Speciale » Namani
Qazim Namani: Trashëgimia Muzeore e Kosovës
E marte, 09.02.2010, 10:30 PM


Thesaret më të çmuara në Kosovë sot
konsiderohen të jenë disa nga monumentet e zbuluara arkeologjike që nga koha e
neolitit, e sidomos vlen të veçohen thesaret e manastireve mesjetare të
Deçanit, Graçanicës dhe Patriarkanës së Pejës. Manastiri i Deçanit ka thesarin
më të pasur dhe më të ruajtur në përjashtim të manastirit të Hilandarit në
“Malin e Shenjtë”. Në manastirin e Deçanit ka sende me vlera të mëdha
kulturore-historike të punuara prej metaleve fisnike, dorëshkrime të rralla,
ikona, ikonostasi i mermertë, sarkofagë, koleksioni i pasur kryqesh, koleksioni
i gotave ku vlen të përmendet gota e mitropolit të Artanës që i është dhuruar
Deçanit më 1593, kandilat nga shekujt XVII - XVIII e XIX. Ikonat që ruhen në manastirin
e Deçanit janë të shekujve XVI, XVII, si më e bukura veçohet ikona e Shën
Mërisë së Pelargonisë me Krishtin në prehër.[1]
Thesar të pasur të koleksionit muzeor
kishte edhe Patriarkana e Pejës por lufta Austro-Turke e viteve 1683-1689 i
shkaktoi dëm të mëdha, sepse turqit nën udhëheqjen e Jegen Pashës në vitin 1688
e zbuluan pasurinë e këtij thesari që ishte i fshehur në një kube të manastirit
të Graçanicës të cilin e barten me vete. Në patriarkalen e Pejës shquheshin
koleksioni i ikonave, koleksioni i
metaleve fisnike i përbërë prej disa kryqeve të punuara në shekujt XVIII-XIX,
thesari i drugdhendjes i punuar më 1797 nga Haxhi Ruvin Neshkoviqi etj. Në
manastirin e Graçanicës kishte thesare të çmuara që ishin dhurata të mbretërve
mesjetar. Vlerën më të madhe të këtij thesari e kanë ikonat dhe librat në
dorëshkrime, si ikona e Krishtit, evangjelistit Luk e shekullit XVI, Shën
Mërisë, 17 dorëshkrime dhe më se 20 fragmente të librave të shkruara me dorë të
shekujve XIV-XVI.[2]
Zhvillimi institucional i muzeologjisë
për etnokulturën e Kosovës nuk fillon me themelimin e Muzeut të Kosovës, por
shumë më herët. Koleksioni i parë muzeor në Kosovë ishte muzeu i familjes
Gjinolli në Prishtinë. Përveç këtij muzeu ka ekzistuar dhe një koleksion i rëndësishëm
i familjes Bashota në Prizren.[3]
Përveç këtyre familjeve ka pasur edhe shumë koleksionar tjerë të familjeve
feudale shqiptare si familja Begolli në Pejë, Dragalijt në Mitrovicë etj.
Muzeu i familjes feudale Gjinolli me
origjinë shqiptare ishte institucion kulturor mjaftë interesant dhe i ngjashëm
me ato të oborreve feudale nëpër shtetet e Evropës, i cili është shkatërruar në
kohën e luftërave Ballkanike me 1912.[4]
Koleksioni muzeor i familjes Gjinolli ka pasur një numër
të konsiderueshëm të eksponateve me rëndësi historike dhe etnografike ( në
mesin e tyre ka qenë edhe gijotina e Jashar Pashës ). Me pushtimin e Kosovës
nga forcat serbe në luftën e parë Ballkanike, muzeu plaçkitet dhe tërësisht
shkatërrohet. Prej vitit në fjalë në Kosovë nuk kemi muze të themeluar deri në
vitin 1949[5].
Muzeu i Kosovës i themeluar në vitin
1949, zhvillon veprimtarin e vet që nga viti 1951, në mbledhjen, hulumtimin,
konservimin dhe ekspozimin e thesarit muzeor, për qëllim të studimit, edukimit
dhe shijimit të vlerave materiale të trashëgimisë lëvizëse.
Gjatë periudhës komuniste në
Institucionet muzeore Kosovare eksponatet janë trajtuar në mënyrë sipërfaqësore
dhe të pjesshme në këto periudha: Antika dhe periudha Osmane. Rëndësi të
veçantë i kushtohej LNÇ[6],
periudhës së ndërtimit socialist, lëvizjes punëtore për arsye se pushteti
komunist i konsideronte si periudha të lindjes, zhvillimit dhe të ndërtimit të
ideologjisë komuniste. Pushteti komunist e bëri të pamundur, hulumtimin,
prezantimin dhe publikimin e temave që kishin të bëjnë me periudhat më të
ndritshme të historisë dhe kulturës sonë kombëtare. Shumë tema, ngjarje dhe
personalitete kulturo-historike kombëtare shqiptare u vlerësuan si kontrarrevolucionare,
indoktrinuese dhe të dëmshme për shoqërinë socialiste. I tërë dokumentacioni,
fotografitë dhe eksponatet tjera muzeore të cilat pasqyronin dhe dëshmonin
ringjalljen arsimore e ekonomike të Kosovës gjatë viteve 1941-1944 mbanin
legjendën vepra të fashizmit.[7]
Eksponate nga territori i Kosovës ishin
dërguar nëpër muzetë e Jugosllavisë edhe ndërmjet dy luftërave botërore. Figura
e cjapit prej bronzi që u zbulua në Prizren gjendet në Muzeun e Vrajës.[8]
Koleksionet e muzeve në Kosovë janë me
vlera të rëndësishme për trashëgiminë kulturore të vendit, dhe përfshijnë rreth
60.000 eksponate. Koleksioni i Muzeut të Kosovës përfshinë rreth 40.000 eksponate muzeore. Nga
koleksionet e muzeve të Kosovës para luftës së fundit në Janar-Mars të vitit
1999, pak para bombardimeve të NATO-s
janë marrë si huazim për një ekspozitë të përkohshme me titull “Thesari
arkeologjik i Kosovës” ekspozuar në galerinë e Akademisë së Shkencave dhe
Arteve të Serbisë në Beograd. Koleksioni arkeologjik, i përbërë nga 677
eksponate. Nga thesari i etnologjisë në të njëjtën mënyrë janë marr 571
eksponate janë huazuar për ekspozita lëvizëse etnologjike në muzetë e Novi
Sadit, Suboticës, Kikindës, Vërshacit dhe Beogradit. Tani koleksioni
arkeologjik mbahet padrejtësisht në depot e Muzeut popullor të Beogradit dhe
koleksioni etnologjik në depot e Muzeut Etnologjik në Beograd. Prej të gjitha
këtyre eksponateve pas lufte me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve është kthyer
vetëm “Hyjnesha në fron”.[9]
Me rastin e 160 vjetorit të themelimit të
tij, Muzeu Popullor i Beogradit në bashkëpunim me Muzeun Kelt Hochdorf/ENZ dhe Landesdenkmalamt Baden-Wurttemberg Esslingen, organizuan ekspozitën
e përbashkët me eksponate kelte dhe ilire nga Ballkani qendror prej datës
25.11.2004 e deri me 31.07.2005. Në këtë ekspozitë përveç
eksponateve nga muzetë e Serbisë, kishte dhe eksponate të Muzeut të Prishtinës.[10]
Muzeu
i Kosovës e rifillon punën më 06 Shtator 1999. Në Muzeun e Kosovës, dhe
Muzeun e qytetit të Prishtinës pas lufte krijohen vështirësi për punë normale
si pasojë e vendosjes së ndërkombëtarëve në objektin e muzeut. Pas largimit të
ndërkombëtarëve në Muzeun e Kosovës janë rinovuar hapësirat ekspozuese. Në
muzeun e qytetit të Prishtinës vendoset Ministria e Planifikimit Hapësinor,
andaj Prishtina edhe sot është pa muze të vetin si komunë dhe kryeqytet. Tani ish muzeu historik i revolucionit
vendoset në muzeun e Kosovës për ti lëshuar vendin Galerisë së Arteve të Kosovës.
Në disa komuna kanë qenë të themeluara muze komunale. Në Prizren muzeu arkeologjik regjional, muzeu i elektroekonomisë së Kosovës dhe Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i cili u dogj gjatë luftës më 1999 ku u shkatërruan 288 relikte dhe u dëmtuan shtatoret të punuara në bronz të Abdyl Frashërit dhe Ymer Prizrenit.[11] Muzeu etnografik i qytetit të Pejës. Muzeu etnografik në Gjakovë, Muzeu i qytetit në Mitrovicë. Muzetë komunale në Skenderaj, Fushë Kosovë, Vushtrri dhe vërehet interesimi për themelimin e muzeve komunale dhe në komunat tjera.
[1] Mr. Tefik Morina, Separat, “Rruga e zhvillimit dhe perspektiva e muzeve në Kosovë”, Prishtinë
1974 , fq. 220-225
[2] Po aty fq. 228
[3]
muzeologjike kombëtare në Tiranë 12-13 Nëntor 2002”, fq. 76,77
[4] Vasilije Kozarac, “Gllasnik Muzeja Kosova i Metohije”, Prishtinë 1956.
[5] Dr.
Muzeut Historik”, Prishtinë, Shkurt 2002.
[6] LNC- Lufta Nacional Clirimtare
[7] Mr.
komuniste, “Studime Muzeologjike nr 2”, fq. 61,62, Tiranë 2002.
[8] T.P. Vukanovic, “Vranjski Glasnik”, “Bronze figurine represinting the He-Goat from Teranda
(Prizren) of Helenistik-Illyrien epoch”, Knj.IX, Vranje, 1973, fq. 2- 34
[9] Muzeu i Kosovës “Koncept-Plani rreth punës hulumtuese shkencore në Muzeun e Kosovës. 2005”
[10] Keltenmuseum, Hochdorf/ENZ, “Silber der Illyrer und Kelten im Zentralbalkan”, Eberdingen,
2004, fq. 7
[11] Parim Kosova, Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe sfidat e tij 1981-1999
fq 20 Prizren 2006.