E hene, 05.05.2025, 01:10 AM (GMT+1)

Speciale

Emanuel: Burimet e autorëve antikë për ilirët dhe Ilirinë

E premte, 24.02.2012, 09:03 PM


BURIMET E AUTORËVE ANTIK PËR ILIRËT DHE ILIRINË

 

Nga Emanuel

 

Nga literatura e shfletuar do të përmendim vetëm disa nga argumentet e shkruara:

Sipas udhërrëfyesit të shek.VI, Synekdemit të Hieroklit, në provincat ilire aso kohe kishte 20 qendërbanime të konsideruara si qytete. Ky numër përputhet me të dhënat e koncileve kishtare të kohës, mbasi thuajse të gjitha qytetet e mëdha ishin edhe seli peshkopate. Të tilla qenë Skodra, Lisi, Dyrrahu, Skampini, Scupi (Shkupi i sotëm). Ulpiana (pranë Prishtinës) Lyhnidi (Ohri), Apolonia, Bylisi, Amantia, (Ploça e Vlorës) Aulona, Butroti (Butrinti) Onhezmi, Foinike (Finiqi i Sarandës) dhe Hadrianopoli- Justiniapoli. (Mbyllim citatin)

Ndërsa në vitin 1774 në Lajpcig u botua libri shkencor i Joahn Tunmanit. Ai duke ndjekur zhvillimet historike mijëvjeçare në këto troje shkruan: populli i parë që njeh historia në këtë vend janë ilirët, një popull i madh, i shumtë në numër dhe i fuqishëm që sipas Strabonit dhe Apianit, banonte në detin Adriatik, nga lumi Po deri në Gjirin e Ambrakisë, e në veri deri në Danub. Straboni e shtrin këtë popull drejt perëndimit deri në liqenin Boden (liqeni Boden në Gjermaninë Jugore shënim i përkthyesit), domethënë deri në Norik e Vindelicie. Ai lë të kuptohet gjithashtu se edhe Panonët i përkisnin po atij fisi. Apiani, thotë shprehimisht se panonët ishin ilir. Istrianët, inët, jastët, japodët, dalmatët, liburnët, dardanët, ardianët, autariatët, me një fjalë të gjithë popujt deri në malet Keraune, përgjithësisht shiheshin si ilir. Por ata gjendeshin kudo në Maqedoni, në Epir e në Thesali… Studiuesi i mirënjohur Thunmani, që atëherë duke pasur në dispozicion vetëm burimet historike përfundoi se shqiptarët janë banuesit e lashtë dhe si argument për këtë hipotezë solli dokumente të shkruara të ruajtura të mesjetës, në të cilën nuk hasim gjurmë më të vogla për ndonjë shpërngulje shqiptarësh në vendbanimin e tyre të sotëm. Ky dokument edhe sot është i qëndrueshëm ku mbështetet teza e autoktonisë së shqiptarëve. Gjithashtu profesori i historisë, akademik Aleks Buda, pos tjerash ka shkruar: Vepra e Thunmanit, përbën një ndihmesë për ta vënë mbi baza shkencore problemin e formimit të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe.

I njejti hulumtues Prof. Thunman, në Lajpcing, duke u mbështetur mbi bazën prej 1200 fjalësh shqipe, parashtroi tezat e para historiko-filologjike rreth prejardhjes dhe të shkruarës së shqiptarëve dhe i nxjerr ata si një popull të lashtë të Siujdhesës Ilirike, si fqinjë të helenëve të lashtë dhe rrjedhimisht, si pasardhës vijëdrejtë të ilirëve të Gentit, të Teutës dhe të Pirros.

Gjeografi më i madh i kohës, akademiku i dëgjuar aleksandrian Klaud Ptolemeu, qysh në shekullin II (125-161) dëshmon se në Maqedoninë mestokësore janë qytetet Arnisa e taulantëve, Elima e elimiotëve, Amantia në Orestis, Albanopolis i albanëve, Orma, Europus dhe Apsalus të almopëve. Këto fakte i mbështet edhe studiuesi i mirënjohur Muzafer Kortuki ku thotë se Albanët, ishin aty me siguri edhe disa shekuj më parë për të qenë i shënuar në hartën e këtij gjeografi antik .(Mbyllim citatin)

Nuk duhet harruar edhe tezën e historianit të madh ballkanik, çekun Konstatin Jireçek, ku shkruan:

Shqiptarët kanë qenë një popullatë e vjetër e krishtere me kulturë të ndjeshme qytetare, që kanë qëndruar më afër grekëve bizantinë dhe romakëve, dalmatinasve sesa me elementin sllav.

Klerikun frëng, Guillelmus Adac, i njohur me emrin Brocardus Monacus më 1332 në veprën e tij latinisht shkruan: shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja ,megjithatë kanë alfabetin latin në përdorim dhe në tërë librat e tyre.

Rreth kombësisë së lashtë ilire të shqiptarëve shkruan edhe studiuesi gjerman Malte-Bruni, në veprën e tij thotë: se gjuha e ilirëve të lashtë ose e shqiptarëve të sotëm është një gjuhë e veçantë, prejardhja e së cilës shkon deri në lashtësinë e thellë e madje në një kohë kur filluan të formoheshin, secila në sferën e saj, edhe gjuhët greqishte, latinishte, iberishte, keltishte, teutonishte, gotikshe, etj…

Këtë mendim e përkrahën edhe studiuesi gjerman Johan Gfon Hani, që në fillim të veprës së tij Studime shqiptare botuar më 1854, ku e shtron çështjen e prejardhjes së shqiptarëve dhe thotë: Meqë shqiptarët nuk janë sllavë dhe nuk lidhen ngushtë me ndonjë nga popujt e tjerë që njohim, meqë burimet fare të pakta që kemi nuk flasin për ndonjë shtegtim tjetër (veç atij sllavit) i cili të ishte aq i madh sa të krijonte një popull të madh, duhet pranuar se shqiptarët e sotëm janë banorët e hershëm parasllav të atij vendi. Ai në vazhdim të veprës shkruan: se elementi shqiptar jo vetëm që e kalon malin Shar r(Skardus), sepse Tetova, pellgu i burimit të Vardarit, është një qark i përzier shqiptaro-bullgar, por që arrin deri në grykën e parë të Vardarit, në jug të Shkupit, deri në bregun e djathtë të këtij lumi. Si duket bullgarët banojnë vetëm jashtë trekëndëshit të formuar nga Vardari, Treska dhe vargu i Goleshnicës, kurse brenda kësaj bërthame jetojnë vetëm shqiptarë…Por këta janë vende në të cilat u ndie rëndë dora e pushtuesve bizantinë pas peradorit Vasilios Bullgaroktoni, mbi armiqtë e trashëguar bullgarë të nënshtruar e më pas edhe pushtimi turk. Kështu ne mund të pranojmë si të padiskutueshme se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të ilirëve dhe epirotëve të lashtë. (Mbyllim citatin)

Jozef Riter fon Ksilanderi, ka qenë i pari që ka përmendur në një faqe të veçantë në fillim të librit të tij: Ata – shqiptarët nuk janë aspak të huaj, por një popull i lashtë i familjes evropiane..

Studiuesi kosovar, doktor Musa Ahmeti, mbas më shumë se shtatë vite kërkimi, ka arritur të zbuloje në Arkivat e PAPATIT (Arkivin Sekret të Vatikanit në Vatikan), një dorëshkrim në gjuhën shqipe që daton vitin 1210. Bëhet fjalë për një dorëshkrim prej 208 faqesh, të ruajtur mjaft mirë në kohë, i cili është shkruar mbi një pergament me kopertina të forta druri dhe e mbështjellur me kapakë druri. Është i shkruar me shkronja latine i tëri në gjuhën shqipe, në dialektin e veriut. Autorë i veprës Teodor Shkodrani, e përfundon veprën duke shkruar: Me ndihmën e zotit dhe me dëshirën e madhe që kam, përfundova me këtë vepër më 9 Mars 1210. (Mbyllim citatin)

E pyesim Mirjana P.Mirçevskën, se cili popull në Maqedoninë e sotme është më i hershëm ata me vepër që nga vitet 1210 në gjuhën shqipe me alfabet latin ose gramatika e Bllazhe Koneskit e vitit 1945?

Të shkruash një studim historik mbi islamizimin e laraminizmin e shqiptarëve dhe njëkohësisht t’a njihnim zhvillimin e disiplinës kishtare që nga fillimi e deri më sot, është një punë mjaft e vështirë . Kështu , ai (ajo) do të duhej të jetë njëkohësisht historian, kanonist, teolog… madje bile edhe një poliglot.

Për hirë të asaj që nuk duam t’a lodhim lexuesin, jemi të detyruar t’a njoftojmë Mirçeskën, për magësitë e saja në mbrojtje të dizertacionit shkencor si etnografe.

Po t’i hedhim një sy veprës së Dr. Don Gaspër Gjinit, Ipeshkvia Shkup Prizren nëpër shekuj ,ku ndër të tjerat shkuan se: Dardania ishte një krahinë e veçantë kishtare dhe administrative. Selia e parë ipeshkvnore në Dardani, me sa dihet deri më tani ka qenë në qytetin e Scupit. Ilirët (shqiptarët) kanë filluar të kalojnë në krishterim shumë herët. Madje, dihet se edhe Shën Pjetri dhe Shën Pali, apostuj të Krishtit, pra, bashkëkohës të tij, kanë predikuar fenë e re ndër shqiptarët në Iliri. (Mbyllim citatin).

Skënder Riza, në vepren e tij studimore shkruan: Pas ndarjes së krishterimit në kishën e lindjes-ortodokse dhe në kishën e perëndimit-katolike më 1054, shqiptarët mbetën me kishën ortodokse, sepse në trevat e tyre sundonte Bizanti (Greqia), e më vonë Serbia. E tillë ka qenë gjendja, sidomos në Kosovë. Gjatë sundimit të Bizantisë e të Serbisë, shqiptarët janë asimiluar në përmasa shumë të mëdha, ata bënë presion edhe në (çamëri dhe në vise të tjera në Greqi) dhe sidomos në Maqedoni e në Mal të Zi, duke i sllavizuar kështu një numër të madh.

Në veprën Psaltiri, e shkruar në hebraishtën e vjetër, e përkthyer nga K.Kristoforidhi (1872), citojmë: në kishat shqiptare të Maqedonisë, është mbajtur liturgjia në gjuhën shqipe, objektet fetare të krishtera nuk janë sllave por shqiptare, ndërsa emërtimi i kishave ndryshoi pas ardhjes së sllavëve. (Vepër e cituar)

 

F E S T A T

 

Gjatë viteve (1920-1935) kur nëpër kishat e fshatrave të Rekës së Epërme, erdhën priftërinj nga vendet e tjera, na thonë nënat ortodokse, mesha dhe këngët filluan të mos këndohen më në gjuhën shqipe. Prifti u’a ndaloi këtë rreptësisht. Përsa kujton brezi i moshuar, ato kanë filluar të përshpëriten në vehte, Edhe sot nënat përshpërisin meshën në gjuhën shqipe.

Për shembull:

Voj Jordani pagezuet,

Dy-tre vetë t’u m’pal e t’u u m’fat,

Ere shokët, ere shoçet t’u kënduet,

Ere fryma jote si pëllumb vegëtuet,

Edhe pse ishim të detyruar meshën ta këndojmë në gjuhë të huaj, por nuk mundeshim, ashtu e kemi mësuar nga nënat, gjyshet tona na thotë brezi i moshuar i nënave. (Citat nga vepra Rite e besime popullore… E.Selimi-Osmani)

 

P a s h k ë t

 

Në këto rreshta, nuk është qëllimi ynë dhe as që mundemi t’i përfshim të gjitha kremtet . Rituale të shumta që kryhen nga banorët e Rekës së Epërme që i praktikojnë janë plot e përplot me besime magjike . Pashka, dhe gjeneza e saj është festë e hebrenjve (e çifutëve) e cila festohet shumë shekuj para Krishtit, si kujtim i ditës, kur këta dolën nga robëria e egjiptianëve dhe u vendosën në Palestinë. Kësaj dite hebrenjtë i thoshin pas-ha. Kjo fjalë depërtoi edhe në gjuhën shqipe.

Banorët e kësaj krahine kudo që gjenden festojnë Pashkët, shkojnë për urime te njëri-tjetri, vizitojnë të afërmit dhe farefisin. Gjatë vizitave shënuma disa shprehje të bukura: Për shumë mat ( mot) Pashkët! Tjetri ia kthen: Gzuet qoft e për shumë mat!. Ngrejnë dolli duke thënë : Gzuet qofshim e për shëndet! Amin, n’mat ngjefshim ma mirë! Në orët e pasditës, Ditën e Pashkës, tubohen fshatarët grupe-grupe e shëtitin për të uruar festën në çdo shtëpi. Pasi perëndon dielli ( para se të errësohet ) në rrugicat e fshatit Beliçicë, fshatarët kapen në formë rrethi dhe ndezin duaj thekre . Ato na thonë bëjmë xhuguli dhe “ceravitemi” Djegin, përcëllojnë këmbët, duke thënë t’dojxha, t’pojsha (të dogja, e të poqa).

Gjatë ritualit grupi i grave këndon:

Proni lula bardhë e duku bardhë

Proni te ajo kisha mes kërshele

Po aty kishte trima shumë,

Trima shumë e nuse t’reja

Cuaca t’reja e fmij t’rij

Qera here ene ma shumë, o o i h

Kulti i diellit është dëshmuar edhe nga një lajm interesant i shkruar, Filozofi Maksimnga Tiri, i cili jetoi në kohën e Antonomit në librin e tij A duhet t’u ngrihen perëndive shtatore, përmend se Peonët, fis ilir në Maqedoninë e sotme , e adhurojnë diellin në formën e një disku të vogël, të ngritur mbi një shtyllë të gjatë.

Me ritualet e djegies së zjarreve, fshatarët besojnë se gjatë vitit dielli do të ndriçojë si flaka e duajve.

Pra, ua bëjmë me dije akademikëve sllavo-maqedonas, se kemi të bëjmë me një popull të lashtë ilir siç janë Peonët.

Karakteri i këtyre zjarreve është i mbështetur mbi veprimet imitative magjike. Përmes imitacionit aludohet në rezultate pozitive në dritësi dhe nxehtësi më të madhe nga dielli, si kusht i rendimenteve më të larta nga të lashtat në bujqësi.

Elementin solar e plotëson edhe mënyra e të manifestuarit të këtyre ceremonive. Kështu në mënyrë simbolike-imitative përmes heqjes së valleve në rreth, duke iu sjellë zjarrit, imitohet rruga e diellit në horizont .

Gjithashtu edhe kryqi ka filluar të përdoret në shekullin VIII-IX,por jo dhe më herët.

 

Ceremoni rituale me ujin

 

Është Dita e ujit të Bekuar, e premtja e parë pas Pashkëve.

Ritet e kësaj feste qoftë parakrishtere, qoftë krishtere kanë të bëjnë me kultin e ujërave e me rite magjike të ujit për pjellori e mbarësi. Ceremoni rituale magjike të shumta që kryhen nga ana e popullatës vendase i hasim te kroi i fshatit. Në fshatin BogdiTe Kroi i Kryshes, në fshatin Beliçicë Te Kroi i Madh në fshatin Krokornicë Te kroi i Katundit, në fshatin Sencë Te Izvori i Kryshes,në fshatin Duf Te kroi i Madh . . .

Nga grupi i grave shënuam këngën:

Oj ti kroi,kroi naltë, o o i h!

Po sa trima pret me natë, o o i h!

Po sa nuse t’reja,ooih!

Pa bukën e kryshes,,ooih!

Bashkë do ta dajmë,ooih!

Po venën e ombël,ooih!

Bashkë do ta pijmë,ooih!

Po penin e kryshes,ooih!

Bashkë do ta dajmë, o o i h

Të shkruajsh për vendasit e Rekës së Epërme dhe të mos e përmendish veshjen kombëtare është e pamundur. Etnograf të shumtë shkruajnë: Veshja e femrës është shumë vështirë t’a përshkruaj me pendë ,por edhe me fotografi nuk mund ta prezentosh atë. Qendisjet janë të bukura, simtrike në anën artistike të jep mjaft interes që të merresh me motivet të një artisti të rrallë. Këtë qëndisje artistike mundesh t’a gjesh vetëm te femrat e kësaj krahine, ku dukshëm shihet preciziteti, aftësia, imagjinata, kreativiteti i saj gjatë thurjes, qëndisjes, të cilat nga të parët e kanë traditë artizanatin, edhe sot këto femra të vyera ia përcjellin gjeneratave që vijnë mbas artizanatin e tyre.

Edhe vetë Mirçevskën, e habit fakti që në Rekën e Epërme janë të përbashkëta ritet që krhyhen në burimin e fshatit dhe në ajazmëm rite që kan veti shëruese, ajo e përmendën dhe gjarprin si mbrojtës i shtëpisë.

Në këtë libër të Mirçevskës mund të gjesh edhe shkrime mjaft qesharake (citat faqe 52): Gazeta Dnevnik 26 Nëntor 2003, shkruan: Ngjarje të tilla janë regjistruar në të gjitha fshatrat e Rekës së Epërme të cilët gjenden në kufi me Shqipërinë, të pasigurtë nga plaçkitja e barinjve shqiptarë, të cilët edhe sot hyjnë dhe e vjedhin bagëtinë dhe e dërgojnë jashtë kufirit në Shqipëri…

E pyesim Mirçevskën, sa vjedhje janë bërë në Maqedoni që nga viti 2003 deri më sot 20.01.2011? A thua vallë vetëm shqiparët janë ata që vjedhin.

E drejta e çdo njeriu është se cilës fe ai i takon, dhe si ndjehet ai shqiptar apo sllavo-maqedonas.

Por, ortodoksëve shqiptar u duhet thënë e vërteta, t’u thuhet se deri tani kanë qenë të mashtruar, sepse kombin e bëjnë gjaku i njëjtë, gjuha, traditat, doket , zakonet, folklori e jo besimi fetar.

Definicioni i Sh.Sergej (citat) Etnosi është grupi i njerëzve të cilët flasin të njejtën gjuhë, të cilët pajtohen se kanë të njejtën preardhje, me rite të përbashkëta, mënyra e jetesës, traditat, diçka që dallohen ata nga grupi tjetër.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx