Speciale » Namani
Qazim Namani: Sektorët e Muzeut të Kosovës
E diele, 29.01.2012, 07:54 PM
1. Sektorët e Muzeut të Kosovës
Nga Qazim Namani
Në Muzeun e Kosovës veprojnë këta sektorë:
1.1 Sektori i arkeologjisë
Interesimi për të studiuar vlerat e trashëgimisë arkeologjike në Kosovë fillojnë që nga shekulli XIX, duke filluar nga francezi Pouqueville, anglezi Martin Leake, arkeologu francez L Heuzey, arkeologu anglez Arthur Evans. Në fillim të shekullit XX u shqua albanologu C. Patch. Gjatë luftës së parë botërore erdhën arkeologët austriak Buday Arpad, C. Praschniker, A. Schober. Në mes dy luftërave botërore pasurit e mëdha arkeologjike të Kosovës u zbuluan nga arkeologët serb të Akademisë së Mbretërisë SKS. Rezultatet e tyre ose nuk u botuan fare ose u shtrembëruan. Gjatë luftës së dytë u shkrua një monografi e shkurtër për arkeologjinë e Kosovës nga arkeologu italian D. Mustilli, kurse pas luftës së dytë e deri në vitin 1999 hulumtimet arkeologjike kryesisht u udhëhoqën nga arkeologët jugosllav. Prej vitit 1974 fillojnë të asistojnë në gërmime edhe arkeolog shqiptar nga Kosova.
Pas themelimit të Muzeut të Kosovës hapet edhe sektori i arkeologjisë, i cili kryen gërmime arkeologjike dhe bënte konservimin dhe restaurimin e gjetjeve të rastit në një laborator të pajisur dobët. Në Institutin Albanologjikë hapet sektori shkencor për arkeologji. Në muajin Maj të vitit 2003 M.K.R.S. e themelon Institutin e Arkeologjisë dhe ka 6 të punësuar. Këshilli profesional i Institutit vepron që nga Shtatori 2003. Arkeolog të punësuar ka edhe në I.K.M.M. të Kosovës, I.M.M. Prishtinës, I.M.M. Prizrenit dhe I.M.M. në Gjakovë.
Fill pas themelimit të Muzeut të Kosovës në vitin 1951 sektori i arkeologjisë pranë këtij muzeu së bashku me Institutin Arkeologjik të Akademisë Serbe të Shkencave i ka filluar hulumtimet arkeologjike në Artanë prej vitit 1952-1955. Muzeu i Kosovës hulumtimet arkeologjike në Ulpianë i ka filluar në bashkëpunim me Muzeun Popullor të Beogradit në vitin 1953 e deri më 1956.
Hulumtimet arkeologjike te tjerrtorja në Prishtinë janë bërë në vitin 1955 dhe 1966. Arkeologët e Sektorit të arkeologjisë ishin aktiv në gërmime arkeologjike edhe viteve të më vonshme, vlen për ti cekur gërmimet në Ulpianë, Llashticë, Hisar, Artanë dhe lokalitete tjera.
Në vitin 2000, Muzeu i Kosovës dhe Instituti Arkeologjik i Shqipërisë e filluan punën në një “Hartë arkeologjike” të Kosovës me qëllim që të jepet një pasqyrim i të gjitha vendndodhjeve arkeologjike të njohura. Qasja në hartën Arkeologjike është hulumtuese që synon identifikimin e vendndodhjeve për tu vendosur në listë për tu mbrojtur.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë në shkallë të gjerë financoi këtë punë në mes të viteve 2000 dhe 2003. Në vitin 2004, Instituti i Arkeologjisë ka marrë udhëheqjen e kësaj Harte Arkeologjike dhe ka vazhduar punën së bashku me Muzeun e Kosovës dhe Institutin e Arkeologjisë së Tiranës. Projekti tani financohet nga Instituti Kosovar i Arkeologjisë. Anëtarët e Institutit Arkeologjikë të Tiranës vazhdojnë që të jenë të përfshirë në projekt, ashtu siç janë edhe anëtarët e Institutit Kosovar të Arkeologjisë, Muzeut të Kosovës dhe Institutet për Mbrojtjen e Monumenteve me bazë në Prishtinë, Gjakovë dhe Prizren, por ka mbetur pa u finalizuar Harta arkeologjike e Kosovës .
Në vitin 2006 u botua “Harta Arkeologjike e Kosovës I” që përfshinë rajonin përgjatë luginës së Drinit të Bardhë (Driloni antik), ku u përfshinë Rugova, Hasi, Gora, Opoja, dhe Podguri i Prizrenit.
Nga rezultatet e këtij projekti të përbashkët Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Instituti Arkeologjik i Tiranës i botuan rezultatet e përnjohjes në veprën me titull “Fortifikimet të shekujve IV-VI në Dardaninë Perëndimore të autorëve Luan Përzhita dhe Gëzim Hoxha.
Vepra “Harta Arkeologjike e Kosovës I” doli si rezultat i natyrshëm i bashkëpunimit protokollar midis Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Në vitin 2004 Prof dr. Edi Shukriu e publikoi librin “Kosova antike”.
Po ashtu Instituti Arkeologjik i Kosovës në vitin 2006 e botoi revistën shkencore “Kosova Arkeologjike”. Në këtë revistë u publikuan punime mbi kërkimet arkeologjike në trevën e Kosovës në periudha të ndryshme historike.
Muzeu i Kosovës pas lufte nuk e ka botuar revistën shkencore “Buletini” e cila kishte filluar të botohet që nga viti 1956.
Vlen të theksohet se mungojnë iniciativat për të bërë përnjohjen në brezin kufitar veri-lindor të Kosovës së sotme për ta finalizuar projektin e hartës arkeologjike.
Fusnotat jane hequr nga autori i shkrimit