E diele, 04.05.2025, 11:36 PM (GMT+1)

Speciale

Halit Elshani: Grupi i Ajdin Muliqit, përkatësisht grupi i Enver Hadrit

E shtune, 17.03.2012, 06:59 PM


GRUPI I AJDIN MULIQIT
PËRKATËSISHT GRUPI I ENVER HADRIT

 

Nga Halit Elshani

 

Kush ishte në të vërtetë desidenti Ajdin Mustafë Muliqi, i burgosur disa herë?!

Është i lindur me dymbëdhjetë prill të vitit 1937 në Pejë. Ka nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë e çertifikatën e të përndjekurve politikë.

Në nëntor të vitit 1959, në Shkup bjen në burg. Gjyqi ushtarak e dënon atë me katër vjet e gjysëm hjekje lirie. Burgun e ka vuajtur në njërin prej burgjeve më të rënda në historinë e burgjeve të Evropës - në ishullin e ashtuquajtur Goli Otok.

Aty njohtohet me Anton Stavrin, Haxhi Zekën, Adem Elshanin, Hysen Berishën e shumë e shumë të tjerë. Lirohet më 1963, pas një amnestie, me detyrim për t’u lajmruar për çdo javë në UDB-ënë e Pejës!

Me 1972 bjen përsëri bjen në burg, si i rrezikshëm. Kësaj rradhe në Gjakovë. Pa asnjë dokument apo padi e mbajnë të burgosur për gjashtë muaj rrjesht! Ishte kjo koha para ardhjes së Titos në Kosovë.

Ai e vazhdon punën e grupit të atdhetarit Ramadan Shala. Me të rënë në kontakt me Antonin, formojnë qelulat e “Komitetit” gati në të gjitha trojet shqiptare.

Me 1972 ra në burg një pjesë e grupit - ”Komitetit”, për t’u dënuar me burgje të rënda. Anton Stavri dënohet me katërmbëdhjetë vjet burg, Ajdin Muliqi me gjashtë vjet, Xhemajl Haçku me dy vjet, Muhamet Xhemajli me dy vjet dhe Jahja Turjaka me një vit burg.

Duhet cekur se në këtë grup irredentistësh, siç i quajtën asokohe, ishin Ajdin Muliqi, Anton Stavri – kryetar, Enver Hadri - sekretar, Jahja Turjaka, Muhamet Met Xhemajli, Xhemal Haçku, Xhafer Muliqi, Xhevdet Avdiu.

 

 

Jahja Turjaka, Ajdin Muliqi e Muhamet Met Xhemajli (nga e majta në të djathtë).

 

Po përmendim edhe Xhafer Muliqin, Avni Lamën, Hydën, Sokolin, Skenderin, Muslim Dobrunën, Besnik Kocin, Xhafer Turjakën, Skender Avdiun, Zejnullah Ismajlin, Luk Percollin, e të tjerë. Grupi ka pasur shtrirje në të gjith trojet shqiptare në Ish Jugosllavi. Ata kanë zbatuar direktivat tona me përpikëri. Për këtë punë të tyre vetëmohuese kombëtarisht duhet t’iu falënderohemi atyre, familjeve e fëmijve të tyre!

Ne kemi qenë të rinj e të fortë, nuk i kemi dhënë të tjerët përkundër torturave që na i kanë bërë! Bile unanimisht, pasi Enveri kishte ikur jashtë shteti, ne ia lamë atij tërë fajin! Kjo na shkoi për dore në hetuesi. Dhe kaluam bukur lehtë! E kodi penal i atëhershëm jugosllav parashihte dënime drastike, ngase në akuzën tonë bëhej fjalë për cënim integriteti, shkëputje e një pjese të territorit jugosllav dhe bashkim e saj me Shqipërinë, gjë që shihet më së miri nga Aktvendimi P. nr.15/73, thekson Jahja Turjaka.

Anton Stavri, thekson mëtej Jahja Turjaka, ka jetuar si ruajtës i bagëtive në Ruhot të Pejës. Më kujtohet një kullë guri po nuk më bjen ndërmend emri i familjes ku kam shërbyer, thoshte ai. Enveri e çonte bashkë me ne. Pastaj ia gjetëm vendin në një familje në Korishë të Prizrenit, në Malin e Zi të Shkupit, e në vende të tjera.

I mbajshim takimet në livadhe. Më kujtohet se aty me ne ka qenë edhe njëri nga drejtorët shqiptarë të “Makpllodit” të Shkupit. Gjithashtu cekin edhe rastin kur e kanë dërguar Anton Stavrin me Ajdinin kemi bërë ndeshje me limuzinë të prodhimit polak të tipit ”Pezetin”, që përdryshe ishte pronë e Enverit.

E Muhamet Met Xhemajli, vazhdon tregimin, se më 1977 kam qenë banor i Shqipërisë. Në shtyp lexova se në atë rrevolucionin, gjegjësisht në ato trazira të njohura, udhëheqës kryesor në rrethin e Elbasanit kishte qenë gjeneral Anton Stavri. Kurreshtja për të m’u shtua edhe më shumë. Më nuk kishim informata për të. Ne kemi pasur fotografi me te, jemi fotografuar në parkun e vogël të quajtur ”Milet park”. Kemi pasur poashtu edhe programe të “Komitetit për Bashkim”, por friga nga bastisjet dhe lufta i ka azgjasuar të gjitha! Një ditë në një kombibus e pashë. Prita t’a shoh duke hecur nga afërsia sepse ai çalonte - shtihej se është i çalë!

Por le t’i kthehemi edhe pak të kaluarës.

Pas rënjes në burg të Ramadan Shalës, Adem Demaçit, Hasan Polluzhës (më 1962), etj. ne vazhduam veprimtarinë gjer në vitin 1972, kur Enveri na tregoi se jemi të rrezikuar dhe duhet të ikim!

Të shtoj se Enveri e ka mbajtë pistoletën gjithmonë me vete. E kishte prerë librin e Tolstoit, Ana Karaninën në mes dhe e kishte futë në të alltinë. Librin e mbante herë nën sjetull e herë në dorë, pa i shkuar mendja dikuj se çka ka në të!

Por ne nuk u pajtuam më ikjen tonë. Mendonim se nuk ka kush të vazhdojë këtë veprimtari, se po ligështoheshim! Enveri ishte i vetëm në familje, kishte një barrë të rëndë nga e kaluara. Kishte mbetë jetim në moshën trevjeçare.

I kishim bërë një vizitë Ambasadës së Shqipërisë në Beograd. Me atë rast e kemi njoftuar ambasadorin e atëhershëm, Sokrat Plakun, për grupin, për Anton Stavrin. Plaku u shtangue për një moment, më la vetëm. Pasur një gjysëm ore erdhi. Duhej të shkonim sërish në një vizitë por për shkaqe materjale nuk shkuam më!

Asokohe makinën e shkrimit na e kishte siguruar Tahir Vokshi, një ish sportist dhe trajner i njohur. Me atë makinë Enveri i ka shkruar Programin e "Komitetit për Bashkim", shkresat, parollat. Dorën në zemër më së shumti i kemi shkruar me dorë nëpër mure në vendet kyçe! Kështu ka vepruar edhe Anton Stavri, në Prishtinë e gjetiu. Në Prishtinë shkonte me një veshje të çuditshme për kohën, në do pantollona të shkurtër, duke çaluar. I ka shpërndarë pamfletet pa i ra në gjurmë kush dhe pa frigë është kthyer në bazë!

Duhet shtuar se Ajdin Muliqi, ndjesë pastë, vdiq me 24 tetor 2006 pa dalë në dritë ky libër të cilin e priste me pa durim.

 

RIGA LOTËSH NË FYTYRËN E ANTON STAVROSIT ALIAS RAIM SEJDIAJT

 

Janë mbledhur shumë të dhëna, të shkruara dhe të pashkruara, dëshmi nga veprimtarë në diasporë të grupit të tij në krye me Ajdin Muliqin nga Peja, për zbardhjen e enigmës se kush ishte ”greku” aq i përfolur zoti Anton Stavri. Mendimet dhe opinionet që padyshim e ndriçojnë edhe më spikatur aktivitetin shumë dimensional e të paepur për çështjen kombëtare shqiptare, që rëndonte gjithnjë e më shumë nga regjimi ish Jugosllavisë titiste, gjendje kjo që arriti kulminacionin në kohën e Millosheviqit.

Një ditë, sa isha duke lexuar diçka në qelinë time, nëse nuk gabohem do të kishte qenë vepra e mirënjohur e letërsisë botërore ”Krimi dhe dënimi” i Dostojevskit, dikush hyri në qeli, por unë për një moment nuk e vërrejta, duke menduar se ai që hyri do t’ia fillojë i pari bisedës. Pas një heshtjetje e çova kokën nga libri dhe e ktheva për të parë se cili nga shokët e mij ishte ai që posa kishte hyrë. Ishte Aton Stavrosi! Në dorë kishte një leckë aq të vjetëruar sa nuk dihej se çfarë ngjyre do ta kishte pasur dikurë. Pasi e shpaloi leckën disa herë qëandej nxori mbase katër fotografi të madhësisë së letërnjoftimit. Në fotografi ishin të gjithë burra me uniforma të aviacionit luftarak të Ish Jugosllavisë. Të gjithë ishin, apo më mirë të them fatkeqësisht kishin qenë, oficerë të rinj dhe të bukur! Stavrosi m’i zgjati ato katër fotogafitë.

- A mundesh t’ua bëjsh nga një protret, më pyeti.

Përveç dridhmës së zërit pashë se sytë e tij i kishte plot lot.

- Po, i thashë, pa e pyetur se çfarë po ngjante me te.

I mora dhe i shikova mirë e mirë. Ishin katër pilotë të bukur, apo siç thotë populli ”filani ishte me e pa si oficer - si pilot”, dhe që të gjithë jo më të vjetër se njezetepesëvjeçarë! Por Stavrosi sakaq m’i mori fotografitë nga dora.

- Mundem të të bëj ndonjë të keqe nëse sigurimi informohet për këtë, tha dhe u nis. Deshti të del.

- Prit pak Stavro, ia prita, përse qan?! Kush janë këta pilotë aviacioni luftarak, e pyeta.

- Qaj se me dorën time “i vrava!”, më tha dhe doli nga qelia!

Anton Stavrosi, sipas aktakuzës zyrtare të viteve dyzeteteta-dyzetenënta, është grek nga Greqia, me fakultetin e kryer të teologjisë, kurse me profesion prift. Po ai Antoni ishte që në kohën e Luftës së Dytë Botërore kishte qenë në radhët e Frontit Antifashist Grek dhe luftën e kishte përfunduar si komisar brigade. Pas marrëveshjes së treshit në Jaltë (pas marrëveshjes Stalin-Ruzvelt-Çurçil) Greqia mbeti në sferën e ndikimit perëndimor gjegjësisht në paktin NATO. Kështuqë, pas kthimit të mbretit grek në atdhe, me mijëra partizanë dhe komunistë grekë nga Greqia u detyruan të ikin në shtetet “socialiste” të posaformuara. Aton Stavrosi emigroi se pari në Shqipëri. Pastaj Stavrosi, sipas thënies së aktakuzës, me direktivat e Shërbimit Sekret Shqiptar kalon në Jugosllavi, respektivisht në Kosovë, “për të punuar dhe organizuar në ndarrjen e territoreve të Jugosllavisë, të banuara me Shqiptarë, të cilat më vonë, me anë të dhunës, t’i bashkangjiteshin Shqipërisë…!”

Po le të mbetet ashtu siç thotë aktakuza! Stavrosi, në vitin 1948-të u deklarua për Rezolutën e Informbirosë e cila akuzonte regjimin titist se kishte “devijuar” nga marksizëm-leninizmi. Po këtë Rezolutë e përkrahu edhe Republika Popullore e Shqipërisë. Për këtë deklarim të vetin Stavrosi burgoset bashkë me qindra dhe mijëra ish partizanë dhe komandantë të Titos, në mesin e të cilëve kishte edhe shumë fytyra asokohe të njohura!

Ndër ta ishte edhe Labu Kusovac, doktor i shkencave që para lufte kishte doktoruar në Sorbonë të Francës. Që atëherë po edhe në kohën e luftës ai ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇJ. Pak para Luftës së Dytë Botërore kishte qenë sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Jugosllavisë! Nga ai post e ndërroi Stalini dhe në vend të tij solli një njëri të panjohur gjeratëherë, Josip Broz Titon, emër ky që gjithmonë mbeti kontestues!

Bile në burgun e Mitrovicës së Sremit ishte një i dënuar sërb properëndimor, në qelinë 31 të katit ku “banoja” edhe unë, i cili pohonte se “Tito është vrarë në një ofenzivë gjermane në Sutjeskë, kurse ky është babai i tij. E emrin dhe mbiemrin e djalit të tij e mori me rastin e vrasjes se Josip Brozit të vërtetë! Mbeti në shtabin e përgjithshëm pasi i gjasonte plotësisht Brozit të vërtetë, djalit të tij. Kështu “Brozin e vëretë” e zëvendësuan me këtë kolonel”. Mirëpo “zotëriu”, se kështu e quanin këtë të dënuar sepse ishte properëndimor, pikërisht për këtë “argument” të tij “hante” për çdo ditë dajak nga gardianët.

U burgos edhe Vladimir Dapçeviqi, vëllau i komandantit legjendar Peko Dapçeviq, nën komandën e të cilit u çlirua Sremi dhe Beogradi. Ai u arrestua duke tentuar që bashkë me komandantin e përgjithshëm “Cërni” të kalojë kufirin jugosllavo-rumun. “Cërni” me këtë rast u vra, pra në tentimin e sipër për të kaluar kufirin. Stavrosi thotë se në “Goli Otok” ishin jo me pak se 14.000 të internuar, numër të cilin mbi 80 përqind e përbënin partizanët dhe komunstët e Josip Brozit, kurse të tjerët ishin çetnikë, ustashë, ballistë, bello-gardejcë e të tjerë. Por këta të fundit ishin shumë më të privilegjuar se shokët e Brozit.

Sa jemi të doktor Labud Kusovci, mu kujtua një fjalë e Velimir Moraçës, dërguar gazetës javore “NIN” të Beogradit, që në fakt ishte një letër, e cila kurrë nuk u botua, si përgjigje në fejtonin që botoi kjo gazetë me titull “Ib-Informbyro ç’është kjo?!” Në këtë fejton fund e krye kritikohej Stalini dhe Informbiroja, se “Stalini në jetën e tij, vetëm njëherë nuk ka gabuar dhe atë pikërisht kur emroi Josip Brozin për sekretar të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, në vend të Kusovcit…” Kjo gazetë pat vjellë shumë helm po ishin shtetet socialiste dhe “Goliotokashët” që e përkrahën atë. E ai pat thënë njëherë një gjë shumë interesante! Kjo gazetë përmend shkuarjen e delegacionit ushtarak të Jugosllavisë në Shqipëri për t’u takuar me kolegët e tyre shqipëtarë. Dhe, për habinë e tyre, shton gazeta, në delegacionin shqiptar mungonte Mehmet Shehu, Ministër i Mbrojtjes dhe njeriu i dytë në Shqipëri! Në pyetjen e delegacionit jugosllav se përse “Shoku” Mehmet nuk është prezent?!” e morën përgjigjen se “ky takim është aq me rëndësi sa që “shoku” Mehmet nuk duhet të merr pjesë! Shikoni “shokë” (jugosllavë), partia ka informata se “shoku” Mehmet Shehu, që pas mbarimit të luftës civile në Spanjë, ku mori pjesë, dhe nga ikja e tij në Francë, filloi të punojë për shërbime të huaja…” Pastaj kjo gazetë, indirekt njofton lexuesit e saj se Enver Hoxha shpesh kishte akuzuar Mehmet Shehun se ai po punonte për jugosllavët. E tërë kjo sepse njëherë kur Mehmet Shehu kishte udhëtuar për Amerikë, në të njejtën anije kishte udhëtuar edhe Josip Brozi, e fshehurazi këta të dy ishin takuar!Ka indikacione se përkthyesi Qenan Shaipi nuk ishte mbyt në ujrat e Karaibeve,por ishte likuidue duke qenë deshmitar i këtij takimi! Këtë e thotë vetë autori i fejtonit të “NIN-it” pa i shkuar ndërmend se pas shumë vitesh Mehmet Shehu do të akuzohet nga Enver Hoxha se ishte agjent jugosllav dhe se Mehmet Shehu do të bejë “vetëvrasje”!?

E zëra të ndryshëm në Shqipëri thonin se Mehmet Shehun e kishte vrarë Ramiz Alija…

 

KUSH ISHTE MILAZIM ARIFI-SEFERI

 

Njeriu i sakrificave, ushtar i UÇK-ësë e UÇPMB-ësë, babai i heroit Skyfter Arifi që  i bën nder të jetë pjesë e këtij libri.

 

Kush ishte në të vërtetë Andon Stavrosi, alias Raim Sejdija?!

Pas hetimeve tetëmujore çfarë nuk mbahen në mend në kazamatet e Jugosllavisë titiste dhe pas dënimit prej tetë vjetësh me burg të rëndë, më në fund nga burgu i Qarkut të Gjilanit, mua, tha Milazim Arifi, më transferuan në burgun ndëshkues “korrektues” të Mitrovicës së Sremit. Ky transferim ishte anti-ligjor sepse ende vendimi nuk ishte bërë i plotfuqishëm nga ana e Gjykatës së shkallës së dytë të Kosovës! Por s’ke ç’i bën se kështu ishin ligjet jugosllave për të dënuarit shqiptarë!

Para se të përpiqem ta zbërthej këtë njeri “enigmë”, vlen të përmendet shkaku se përse më dërguan pikërisht në këtë burg e jo në burgje të tjera. Në të vërtetë, duke e ditur gjendjen time familjare, unë i shkruajta një letër dikastierit të drejtësisë së Kosovës, duke menduar se transferimi për në ”korrektim” është nën kompetencën e tyre. Në këtë letër-kërkesë unë kërkoja që të më transferojnë në një burg më të afërt me Kosovën, si p.sh. në burgun e Nishit apo të Idrizovës. Kjo kërkesë ishte si rrjedhojë e mbetjes së gruas sime e vetmuar me dy fëmijë të mitur e mospasje të mundësive që të më vizitojë në një burg kaq të largët siç ishte burgu në Mitrovicën e Sremit. Mirëpo organet e sigurimit shtetëror që kishin kompetencën mbi të burgosurit politikë, më dërguan pikërisht në atë burg ku unë nuk desha! Ky burg, jo vetëm që nuk i gjasonte burgjeve hetuese që kisha parë deri atëherë, por në këso burgjesh jeta e të burgosurve e trajtimi i tyre ishte aq i tmerrshëm sa diçka të tillë as nëpër filmat me tematikë tmerri nuk kisha parë fare! Të vetmit burg që i gjasonte ky burg, e të cilin e kisha parë nëpër filma, ishte ai i Alkatrazit! Ky burg ishte më shumë një kuart ndërtesash të cilat ishin të ndërtuara të gjitha nga tulla të kuqe dhe i tërë kuarti ishte i rrethuar me mure të larta gjashtëmetrash dhe me një portë të madhe.

 

Z. Milazim Arifi (djathtas) e Halit Elshani (majtas).

 

Kur arrijta atje u hap porta dhe më futën në oborrin e drejtorisë së burgut e mandej në oborrin e ndërtesës së parë dhe më në fund në oborrin e ndërtesës së dytë, ndërtesë kjo që quhej Paviloni i izolimit. E çuditshme ishte kjo ndërtesë! Ajo përbëhej nga përdhesa dhe nga dy kate të tjera, gjegjësisht nga kati i parë dhe ai i dytë. Përdhesa dhe çdo kat kishin nga dyzet qeli sejcila, që do të thotë gjithsej njëqind e njëzet qeli. Nga përdhesa shihej kulmi, ai kulm prej një plastikë të trashë nëpër të cilin brenda në ndërtesë depërtonte drita. Qelitë e burgut ishin të rradhitura në pjesët drejt murit të jashtëm kurse për të hyrë nëpër qelitë ishte vetëm një meter gjerësi e pllakës. Katet i ndante një rrjetë e shpeshtë metali e cila pengonte dhënien e gjërave nga kati në kat. Në mesin e ndërtesës, në anën e djathtë, mu të qelia nr. 33, e cila do të bëhej “banesa ime”, ishin një palë shkallë. Të burgosurit i quanim shkallët spirale.

Dhe vërtetë ishin në formë spirale. Fillonin që nga kati i dytë, kalonin nëpër katin e parë, pranë derës “sime”, nëpër përdhesë dhe futeshin në bodrumet e ndërtesave. E për këto bodrume thuhej se ishin me një sipërfaqe aqë sa dhe i tërë burgu. Këto shkallë, në çdo kat, kishin nga një derë të mbyllur me dry. Shkallët ishin të dukshme sepse ishin të mbështjella vetëm me rrjetë metali. Të burgosurit e vjetër thoshin se këto shkallë vlejnë që në rast të kryengritjes së të burgosurve nëpër to të burgosurit me dhunë do të futen nëpër bodrume!

Në të hyrë në këtë pavijon, për ca çaste, më ndalën para zyrës së eprorit të rojeve, që gjendej në përdhesën e pavijonit. Pastaj më futën brenda sa për një “formalitet” të shkurtër. Porsa hyra, pashë ulur një polic të vjetër dhe me grada të larta policie i cili nuk lëvizi fare nga vendi. Ai vetëm sa uli syzat në fund të hundës.

- Uluni gjeneral! - më urdhëroi me një zë të lartë e autoritativ.

Po unë nuk u ula. Mbeta paksa i habitur nga ky emërtim.

- Zoti epror, unë nuk jam gjeneral sepse po të isha gjeneral, do të isha në shtatmadhori e jo para një provokuesi si ju, ia ktheva.

Për çudi, ky fashist nuk u hidhërua fare. Vetëm se shikoi në aktgjykimin tim që e kishte hapur.

- Megjithatë, je shoqëruar me gjeneral (duke menduar në Vlladimir Dapçeviqin, i dalur nga lufta me epoleta gjeneralkolonel, në mos gabohem), e ai është armik i shtetit tonë, që do të thotë se edhe ti je armik i yni, ma ktheu.

- Zotëri epror, ia ktheva unë, a mos po shkruan në atë aktegjykimin tim, që keni përpara, se më kanë arrestuar duke u falur në xhami, e pyeta plot ironi.

Eprori policor nuk foli fare. Vetëm më shikoi me ato syza të zbritura në majë të hundës dhe i dha shenjë gardianit me kokë.

Ai hapi derën dhe, pasi dolëm nga zyra e eprorit, më bëri shejë që të ec pas tij. U ngjitëm shkallëve të ndërtesës dhe hymë në katin e parë. Në të hyrë, kthyem kah qelitë që ishin në anën e djathtë të koridorit. Qelia e parë, kishte numrin 40, që do të thotë se numri rendor fillonte nga ana e majta. Arritëm tek qelia nr. 33. Gardiani hapi derën e qelisë me një çelës aq të madh sa kurrë më parë nuk kisha parë diç të tillë. Gjatësia e tij, arrinte sigurisht deri në njëzet centimetra. Edhe qelia ishte ndryshe nga ato që kisha parë gjer atëherë. Kishte një gjatësi prej katër metrash me një gjerësi dy metrash dhe një lartësi prej tre metrash. Dy shtretër të hekurt, njëri mbi tjetrin, ishin vendosur në anën e djathtë të qelisë, ku ishte edhe një tavolinë të vjetër druri me një karrikë pa mbështetëse. Në anën tjetër të kësaj qelie ishte çeshmeja e ujit dhe nevojtorja. Taman një “banesë komfore”! Mirëpo më e çuditshme ishte dritarja me një madhësi një metër me një metër dhe e vendosur shumë lartë në ato mure prej një metri trashësie, mur që ishte bërë në kohën e Austro-Hungarisë. Gojëkëqinjtë thoshin se këtë burg e kishte projektuar vetë perandoresha e Austro-Hungarisë, Maria Tereza! Kjo dritare nuk hapej as majtas e as djathtas. Kishte një shkop përafërisht një metër të gjatë i cili me një grep në maje, kapej për pjesën e epërme të dritares dhe e hapte atë duke e ulur në pjesën e poshtme! Qelia kishte një derë jashtëzakonisht të trashë prej metali, me një të hapur në të si dollap në formë katërore e me madhësi të përafërtë prej njëzet me njëzet centimetra. Natyrisht, mbi atë dollap, ishte edhe vrima e vogël, nëpërmes të së cilës gardianët nga jashtë na shikonin ne të burgosurit brenda pa u vërrejtur. Kjo vrimë nga të burgosurit thirrej “spiunkë”. Dhe në fund, atje mbi derë, ishte edhe një dollap me një madhësi pothuajse tridhjetë me tridhjetë centimetra ku qendronte poçi elektrik i ndezur tërë natën! Ky dollap ishte i mbyllur me rrjetë metali për të siguruar se pale mos bejnë në të vetëvrasje të burgosurit!

Në këtë qeli, natyrisht përherë me derë të mbyllur, qëndrova plot një muaj sepse kështu “u dashka”, që muaji i parë, siç i thonin ndryshe edhe muaji në “karantinë”. Kështu duhet kaluar me derë të mbyllur dhe pa kontakt me të tjerët! Dhe vërtet, i vetmi kontakt që pata për një muaj rrjesht ishin vetëm gardianët që më sillnin ushqimin përmes dollapit. E refuzova edhe shëtitjen një herë në ditë nga një orë sepse nuk më nxorën të shëtis ku shëtitnin të burgosurit e tjerë, por atje pas ndërtesës, tek muri i burgut, kurse mbi murin e burgut ishte një çerdhe mitralozësh ku gardiani bënte roje, i gatshëm saqë nuk e hiqte gishtin që e mbante ndrydhur në këmbëzën e mitralozit. Mendova se mund të më vrasin dhe të dalin me komunikatë se tentova ta kaloj murin! As shtyp nuk kisha për të lexuar. E humba çdo kontakt me botën. Prandaj edhe qelisë ku më vendosën i thonin “karantinë”. Nuk dijsha se çfarë të dënuar të tjerë kishte në atë burg, a ishin vetëm të dënuar politikë apo të tjerë të përzier, a kishte edhe shqiptarë apo vetëm të tjerë?!

Ndëgjoheshin zëra në gjuhë të ndryshme, por jo edhe në shqip. Mandej ndëgjohej në katin mbi mua një njeri që gjithnjë shante në gjuhën sërbe: shante nënën e policit, shante nënën e hungarezit. E përbuzte dikë, por nuk ndëgjohej ngase gardianët e qortonin për këto sharje. Një tjetër rregullisht ecte pranë qelive dhe në mënyrë të shpejtë fliste në gjuhën hungarishte, kurse një tjetër tërë ditën shëtiste pranë qelive të anës ku isha unë por kurrë kurgjë nuk fliste. Sigurisht duhet të jenë të çmendur mendoja me vete.

Një ditë u hap dera dhe u fut gardiani që më kishte sjellë në këtë qeli. E quanin Jovo. Në dorë kishte një grumbull gazetash dhe më tha: “Janë të vjetra, por mund t’i lexosh sa për të kaluar kohën”. Më erdhi interesant se në mesin e shumë gazetave të Beogradit ishte edhe “Rilindja” e jonë! Lexova se si aeroplani që po fluturonte nga aeroporti i Sarajevës në drejtim (tash nuk më bjen ndër mend se në cilin drejtim),e në të cilin kishte qenë kryetari i kryesisë jugosllave, Xhemajl Bijediqi, ishte përplasur për një kodre nga kursi i “marrur gabimisht”. I gjjithë ekuipazhi kishte vdekur. Natyrisht me to kishte gjetë vdekjen edhe Xhemajl Bijediqi. Ndeshje e çuditshme kjo mes një aeroplani dhe një kodre, mendova me vehte. Kjo ishte komunikatë zyrtare por zor se do të ishte kështu! Xhemajl Bijediqi, me zgjuarsinë e tij dhe popullaritetin që kishte fituar në Jugosllavi, por edhe jashtë saj, nuk i pëlqente diktatorit Broz. Ai nuk i duronte rreth vedit “gjelat që dinë të këndojnë bukur dhe heret!”

Kështu pra, e kalova muajin e “mjaltit”, në karantinën time të burgut të Mitrovicës së Sremit, saktësisht në pavijonin numër 2 të izolimit, si i burgosuri me numër 202.

Në ditën e 30-të të muajit tim të “mjaltit”, erdhi gardiani dhe ma hapi derën e qelisë. Qëndronte te dera, jashtë qelie. Unë mora ato pak gjëra të mijat që kisha dhe dola nga qelia duke menduar se do të më dërgojnë dikund tjetër. Mirëpo gardiani u kthye dhe më tha se aty unë do ta kaloj vuajtjen e tërë burgut! Me një ndryshim të vogël që dera e qelisë në të ardhmen do të jetë e hapur!

Pas një kohe dola nga qelia e ime. Shkova nuk e dij se nga por arrita në sallën e televizorit. Njeriu i parë që mu afrua në sallën e televizorit, sallë kjo e bërë nga bashkimi i dy qelive me hjekjen e murin ndarës në mes, ishte Binak Ulaj. Mu afrua por mjaft i matur. Më bëhej se ishte si i hamendur.

- Unë jam Binak Ulaj, mu prezentua. Gjatë karantinës që ishe a të kanë ofruar që të punojsh në ndonjëfarë uzinë a fabrikë të burgut, më pyeti.

- Me gjithë qejf do të kisha pranuar, i thashë. Po jo, nuk më kanë thënë gjë.

Binaku heshti për pak.

- Ne të tjerët, gati të gjithë të dënuarit politikë, e fjalën e kam për shqiptarët, nuk punojnë dhe se puna duhet bojkotuar, më tha.

Me këtë edhe e përfundoi bisedën e vet njoftuese të rastit.

Edhe unë më vonë ashtu veprova. Pas disa ditë pune, ku më patën dërguar në një repart të vogël, në të cilin në mënyrë precize përpunoheshin veglat e punës, ndërpreva punën me arsyetim se jam i sëmurë dhe i shkatërruar nga shëndeti.

Dalëngadalë fillova t’i njoh të burgosurit e tjerë “katit tim”, por edhe të kateve tjera. Këtu hasa në njerëz që nuk i kisha parë kurrë të tillë më parë. Hasa në një botë krejt tjetër nga ajo paraprake! Ishin këta njerëz të kombeve të ndryshme dhë të dënuar për vepra të ndryshme, prej hajnave të rëndomtë që kishin kaluar tërë jetën nëpër burgje e gjer tek ata që këtu ishin për krime të rënda siç janë vrasjet e dyfishta dhe zhdukja e viktimave, dhunimi i të miturve dhe zhdukja e kufomave të tyre e deri te të dënuarit për vepra penale “kundër shtetit dhe popullit”. Kishte këtu dhe njerëz të sëmurë mendërisht por secili njeri dhe sëmundje “në vete e për vete”. Po kishte edhe njerëz të arsimuar që nga rangu i profesorit e deri tek ai doktorave të shkencave, si edhe nga ata që zotëronin edhe nga dhjetë gjuhë të huaja! Natyrisht edhe të burgosur që ishin shtetas të shteteve të tjera. Aty më në fund ishte edhe një i burgosur që kishte kryer fakultetin e teologjisë dhe ishte “prifti” orthodoks të cilin të burgosurit e quanin “grek”. Emri i tij zyrtar ishte Anton Stavros.

Siç e thashë tashmë, Binaku m’u afrua i pari. Mora vesh se ishte profesor i gjuhës shqipe. Ishte njeri i matur, i urtë e intelektual. Thjeshtë ishte kënaqësi që ta njohësh! Kohën e kalonte rregullisht duke lexuar në qelinë e tij. Ishte pedant në çdo punë. Qelia e tij ishte më e pastërta në gjithë katin. Uniformën e mbante gjithmonë të pastër. Ai gjithmonë na këshillonte për të mirë, por pa e vërrejtur se po na këshillon.

- Ne jemi pasqyrë e kombit tonë këtu në burg, na thoshte, si pa të keq.

Ishte me prejardhje nga katundi Vuthaj i Malit të Zi. Nga familja kishte vetëm një nënë dhe disa kushëri. Kurrë nuk i vinin në vizitë, mbase nga largësia e madhe. Por edhe shumë rrallë i dërgonin pako me gjëra ushqimore, mbase nga gjendja e vështirë ekonomike në të cilën ishim katandisur ne shqiptarët. Megjithatë, Binaku kurrë nuk ankohej për asgjë. Bile edhe atë pak ushqim që ia dërgonin përmes pakove e ndante me mua. Këtë gjë e bënte kështu ngase e dinte se edhe mua shumë rrallë më vizitonin të mitë.

- Merre, më thoshte, këtë pak mjaltë apo tëlyen lope. Edhe pse është pak në sasi është më i vlefshëm se ky i burgut, më thoshte Binaku.

Dhe vërtetë ushqimi i burgut që neve të burgosurve na e jepnin ishte më i dobët se çdo ushqim tjetër çfarëdo qoftë ai! Ai ishte i vjetër mbi dhjetë vjet, e të cilin kazerma e ushtrisë në Mitrovicën e Sremit e përgatiste për ta hedhur në mbeturina. Drejtoria e burgut kërkonte që ata të mos e hedhnin në mbeturina por e sillnin në burg për të na e dhënë neve të burgosurve për ushqim!

Ndër të burgosurit ishte edhe një shqiptar. Xhavit Dërmaku, një djalë i ri i zgjuar nga Shipashnica e Gjilanit, me profesion ekonomist i diplomuar. Ai para se të burgosej kishte punuar në Entin e statistikës të Kosovës.

- Unë jam kuadër deficitar, na thoshte kur shpesh bënim shaka.

Në realitet, ashtu edhe ishte. Xhaviti ishte njeri i matur, i urtë dhe intelektual. Lexonte rregullisht dhe gjithçka që i binte në dorë. Bile për Xhavitin kishim „shpikur“ një si barcoletë të veçantë dhe e „përqeshnim“ duke thënë se “po t’ia lëmë një thes libra afër pas një muaji do ta gjejmë po aty Xhavitin, pranë tyre”. Mirëpo, sikur tek shumë të tjerë, edhe tek ai kishin mbetur pasojat nga torturat e përjetuara gjatë kohës së hetimeve në burgjet sërbosllave! E ne shqiptarët i vuanim “fajsitë” për “veprimtari armiqësore kundër shtetit sërbo-sllav”!

Xhaviti në trup kishte një plagë të hapur që i thonin në gjuhën e mjekëve fistullë. Kjo sëmundje kishte rrezik se mund të shndërrohej edhe në kancer. Shumë herë e shikoja dhe habitesha me të se si ai njeri zyresh të larta, me atë lëkurë të duarve aqë të hajthshme kishte mundur të përballojë gjithë ato tortura! Mandej, përpos ”veprimtarive armiqësore” që kishte bërë kundër shtetit jugosllav, ai si punëtor që mirrej me statistikat e Kosovës, dinte shumë gjëra që njerëzit e rendomtë nuk i dinin. Për shembull, ai dinte sa kilogram ar në ditë me tren të blinduar dhe të ruajtur mirë nga njësi speciale sërbosllave shkonte nga “Trepça” për në Beograd! Derisa pat punuar në Entin e Statistikës të Kosovës njëherë e kishin thirrur në UDB-ënë famëkeqe dhe e kishin qortuar seriozisht përse në statistikën vjetore të Kosovës, raport ky që shkonte edhe në Kombet e Bashkuara, e kishte shënuar se sa kilogramë misër harxhohen në Kosovë si ushqim për njerëz.

- Është turp, i kishin thënë në UDB-ë, të shkruhet në raportin vjetor se në Jugosllavi ende përdoret misri si ushqim për njerëz, edhe atë vetëm në Kosovë!

Po ç’e do se ashtu ishte. Realitet ky i hidhur.

Me ne ishte edhe Niazi Korça nga Gjilani, i cili ishte djalë i vetëm në shtëpinë e Shaban Korçës. Niaziu për disa gjëra dallohej nga të tjerët. Ishte më rigoroz se ne të tjerët ose mbase donte të ishte i tillë. Për nga pamja ishte me shtat nën mesatar. Kishte mustaqe që jo vetëm ia mbulonin buzën e epërme por i vareshin deri tek buza e poshtme. Nganjëherë me ato mustaqe më dukej sikur Stalini! Edhepse i ri flokët kishin filluar t’i “ikin” nga koka, siç thotë një fjalë e urtë popullore. Niaziu më dukej një pëllëmbë njeri e dy pllambë seri!

- A ma bën një portret timin. Ta kem për kujtim, më tha një ditë, duke dijtë se pikturën e kam hobi.

- Niazi, unë nuk pikturoj lloj-lloj surrati! Nëse dikujt do t’ia bëjsha një portret ai me siguri do të ishte Isai (mendjen e kisha tek i burgosuri tjetër shqiptar Isa Kastrati) i cili është tamam si Isa Boletini, i thashë si për shpoti, sa për të qeshur, e pa të keq.

Ai nuk m’u hidhërua. Megjithatë, portretin ia bëra!

- Më ke paraqitur shumë të dobët dhe të “shëmtuar”, më qortoi pasi e pa dhe e studjoi mirë portretin e tij të bërë nga unë.

- Shko në qelinë tënde, i thashë, dhe dil pak para pasqyrës se do të shohës se është goxha besnik me ty.

Shkoi por portretin nuk e mori. Mbase i kishte mbetë hatri për portretin e bërë dhe “jo të qëlluar”.

Këtë portret e ruaj ende në “arhivin” tim shtëpiak me pak punime të tjera të mbetura që u shpëtuan nga paramilitarët gjatë luftës.

Më kujtohet se pas ca ditësh që dola nga karantini erdhi Iljaz Pireva. Ky djalosh ishte nga Lupçi i Ulët të Podujevës. E kishin dënuar me pesë vjet burg të rëndë. Edhe ai ishte i dënuar për veprimtari armiqësore. I takonte “Grupit të Adem Demaçit”, siç kishin shprehi t’i emronin njerëzit e atij grupi.

Ishte një burrë i pashëm dhe i plotë dhe me një ngjyrë pak sa të kuqërremtë. Kishte mustaqe edhe më të gjata se të “Stalinit” tonë - Niaziut. Këtij njeriu sikur i pëlqente vetëizolimi! Për dallim nga ne të tjerët, Iljazi nuk pranonte se kishte bërë vepër penale dhe as që kishte marrë pjesë në atë grup ilegal. Bile ai as që do të pranonte amnestinë eventule! Ai kërkonte rehabilitim, që do të thotë, pafajësi!

Aty me ne në burg ishin edhe pjestarët e grupit të të ashtuquajturit “Grupi i Barit”, grup ky që numëronte njëzetetetë veta, e që ishin dënuar në vitin e 1974.

Këtu ishte edhe një grup tjetër me kombësi sërbe, të cilët rradhazi kishin kaluar “Goli Otokun”, siç ishte Gjuro Shargini, me moshë mbi gjashtëdhjetë vjeçare, me profesion jurist dhe piktor. Gruaja e tij, për të njejtën vepër, e vuante dënimin në burgun e Pozharevcit. Ky person më ndihmoi shumë për të përvetësuar artin e pikturës. Këtij grupi i takonte edhe Velimir Moraça, i cili vdiq në grevë të urisë duke u solidarizuar me ne shqiptarët për lirimin e Isa Kastratit nga dënimi dymujor me dyer të mbyllura të qelisë.

Më vonë, aty e sollën Mileta Peroviqin të cilin fillimisht pjesëtarët e sigurimit e kishin kindapuar në Zvicërr. Pasi që e kishin dënuar me njëzet vjet burg të rëndë e sollën këtu “në shtëpinë tonë” për t’a “korrektuar”. Fillimisht, kur e sollën në pavilonin tonë, ishte i humbur fare. Mirëpo me ndihmën tonë gradualisht u përmirësua psigjikisht. Për këtë njeri, shkurtimisht mund të thuhet se ishte pjesëmarrës i luftës partizane si oficer i lartë ushtarak, mandej “banor” i Goli Otokut për pesëmbëdhjetë vjet, i akuzuar si informbyroist-stalinist! Pas burgut kishte emigruar ilegalisht në Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe më vonë, sikur dhe të tjerët, Enver Hoxha i kishte larguar për në Bashkimin Sovjetik. Atje kishte doktoruar. Fliste pastër tetë gjuhë të huaja. Nga Goli Otoku kishte dalur me tuberkuloz dhe dy ulqera gjegjësisht të thatët në bark. Përkundër tyre, pinte mbi tre pako cigare në ditë, kafe dhe çaj “rusit” pa ndërprerë! Në pamje të jashtme dukeshte se është vital.

Sa për ilustrim të them se një ditë shkova në qelinë e tij për ta vizituar. E gjeta duke përkthyer diçka.

-A doni një kafe, më pyeti.

- Nuk e pi fare, i thashë.

- A doni pra çaj “rusit” (çaj të cilin ia sjellnin dy djemtë e tij nga Beogradi e të cilët i mbante mend e i njifte vetëm si foshnje), më pyeti, sepse ju shqiptarët shumë e përdorni!

- Jo, ia ktheva, unë nuk e konzumoj as çajin.

- A e pini rakinë, më pyeti në fund.

- Jo, iu përgjegja.

- As rakinë nuk e pini, më pyeti dhe më shikoi si me habi.

Pas një çasti, pasi më shikoi mirë e mire, më tha:

- Do të jetoni gjatë, por do të jetosh një jetë të kotë!

Këto fjalët e tia të fundit disi më prekën.

Vlen të permendet se si e shpjegojnë malazezët “vetë” prejardhjen e tyre. Sipas tij, sipas Mileta Popoviqit, e këtë bindje edhe unë e ndava me te, malazezët rrjedhin nga fiset ilire. Si shembull ai merrte mbiemrat e malazezëve të ruajtur nga shqipja, siç janë ”zotiqët, zonjiqët, kuçiqët, lumoviqët (nga lumi), kastratoviqët (nga Kastratët), gjurasheviqët” (nga Gjura) e të tjerë. Por ishte shumë interesant prejardhja e tij! Malalzez i lindur dhe i rritur në Pejë, ai vinte nga një familje shumë e përhapur në Mal të Zi – nga Bellopavliqët. Sipas Peroviqit, Bellopavliqët ishin pasardhësit e Pavlit të Bardhë, përndryshe Djali i Lekë Dukagjinit! Dhe ai në gishtërinj numëronte përmbrapa brezat që nga ai e deri të Pali i Bardhë.

Sa për ilustrim ndërhyra dhe i tregova për një shok.

- Lidhur me këtë dua të them se Sllobodan Kaleziqi, një shkrimtar ky malazez, shok ushtrie në Semizofc, afër Sarajevës më 1971, ku kemi shërbyer shërbimin ushtarak në ushtri, më thoshte se stërgjyshi i tij ka pasur prejardhje ilire dhe se edhe ne gjatë Luftës së Dytë Botërore kemi qenë të persekutuar nga ushtria sërbe.

- Dhe, në fund, vazhdon Milazim Arifi, lidhur me këtë njeri, dua të theksoj atë që Lenini ka thënë me një rast që “provokoje bolshevikun më të madh do të dalë rusofili më i ndyer!“, kurse ky njeri, pas të gjitha këtyre që kishte bërë, s’kishte mbetur veçse një pansllavist! E pansllavistët ëndërrojnë një shtet të vetëm sllav që do të shtrihej nga Balltiku e deri në Mesdhe!

Në katin tonë ishte edhe një kroat i dënuar. Ishte ky një djalosh i ri, që kishte një trup të gjatë me afro dy metra. Kishte trup atleti. Emrin ia thoshnin shkurtimisht „Lluka“. Sa herë që gjatë pushimit njëorësh bënte gjimnastikë, e shikoja me kujdes dhe mendoja me veti se sikur t’i kisha vetëm pesëmijë ushtarë si ky djalosh do t'ia filloja luftës me ushtrinë e Josip Brozit! Mua as që më shkonte në mend se kush ishte ky djalosh. Të burgosurit thonin se „e kishte vrarë gruan e vet”. Prandaj ishte këtu. Në të vërtetë, ai ishte Ludvig Pavloviq, pjesëtar i grupit kroat, që në vitin 1981 erdhi nga Perëndimi dhe hyri në Jugosllavi për të filluar luftën për ndarjen e Kroacisë nga Jugosllavia! Dihet dhe nga shtypi i kohës, se ata e filluan luftën në Bugojno dhe Gorni Vakuf të Bosnës por shumë shpejtë u asgjësuan nga forcat e mëdha të ushtrisë dhe policisë jugosllave. Ata pak që u zunë rob u dënuan nga gjykata ushtarake dhe u pushkatuan! Edhe Ludvigu u dënua tre herë me vdekje, mirëpo pasi kur e kishte kryer veprën kishte qenë i mitur, atij dënimi me vdekje i ishte shëndruar në burg të rëndë prej njëzet vjetësh. Më vonë, me e fillimin e luftës në Kroaci, Ludvigu ra heroikisht me forcat çetnike bashkë me grupin e vet diverzant, duke e minuar hekurudhën Beograd-Zagreb. Kështu patën lajmëruar mjetet e informimit sërb. Lidhur me këso grupesh, gjatë intervistës ia përkujtova bashkëbiseduesit se më 1971, në kohën kur unë isha ushtar afër Vogoshqes, na patën sulmuar në kazermë grupi i ustashëve, me të cilët luftuam tërë natën!

Në katin e dytë të ndërtesës së burgut ku unë vuajsha dënimin, ishte edhe Isa Kastrati. Ai ishte personalitet për të cilin çfarëdo që të thuhet prapseprap nuk është thënë e tëra!

Aty ishte edhe një i dënuar shqiptar, emri i të cilit ishte në mos gabofsha Murat. Ishte pjesëmarrës i barrikadës së njohur të burgut të Nishit, ku kishte kërkuar që të dënuarit shqiptarë të transferohen nëpër burgjet e Kosovës. Muratin e kishin sjellur në këtë pavijon para meje. Ai kishte mbetur me të meta psiqike nga torturat e egra të gardianëve të burgut. Ky i shkretë tërë ditën shëtiste para qelive dhe bisedonte me dikë që fatkeqësisht s’ishte aty. Asnjë fjalë nga ato që thoshte nuk mund të kuptoheshin. Vetëm një fjali e thoshte të qartë dhe me ton sa me të lartë “Puna vazhdon”. Kjo do të thotë se, kur i kanë shpërndarë barikadistët, marrëveshja e tyre ka qenë të vazhdohet lufta deri në kthimin e të burgosurve shqiptarë nëpër burgjet e Kosovës!

Ana tjetër e katit parë, është një kapitull më vehte. Aty “rrinte” një njeri të cilit ky kapitull edhe i është kushtuar. Kishte me të edhe të tjerë të burgosur që tërë ditën flisnin, shanin ose shëtiteshin pa folur fare. Ishte kjo koha gjersa unë isha në karantinë.

Një i dënuar për krime të cilin e quanin “admiral” ishte malazez. Ishte ky një burrë i vjetër, me do mustaqe të mëdha dhe të zeza. Ai thoshte se është “admiral flote”, e Jugosllavia as që kishte flotë të vërtetë detare asokohe! Dhe këtë tradhëtisht “e kishin burgosur pa dijen e Titos sepse, po ta dinte ai, do t’i vriste të gjithë!”. Zhiva, kishte shkalluar nga dajaku i gardianëve në burgun hetues, sepse kishte vrarë dy policë, e tërë kohën i shante ata - policët. Ishte ky një njeri shumë i urtë dhe i sjellshëm. Ai kur të kërkonte një cigare, e atij gati gjithmonë i mungonin pasi askush nuk i dërgonte pako apo nuk i vinte në vizitë. Nëse ia jepnin dy përnjëherësh, nuk i merrte, por vetëm njërën. Ose nëse e kishte cigaren e ndezur, kur i ofrojshe tjetrën, nuk e merrte!

Në burg kishte edhe të burgosur të tjerë të cilët dalëngadalë isha duke i njohtuar. “Bogomolci” ishte prap tjetër botë. Botë e ngatërruar në mënyrë tjetër. Ishte i thatë sa s’bëhet më. Megjithatë, tërë ditën ecte, pastronte dhe fliste diçka të pakuptuar në gjuhën hungareze.

Në katin tonë të burgut ishte edhe Julia, rumun nga Vojvodina. I çmendur sikur tre të parët. Ai “kishte” një hall tjetër. Ai në fantazinë e tij të sëmurë e kishte një zog mbi kokë, aty mbi veshin e majtë që pandërprerë i bënte „ciu, ciu“. Kot u përpoqa ta bindi se s’ka asnjë mbi kokën e tij. Bile një herë edhe u hidhërua me mua. E një ditë ia behu në qelinë time. Asnjëherë nuk e kisha parë ashtu të kënaqur, të qeshur e të hareshëm.

- Çfarë ke sot kështu që je i gëzuar, e pyeta.

Ai nuk foli fare. Hoqi kapelen, uli veshin e majtë dhe më tregoi kokën. Nuk pashë gjë tjetër veçse një pjesë të kokës të rruar, mandej të lyer me jod dhe mbi të, një fashë që vehet mbi plagë.

- E sheh? Të kam thënë se kam zog në kokë? Mjeku më bëri operacion dhe ma hoqi zogun. E pashë vetë me këta dy sy. Kur u zgjova nga anestizoni, ishte mbi tavolinë, i ngordhur dhe i larë i tëri në gjak, kurse ti nuk më besoje, më tha dhe iku nga qelia e ime për t’i takuar të tjerët.

M’u desht një kohë e gjatë që të kuptoj se çfarë kishte bërë mjeku.

Dalëngadalë, pas një kohe jo të gjatë, arrita të njoftohem me ketë vend për mua të çuditshëm dhe me njerëz edhe më të çuditshëm. Ndodhesha në një botë të panjohur deri atëherë.

Mirëpo, për mua, ndoshta edhe sot e kësaj dite, një banor po i këtij kati, më mbeti enigmë. Ky edhe zyrtarisht quhej Anton Stavrosi! Kush ishte dhe kush është në të vërtetë ky njeri?! Anton Stavrosi “banonte” në katin tonë edhe atë në anën tjetër të katit ku ishin të dënuarit për krime të rënda. Stavrosi ishte një burrë i shkurtër, por i plotë. Kishte flokë të thinjura dhe të shkurtëra. Mbase ishte mbi pesëdhjetë vjeçar, me fytyrë të rrumbullakët dhe të plotë që tregonte se dikurë kishte qenë një burrë i pashëm, i fuqishëm, energjik dhe i bukur. Çalonte në këmbën e djathtë dhe ky çalim i tij ishte karakteristik, një të „çaluar“ që kurrë më parë nuk kisha parë. Kur ecte, ashtu duke „shqepuar“, si thonë tek ne, ai nuk përkulej para apo mbrapa, por i tërë trupi i kthej në anën e djathtë! Kur na përshëndeste nga ana e tij, na përshëndeste në gjuhën sërbo-kroate dhe atë me një “zdravo zemljaci“ formale. Por, kur për herë të parë bisedova me të për së afërmi, "në shëtitje e sipër", ai për çudinë time, fliste një shqipe të pastër, me një theks të jugut që shumë pak vërrehej. Të dënuarit jo shqiptarë mendonin se ai ishte grek, se e kishte vrarë gruan e vet dhe e kishte asgjesuar kufomën e saj duke e hidhur në pus, kurse ne shqiptarët e dinim se nuk ishte ashtu. Por se si ishte, gjithashtu nuk e dinim. Punonte në shtypëshkronjën “Putevi“ të burgut dhe rrallë shiheshim. Ne që nuk punonim, bënim një shetitje një orëshe para dite kurse ata që punonin shëtisnin pas dite. Shumë herë vinte në qelinë time sikur donte të kërkonte diçka dhe shkonte me të shpejtë. Tek të tjerët nuk shkonte. Te unë vinte për pak kohë, vetëm atëherë kur vërente se “zagarët” e policisë nuk ishin jashtë qelive të tyre. Mezi pritsha të vinte e djela që të dilnim sëbashku në shëtitje dhe të bisedoj me të, sepse biseda serioze në qeli nuk bënim dot. Sipas fjalëve të të burgosurve të vjetër, çdo qeli ku ishim në të burgosurit politikë, në mure kishte mikrofon që përgjohej nga zyra e UDB-ësë, e cila ishte në ndërtesën e drejtorisë së burgut. Këta mikrofonë, thonë se ishin instaluar që në kohën kur në këtë ndërtesë vuante dënimin Milovan Gjilasi i cili një kohë kishte qenë njeriu i dytë pas Josip Broz Titos në kierarkinë e atëhershme shtetërore dhe politke e pastaj i dënuar me burg të rëndë për mendimet dhe idetë e tia, thekson Milazim Arifi. Por, edhe kur dilnim në shëtitje sëbashku ky Andoni shumë pak fliste. Edhe kur fliste, nuk mundesha të kap asgjë nga ajo që thoshte! Më shumë i pëlqente të ndëgjonte nga unë për organizimin e punës ilegale, qëllimin e krejt asaj, dhe natyrisht. zbulimin tonë. Kur bisedonim për këto gjëra të dukej se bisedonte sa për të kaluar kohën. Megjithatë, ai shfrytëzonte çdo rast, disi pahiri dhe spontanisht, që të më afrohej. Këtë unë e vërreja, pa e vërrejtur as Stavrosi, sa e si duhet në atë rrëmujë gjatë shëtitjeve „me zor“.

Stavrosi për shumë gjëra ishte interesant. Një ditë, sa po shëtitnim në shëtitore, u ndal dhe pasi u përkul, mori disa fije të një lloj bari dhe i hëngri! Thjeshtë e pashë se i gëlltiti.

- Përse e bërë këtë, e pyeta unë.

- E sheh, ma ktheu. Ky lloj bari ndihmon organet e tretjes.

Si duket ai ishte njohës i mirë i të gjitha llojeve të barishteve, si atyre shëruese por edhe atyre helmuese. Mua, që kisha fituar gjithë atë alamet raumatisi në qelinë numër pesëmbëdhjetë të Burgut të Pejës, më preferoi që të kapi miza bletësh dhe t’i lejoj që të më thumbojnë dhe atë mu aty ku jepen inxheksionet, duke filluar me një bletë ditën e parë e për ta shtuar numrin e bletëve çdo ditë nga një bletë më shumë! Mirëpo, pasi që askush për të gjitha duket se nuk është krejtësisht e përkryer as Stavrosi nuk ishte i përkryer e njohjen e bimëve. Por mua më habiti se si një teolog e mandej një prift t’i njohë aqë mirë llojet e bimëve!

Një ditë, si isha i shkatërruar nga shëndeti, më dërguan në spitalin e burgut, që s’ishte veçse pesëdhjetë metra larg nga “pavioni i im”. Pas ca ditësh e sollën edhe Stavrosin. Thënë drejt u gëzova që u ndodha aty edhe për një fakt tjetër. Ishin pra dy punë, edhe atë që të kisha me kë të bisedoja shqip por dhe ta njihsha sa më afër këtë njeri.

Kishim dalë një ditë në oborrin e spitalit, sa për t’u rrezitur në ato rreze dielli dhe për të marur ilaçet e tona, ai barishtet e veta e unë “ingjeksionet” e mia.

Pas nesh erdhën dhe u ulën edhe dy të tjerë po të sëmurë që ishin nga ndërtesa e parë, e që ishte më e privilegjuar se e jona. Që të dytë ishin të moshuar dhe ish funksionarë të lartë të Federatës jugosllave, të dënur me nga njëzet vjetë burg për mito dhe korrupsion. Sëpaku ashtu thoshnin po të bijshe në bisedë me ta. Njëri nga këta ishte malazez, edhe atë nga familja e njohur e kaleziqëve, e që sipas Peroviqit edhe kaleziqët ishin me prejardhje shqiptare! Tjetri ishte shqiptar nga Suhareka, emri i të cilit tash fatkeqësisht nuk më kujtohet. Ata ishin të dënuar nga i njejti regjim të cilit aqë shumë i kishin shërbyer me devotshmëri, e tash në pelqëri, pasi që kishin kohë me bollëk, rrinin e evokonin kujtimet e veta.

Në ndërkohë që Stavrosi kishte marë “ilaçe” të gabuara reagoi në mënyrë të çuditshme. Atij filloi t’i ajet gjysma e ballit, syri i majtë në anën e asaj gjysmës së ballit, gjysma e hundës, gjysma e buzëve dhe më në fund edhe gjysma e mjekrrës! Nuk dita çfarë të bëj. Sa më dhimbsej po aq më qeshej se ishte bërë për të qeshur. Sa për t’ia hequr pak frikën, e ngacmova duke i thënë ha bar, kafshë, ha! Kjo ishte edhe „një hakmarrje“ e imja ndaj tij. Natyrisht kjo ishte shpoti sepse më heret, kur ende konzumoja duhanin, me thoshte ”pi duhan, kafshë, pi por do të të bëhet raki (kancer) ja këtu”, dhe e vente majën e gishtit mu në gabzherrin e vet. E „shkaktar“ ishte Stavroja që ndërpreva pirjen e duhanit.

Pak më larg bangës sonë rrinin ulur dy “veteranët”. E çfarë kujtimesh në të vërtetë evokonin këta ish-funksionarë të lartë të ish Federatës jugosllave?! Besoj se do të ishte jashtëzakonisht interesant për të treguar, i dashuri miku i im, për bisedën që unë rastësisht “e kapa“ pa më hetuar ata.

Që të dy kishin punuar në ambasadat jugosllave dhe atë në "sektorin e ekonomisë". Në të vërtetë, ata kishin qenë oficerë të lartë të sigurimit shtetëror të Jugosllavisë. Ky shqiptari kishte pasur punuar në ambasadën jugosllave në Shqipëri. Kuptohet, në “sektorin ekonomik”.

Ai nuk foli se çfarë kishte punuar si punëtor i sigurimit jugosllav por rrefente për njëfarë Bido Mehmetin nga Shqipëria që kishte punuar në Ambasadën Shqiptare në Beograd. Kuptohet, edhe ky në "sektorin e tregëtisë". Bido Mehmeti kishte qenë një oficer i lartë i sigurimit shtetëror shqiptar i cili vepronte pa ndërprerë kundër regjimit të Jugosllavisë.

- Kishim një alamet dosie të trashë kundër tij, pra kundër Bidos, por edhe ai për sigurimin tonë“, niste të ankohej shqiptari. „Ishte i pakapshëm ky Bidoja. Sa kërkonim nga punëtorët tanë që e përcillnin se a do të dalë nga ambasada dhe merrnim përgjigjen se kishte dalë, punëtorët e tjerë, tanët pra, na lajmëronin se Bidoja u nis në drejtim të jugut, për në Prishtinë. E kur i pyesnim ata të Prishtinës se a ka arrijtur në Prishtinë merrnim përgjigjen se po, por së shpejti zhdukej! Sakaq, na lajmëronin se shkoi për Pejë apo Mitrovicë, mirëpo akoma pa pyetur punëtoret tanë atje, nga Shkupi na lajmëronin se kishte arritur në Shkup, dhe pas pak kohe „zhdukej“ nga kjo tokë. E punëtorët e sigurimit që ruanin ambasadën shqiptare në Beograd, lajmëronin se Bidoja u fut në Ambasadë! Dhe kështu vazhdimisht. Për disa vite me rradhë na tërhoqi për hunde por asnjëherë nuk mundëm ta zëmë „në vepër!“

Dhe kështu vazhdonin t’i evokonin mendimet këta dy “veteranë” të UDB-ësë famëkeqe e unë rrija ashtu „shlirë“ duke pritur Stavrosin të dilte nga kontrolli i mjekut. Mendoja me vete se kush do të mund të ketë qenë ky farë Bido Mehmeti?!

Në vitin 1991 regjmi i Slobodan Milosheviqi hoqi ndalesat për pasaportën jugosllave, pra edhe për ish të burgosurit politikë. Patën thënë bile se si Slloba, “nuk e paska dijtë për këtë diskriminim që është bërë ndaj një kategorie njerëzish përsa i përket dhënjes së pasaportave.“ Shfrytëzova rastin dhe e mora edhe unë pasaportën dhe „ika“ në Zvicërr. Më vonë, atje e tërhoqa edhe djalin e madh Sykfterin edhe pse e kisha të vetëm dhe se kishte gjashtëmbëdhjetë vjet. Ishte rrezik sepse policia sërbe ndodhte t’i kapte të rinjtë shqiptarë rrugës dhe t’i dërgojë në shërbimin ushtarak. Pas pak kohësh i kthenin në arkivole! Mirëpo, me plasjen e luftës në Kroaci, luftë e cila kishte tendenca të zgjerohej në tërë territorin e Ish Jugosllavisë, gjë që edhe ndodhi më vonë, si dhe për shkak të ikjes së qytetarëve jugosllavë drejt Perëndimit, e sidomos të atyre shqiptarë, qeveritë e shteteve të perëndimit aprovuan një vendim, që shtetasit jugosllavë, për të hyrë në këto shtete të përmendura, duhej të kenë viza hyrëse.

Ky ishte fillimi i vitit 1992. Asokohe unë dhe Skyfteri gjindeshim në qytetin Frauenfeld të Zvicrrës tek vëllezërit tanë, tek Ibrahimi, Ilmiu dhe Nasufi. Me gjithë këshillat e Xhaferit (Shatrit), të vëllezërve dhe shokëve të tjerë, që të kërkonim azil politik, të cilin me siguri se do ta fitonim, ne nuk kërkuam azil politik. Mirëpo një mëngjes të fillimit të muajit shkurt të vitit 1992 policia zvicërrane për të huajt hyri në banesën e vëllaut tim (Ilmiut), ku ishim strehuar unë dhe Skyfteri. Pasi konstatuan që nuk kemi viza përkatëse na burgosën! Vendimi i policisë së Kantonit Turgau, e kantoni në Zvicërr është si shtet në vete, ishte i prerë dhe i qartë - deportimi për në Jugosllavi! Çfarë do të ndodhet me ne po të na depotonin për në Jugosllavi?! Lufta në Vukovar ishte në fazën më të ashpër. Do të bëhej verifikimi i jonë me të mbërrirë në Beograd! E dinim se policia e Gjilanit, ajo sërbe e Gjilanit, do t’ua jepte të dhënat e mija dhe do t’u thoshte “pushkatoni armikun e popullit!” “Arsyetimi” do të ishte i thjeshtë se janë dërguar në frontin e Vukovarit dhe atje “rënë dëshmorë”. Për lirimin tonë u bë një angazhim i madh piksëpari nga ana e vëllezërve të mij, si dhe shkokëve të tjerë, e veçmas i Xhafer Shatrit i cili intervenoi te kryetari i Zvicrës për të drejtat e njeriut (emri i të cilit tani nuk më kujtohet), kurse ai intervenoi te Qeveria zvicërrane në Bern. Atëherë pas shumë kërcënimeve anonime që në çdo moment i arrinin policisë së Frauenfeldit nëpërmes telefonit ose faksit, policia e kantonit Turgau, policia ndërroi vendimin.

Në mbrëmjen mes ditës së djelë e të hënës që do të na deportonin për në Jugosllavi, policia na nxori nga dhoma ku ishim duke pritur unë e Skyfteri dhe më dërguan në zyrën e shefit të policisë. Shefi ishte i vetëm në zyrë. Në tavolinën e tij ishin dy pasaporta jugosllave, e imja dhe ajo e Skyfterit dhe dy bileta të “JAT”-it, kompani kjo ajrore transportuese jugosllave.

- Kush je ti, në të vërtetë? – më pyeti me ironi pas një shikimi të shkurtër shefi i policisë.

- Në tavolinë e keni pasaportën time dhe mund ta shikoni, iu përgjigja.

- Po, ma ktheu ai, pasaportën e kam. Kjo nuk është e jotja. Ka intervenuar Bundes Policaj (gjegjësisht Policia Federale) që t'i të mos kthehesh për Beograd por për Tiranë. Të ketë gjithë ato protesta dhe kërcenime anonime! Çudi! Ti nuk je Milazim Arifi, konkludoi kryepolici.

- Është e vërtetë se unë nuk jam ai person që figuron në pasaportë, por ç’të bësh. Duhet vepruar si e do ligji dhe urdhëri i të tjerëve. Ma merr mendja se Ju do të respektoni vendimin e Policisë Federale, i thashë duke mos e zgjatur më shumë.

Ai më shikoi dhe me një “si miratim”, me luhatje koke, më dha shenjën e pritur natyrisht dhe të gëzuar.

Dhe vërtet, të nesërmen na deportuan për në Shqipëri. Shqipëria, pak nga e kaluara dhe më shumë nga parulla e pasuesve të Salës (Sali Berishës) të cilët thoshnin se duhet të shkatërrohet çdo gjë që kanë bërë komunistët, se me thasët përplot dollare që do të na i sjellë Amerika mbi to do të ndërtojmë të renë, ishte shkatërruar tërësisht! Ishte bërë leckë fare, siç thonin vetë vedasit. Kur e pashë Shqipërinë ashtu të shkatërruar deri në themel m’u kujtuan dy gjëra, ndodhi të hershme, bile edhe të shekullit të kaluar. Në shekullin XIX-të në Gjermani punëtorët e pakënaqur dhe të shfrytëzuar deri në palcë nga punëdhënësit e tyre, në vend se t’i merrnin me forcë fabrikat, ata i shkatërronin në tërësi! Në shekullin që posa iku, respektivisht gjatë viteve të 60-ta, garda revolucionare kineze me në krye gruan e Mao Ce Dunin lëshoi parullën që “të shkatërrojmë çdo gjë që është e vjetër dhe mbi të të ngremë të rënë”, parullë kjo sa gadi nuk e shkatërroi tërë Kinën! Edhe në Shqipëri kishin shkatërruar çdo gjë! Edhe drunjtë e bukur nëpër trotuarët e Tiranës i prenin sepse i kishin mbjellë komunistët! E sikur komunistët të kishin ardhur nga qielli. Bile Sala, thoshnin gojëkëqinjët, si kardiolog i aftë që kishte qenë, i besuar dhe i verifikuar nga sigurimi shtetëror shqiptar, kishte arritë të bëhet mjeku personal i “diktotarit” Enver Hoxha.

Kur arritëm asnjë dyqan në Tiranë nuk punonte! E të gjitha dyqaneve të kateve përdhese u kishin vërë rrjeta metali! Në to përafërsisht kishin harxhuar aqë shumë armaturë sa edhe Enver Hoxha për ndërtimin e bunkerëve të tij! Vetëm se këtu kishte pakëz një dallim “të vogël”. Diktatori për t’u mbrojtur nga të huajt kurse berishasit për t’u mbrojtur nga vetvetja!

Ku të shkoja tani në këtë Shqipëri të shkatërruar?! Nuk njihja askënd pos Premton Gërvallës, të birit të Jusuf Gërvallës, të cilin e njihja që nga Zvicrra. E gjeta edhe Premtonin. Pasi i kalova disa ditë në familjen e tij, ku u ndjeva sikur të isha në familjen time, gjeta një banesë. Së shpejti formova edhe një rreth të vogël shokësh siç ishin Bujar dhe Agim Demneri, familje kjo shumë e nderuar në Tiranë, Ilir dhe Ladi (Vladimirin) Luarasin, që dashamirët tanë të sportit i njohin. Të parin (Ilirin) si portier të “Dinamos” së Tiranës kurse të dytin (Ladin) si komentator të sportit. Mandej pata fat të njihem edhe me Reshat Arbanën dhe me miq të tjerë!

E rrëfimet nga burgu tashmë sikur zgjoheshin nga izolimi i brendshëm!

Një ditë Hamdi Rushani, nga Zajazi i Maqedonisë, më ftoi të shkojmë në Durrës ku do të shtronte nje drekë për nder tonin. Me atë rast më njoftoi me një njeri që e kishte për shofer të vetin. Shoferi i tij si figurë assesi të bjerë në sy por ishte mjaft i plotë. Kishte një fytyrë jo të theksuar dhe zeshkane me do kaçurrela pis të zeza. Ai me shikoi në retrovizor të veturës dhe unë pashë në të një fytyrë prej nuhatësi të stërvitur. Gjatë bisedës në mes të shoferit dhe Hamdiut mora vesh se emrin e kishte Bido! Mu duk se këtë emër para shumë vitesh dhe me një vend krejt tjetër e kisha ndëgjuar por asessi të më kujtohet se ku. Po papritmas përnjëherë mu kujtua edhe mbiemri i tij “Mehmeti”. Pra, “ky duhet të jetë Bido Mehmeti për të cilin shumë vite më parë kisha ndëgjuar në burg nga ata ish funksionarët.

- A mos je ti zotëri Bido Mehmeti, e pyes shumë seriozisht.

- Po, më tha, dhe prapë me shikoi në pasqyrë me atë shikim prej nuhatësi dhe vazhdonte të drejtonte “benzin”, pasi kështu i thonë veturës “Mercedes” në Shqipëri.

- Mos keni punuar në Ambasadën e Shqipërisë në Beograd dhe atë në "sektorin e tregëtisë"? - e pyeta pas një heshtjeje të shkurtër.

Ai prap më shikoi por kësaj here shumë kureshtar dhe fare nuk m’u përgjegj.

- Zotëri, më thuani, pasi ra fjala, ndoshta keni qenë oficer i lartë në degën e sigurtimit shqiptar?! - e pyeta sërish.

Pas kësaj pyetjeje na “kaploi“ të gjithëve një heshtje. Kur sërish ia shtrova po të njëjtën pyetje, ai në vend të përgjegjejes, sakaq gjeti një vend për të parkuar benzin.

- Këtë njeri mënjëherë ma nxirr jashtë nga makina sepse ky jo vetëm që është punëtor i sigurimit jugosllav, por është federativ, kërkoi Bido Mehmeti z. Hamdiut pasi e ndaloi veturën.

Hamdiu dhe Skenderi duke qeshur, pasi ata me njihnin mirë, mezi e bindën të timonojë edhe mëtej deri në Durrës, “pastaj do të shohim se kush është”, i thoshnin atij me ton serioz. Ai vazhdoi të timonojë por tejet kureshtar dhe i pasigurtë.

Gjatë drekës në një hotel të Durrësit, rregullisht me shikonte.

- Ore, mbush njëherë pushkën (stomakun) e pastaj do të shohim, i thashë me shpoti, sa për ta qetësuar.

Pas dreke i rrëfeva se si dhe ku kisha ndëgjuar për të, pa më shkuar ndër mend se ndonjëherë do të takohem me Bido Mehmetin. Bidoja i besoi rrëfimit tim. Më vonë u bëmë edhe shokë të mirë! Bile në një rast, kur Sala akuzoi të dyqindetetëdhjetë oficerët e armatës shqiptare dhe oficerët e sigurimit (SHIK-ut) se gjoja kishin përgatitur grushteshtet kundër tij, pas së cilës edhe filloi arestimi, më kujtohet si sot kur në gjysmë të natës e bastisën dhe burgosën komandantin e flotës ushtarake të Durrësit, të cilin e kisha fqiun e parë ku banoja në Tiranë. Me këtë rast tubuam ca para dhe e strehuam Bidon në Turqi, për dy-tre muaj për derisa puna u “ftof” pak!

Se në të vërtetë Bidoja ishte shumë profesionist në punën e vet si punëtor i SHIK-ut vlen të përmendet vetëm një rast.

Një ditë, Hamdiu më tha:

- Ka ardhur një shok i yti prej Zvicrre dhe të kërkon. Në mbrëmje e kemi lënë një takim në hotelin “Dajti”. Vijnë edhe ca shokë të tjerë, në mesin e të cileve edhe Bido Mehmeti.

Shkova. Ishin tubuar mbi dhjetë veta. E ai shoku im ishte Ymeri, të cilin e pata takuar në vitin 1991 në Gjenevë të Zvicrrës, kur për herë të parë pas burgu, u takova me Xhafer Shatrin. Bile ky Ymeri do të ishte një lloj përcjellësi apo truprojë e Xhaferit, sepse kur shkova në Gjenevë tek Xhaferi, ai doli në të hyrë të qytetit dhe na përcolli deri te banesa e Xhaferit dhe qëndroi ashtu në heshtje gjatë gjithë kohës sa ndejta me Xhaferin, kur pimë dhe bëmë gosti për disa orë.

Ymeri në një moment u ngrit dhe bëri shumë fotografi nga të gjitha anët. Mandej u ul dhe duke qeshur i tha Bidos:

- E shef, Bido Mehmeti, me këto fotografi mund t’ju akuzoj ty dhe Milazimin se si një ish i burgosur politik - enverist bisedonit edhe kundër regjimit të Salës! Po desha, policisë jugosllave do t’i them se bisedonit për t’i ndarë tokat shqiptare nga Jugosllavia! Çfarë të dua mund të them! Dhe, bile do të më besojnë! - përfundoi Ymeri duke qeshur.

 

Skyfter Arifi (djathtas) djali i Milazim Arifit, që ra heroikisht në Sllupçan të Kumanovës,  bashkëluftëtari i dy luftrave dhe Flamur Arifi (majtas).

 

Bidoja nuk foli fare. Dalëngadalë nxori një manjetofon të vogël sa një pako cigaresh.

- Hirësia e Juaj, keni mundësi për pak qetësi? - na tha me ironi duke na lutur për të heshtur për pak kohë.

Ne, vërtet, heshtem të gjithë. Ai kishte inçizuar tërë muhabetin tonë, i cili s’ishte tjetër veçse muhabet të atij lloji kur ke gotën e rakisë përpara.

- E more i gjorë, tha Bidoja duke iu drejtua Ymerit, përderisa ti mendon të bësh diçka, unë veç e kam përgaditur kundërveprimin në…

Qeshëm të gjithë, pak nga rakia e pak nga kundërveprimi aq i shpejtë i Bidos. Ky pra ishte Bido Mehmeti! Një kokë dhe mendje e rrallë prej sigurimsi. Tamam ashtu siç e përshkruante “kolegu i tij“ për nga profesioni në burgun e Mitrovicës së Sremit.

 

GARDIANËT TË VDEKURIN E KTHYEN NDËR TË GJALLËT

 

- Propozoj që të “rikthehemi” prap në “Goli Otok, tha Milazim Arifi. Këtë ishull vetë Stavrosi ma kishte përshkruar si “ujëdhesë gjaku”, ujëdhesë kjo që sot i takon shtetit kroat e është shndërruar në muze dhe është plotësiht “i vdekur”. Këtu, thonë, tash nuk ka asgjë të gjallë që nga thnegelat e deri të njeriu! Nuk ka asnjë burim uji. Pra asnjë fije gjëlbërimi. Të internuarit asokohe kishin, për shëmbull, vetëm nga dy gota ujë në ditë. Për të qenë i “privilegjuar” dhe për t’i pasur më shumë se dy gota ujë, duhej bashkëpunuar me organet e burgut, do të thotë me organet e UDB-ësë. E çfarë ishte në të vërtetë UDB-ëja për mua? Regjimi titist, kishte formuar këtë orkestrinë policore në atë mënyrë, që ia kalonte të gjithë policive të tjera në botë! Përse them kështu?! Ky regjim si duket kishte marrë nga diçka nga më të këqiat prej të gjitha shërbimeve më famëkeqe në botë. Edhe atë vetëm metodat e ndëshkimeve e torturave, në mes tjerash edhe nga Gestapoja, NKVD-ja e ish- Bashkimit Sovjetik, por edhe nga të tjerat.

Në këtë ujëdhesë gjaku, për shembull, UDB-ëja nuk i torturonte të internuarit “kokëfortë”. Këtë punë e kryenin të internuarit e “korrektuar” për ca gota ujë më shumë dhe do cikrrime të tjera! Pos dënimeve të tjera, për çdo ditë në mbrëmje, formoheshin dy rreshta të gjatë të “korrektuarish” me shkopinjë në dorë, kurse të pa “korrektuarit” duhej të kalonin nëpërmes atyre shkopinjve përderisa të alivanoseshin! Ose kështu ose me ndonjë dënim tjetër, thoshte Stavrosi. Po të gjetën në këmbë e jo duke nxjerrë gurë ose duke i thyer ato, të dënonin, për shembull, me njëqind metra gurë të paluar, t’i bartësh, të themi njëqind metra më larg, por që duhej palosur ashtu siç kishin qenë më parë. Stavrosi duke i evokuar kujtimet e idhta nga ky ishull, thotë se nuk kishte mundur t’iu përballojë gjithë këtyre torturave me atë shëndet të shkatërruar që kishte. Andaj dhe “kishte vdekur.” Rojet e marrin dhe e hudhin jashtë kampit të burrave, aty afër kampit të grave. Gratë, gjithashtu të internuara, e marrin dhe e fusin në kampin e tyre. Kur vërrejnë se kishte shenja jete dhe se ishte gjallë, e fshehin dhe fillojnë të kujdesen për të duke i dhënë pak ushqim dhe ujë nga ato pak që merrniun për vete. Mirëpo, tha Stavroja, posa fillova të këndellem pak, dikush nga gratë kishte spiunuar dhe rojet e kishin kthyer “te vdekurin tek të gjallët.”

Torturat e tilla në këtë ishull-burg kishin vazhduar përderisa dikush nga ujëdhesa nuk kishte nxjerrur një libër me titull “Otok krvi” që në shqipet do të thotë “Ujëdhesa e gjakut”, libër që ishte botuar dikund në Perëndim. Menjëherë pas daljes së këtij libri, në kamp ia kishte behur Aleksandër Rankoviqi, shefi i kësaj orkestrine të tmerrshme policore të cilën vetë e kishte ndërtuar. E ai njëherit ka qenë edhe zëvendësi i Josip Brozit! Megjithëse ishte bërë sikur kishte urdhëruar ai vetë, prap bëhej sikur “nuk kishte ditur se në kamp kishin ndodhur këto gjëra!”. Por prapseperapë gjendja kishte ndryshuar dukshëm në burg. Pas katërmbëdhjetë vjet “banori” i kësaj ujëdhese, Antoni, i la lamtumirën! Dalja nga burgu famëkeq i Goli Otokut dhe humbja e gjurmëve të Anton Stavrosit alias Raim Sejdiajt, ishte bërë temë diskutimi në shërbimin informativ sekret gjithëjuagosllav të kohës. Por ku shkoi?! Ku u zhduk?! - pyeste sidomos orkestrina e nevrikosur e UDB-ësë.

Anton Stavri ishte këmbyer me një oficer sërb që e kishte zënë sigurimi Shqiptar!

 

NISMA E VEPRIMTARISË PËR BASHKIMIN E TROJEVE SHQIPTARE

 

Anton Stavrosi pas këmbimit gjegjësisht pas lirimit, pas sa bredhjeve, vendoset përsëri në Karadakun e Shkupit. Aty fillon pa vonesë aktivitetin e tij patriotik për bashkimin e tokave shqiptare në një shtet etnik! Së shpejti bjen në kontakt me njerëz të kombësisë maqedone të cilët ishin po të interesuar për copëtimin e Jugosllavisë. Po ata dëshironin bashkimin e pjesës maqedone, që ishte e banuar me maqedonë, me Bullgarinë fqinje! Në mesin e këtyre njerëzve që kishin edhe pozita të larta në Jugosllavinë titiste ishte edhe Cërvenkovski. Jo ky i riu po kam parasysh Cërvenkovskin “plak”. Mirëpo, një projekt që ishte bërë, ishte paraparë që Maqedonia perëndimore e banuar kryesisht me shqiptarë, duhej bashkangjitur Shqipërisë, andaj aktiviteti i tyre duhej zgjeruar dhe në Kosovë.

Anton Stavrosi erdhi në kontakt me studentin kosovar Enver Hadrin dhe Lëvizjen Studentore të viteve shtatëdhjeta.përmes Ajdin Muliqit, që gjatë viteve 1959-1963 e kishte vuajtur dënimin në Goli Otok. Pas një kohe Enveri e vendosi Stavron në katundin Ruhot dhe iu lut katundarëve që këtë njeri “të shkretë” ta pranonin në fshat si lopar, siç thoshte Stavrosi, e jo si bari, ngase ky njëri që paska jetuar deri atëherë në Shkup, me rastin e tërmetit në vitin 1963 kishte humbur gruan dhe dy djemtë që kishte pasur. Dhe kështu ndodhi. Katundarët e pranuan zemërgjerësisht.

Në Ruhot u ngrit Shtabi për organizimin, përgatitjen e kryengritjes së armatosur në Kosovë, për tubimin e armëve, regrutimin e vullnetarëve dhe punëve të tjera të nevojshme. Këtë shtab po e drejtonte “lopari“ me ndihmën e Enver Hadrit, pa i shkëputur asnjëherë lidhjet me pjesën tjetër në Maqedoni, gjegjësisht grupin e Cërvenkovskit. Anton Stavrosin, një ish komandant brigade në luftën “greko-italiane”, një “banor shumëvjeçar” i “Goli Otokut”, një lopar i thjeshtë, Ajdini me Enverin e trasferojnë në Korishë afër Prizrenit. Aty, sipas nevojës së parashtruar, ky njeri kishte ndërruar profesionin dhe ishte shëndrruar në një prift katolik, të urtë e të sjellshëm, sikur nuk deshte t’i shkelë as thnenglat. Rrugës, me vedi, kishte marrë edhe dy motra “nderi” që mbase ishin dy studente nga ata studentet e Enver Hadrit.

 

SI DHE KUSH I BARTE ARMËT E LIRISË NË ARKIVOLET E TË VDEKURVE

 

Këta të tre, në krye me priftin Anton Stavrin (alijas Rraim Sejdinë) dikund në një vend të caktuar ku ishin armët, e mbushnin një arkivol me armatim të lehtë dhe të llojllojshëm, e ngarkonin në një qerre, të cilën e tërhiqshin kafshët dhe e deponin në kalanë e Prizrenit. As UDB-ësë e as njerëzve të tyre që ishin kudo kurrë nuk u shkoi ndërmend ky “marifetllëk” i Stavrosit që nuk ishte parë ndonjëherë me parë. Por një ditë, më thotë Stavroja, gati “sa më hasi sharra në gozhdë”. Dikund rrugës hasin në patrollën e policisë, që atëherë përbehej nga një pjesëtar i kombit shqiptar kurse tjetri i kombit sërb sepse kështu e donte “regjimi më demokratik në botë!", ai jugosllav.

- Për ku je nisur o ati i “shejtë…” më pyeti ashtu kot polici i komunikacionit.

- Zoti polic, ka vdekur një i krishterë nga fshati Palbardh dhe e ka lenë me gojë që ta varrosim në fshatin e tij… ia ktheu Stavrosi.

Policët duke mos dyshuar na lejuan të vazhdojmë mëtej rrugën.

- Mirë, mirë, vazhdoni rrugën, e ai i krishterë ndjesë pastë…”.

Mirëpo, të krishterët nuk “vdisnin”, për çdo ditë, kurse “prifti” për çdo ditë dërgonte nga një të “vdekur”. Bile, kishte ndodhur, edhe nga dy e tre herë brenda ditës! Stavroja vazhdonte të barte të krishterët për Palbardh. Kjo gjë nuk vërrehej nga patrulla policore ngase patrulla ndërrohej për çdo ditë.

Një ditë, në patrollën policore, qëlloi prapë ai polici që ditë më parë e kishte pyetur “priftin” se çfarë po barte me atë arkivolin e tij. E ndalon dhe e pyeti Stavron.

- O atë i shejtë, prapë ka vdekur ndonjë i krishterë nga Palbardhi?”

- Po zoti polic, pa nguruar ai iu përgjegj Stavroja policit.

- Mirë, mirë atë i shenjtë, vazhdo rrugën, i tha polici.

Megjithatë e kishte bastisur. Stavroja thotë se as vetë nuk e di nëse si ky polic dyshoi në genjeshtrën e tij! Mbetet të besohet edhe për Stavron, edhe për mua, se edhe ky polic ishte i inkuadruar në këtë lëvizje masive të viteve të shtatëdhjeta!

Enver Hadri, në anën tjetër, kryente punën organizative në masë e sidomos në mesin e studentëve. Grupi i Cërvenkovskit si dukej, kishte një punë tjetër por gjithashtu shumë me rëndësi - rekrutimin e sa me shumë oficerëve maqedonas që shërbenin në Armatën jugosllave në Maqedoni por edhe nëpër pjesë të tjera të Jugosllavisë. Duhet të rekrutoheshin edhe disa pilotë të aviacionit jugosllav të luftës, të cilët në momentin e caktuar, kur do të dihej qindpërqind se Josip Brozi gjendej në Dedinje dhe mundësisht në cilën dhomë, këta pilotë me avionët e tyre të mbushur me plot lëndë shpërthyese, të bombardonin Dedinjen duke e bërë atë rrafshë me tokë dhe mundësisht të vritet aty Josip Brozi bashkë me elitën e tij. Atëherë do të fillonte realizimi i pjesës së planit që oficerët maqedonas, me ushtarët dhe vullnetarët që kishin, do të dilnin në kufirin mes Sërbisë dhe Maqedonisë, ku niste pjesa e popullatës e banuar me shqiptarë. Ne të njejtën kohë, në Kosovë, do të shpërthente kryengritja për shkëputjen e Kosovës nga Sërbia dhe bashkangjitjen e saj me Shqipërinë. Kuptohet, këtë kryengritje do ta udhëheqte Shtabi me në krye Anton Stavrosin, Enver Hadrin dhe të tjerët, për të cilët unë nuk kam njëhuri se kush ishin. Se a do të pranonin këto dy shtete, Shqipëria dhe Bullgaria, që pjesët e “territorit jugosllav” t’iu bashkangjiten Shqipërisë, gjegjësisht Bullgarisë dhe se a do të lejonin këtë gjë qendrat e fuqishme ndërkombëtare dhe opinioni i jashtëm, edhe këtë nuk e dij!

Mirëpo si shumë herë, edhe kësaj here ndodhi e papritura! Sigurimi u kishte rënë në gjurmë dhe se shpejti filluan arrestimet. Në Shkup u burgos Anton Stavrosi dhe katër pilotët që kishin për detyrë bombardimin e Dedinjes. Që të gjithë pilotët sipas Stavrosit ishin shqiptarë të cilët në një procedurë të shkurtër nga ana e Gjykatës ushtarake u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan! Këta, në të vërtetë ishin ata katër pilotët që Stavroja me xhelozi por dhe frikë i ruante fotografitë e tyre. Mandej thonë (fjalë populli, kush e din?!) se Cërvenkovski me të vërtetë iku dhe gjeti strehim në Bullgarinë fqinje. Në Kosovë u burgosën më shumë se shtatëqind studentë, kurse Enver Hadri i shpëtoi arrestimit dhe u arratis në Perëndim! Nën presionin ndërkombëtar, regjimi titist u detyrua të lirojë shumicën e studentëve, megjithatë, mbi shtatëdhjetë u dënuan me burg të rëndë dhe në kohëzgjatjeje të ndryshme.

Anton Stavrosi, për burg hetues për një vit rresht i kishte bodrumet e kalasë së Shkupit. Hetimet dhe torturat fizike atij ia bënë për një vit, tortura e dhunime këto që nuk mund të përshkruhen dot - të të gjitha llojeve e të ushtruara nga personeli i sigurimit shtetëror jugosllav, sigurimit sekret të Ushtrisë jugosllave e deri tek OZN-a, që ishte shërbim sekret ushtarak, si dhe KOS-i, që ishte Shërbimi i kundërzbulimit po ushtarak.

Megjithatë këtu duhet përmendur vetëm një rast. Kur këto shërbime nga Stavroja kishin bërë një kufomë të gjallë ia dërguan atij një mjek për ta “ndihmuar” që të mos vdiste!

E Stavroja kështu e përshkruan këtë “vizitë mjekësore”. Më sollën një mjek i cili së pari më ndihmoi që të ngritem e të rri ulur. Mandej nxori nga çanta disa shishe plastike dhe do gjilpëra. M’i futi dy inxheksione nga një në secilën këmbë mbi gju dhe dy të tjerat në të dy krahët duke mos folur fare asnjë fjalë por vetëm por duke vazhduar pandërprerë të më shikojë në mënyrë miqësore.

- Ec! Ec se qenke hajn! Futu brenda! tha mjeku.

- Zotëri doktori, a keni një gjilpërë me të cilën do të më vrisni shpejt? - e pyeti Stavrosi dokrorin e burgut.

- Po kam, ia ktheu mjeku me qesendi Stavrosit.

- Atëherë, nese je vetëm mjek, harroje për një moment betimin e Hipokratit dhe më vrit, i tha Stavroja.

Pas një heshtjeje të shkurtër, mjeku i tha Stavrosit:

- Kur me kanë caktuar që të të vizitoj dhe të të ndihmoj, e siç e din edhe vetë se regjimin e burgut dhe vetë lejen e “vizitës” e bën UDB-ëja, unë isha njeriu më fatlum në botë! Dhe a e din përse? Unë kam menduar se do të shoh në ty trimin më të madh në botë, një shqiptar trim, ashtu si i ka hije shqiptarit! Një njeri të paepur! Dhe a e di se çfarë po shoh në ty tani? Po shoh një qyqar! Eh, çfarë shoku paskemi pasur?! - ia ktheu mjeku, kujton Stavrosi.

Fjala e fundit në fjalinë e doktorit të bënë të besosh se edhe doktori i takonte të njejtit grup. Këto fjalë të doktorit, sipas Stavros, ia ngritën atij moralin dhe i ndihmuan që më lehtë t’i përballojë torturat e mëtejshme!

Pas kryerjes se hetimeve në bodrumet e Kalasë së Shkupit, Stavrosin e transferojnë në burgun e Prizrenit për ta dënuar, sepse atje e kishte “kryer” veprën.

Në hyrjen e burgut të Prizrenit qëndronte drejtori i burgut. Kur e sheh ashtu të leckosur, të dobët e të dërmuar e pyet, si “rastësisht” Stavrosin:

- Çfarë ke bërë, o i mjerë?

Dhe Stavroja, sikur edhe të tjerëve, për pak do t’ia hudhte mashtrimin drejtorit.

- Zoti drejtor, e mora gomarin dhe dola në pazar. E lidha aty ku lidhen gomarët, bëra ca punë, mandej hyra në kafene, ngrita ca gota raki dhe dola. E mora gomarin tim dhe u nisa. E këta me thonë se e paskam vjedhur, - iu përgjegj Stavrosi.

- Ec, ec hyr brenda! Qenke hajn, pra! – i kishte thënë drejtori i burgut, e duke ia futur një shqelm në prapanicë pa e lexuar fare një alamet të trashë aktakuzën kundër meje dhe pa e ditur se çfarë thuhej në të.

Edhe më shumë i mashtroi shokët që i gjeti në qelinë ku e futën. U kishte thënë se “kishte vrarë gruan dhe për t’i humbur gjurmët e kishte prerë në pjesë vogla, e kishte futur në një thes dhe e kishte hudhur në pus!

Mirëpo, ky “truk” Stavrosit nuk i zgjati shumë. Si zakonisht, drejtori i burgut, njëherë në javë vizitonte dhomat e burgut për te parë se mos u bëhej ndonjë “e padrejtë” të burgosurve nga ana e gardianëve. Në një dhomë, nga shumë dhomat e burgut, drejtori e gjeti “hajnin e gomarëve”.

- Këtu na qenke ti, hajni i gomarit!? - i kishte thënë drejtori dhe ia zgjati aktakuzën.

Ajo Stavron e ngarkonte kundër “shtetit dhe popullit”. Drejtori kështu kishte kryer formalitetin e vizitës dhe kishte dalur nga dhoma, kurse shokët e Stavrosit kurreshtarë, siç dinë të jenë vetëm ata që janë në burg, e marrin aktakuzën e Stavrosit dhe e lexojnë fill e për pe.

Kur e lexuan të tërën, thotë Stavroja, nga gëzimi që nuk më kishin futë në burg për vrasjen e gruas por që isha kryesori ose njëri ndër kryesoret në aferën e armëve të kalasë së Prizrenit, me kapën dhe me lidhën me çarshaf për shtrati dhe filluan të më “rrahin” me jastëk e batanie dhe të gëzuar më thoshnin ”aha, ti e paske prerë gruan, a!?”

Anton Stavrosi, edhepse nuk u argumentua asnjëherë para gjyqit se kush ishte ai në të vërtetë, cili ishte emri i tij i vërtetë, në aktakuzë u cilësua si i dyti në këtë vepër dhe u dënua me njëzet vjet burg të rëndë dhe me largimin e tij nga Jugosllavia, pas vuajtjes së dënimit.

I akuzuari i parë u cilësua Enver Hadri dhe u dënua me vdekje në mungesë, sepse ai kishte arritur të arratiset në perëndim, në Bruksel të Belgjikës. Në të vërtetë, ashtu, Anton Stavroja ishte i akuzuari i parë dhe kryesori në këtë vepër “penale” për UDB-ënë, kurse për historinë tonë, kjo ishte vepër atdhedashurie. Stavroja ia arrijti që me mjeshtri t’i fsheh gjurmët e veta por edhe të shokëve të tij me të cilët kishte bashkëpunuar.

Gjatë hetimeve, ai të gjithë emrat të shokëve të vet që ia jepte organeve hetuese të UDB-ësë pas hetimeve të bëra po nga ana e UDB-ësë, ajo mbetej e zhgënjyer sepse kur shkonin për t’i burgosur këta njerëz, dilte se ata kishin vdekur! Dikush më heret e dikush me vonë.

Këtë “metodë gënjeshtare“ dhe këto “truke” para organeve të sigurimit i kisha përdorur edhe vetë, thoshte Milazim Arifi. Për shëmbull, për të shpëtuar nga burgosja vëllaun tim - Ibrahim Arifin, i cili nga Zvicra më shkruante një letër, kur unë isha në Bruksel të Belgjikës, dhe ndër të tjera më thoshte se ai ishte “enverist i vërtetë, e jo ju të tjerët.” Mjeshtria është të gënjehet hetuesia, se Ibrahimi për të cilin bëhet fjalë, është Ibrahim “Çopa”, siç e quante një simpatizues i Lëvizjes në Austri, për të cilin e dijsha se kaherë kishte vdekur!

Por, të mos largohemi shumë nga thelbi i rrëfimit.

Pas vujtjes se dënimit Anton Savrosi duhej të ekstradohej nga Jugosllavia, edhepse shërbimi sekret nuk i kishte rënë në fije asnjëherë emrit të tij të vërtetë, as pasaportës origjinale të Maqedonisë, as profesionit, as konfeksionit dhe as shënimeve të tjera personale të tia.

Me Stavrosin u dënuan dhe dhjetëra studentë të tjerë, siç u cek me lartë, kurse Enver Hadri, u përmend tashmë, u arratis në Perëndim.

Sa jemi të Enver Hadri, desha t’i them disa fjalë sepse për këtë njeri, për këtë veprimtar të madh të popullit tonë, për fat të keq unë di shumë pak.

Viteve të shtatëdhjeta, pas burgosjes sime, Enver Hadri dhe Ilmi Arifi, vëllau i im më i vogël, pos veprimtarive tjera të tyre, ata për herë të parë në Evropën Perëndimore, në Bruksel të Belgjikës, hapën një radiostacion në gjuhën shqipe i cili, edhepse nuk kishte gjithaq fushëveprim të gjerë, ishte shumë i rëndësishëm! Mirëpo, për fat të keq, për shkaqe materiale, nuk pati jetë të gjatë. Çuditërisht, edhepse në Bruksel, në atë kohë llogaritej të kishte mbi tremijë familje shqiptare, të cilat pas ardhjes se Enver Hoxhës në pushet në Shqipëri, përmes Jugosllavisë, e që paraprakisht kishin kaluar kufirin ilegalisht, kishin emigruar në Bruksel. Po ata nuk e ndihmuan këtë radiostacion që fliste në gjuhën e shqipe - në gjuhën e tyre amtare! Si dukej këta emigrantë kishin formuar një bindje se çdo kosovar duhej të të jetë patjetër edhe “enverist!” Jo rastësisht, mua dhe Ilmiun po këta njerëz na akuzonin si “enveristë”, e si rezultat i gjithë kësaj po këta emigrantë qe e quanin veten “zogistë”. E këta “zogistë”, me ndihmën e disa “zogistëve” të tjerë, bashkëpuntorëve ”kosovarë”, gjegjësisht mua dhe Ilmiut, në kafiterinë e Hamdi Pogragjës, na kishin përgaditur një kurthë për të na vrarë! E po këta emigrantë mua më kishin paraqitur në policinë belge si “enverist i rrezikshëm”. E tërë kjo ndodhte në kohën derisa unë prisja që të më pranohej statusi i azilkërkuesit politik si antikomunist.

Një natë në një kafiteri të tyre, policia sekrete belge e quajtur “dezjem divizio”, që në përkthim do të thotë “divizioni i dytë”, më burgosi. Mirëpo, pasi që ishte ditë e shtunë dhe gjykatësi hetues kishte shkuar në vikend, të dielën u detyruan të më lirojnë, por gjithnjë nën mbikqyrje! Këtij dyshimi të policisë sekrete belge dhe antikosovarizmit, nga ana e emigrantëve nga Shqipëria, i kontribuonim edhe ne vetë.

Një ditë, aty ku punonim unë, Milazim Arifi, Ilmiu dhe gruaja ime, Arife Arifi, e kjo më duket se ishte firma pastruese “El an”, unë me një shok nga Haiti, i quajtur Karllos, e organizuam një grevë. E ky Karllosi, nëse këtë emër nuk e kishte pseudonim, se si marksist-leninist që ishte kishte ikur nga Haiti ku aso kohe sundonte një regjim ekstrem fashist, i cili po të zbulonte një komunist, jo vetëm që do tia pushkatonte tërë familjen, por do të rrënonte edhe shtëpinë e tyre, “që të vriten edhe minjtë në mure.” Pra ne, por edhe me disa të tjerë, përgatitëm që ta fillojmë një grevë. Si shkak ishte puna e natës dhe paga shumë e ulët. Për një kohë të shkurtër i bindem mbi njëzetepesë punëtorët të cilët pothuajse ishin nga njëzet shtete të ndryshme. Pos dy vëllezërve të mij, Bejtullahun dhe Daut Arifin! Kjo u bë në fshehtësinë më të madhe nga ana e udhëheqësit të grupit Valdet Hamiti-Kuçi, piktor i njohur nga Peja dhe zëvendësit të tij, poashtu piktor i njohur për opinionin shqiptar, Abdylkadër Pagarusha, që thoshte se ishte vëllau i këngëtarës se njohur Nexhmie Pagarusha.

Dhe greva filloi në ora njëzetenjë të mbrëmjes, mu në kohën e fillimit të ndërrimit. Së shpejti e thirrën edhe padronin. Padroni erdhi me bashkëpunëtorët e vet. Ishte një burrë i ri dhe i pashëm. Por ajo që më habiti pa masë ishte diçka tjetër. Ai u ul në tavolinën tonë, do të thotë të grupit udhëheqës të grevës dhe na pyeti për kushtet tona. Nuk i pranoi kërkesat tona. Edhe ne nuk lëshuam pe!

Duke u ngritur në këmbë na tha:

- Më vjen mirë që ju mbroni interesin Tuaj dhe jeni të palëkundur, por ty, m’u drejtua mua, nuk po të kuptoj fare! Ti bashkë me vëllanë dhe gruan kërkon nga ne azil politik kurse këtej organizon punëtorët kundër neshë! Megjithate, vazhdoi padroni, edhe ne të pasurit mbrojmë interesin tonë dhe kemi me çka të mbrohemi!”, tha kështu duke na treguar me dorë nga dritaret ku dukeshin xhandarmëria belge të hypur nëpër kuaj e që e kishin rrethuar gjithë objektin.

Për këtë padron vlen të thuhet edhe diçka. Ai na largoi nga puna vetëm mua dhe Karllosin por jo dhe vëllaun Ilmiun dhe gruan time Arifen. Nuk largoi asnjë punëtor tjetër!

Njëherë, pas një kohe, shkova në zyrën e tij për të përkthyer diçka për gruan time. Unë përktheja edhe për të tjerët tek ai sepse gjuhën frenge e kisha mësuar edhe në shkollë dhe për njohjen e saj dallohesha pak nga të tjerët. Posa hyra në zyre, pronari i fabrikës u ngrit në këmbë duke më nderuar. Librin që deriatëherë ishte duke e lexuar e la të hapur por e ktheu përmbys.

- Keni ardhur për të përkthyer apo për të punësuar ndonjë të pa punë?! më tha me buzëqeshje.

- Jo, i thashë, kësaj here kam ardhur për t’u punësuar vetë.

- Do të punësoj njëmijë të tjerë që m’i sjellni Ju, por Ju personalisht jo, më tha me buzëqeshje dhe u ulëm përreth tryezës.

Nuk vonoi dhe thirri dikë nga zyra tjetër. Hyri Abdykadër Pagarusha paksa i kërrusur, nga friga e padronit, sepse edhe ai, si edhe unë, ende nuk e kishte fituar azilin politik. Pronari e urdhëroi Abdylkaderin që për zotërinë, pra, për mua, të bejë një kafe.

U kthye kah unë dhe pasi më shikoi pak, më tha:

- Vuzet en vre Albane!...

- Po përse, i thashë.

Ai nuk m’u përgjegj. Nuk foli asgjë vetëm librin që kishte qenë duke e lexuar gjeratëherë e ktheu mbarë, e mbylli dhe ma lëshoi para duarsh. Në ballinën e atij libri shkruante në frëngjishte emri i autorit që ishte Ismail Kadare, kurse më poshtë titulli “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Pas pak kohësh më tha:

- Ashtu, kur e shoh se cilit popull i takon, e kuptoj se Ju, edhepse ende nuk e keni siguruar azilin politik dhe “statusi” i Juaj shumë mvaret edhe nga mendimi im, e që do ta merr policia për Ju, Ju pa fije frike dhe me këmbëngulje kërkonit drejtësi!” më tha.

Këto fjalë m’i tha ashtu me zë të qetë dhe sinqerisht.

- Ashtu edhe po e kuptoj, i thashë unë me dashamirësi.

Këtë që e përmenda pak më lartë, dëshirova t’ia rikujtoj edhe njëherë të paktën vehtes se sa lartë Kadarea në shkrimet e tia e kishte ngritur kombin tonë dhe sa afër ia kishte ofruar lexuesve të mbarë botës trimërinë, drejtësinë dhe bujarinë shqiptare! Dhe ate, pikërisht, falë regjimit aqë “të urryer” të Enver Hoxhës, regjim ky që i kishte mundësuar Kadaresë që ky roman i tij të botohej në shumë gjuhë të botës! Por më lejo, i nderuari i im, që t’i kthehem edhe njëherë Enver Hadrit, tha Milazim Arifi. Mjerisht, për atë njeri të madh të kombit shqiptar, kam njohuri shumë të pakta.

Ata bashkëvepruan edhe pas burgosjes sime, siç qe edhe shpërndarrja e gazetës Zëri i Kosovës nga Ilmiu dhe grupi i tij. Mandej erdhi burgosja e tyre, por nuk mund të them më shumë hollësi. Por për Enver Hadrin dijnë të gjithë se, sipas një dëshmitari sërb në gjykimin e kryekriminelit Slobodan Millosheviqit në Hagë, sigurimi sërb dërgoi atje njeriun e vet (të cilin e pat përmendur me emër dhe mbiemër) dhe më 25 shkurt 1990e vrau atdhetarin, aktivistin shumëvjeçar të kombit tonë Enver Hadrin në Bruksel të Belgjikës,. Kjo do të thotë se edhe zyrtarisht dihet vrasja e tij, vrasje kjo që ishte një tipike politike, çfarë për fat të keq ka pasur shumë. E për aktivistët e tjerë që poashtu u vranë gjithashtu në Perëndim ende nuk është thënë zyrtarisht se si dhe prej kujt janë vranë!

 

STAVROSI ISHTE ENDE GJALLË!

 

Misteri Stavros, me përcolli edhe në Tiranë. Këtë mister ishte munduar ta zbardhë grupi i Ajdin Muliqit, përkatësisht Jahja Turjaka, tashmë i përmendur më lartë, sa ka jetuar në Tiranë. Në të vërtetë, çfarë pashë dhe ndëgjova në Tiranë në vitin 1992, në kohën gjersa dhunshëm qëndrova në Shqipëri duhet rrëfuer ngase është e rëndësishme, tha Milazim Arifi.

Siç u përmend edhe më lartë, në vitin 1992 policia zvicërrane na deportoi dhunshëm në Shqipëri, mua dhe Skyfterin, djalin tim të madh. Në Tiranë, në mesin e atyre shokëve që përmenda më parë, kisha edhe një shok, emrin e të cilit nuk do ta kisha përmendur. Një ditë, ky shok i imi mua dhe Skyfterin na ftoi për darkë. Ndodhesha për herë të parë në shtëpinë, gjegjësisht në banesën e tij.

Si gjithnjë kur hyn për herë të parë në një shtëpi apo banesë, njeriu bëhet kurreshtar, emocionohet. Natyrshëm që të “shëtisin sytë” se çfarë banese është, si është e rregulluar, e të tjera të ngjajshme. Në sallonin me aneks, siç i thoshnin në Shqipëri kuzhinës së ndarë nga salloni i ditës, pranë tavolinës ku rrinim, pos tjerash, vërejtja një kornizë me një madhësi përafërsisht 15x10cm. Në këtë kornizë ishte një fotografi shumë e vjetër dhe pa ngjyra. Mu duk se atë njëri, ndonëse fillimisht nuk e dallova nëse ishte burrë apo grua, e kisha parë dikund dhe se më ishte i njohur! Ai person në fotografi dukej të kishte diku 50 apo më shumë vjet. Kishte një fytyrë të rrumbullakët me pak rrudha të imta, por që ishte e bukur dhe e cila tregonte se në rini do të kishte qenë një djalosh ose një vajzë tejet e bukur. Dalëngadalë, duke u kthyer në të kaluarën, para pesëmbëdhjetë viteve, në atë fotografi sikur pashë fëtyrën e Anton Stavrosit!

E zoja e shtëpisë, derisa bënte kafenë dhe të tjerat të gostisë për miqtë, kishte vërrejtur kureshtjen time për fotografinë dhe me pyeti:

- Përse e shikoni aqë gjatë atë fotografi?

- Kush është në atë fotografi, e pyeta në vend të përgjegjes.

- Nëna ime, ndjesë pastë, ma ktheu ajo duke e vënë kafenë në tavolinë.

- Ka ose a ka pasur nëna e jote ndonjë vëlla, e pyeta.

- Po, tha ajo, dhe për një çast sikur iu ndal fryma!

Nga sytë i rrodhën një palë lotë. Pastaj filloi të më tregojë se daja i saj, emrin e të cilit nuk do ta kisha përmendur, në kohën e luftës kishte qenë oficer gjegjësisht komandant brigade. Mirëpo pas luftës kishte punuar në polici, konkretisht në SHIK (Shërbimin Informativ Kombëtar), gjithashtu oficer i lartë i policisë, derisa një ditë e burgosën! Akuza ishte e rëndë, si “tradhëti ndaj atdheut dhe partisë.” Në fund e pushkatuan! Daja i ndjerë, kishte gruan, dy çuna dhe një vajzë që i lindi pas pushkatimit”, tregoi e zonja e shtëpisë.

Derisa pija kafenë dhe gotën e rakisë me të zotin e shtëpisë, logjikisht në mendime e kujtime u ktheva në brugun e Mitrovicës së Sremit.

Në të vërtetë, kur u tregova duke u kthyer nga vizita, se me kishte vdekur babai dhe djali shtatëvjeçar, Sokoli, Stavroja u trondit me së shumti nga të gjithë. Lotët i rrodhën faqeve dhe më tha në mënyrë të rreptë, sikur unë të isha fajtor që më kishte vdekur babai dhe djali.

- Përse më tregove fare!? Ti mendon se vetëm ti ke plagë në shpirt. Edhe unë e kam pasur gruan, dy djem dhe një vajzë që nuk i kam parë kurrë! – tha Stavroja dhe bëri një rreth shëtitje, duke çaluar në atë stilin e vet të “shqepimit”, siç themi ne në Kosovë. Por, për çudi, kësaj here ecte më shpejtë se herave të tjera.

- Po mirë, i thashë kur u kthye drejt neshë, drejt meje, Xhavit Dërmakut dhe Niazi Korçës, përse nuk i ke parë kurrë?!

Pasiqë u mendua pak, si duket deri sa e ndërtoi “gënjeshtaren dhe trukun”, me tha:

- Kur është dridhur toka në Shkup, e ishte ky tërmeti i vitit 1963, u martova dhe pata këta tre fëmijë...

Stavros fjala i mbeti në gjysmë. Dyshimi i im u thellua.

Rasti tjetër që më shtyri të dyshoj se Stavrosi nuk e ka pasur atë emër të vërtetë, se nuk ishte prift ortodoks, se nuk ishte komandant brigade në luftën greko-italiane por ishte komesar brigade në luftën shqiptaro-italiane dhe se nuk ishte pushkatuar për “tradhëti kundër atdheut dhe partisë”, pra Partisë së Punës të Shqipërisë, ishte se rrobet që kishte pasur kur ishte “pushkatuar”, e të cilat ia kishin kthyer familjes pas “pushkatimit”. Këto robe familja i kishte ruajtur me shumë xhelozi. I mora dhe i shikova me vëmendje të thellë. Ishin të paluara me kujdes dhe mirë të ruajtura.

- A i keni pastruar ndonjëherë këto tesha? - e pyeta zonjën e shtëpisë.

- Jo, mu përgjegj, pasi sipas zakonit rrobat e të pushkatuarit nuk duhet të lahen!

Rrobat ishin të shpuara në shumë vende por nuk tregonin fare gjurma gjaku. Si ka mundësi, mendova më vehte, që të derdhen pesë ose gjashtë litra gjak në rrobat e të pushkatuarit e të mos ketë asnjë gjurmë gjaku, edhe pse kishin kaluar shumë vite që kur ishte “pushkatuar trathtari”.

Si duket, edhe pse Stavroja më kishte rrëfyer shumë gjëra në mënyrë “reale”, ekzistonte “realja”, se për diçka ma kishte hedhur edhe mua. Prandaj aty për aty, vendosa që të filloj “një çikë hetimesh.” Së shpejti porosita një shok që mundësisht të verifikonte aty ku mund të verifikohej se dyshimi im a kishte bazë.

Përgjigja më erdhi shpejt dhe e shkurtër: ”I burgosuri me emrin Andon Stavros, pas vuajtjes se dënimit në burgun e Mitrovicës së Sremit në Jugosllavi, u dëbua nga Jugosllavia sipas vendimit të aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut të Prizrenit”. Pra Stavrosi vazhdon punën e vet gjer në vdekje. Vdiq në vitin 2005 me gradën gjeneral.



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx