Fanarit të
Stambollit-Patriarkana. Me kryengritësit bullgarë u bashkuan edhe individë shqiptarët
të cilët ndoshta kishin probleme me pushtetin osman, por edhe kundrejt ndonjë pagese
në të holla. Masa e gjerë e popullsisë shqiptare që jetonin në fshatrat e
Kosturit dhe Follorinës nuk e mbështetën këtë kryengritje sepse ajo nuk kishte
karakter për çlirim e popujve që jetonin në Maqedoninë Gjeografike, por qëllimi
ishte kontrollimi i Maqedonisë nga forcat bullgare. Forcat osmane që ishin kundër
kryengritësve patën përkrahjen e forcave vullnetare greke, të kishës greke si
dhe të individëve shqiptar të cilët në shumicën e rasteve ishin ushtar me pagesë
në ushtrinë osmane. Gjatë kryengritje pati një gjakderdhje të pamëshirshme deri
në kanibalizëm nga të gjitha palët që u përfshinë në konfliktin e Ilindenit.
Greqia për
të luftuar kundër komitëve të Ilindenit dërgoj dy oficerë të shquar arvanitas
Pavlo Melas alias Miqis Zaza dhe Aleksandër Kondulin alias Shkurti të cilët u
angazhuan direkt për të shtypur kryengritjen bullgare të Ilindenit. Ata gjetën
mbështetje tek fshatrat shqiptar për tu rezistuar çetave komite bullgare si në Bellkamen-Dhrosopogi,
Negovan-Flamburo dhe Lehovo që gjenden në prefekturën e Follorinës. Në ato vite
zhvilloheshin bisedime për themelimin e një mbretëria të përbashkët greko-shqiptare
dhe ky projekt ndikojë dukshëm që shqiptarët të mbështetshin grekët për
shtypjen e kryengritjes së Ilindenit. Në kujtimet e tij Pavlo Melas do të shkruante
për shqiptarët kapedan Nikolao Kola dhe Zisi Dhumulo nga Lehova të cilët
luftonin përkrah tyre kundra komitëve bullgarë. Një nga organizatorët e forcave
greke, turke dhe shqiptare ishte Mitropoliti i Kosturit Germanos Karavangjeli i
cili u bë frymëzuesi kryesor për aleancën greke-turke-shqiptare kundër komitëve
të Ilindenit.
Gjatë kryengritjes
së Ilindenit dy armiq historik kundra njeri-tjetrit grekët dhe turqit tani po
bashkëpunonin me zell për shtypjen e pamëshirshme të kësaj kryengritje. Kryengritja
e Ilindenit u bë shkak që Greqia të mobilizohej për marrjen e pjesës së Maqedonisë
që ishte në Perandorinë Osmane të atyre viteve. Pas përfundimit të kryengritjes
më të fituar doli pala greke e cila në shumë fshatra që banoheshin nga bullgarët
dhe i përkisnin kishës së pavarur bullgare hapën kishat greke të Patriarkanës
dhe filloj përpjekjet për çlirim e Maqedonisë me emrin (Agona tis Maqedonias 1904-1908).
Pas pak vitesh Greqia do të merrte edhe ato fshatra që banoheshin nga popullsi
bullgare, pra eksodi i braktisjeve të fshatrave bullgarë në Maqedoninë e Egjeut
filloj dal ngadalë fill pas shtypjes së kryengritje së Ilindenit. Qindra
fshatra nga Maqedonia Perëndimore dhe Kirk-Klisse afër Andrianopojë u shkatërruan,
mijëra bullgarë braktisën shtëpitë e tyre për të mos i kthyer më kurrë..
Turqia e
dobësuar nga kryengritjet e ndryshme në Maqedoni u largua në fund të vitit 1912
duke e lënë atë të copëtuar dhe me pikëpyetje të mëdha se kujt i takon
ekskluziviteti i historisë dhe i heronjve të Maqedonisë antike.
Tashmë kryengritja e Ilindenit ka mbetur vetëm në kujtesën e historisë dhe shumica e protagonistëve të saj vijnë përpara syve tanë nëpërmjet propagandës së politikanëve të sotëm të cilët po i çojnë të vdekurit prej varri që ti shfrytëzojnë për nevojat e tyre duke i treguar në versione në të cilat nuk kanë qenë asnjëherë ashtu siç po na i paraqesin.
Ceta e Tano Nikolov, prifterinje bullgar
Mitropolit Germanos Karavangjeli me forcat turke kunder komiteve te Ilindenit