E premte, 29.03.2024, 04:48 AM (GMT)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Mbrojtja Institucionale e Trashëgimisë Kulturore-Historike në Kosovë

E diele, 12.12.2010, 07:54 PM


Mbrojtja Institucionale e Trashëgimisë Kulturore-Historike në Kosovë

 

Nga Qazim Namani

 

Bazuar në hulumtimet e gjertanishme, gjurmët e para të trashëgimisë kulturore në truallin e Kosovës së sotme fillojnë që nga kulturat e neolitit të hershëm. Që nga kjo periudhë kemi kulturë të pa ndërprerë të jetës dhe civilizimit deri më sot. Këto kultura ndeshen me gërshetime të elementeve të hershme indoevropiane, para krijimit të etnosit ilir në epokën e bronzit, për të vazhduar deri më sot të shoqëruara me ndikimet e kulturave më të zhvilluara të kohës si janë: helene, romake, bizantine, osmane dhe sllave. Ndikimi i këtyre kulturave la gjurmët e trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe materiale me vlera të llojllojshme kulturore dhe historike.

Me ngritjen e vetëdijes për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe krijimin e kombeve në Evropë, filloi edhe përvetësimi i vlerave kulturore duke humbur kriteret njerëzore dhe humane. Në shekullin XIX e sidomos ne shekullin XX trashëgimia kulturore dhe historike e Kosovës u shkatërrua për qëllime politike duke përdor praktikat shkatërruese nga pushteti dhe administrata sllave në këto hapësira.

Mos respektimi i konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë me ligje dhe kritere universale, ndikuan që Shtjefën Gjeçovi, me tërë forcën e tij intelektuale dhe materiale të vihet në mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore kombëtare në Kosovë dhe në Shqipëri. Gjeçovi u shqua për studime folklorike, etnografike, arkeologjike dhe të drejtën zakonore. Avni Alcani shkruan se Shtjefën Gjeçovi është i pari arkeolog shqiptar që zhvilloi kërkime dhe sondazhe në terren brena territorit të Shqipërisë që në vitin 1920, ai e botoi shkrimin e parë në fushën e arkeologjisë me titull “Argëtim Arkeologjik”.

Gjeçovi ngriti dy muze në Shkodër të jezuitëve dhe të françeskanëve, është fjala për dy koleksione antikitetesh që ishin grumbulluar për të zbukuruar dy dhoma të klerit katolik. Këto muze u themeluan rreth viteve 1880 dhe 1890. Gjeçovi ishte etnografi, arkeologu dhe studiuesi i parë shqiptarë i kulturës ilire. Përballë Gajtanit në Shqipëri sot ndodhet një shpellë që e mban emrin e Gjeçovit, sepse në këtë shpellë i bëri gjurmimet, ku e la edhe një mbishkrim të vetin.

Në Kosovë pas luftës së dytë botërore u aplikuan kriteret e njëanshme për shpalljen e monumenteve në mbrojtje shtetërore duke përdorur politika dhe metodologji jo shkencore.

Nga këto parime prej vitit 1947-1999 prioritet kishin objektet e kultit ortodoks dhe shtëpitë e banimit të personaliteteve sllave të luftës.

Nga lista prej 425 monumenteve të kulturës të mbrojtura me vendim nga shteti gjatë viteve (1947-1990) prej tyre 174 ishin ndërtime sakrale,  32 të besimit islam kurse 139 të besimit ortodoks, 116 ndërtime tradicionale profane ku përfshiheshin ndërtimet karakteristike të banimit, urat, hamamet, sahat kullat etj., dhe vetëm 96 lokalitete arkeologjike.

 Nga kjo që shihet nuk pasqyrohen vlerat e vërteta të së kaluarës kulturore dhe historike në truallin e Kosovës së sotme.

Bazuar në dokumentin nr. 06-5363/2003 të datës 25.08.2003 të lëshua nga “Qendra koordinuese e Serbisë & Mali i Zi dhe e Republikës së Serbisë për Kosovë e Metohi”, në Graçanicë, e nënshkruar nga kryetari i saj Nebojsha Coviqi, që i është drejtuar Mr. Harry Halkery, përfaqësues special i sekretarit të përgjithëshëm në Kombe të Bashkuara në mes tjerash shkruan: Propozoj disa çështje preliminare për bashkëpunimin tonë, dhe propozon që nënkryetari i qendrës për koordinim prof. Branisllav Krstiq dhe Mr. Jovan Qirilov, Kryesues i komitetit të UNESKOS të kësaj qendre, duhet ta vizitojnë Prishtinën në fillim të shtatorit 2003, për ta filluar bashkëpunimin. Nebojsha Çoviqi në përfundim të letrës shkruan: e shfrytëzoi këtë rast të ju dërgoi  një kopje të publikimit tonë juve dhe z. Brayshaw, që është publiku së fundi nga misioni ynë i UNESKOS.

Nga ky publikim po japim disa të dhëna:

Kampanja e bombardimeve të NATOS kundër Jugosllavisë, dhe qeverisja lokale nga UCK e kanë rrezikuar trashëgiminë kulturore të Serbisë në Kosovë e Metohi.

Gjatë luftimeve ushtarake në mes të ushtrisë Jugosllave dhe UCK, janë dëmtuar 3 xhamia dhe 14 kulla të shqiptarëve të regjistruara si monumente kulturore, si dhe një numër i minareve të xhamive të pa regjistruara si monumente kulturore u rrëzuan. Sidoqoftë në periudhën që nga mbrojtja e trupave të NATOS 10 qershor 1999 e deri në gusht 2001 u dëmtuan këto monumente të trashëgimisë kulturore që i kemi nda në 4 kategori: kategoria I, 18 monumente; Kategoria II, 30; në kategorinë e III u dëmtuan dhe u demoluan më tepër se 55 objekte të regjistruara si monumente kulturore ku të gjitha ishin ortodokse; dhe në kategorinë e IV u dëmtuan 107 ndërtesa tjera të religjionit.

Më tutje në këtë publikim thuhet se këto të dhëna tregojnë se në periudhën pas luftës në Kosovë ndodhën dy procese paralele jocivilizuse, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore krishtere dhe i vendbanimeve autentike të serbëve, malazezëve dhe kroatëve të cilët kryesisht e kanë lëshuar Kosovën.

Këto të dhëna propaganduese në këtë publikim paraqiten të ilustruara edhe në harta. Përveç këtyre përshkruhen dhe monumentet kulturore në Kosovë të regjistruara në vitet 1986, 1994 dhe gjendja e tyre pas luftës së vitit 1998/99.

Në këtë tabelë janë paraqitur të dhënat sipas këtij publikimi lidhur me gjendjen dhe trajtimin e trashëgimisë kulturore para luftës. Këtu përfshihen gjetjet në periudha të ndryshme dhe llojet e gjinive të monumenteve.

Nga kjo tabelë shihet qartë qëllimi i politikes serbe se me çfarë qasje shkencore ju kanë qasur mbrojtjes së monumenteve kulturore: Falsifikimit të fakteve historike; përvetësimit të monumenteve bizantine, arbërore, osmane dhe periudhave tjera; shkatërrimin e qëllimshëm të trashëgimisë parahistorike, dardano-iliro-arbërore e në veçanti trashëgiminë e arkitekturës popullore të shekujve XVIII-XX.

Po e japim në përqindje se si duket trajtimi i monumenteve të kulturës gjatë kohës së administrimit serb.

 

 

Në këtë tabelë po japim të dhënat e publikimit i vitit 2003 nga Qendra koordinuese Serbi & Mali i Zi për Kosovë në Graçanicë, dërguar përfaqësuesit special të Sekretarit të Përhershëm në Kombe të Bashkuara.

Tabela 2.[1]

Këtu sipas publikimit serb janë paraqit të dhëna për monumentet kulturore të dëmtuara dhe rrënuara gjatë dhe pas luftës së vitit 1998/99.

 

 Mendoj se urgjent duhet të ndërhyhet në menaxhimin e kësaj fushe të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar. Praktika e deri tashme ka treguar se trashëgiminë kulturore të Kosovës në këtë gjendje përveç ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve e kanë sjellë edhe institucionet tona që punuan pa organigram, strategji dhe vizion.

Duhet të kuptohet se fati i monumenteve të kulturës nuk mundë të mbetet në vullnetin e Ministrit, Sekretarit të Përhershëm, Drejtorit të Administratës dhe Udhëheqësit së Departamentitit të Trashëgimisë, duke manipuluar me institucionet e larta politike dhe shkencore dhe në anën tjetër duke e anashkaluar stafin profesional, dhe Institucione që merren me mbrojtjen e vlerave të kulturës.

Strukturat tona politike duhet të mendojnë se këtë fushë mundë ta udhëheq Departamentii i Trashëgimisë Kulturore vetëm duke bashkëpunuar me institucionet më të larta shkencore të vendit. Institucionet shkencore  në rendë të parë duhet vënë promovimin e vlerave të mirëfillta të trashëgimisë kulturore përmes publikimeve shkencore për ta penguar shkallen e lartë që ka arrit propaganda serbe në institucionet ndërkombëtare.

 

 



[1] Tabela është punuar nga të dhënat e publikimit; Branislav Krstic, “Saving the cultural heritage of Serbia and Europe in Kosovo and Metohia”, Beograd, 2002

  



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora