E enjte, 24.07.2025, 10:24 PM (GMT+1)

Speciale

Kujtim Mateli: Përpjekje për lokalizimin e Dodonës dhe pranimi i vendndodhjes së saj në jugperëndim të Janinës

E marte, 17.04.2012, 05:39 PM


Përpjekje për lokalizimin e Dodonës dhe pranimi i vendndodhjes së saj në jugperëndim të Janinës.

(Kapitulli i dytë i librit “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit”)

Nga Kujtim Mateli

1.2-1. Përpjekjet për ta kërkuar Dodonën në afërsi të Janinës dhe jo në ndonjë vend tjetër, janë përcaktuar nga disa ndikime:

a) Dodona ka lulëzuar edhe në kohën e sundimit molos në Epir. Përderisa qendra politike dhe ushtarake e Molosisë ishte Pasaroni, kërkuesit e saj nuk mund ta përfytyronin qënien e Dodonës përtej kësaj hapësire.

b) Në kohën e sundimit turk, Janina ishte qendra e vilajetit. Kërkuesit e Dodonës  nuk mund ta konceptonin që qendra më e madhe politike dhe ushtarake të mos e kishte pranë saj edhe qendrën më të madhe  fetare të lashtësisë. Ky ndikim nuk i la kërkuesit dhe studiuesit e saj ta kërkonin Dodonën edhe përtej Pasaronit e Janinës.

c) Librat që janë shkruar për Dodonën janë greqisht dhe latinisht, në dy gjuhët zyrtare të kohës. Po të gjithë autorët që shkruan greqisht, nuk ishin të gjithë helenë. Shumë prej tyre në origjinë ishin pellazgë dhe këta na kanë dhënë dhe dëshmitë më të sakta. Po të gjithë kërkuesit dhe studiuesit e shekullit të XIX, duke u nisur nga tre faktorë: gjuha greke, Pasaroni që ishte kryeqytet i Molosisë dhe Janina qendër e Vilajetit me të njënjtin emër, u fokusuan për ta gjetur medoemos Dodonën në afërsi të Janinës.

1.2-1a.  Cili ka qenë ndër të parët që e solli Dodonën në qendër të vëmendjes së opinionit  ndërkombëtar duke dashur t`i japë asaj madhështinë e dikurshme?  Midis atyre penave brilante, vargjet e Bajronit që u shkruan pas vizitës së tij në kështjellën e Ali Pashës në Tepelenë, në vjeshtën e vitit 1809, ishin një këmbanë për të tërhequr vëmendjen e njerëzve për të gjetur vendodhjen e tempullit të shenjtë.

“Dodonë, ku është pylli i moçëm

Burimi i shenjtë, ku janë orakujt hyjnorë?

Cila luginë i thotë akoma fjalët e Zotit të Perëndive?

Ku janë gjurmët e tempullit të Zeusit gjëmimtar?

Të gjitha, të gjitha u harruan” 1).

1.2-1b Francois Pouqueville, (konsull i Francës pranë Ali Pashë Tepelenës në Janinë, në vitet 1804-1813) shkroi një nga veprat më të rëndësishme të tij “Voyage de la Greece” në katër vëllime, Paris 1820.

Pouqueville, në librin e tij,  i kushton një rëndësi të veçantë vendndodhjes së Dodonës.  Ai e vendos atë në pjerrësinë jugore të maleve të larta të cilat mbyllin liqenin dhe luginën e Janinës në veri.  Ky vend ishte Gardhiqi. Megjithatë ai bën një udhëtim në rrjedhën e sipërme të Vjosës (Aosit), bën përpjekje për lokalizimin e qytetit Eriboi, përmendur nga Ptolemeu, ndalet në emërtimin e maleve të grykës së Këlcyrës (grykat e Aosit) duke u mbështetur te autorët e antikitetit. Viziton Tepelenën e Gjirokastrën. Në luginën e Drinosit gjeti një dëshmi që e lidhte me Dodonën e famshme të antikitetit. Në kohët e vjetra vendi quhej Dryopea.

“ Isha përpjekur,- thotë autori,- për ta gjetur, në të katër anët e Epirit, por gjithmonë pa sukses”  E kërkonte këtë vend, sepse Plini i vendoste Dryopët në afërsi me Sellianët të cilët banonin Dodonën.

Pouqueville, mbështetur te autorët e vjetër, bën edhe përcaktimin e fiseve që e rrethonin Molosinë.

Molosia “ në veri kufizohet nga vendi i atintanëve, nga lindja me Perrebenë, në jug me Kasiopenë, në perëndim është e lidhur ngushtësisht me Thesprotinë dhe që shpesh është përzier me këtë vend. Gjeografët ia atribojnë Dodonën herë Molosisë dhe herë Thesprotisë.

Eskili e vendos Dodonën në territorin e Molosisë dhe thotë se tempulli i Zeusit të Dodonës është thesprot” 2).

1.2-1c Wiliam Martin Leake, (konsull i Anglisë pranë Ali Pashës në Janinë, në vitet 1805-1812) vepra e tij  “Travels of northern Greece”, u botua në Londër në vitin 1835. Në vend të shkëputjes së një pjese nga vepra e tij, po botojmë komentin që  J.G. Hahn, u ka bërë pikëpamjeve të Leake në lidhje me vendodhjen e Dodonës.

J.G. Hahn, Studime shqiptare

“Lugina e Janinës, siç thotë Leake në veprën e tij të famshme (Travels of northen Greece IV. f. 168) asht Helopia ose Dodonea e vjetër: këtu duhet kërkue edhe Dodona. Leake cakton vendin e Dodonës atje ku gjinden sot disa gërmadha të vjetra; këto janë në skajin jugor të liqenit mbi një shkamb dhe quhet Kastrica. Ky vend pjesërisht asht rrethue me mure të vjetra, por Leake asht i mendimit se vendi asht  shumë i vogël për nji faltore si ajo e Dodonës, sepse kjo faltore me famë ka qenë nji botë e vogël më vete si faltoret e Delfit, të Olympias dhe të Epidamit.  Prandaj ai beson se faltorja ka qenë në afërsi të qytetit në fjalë. Po ku? … Leake mendon se faltorja gjindej mbi pllajën shkëmbore që shtrihet në liqen, ku sot asht kalaja e Janinës, sepse kjo pikë asht ma e përshtatshme në të gjithë rrethin dhe të vjetrit kanë pasë sy të mprefët për të tilla pika” 3).

J.G. Hahn, Studime shqiptare

Ky mendim ( mendimi i shprehur nga Leake, në paragrafin e mësipërm, shënimi im K.M.) mund të pranohej po të mos ta kundërshtonte nji gja tjetër. Në anën veriore të kësaj pllaje gjindet nji shpellë e madhe dhe porta e gjanë e saj na tregon se nuk asht krijue tashti, në kohë të re, nga një tërmet ose nga shkëmbejtë e një mali. Po nuk gjejmë ndonjë shenjë të sigurt se ka qenë zbukurue në kohnat e vjetra; megjithatë nuk mund të besojmë  se të vjetrit nuk e kanë përdorë këtë shpellë që gjindet poshtë faltores së shenjtë, për me vue atje ndonjë statujë. Se, a është e besueshme që një shpellë e gjendun drejtpërdrejt nën nji faltore të tillë, të shpërfillej në atë farë soji nga të vjetrit sa ata të mos vendosnin aty vizatime të thjeshta apo objekte të tjera kulti? A nuk do të ishte afër mendsh të mendohej se më vonë vendi i shenjtë pagan të shndërohej në një kishë të krishtenë?

Leake nuk pranon me plotë të drejtë mendimin e Pouqevilit, që faltorja ngrihej mbi kodrën e Gardhiqit që asht  dy orë në veri të Janinës dhe ku ka edhe sot mure të bukur ciklopikë. Por në këtë rast autorit i bien ndërmend gërmadhat e bukura të Dramishjues që gjinden afër katër orë në jugperëndim të Kastricës, të cilat të pame nga veriu duken si një piramidë e përmbysur (Tomaros) në ranzë të malësisë madhështore të Oliçkës që e kufizon me krahinën e Sulit (Selloi) Hesiodi thotë: “ Dodona gjindet në kufi të Helopias”.  Leake I, f. 268 nxjerr përfundimin nga pozita dhe natyra e gërmadhave, se ato nuk janë të nji qyteti, por të nji faltoreje”4).

1.2-1dh.  Aravatinos P. botoi një nga studimet më të rëndësishme në lidhje me Dodonën. “Pragmateia peri Dodonis”, 1859 dhe e ribotoi dhe në vitin 1862. Solli në librin e tij pothuaj të gjitha thëniet e autorëve të vjetër për Dodonën dhe mendonte se Ksirovuni ishte mali Tomar i lashtësisë, por prapë nuk ishte i bindur për këtë. Rëndësia e veprës së tij qëndron në faktin se ai i solli autorët e vjetër në ligjëratë të drejtë duke e bërë librin e tij të shfrytëzueshëm si burim informacioni edhe për brezat e ardhshëm.

1.2-1f. Hasiotis X G, në librin e tij “ Peri Dodonis pragmatia” Athinë 1867, analizon thëniet e autorëve të vjetër dhe mendonte se mali i Miçikelit ishte mali Tomar i lashtësisë, ndërsa Dodona ishte pranë liqenit të Janinës, në jugperëndim të tij. (Për më tepër shih  hartën e tij).

1.2-1g.  Pierre Larousse, Grand dictionnaire universel du XIX siècle,

Dodona është një qytet i vjetër i Epirit, i përfshirë në fillim në Thesproti, pastaj në Molosi, rrëzë malit Tomaros. Ky qytet ishte shumë i famshëm nga orakulli i Zeusit, më i vjetri i Greqisë. Tempulli i Zotit ishte i rrethuar nga një pyll me lisa, për të cilin Homeri na thotë se ndodhej orakulli i Dodonës. Themelimi i orakullit të Dodonës është shumë i vjetër: të gjithë janë dakord në këtë pikë, por e gjitha kjo është e pasigurt. Origjina e tij, vendi ku ishte vendosur, priftërinjtë, këto janë akoma probleme historike dhe dëshmitarët që kanë folur janë të dykuptimtë dhe të paqartë siç ishin edhe përgjigjet e orakullit….

Të gjithë autorët janë në të njënjtin mendim: Dodona ndodhet në Epir. Po në cilën pjesë të Epirit ishte vendosur”? 5)

1.2-2  Në vitin 1878, Kostantin Karapano botoi dy vëllime : “Dodonë e ses ruines”, Paris 1878. Këto ishin zultatet e punës së tij kërkimore në luginën e Carakovistës, duke e shpallur këtë si luginën e Dodonës.

Ai përshkruan pozicionin gjeografik të saj dhe thotë se ndodhet 18 km në jugperëndim të Janinës dhe në mes të Epirit.

Në librin e tij të parë përmend thëniet e autorëve të antikitetit dhe është munduar të gjejë përputhshmërinë e atyre thënive me luginën e Carakovistës. Ai thotë se dimri është i ashpër dhe portokallet dhe ullinjtë nuk rriten në këtë luginë ashtu siç ndodh vetëm disa kilometra larg kësaj lugine, në juglindje dhe perëndim të saj ( në Artë dhe Paramithi)6).

1.2-2a. Karapano i kushton kujdes pjesës së poshtme të luginës së Carakovistës, për ta paraqitur pjesën fundore të saj si një vend që dikur (sipas dëshmive të banorëve vendas) ka qenë një vend i mbushur me moçale duke e përputhur kështu me thëniet e autorëve të vjetër se pylli i shenjtë i orakullit të Dodonës ndodhej pranë një vendi moçalor 7).

1.2-2b Karapano është munduar t`u jap shpjegime thënieve të autorëve

të antikitetit, që disa e vendosin në Thesproti dhe disa në Molosi duke thënë se lugina e Carakovistës, duke qenë në kufi midis këtyre vendeve ka kaluar herë në sundimin e thesprotëve dhe herë të molosëve 8).

1.2-2c Thënieve të autorëve të antikitetit që nuk gjejnë përputhshmëri në luginën e Carakovistës, Karapano është munduar t`u japë përgjigje duke thënë se në rrjedhë të kohës vendi ka pësuar ndryshime, siç është mungesa e pyllit të shenjtë apo dhe e burimit profetik 9).

Karapano i përshkruan rrënojat e qytetit në tri pjesët e rëndësishme të tij: akropoli, teatri dhe vendi i shenjtë.

Në librin e dytë gjenden të vizatuara të gjitha materialet që u gjetën gjatë gërmimeve, duke e shpallur qytetin si Dodonën e famshme të lashtësisë.

1.2-3  Pas bërjes publike të Karapanos për gjetjen e Dodonës në luginën e Carkovistës, pothuajse pushuan hamendësimet për vendodhjen e saj. Grupe shkrimtarësh dhe shkencëtarësh e kanë pranuar atë si vendndodhje të Dodonës. Ja njëri prej tyre:

Diehl, Charles, Exursions archeologique

Sot, dyshimi nuk është më i mundur. Në perëndim të liqenit të Janinës, në luginën e lagët dhe pjellore të Carakovistës, në këmbët e majave të zhveshura të malit Tomaros, në një peizazh  të zymtë (melankolik) e piktoresk, z. Karapanos zbuloi  gërmadhat e orakullit të Zeusit 10).

1.2-3a.  Encyclopedia Britannica, fourteenth edition, vol. 7.
“ Dodona e Epirit është më e vjetra dhe më e adhuruara e të gjitha faltoreve helene. Rrënojat e saj janë në Dramisos, pranë Carakovistës. Megjithëse grekët e jugut i shohin banorët e Epirit si të huaj (barbar), megjithatë për Dodonën ata ruajnë një nderim të madh. Tempulli i kushtohej Zeusit dhe lidhur me të ishte një orakull që u përkiste kohrave më të hershme; metoda e marrjes së përgjigjes ishte duke dëgjuar fëshfërimën e një lisi të vjetër: ndoshta mbeturinë e një adhurimi të vjetër për pemët…”.

“Rrënojat e një teatri, muret e qytetit dhe ndërtesa të tjera ishin identifikuar nga Wëdzwërth qysh më 1835 dhe u zbuluan nga Karapano pas vitit 1875”.

“Në jug të kodrës në të cilën gjenden muret lindorë të teatrit dhe në drejtimin lindor në fund të pllajës rreth 200 yd. gjatësi dhe 50 yd. gjerësi gjenden rrënojat e tempullit të Zeusit….

Një nga ndërtesat në anën juglindore përmban një piedestal apo altar dhe Karapanos e ka përshkruar atë si tempullin e Afërditës”11).

1.2-3b. Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë 2008,

“Dodona. Qytet dhe qendër e rëndësishme kulti në Epirin antik, 18 km. në JP. të Janinës. Rrënojat janë rrëzë malit Tomaros. Dodona cilësohet herë si tesprote ( shih Tesprotët) herë si molose (shih: Molosët) për shkak të ndryshimit të kufijve të këtyre fiseve, si rrjedhim i kalimit të epërsisë në bashkësinë e fiseve epirote nga Tesprotët te Molosët”12).

Bibliografi

1- Bajron, Çajlld Hrold, përkthim nga anglishtja.

2- Pouquevilli, F. ,Travels in Epirus, Albania, Macedonia and Thessaly, Vol. IV, London 1998, (Rishtypje autentike e vitit 1820), fq 40-66.

3- J.G. Hahn, Studime shqiptare, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit. Tiranë 2007, fq. 45

4- J.G. Hahn, Studime shqiptare, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit. Tiranë 2007, f. 45.

5- Pierre Larousse, Grand dictionnaire universel du XIX siècle, vol. VI,  fq. 1023

6- Kostantin Karapano, “Dodonë e ses ruines”, Paris 1878, fq 10.

7-Kostantin Karapano, “Dodonë e ses ruines”, Paris 1878, fq 9.

8-Kostantin Karapano, “Dodonë e ses ruines”, Paris 1878, fq. 146-148

9- Kostantin Karapano, “Dodonë e ses ruines”, Paris 1878, fq.149-151

10-Diehl, Charles, Exursions archeologique en Greçe, Paris 1903, fq. 69.

11-Encyclopedia Britannica, fourteenth edition, vol. 7, faqe 494.

12-Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë 2008, faqe 500.



(Vota: 29 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Shefik Shkodra: Shkolla fillore ‘’Selami Hallaçi’’ dhe mësuesi Ilmi Avzi Mustafa: Ecuritë e arsimit fillor shqip në Kërçovë e rrethinë Neki Babamusta: 26 Marsi 1990 - Vullkani që tronditi komunizmin në Shqipëri Fitim Rifati: Traktati i Shën Stefanit dhe reagimet e shqiptarëve Fritz Radovani: Dishmon atdhetari Kolonel Faik Quku... Ilmi Veliu: Letra e Skënderbeut e 31 tetorit 1460 dërguar princit të Tarentit, Johan Antoni Ilia S. Karanxha: Familja Breu në zanafillat e ikonografisë kastriotiane Halit Elshani: Grupi i Ajdin Muliqit, përkatësisht grupi i Enver Hadrit Lutfi Alia: Agnes Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza (III) Hilmi Saraçi: Disa të dhëna karakteristike për familjen Gergjaliu Fotaq Andrea: Faik fisnik Konica, Gjeniu dhe Ati i kombit modern shqiptar Lutfi Alia: Agnes Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza (II) Lutfi Alia: Agnes Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza (I) Sabile Keçmezi-Basha: Ismail Qemali, Pavarësia e Shqipërisë dhe Gruaja Shqiptare Frrok Kristaj: Gjergj Kastrioti - Arkitekti i shtetit demokratik gjithëkombëtar (Në 568-vjetorin e Lidhjes së Lezhës - 2 mars 1444) Ukshin Zajmi: Java e Minatorëve të Trepçes Kolë Tahiri: ''Takimet'' e mija me Lahutën e Malësisë dhe autorin e saj Emanuel: Burimet e autorëve antikë për ilirët dhe Ilirinë Hilmi Saraçi: Krimimelët serbë vrasin dhe masakrojnë Selatin Gërxhaliun me tërë familjen Ukshin Zajmi: Lufta e parë ballkanike 1912 - luftë kundër Perandorisë Otomane apo luftë pushtuese të tokave shqiptare!?

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx