E diele, 04.05.2025, 09:30 PM (GMT+1)

Speciale

Fehmi Kelmendi: Invazioni Osman dhe manipulimet pansllaviste kundër kombit shqiptar

E enjte, 31.05.2012, 05:01 PM


Invazioni Osman dhe manipulimet pansllaviste kundër kombit shqiptar

(Fragment nga libri që gjendet në shtyp Çështja shqiptare në udhëkryq, Bukuresht, 2012)

Nga Fehmi Kelmendi

Pas kësaj ngjarjeje turqit depërtuan pa pengesa drejt veriut duke pushtuar vende pas vendesh. Viset e okupuara shqiptare prej turqve përfshiheshin në një Elajet që quhej i Rumelisë, me qendër në Manastir. Ejaleti ndahej në vilajete, vilajeti në sanxhaqe, sanxhaku në kazaja dhe kazaja në nahije. Shqipëria kishte katër vilajete: i Kosovës, Manastirit, Janinës dhe Shkodrës me një sipërfaqe gjithsej prej 116 mijë km katrorë. Gjendja e tillë nuk ndryshoi deri në vitin 1912. Kur Ballkani u pushtua prej turqve dhe Evropa rrezikohej nga invadimi i tyre shqiptarët gjindeshin në vlugun e kryengritjeve antiosmane. Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu me 28 nëntor 1443 ngriti përsëri flamurin shqiptarë në kështjellën e Krujës. Për organizimin sa më efektiv të qëndresës shqiptare rëndësi të madhe pati Kuvendi i Lezhës më 2 mars 1444. Nga ky Kuvend doli Lidhja Shqiptare e Lezhës - Besëlidhja Shqiptare me Skënderbeun kryetar. Epopeja e lavdishme 25 vjeçare e Skënderbeut ishte burim frymëzimi i luftërave të ardhshme. Mjerisht, njëri nga komandantët kryesorë të Skënderbeut, Moisi Golemi, me 1455 tradhtoi popullin e vet dhe u lidh me pashën e ushtrisë turke, Isak Bej Evrenosin. Për këtë sulltan Mehmeti II Fatihu (1451-1482) e vuri në ballë të një ekspedite ndëshkuese kundër Skënderbeut. Por në betejën e Oranikut më 19 maj 1456 Moisi Golemi pësoi disfatë. I penduar iu dorëzua Skënderbeut , kërkoi falje prej tij dhe i mbeti besnik deri në fund të jetës. Në sulmin e parë të befasishëm të Ballaban pashës, Moisi Golemi u zu jesir nga turqit, por nuk pranoi më të vihej në shërbim të tyre. Kundër Skënderbeut luftoi edhe nipi i tij, Hamza Kastrioti.

Pjesëmarrja e shqiptarëve në kryengritjet e popujve fqinjë për çlirimin e vendeve të tyre

Më parë ata morën pjesë në kryengritjen e parë 1804-1813 të udhëhequr nga Kara Gjorgje Petroviçi (sipas të gjitha gjasave me prejardhje shqiptare) dhe në të dytën serbe 1815-1829 të udhëhequr nga Millosh Obrenoviçi pastaj në kryengritjen greke 1821-1829 të udhëhequr nga organizata e fshehtë "Filiqi Heteria" kundër Turqisë. Pa pjesëmarrjen e shqiptarëve, grekët nuk do të mundenin të fitonin pavarësinë e Greqisë. Ndër shqiptarët u dalluan në këtë kryengritje Marko Buçari, nga Çmëria, e cila në lashtësi quhej Tesproti, ku gjindej Dodona, i lindur në Sul, heroina Bubulinë e shumë të tjerë. Kryengritjen e përmendur e ka ndihmuar edhe Ali Pash Tepelena (1740-1822). Megjithatë, si serbët, ashtu edhe grekët të mirën e shqiptarëve e keqpërdorën duke ua kthye me të keqen.Në vend të mirënjohëjes i drejtuan kundër tyre  armë.Menjëherë pas krijimit të shteteve të tyre nacionale të pavarura lindi ideja për pushtimin e trojeve shqiptare. Idenë e tillë e hasim në projektin e politikës serbomadhe "Naçertanie" të Ilija Garashaninit më 1844, me synim të restaurimit të Perandorisë së car Dushanit, e bazuar në platformën pansllave, të hartuar nga polaku Çartiskij dhe çeku Zak, dhe në platformën e politikës grekomadhe "Megali Idea", e hartuar nga qarqet shoviniste greke po më 1844, me synim të ringjalljes së perandorisë bizantine. Sinkronizimi i viteve të njejta nuk ishte i rastit. Në të ardhmen Serbia dhe Greqia do të kurdisin plane të përbashkëta djallëzore për gllabërimin dhe ndarjen midis tyre të Shqipërisë.

Luftërat ruso-turke dhe agresioni serbomalazez 1876-1878 i kushtuan shtrenjtë popullit shqiptar. Me Traktatin e paqës së Shën-Stefanit të 3 marsit 1878, që Rusia cariste ia imponoi Portës së Lartë, u krijua Bullgaria e Madhe, brenda kufijve të së cilës parashihej të përfshiheshin  disa qendra të rëndësishme me vise shqiptare. Serbisë i lejohej shtrirja në drejtim të jugut deri te sanxhaku i Prishtinës, afër Mitrovicës, ndërsa Malit të Zi do t`i trefishohej territori me marrjen e Tivarit, Ulqinit, Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Kelmendit, Bunës dhe gati gjith Liqenin e Shkodrës,me përjashtim të qytetit. Nga pala ruse Traktatin e firmosën: Nikola Ignjatiev dhe Aleksandar Nelidov, kurse nga ajo turke: Savfet Pasha dhe Sadulla Beu.

Kongresi i Berlinit (13 qershor-13 korrik 1878) u mblodh për rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Ky kongres, i mbajtur nën kryesinë e nikoqirit Oto Fon Bizmarkut (Otto Von Bismarck), nuk i përfilli kërkesat legjitime të shqiptarëve. Pasi njohu pavarësinë e dy shteteve sllave: Serbinë dhe Malin e Zi, me Traktatin e 9 korrikut atyre ua dha një pjesë të madhe të trojeve shqiptare. Serbia mori Nishin, Prokuplen, Kurshumlinë, Leskovcin dhe Vranjën, duke arritur deri në Ristovc, afër Bujanovcit. Shqiptarët e kësaj krahine, që bënte pjesë në vilajetin e Kosovës, e pësuan keq. Rreth 35 mijë civilë, në mesin e tyre shumë fëmijë, u zhdukën fizikisht, ndërsa 300 mijë të tjerë u dëbuan me dhunë nga vatrat e tyre stërgjyshore. Pasojë e kësaj tragjedie ishte boshatisja e mëse 700 fshatrave të banuara me popullatën mbizotëruese shqiptare. Princi serb, Milan Obrenoviçi urdhëroi që sa më shpejt tokat e braktisura shqiptare të populloheshin me kolonët serbë. Mali i Zi u shpërblye me Tivarin, Podgoricën, Plavën e Gucinë... Greqia fitoi Epirin shqiptar me krahinat: Paramithi, Mërgëlliç, Pargë, Luras, Gumenicë, Prevezë, Artë dhe Janinë. Traktatin e Berlinit e nënshkruan: Otto Von Bismarck, Bulow dhe Hohenlohe për Gjermaninë, Beaconsfield, Salibury dhe Odo Russel për Anglinë, Waddington, Saint-Vailer dhe Deprez për Francën, Andrasy, Karoliy dhe Heimerle për Austro-Hungarinë, Gorçakov, Suvalov dhe d` Oubril për Rusinë, Korti e Launay për Italinë dhe Aleksadar Karateodor pasha, Mehmet Ali pasha-Maxhari dhe Sadulla beu për Turqinë.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1885)

Populli shqiptar i ballafaquar brez pas brezi me sfidat shekullore mbrojti me dinjitet vetëqenien e tij të rrezikuar nga pushtuesit e huaj. Lëvizja Kombëtare Shqiptare asnjë herë nuk pati ndërprerje. Etapat më të lavdishme të saj janë: ajo e Skënderbeut, Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe lufta çlirimtare bashkëkohore. Meqë se gati dy të tretat e trojeve shqiptare ende gjinden jashtë kufijve të shtetit amë, Lëvizja Kombëtare vazhdon. Shkaku i thirrjes dhe i mbajtjes së Kuvendit të Prizrenit, që i filloi punimet më 10 qershor 1878 në Prizren, nga i cili doli LSHP, nën kryesinë e Iljas Pashë Dibrës -Qokut, ishte Traktati i Shën- Stefanit, kurse zhvillimin e  mëtejmë  të Lëvizjes e nxiti Traktati i Berlinit. Kuvendin e inisoi Komiteti Kombëtar Shqiptar i Stambollit, i kryesuar nga patrioti i shquar Abdyl Frashëri. Në të morën pjesë 110 delegatë nga të gjitha viset shqiptare. Të pranishmit i befasoi me fjalimin e tij të zjarrtë Abdyl Frashëri: "Ne shqiptarët rrjedhim nga pellazgët. Jemi popull më i vjetër në Gadishullin Ballkanik. Qëllimi i kësaj mbledhjeje sot për sot është t`ua presim hovin armiqve të egër duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t`i mbrojmë me gjak trojet tona që na kanë lënë stërgjyshit tanë.

"Kryeideologu i Rilindjes sonë Kombëtare, Sami Frashëri, paralajmëronte se shqiptarët ishin të vendosur të vdisnin deri te njeriu i fundit për të mos lejuar coptimin e Shqipërisë nga kushdoqoftë. Ata nuk do të lejojnë marrjen e asnjë pëllëmbë toke nga agresorët fqinjë. Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e dëmtoi nga brenda ekzistimi i katër rrymave politike me orientime të ndryshme, kurse nga jashtë monarkitë e shteteve ballkanike fqinje dhe Fuqitë e Mëdha evropiane. Rrymës patriotike i përkisnin figurat më eminente të LSHP: Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Filip Doda, Sylejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra, Vaso Pashë Shkodrani, Jani Vreto, Haxhi Zeka, Jeronim De Rada, Zija Prishtina etj. Rrymës reaksionare sulltaniste të Lidhjes Islamike i përkisnin: Abdulla Pashë Dreni, Sadik Pashë Hoxholli, Abdurrahman Pashë Shkupi, Mehmet Zija Prishtina etj. Rrymës së "patriotëve" të moderuar i përkisnin: Iljas Pashë Dibra-Qoku, Hamid Shaban Peja, Sadik Pashë Tetova, Ahmet Karahasani, Jashar Bej Shkupi etj. Rrymës centraliste i përkisnin: Ali Pashë Gucia, Jakup Pashë Shkupi, Esat Pashë Tetova etj. Mustafa Tetova, Ali Pashë Draga, Ali Tevfik Manastiri, Shaban Bej Prizreni, Riza Abdurrahman Prishtina etj. Kuvendi i Prizrenit zgjodhi edhe organet më të larta të LSHP: Këshillin Qendror (Organ Legjislativ) me 56 anëtarë nën kryesinë e Iljas Pashë Dibrës-Qokut dhe Komitetin Kombëtar (organi ekzekutiv) me 13 anëtarë nën kryesinë e Ymer Prizrenit.

Vendimet e mara në Kuvend u botuan në gazetën "Terxhumani Shark" (Interpreti i Lindjes) të Stambollit drejtuar nga Sami Frashëri. LSHP u përpoq për ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë. Si organizatë patriotike politiko-ushtarake me një platformë mbarëkombëtare dhe një qeveri shqiptare, Kuvendi respektiv luajti rol të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar. Deri në prag të pushtimeve sllavo-greke të viteve 80-ta të shekullit XIX, popullsia shqiptare shtrihej në hapësirën tokësore nga Tivari në veri deri në Gjirin e Artës në jug, duke përfshirë qendrat me rrethe: të Tivarit, Ulqinit, Podgoricës, Plavës, Gucisë, Jeni Pazarit, Rozhajës, Pejës, Gjakovës, Prizrenit, Prishtinës, Nishit, Pirotit, Kurshumlisë, Leskovcit, Vranjës, Bujanovcit, Preshevës, Kumanovës, Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Dibrës, Strugës, Ohrit, Manastirit, Velesit, Prilepit dhe Çamërisë.

Lidhja Shqiptare e Pejës (1896-1902), ishte vijim i veprimtarisë së ndërprerë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.Nga Kuvendi Kombëtar mbajtur më 23-29 janar 1899 ku morën pjesë 500 delegatë që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare, nën kryesinë e Haxhi Zekës (Zejneli), doli Lidhja Shqiptare e Pejës, respektivisht Besëlidhja e Pejës, si organizatë patriotike politiko-ushtarake gjithëshqiptare. Nisiatorë dhe organizatorë të saj ishin Komiteti Kombëtar Shqiptar i Stambollit me Sami Frashërin kryetar, dhe atdhetari i devotshëm Haxhi Zeka. Kuvendi i Pejës, kryetar të Komitetit Drejtues e zgjodhi Haxhi Zekën. Kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Pejës përputheshin plotësisht me ato të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Më e rëndësishmja prej tyre ishte bashkimi i katër vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm të drejtuar nga vetë shqiptarët. Në këtë drejtim ndikim të madh pati edhe vepra e Sami Frashërit: "Shqipëria ç`ka qenë,ç`është dhe ç`do të bëhet", botuar në Bukuresht (mars 1899), manifestimi i shpallur nga Komiteti Kombëtar Shqiptar i Stambollit: “Ç’duan shqiptarët", thirrja e 29 janarit: "Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën", botuar poashtu në Bukuresht nga një grup atdhetarësh të devotshëm, si dhe dhe thirrja "Ujanallëm" (Të zgjohemi).

Këtë dokument programatik që ishte i një rëndsie të jashtëzakonshme për Lëvizjen Kombëtare, e botoi turqisht Dervish Hima. Konsullata serbe në Prishtinë, me direktivat e Beogradit përpiqej të bënte përçarje mes udhëheqësve kryengritës shqiptarë. Të parin në shënjestër Serbia e kishte Haxhi Zekën. Suksesin e Lidhjes Shqiptare të Pejës e zbehën mjaftë divergjencat midis rrymave të ndryshme politike me pikëpamje të kundërta ndaj zgjidhjes së çështjes. Rrymën progresive e përfaqsonin: Haxhi Zeka, Sami Frashëri, Dedë Gjo Luli etj., ndërsa atë konservative "patriotët" që nuk pranonin ndarjen e Shqipërisë nga Turqia. Ndër tradhtarët më të dalluar ishin: komandanti i xhandarmërisë turke në vilajetin e Janinës, që i torturonte atdhetarët shqiptarë, Esat Pashë Toptani dhe agjenti i Serbisë që vepronte në Kosovë, Riza Bej Kryeziu. Lidhjen Shqiptare të Pejës e goditën rëndë monarkitë e shteteve ballkanike fqinje. Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia, kishin hapur gojat dhe secila prej tyre dëshironte copën më të madhe të atdheut shqiptar. Fuqitë e Mëdha vazhdimish mbanin qëndrim armiqsor ndaj Shqipërisë. Shqiptarët ishin të detyruar të luftonin në disa fronte: kundër Turqisë mënjanë dhe kundër agresionit sllavo-grek në anën tjetër, si dhe kundër presionit të Fuqive të Mëdha europiane. Në këto rrethana të disfavorshme për shqiptarët, turqit arritën të shtypin Lidhjen Shqiptare të Pejës. Por etja e shqiptarëve për liri dhe pavarësi kurrë nuk u shua. Pasojnë ngjarjet e reja...

Lëvizja Kombëtare Shqiptare (1902-1912)

Vështirë është të nënshtrosh një popull të pamposhtur i cili e çmon lirinë dhe pavarësinë më shumë se jetën. Përfaqësuesit e borgjëzisë turke-xhonturqit (turqit e rinjë) me 1899 themeluan fshehurazi Komitetin e parë të tyre në Stamboll,në të cilin kishte edhe shqiptarë, madje edhe liderë të tij, midis të cilëve ishte edhe Ibrahim Temo. Xhonturqit u premtonin popujve të shtypur se pas ardhjes së tyre në pushtet do t`ua pranonin të drejtën për autonomi. Disa shqiptarë të dehur me shpresën se xhonturqit do t`ua japin të drejtat që u përkisnin përqafuan idenë e tyre. Në këtë organizatë më aktivistë u treguan oficerët shqiptarë.Numri i simpatizuesëve sa vinte shtohej. Aksionin e armatosur i pari e nisi më 3 korrik 1908 majori shqiptar i ushtrisë turke Ahmet Bej Nijazi Resna. Kryengritësit shqiptarë të reparteve ushtarake turke vranë Shemsi Pashën dhe çliruan pjesën më të madhe të Maqedonisë Perëndimore. Por me ardhjen e xhonturqëve në pushtet shqiptarët u zhgënjyen, sepse premtimet e tyre nuk u realizuan.Vetëm rryma politike e liberaloreformistëve  u kënaq me rezultatet e arritura të revulucionit politik,por jo edhe social të xhonturqëve.

Rryma demokratike me Hasan Prishtinën në krye dhe me udhëheqësit të tjerë kryesorë të saj: Nexhip Dragën, Sali Gjukën, Bajram Currin, Sylejman Vokshin, Idriz Seferin etj. kërkonte me këmbëngulje afirmimin e kombësisë shqiptare dhe shtetin shqiptar autonom.Rryma radikale e atdhetarëve jashtë vendit nuk pranonte kurrfarë lidhjesh me xhonturqit por shkonte drejt krijimit të shtetit etnik shqiptar. Qeverinë xhonturke e përbënte "Triumvirati": Enver Pasha, Xhemal Pasha dhe Talat Pasha, të tre me prejardhje shqiptare.  Nga ana tjetër serbët me lejën e turqëve në gusht të vitit 1909 mbanë një mbledhje në Shkup ku formuan organizatën antishqiptare me emërtim serbët otomanë dhe Këshillin e Përkohshëm Qendror të drejtuar nga Bogdan Radenkoviçi. Serbët e kësaj organizate famëkeqe kërkonin që të pengohej shkollimi i shqiptarëve në gjuhën amëtare, të mbylleshin klubet shqiptare, sepse sipas tyre, ato ishin çerdhet e nacionalizmit shqiptar,të luftohej bashkarisht me turqit kundër Lëvizjes Shqiptare dhe të bëheshin përpjekjet maksimale për likuidimin e krerëve të saj. Pushtetarët turq deklaronin se serbët ishin qytetarë të dëgjueshëm e të besueshëm,kurse shqiptarët ishin kokëfortë dhe rebelë.Asokohe Beogradi sugjeronte nëpërmjet të konsullit serb në Prishtinë Milan Rakiçit që serbët të kujdesoheshin për ruajtjen e raporteve miqësore me turqit. Deputeti shqiptar Hasan Prishtina debatonte me kryeministrin turk Haki Pashën në parlamentin turk, që ishte shndërruar në arenë konfliktesh të ashpra politike,rreth situatës së krijuar duke i dënuar ekspeditat ndëshkuese turke ndaj shqiptarëve. Këto ekspedita ushtarake ishin të dërguara nga sulltan Reshati V,Porta e Lartë , Haki Pasha dhe Ministri i Punëve të Brendshme të Turqisë Mahmut Shefqet Pasha. Veprimtarët atdhetarë shqiptarë : Hasan Prishtina, Ismajl Qemali, Seit Idrizi, Mahmut Bedri Pejani etj., duke parë se çështja shqiptare nuk mund të zgjidhej nëpërmjet të luftës parlamentare, ndaj vendosën që të përgaditeshin për konflikt të armatosur. Lidhur me të në janar 1912 ata mbajtën një mbledhje të fshehtë në lagjën Taksim të Stambollit, ku ranë në ujdi që aksioni konkret të fillonte në pranverë të atij viti. Qeveria hipokrite e Beogradit paralajmëronte se ishte e gatshme t`u japë armë e municion kryengritësve shqiptarë, por me kusht që ata të heqnin dorë nga autonomia e shtetit të tyre. Disa udhëheqës kryengritës shqiptarë, më i theksuari ndër ta, Isa Boletini, u besuan serbëve dhelprakë.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë

Më 14 gusht 1912 kryengritësit shqiptarë hynë në Shkup. Ibrahim Pasha,  i dërguar nga kryeministri turk Qamil Pasha, me mision të caktuar, i pranoi kërkesat e kryengritësve shqiptarë dhe më 18 gusht firmosi dokumentin me të cilin u pranua autonomia e shqipërisë. Por,ç`ndodhi? Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia, të nxitura nga Rusia, me pretekst kinse për çlirimin e atyre trojeve të tyre, që ishin nën Turqinë, kurse faktikisht me synim të pushtimit të Shqipërisë, formuan aleancën ballkanike dhe shkaktuan konfliktin e armatosur ballkanik. Kryeministri serb Nikola Pashiçi deklaronte publikisht se "S`ka shqiptarë",ndërsa ai grek Elefterios Venizelos se "Nuk mund të bëhet Shqipëri".  Gjatë luftës së Parë Ballkanike, më 1912, grekët  ishin njëqind herë më të këqinj se turqit. Në ato rrethana, tejet të ndërlikuara, Kuvendi Kombëtar i kryesuar nga Ismajl Qemali, më 28 nëntor 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë. Himnin e Flamurit shqiptar, të përpiluar nga Asdreni, që nga Rumania e solli në Shqipëri Hilë Mosi, e këndoi grupi koral i Korçës. Me rastin e ngritjes së Flamurit në ballkonin e selisë ku u majt Kuvendi Ismajl Qemali të pranishmit i përgëzoi me këto fjalë: "Vëllezër Shqiptarë! Oh sa të lumtur e ndjej veten sot që shoh këtu në Vlorë kaq shumë burra të mbledhur tok, që me kurreshtje dhe padurim presin përfundimin e këtij Tubimi historik për fatin e atdheut tonë të dashur plot me gaz dhe me lot ndër sy nga mallëngjimi, pra po dal këtu para jush, që të ju gëzojë me sihariqin e madh se sot Kongresi Kombëtar shpalli pavarësinë e Shqipërisë."

Në seancën e V-të të Kuvendit Kombëtar, mbajtur më 4 dhjetor 1912 po në Vlorë, ku morën pjesë 63 delegatë, u zgjodh qeveria provizore me Ismajl Qemalin kryetar dhe Dom Nikollë Kaçorrin nënkryetar. Ndërsa kabinetin e ministrave e përbënin: Mufit Bej Libohova për Punët e Brendshme, Mehmet Pashë Dërralla për Mbrojtje, Luigj Gurakuqi për Arsim, Abdi Bej Toptani për Finansa, Petro Boga për Drejtësi, Mitat Frashëri për Punët Botërore, Pandeli Cale për Bujqësi dhe Lef Nosi për Postë e Telegraf. Në të u zgjodh edhe Pleqësia si organ mbikëqyrës dhe kontrollues i qeverisë, me Vehbi Agollin-Dibrën kryetar. Rumania e njohu e para pavarësinë e Shqipërisë, por Fuqitë e Mëdha evropiane nuk e njohën qeverinë legjitime demokratike të Vlorës. Ato caktuan Esat Pashë Toptanin kryetar të komisionit që shkoi në Gjermani për t`ia dorëzuar kurorën e princit të Shqipërisë Vilhelm Vidit. Qeverisë së Vlorës i sollën telashe të mëdha armiqtë e brendshëm: Esat Pashë Toptani, Mufid Bej Libohova, Beqir Grebena etj. Paralel me qeverinë e Vlorës Esat Pasha formoi qeverinë rivale në Durrës.

Konferenca e ambasadorëve të gjashtë Fuqive të Mëdha evropiane: Anglisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë, Austro-Hungarisë dhe Italisë, ku mori pjesë edhe përfaqësuesi i Turqisë, e ftuar nergut për çështjes shqiptare, nën patronazhin e nikoqirit, ministrit të Jashtëm britanik, Edvard Greit, duke patur në qendër të vëmendjes zgjidhjen e problemit shqiptar, vendosi të copëtohej Shqipëria natyrore dhe pjesa më e madhe e saj t`u jepej sllavëve të jugut dhe grekëve ortodoksë. Atëbotë konstelacioni i shteteve aleate ballkanike: Serbia, Graqia, Bullgaria dhe Mali i Zi, ishte, si gjithëmonë, në disfavor të popullit shqiptar. Këto shtete fqinje pas pushtimit dhe copëtimit të Shqipërisë etnike  ushtruan gjenocid të paparë mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare. Leo Freundlich në veprën e tij "Albanische Golgota" (Golgota Shqiptare) pohon se ushtritë seromalazeze masakruan rreth 50 mijë shqiptsrë, ndërsa Meyri Miss Edith Durham në veprën e saj "Brenga e Ballkanit" dëshmon se pushtuesit e rinj (fjala është për sllavët) ishin më të rrezikshëm se  turqit. Ndërsa ndërkombëtar bënin sehir. Për caktimin e kufijve të Shqipërisë nuk u morën parasysh faktori relevant historik e etnik, kriteri i kombësisë dhe parimi demokratik për të drejtën e vetëvendosjes, por dominoi idea për zënjën e pozicioneve gjeostrategjike për ruajtjen e konjunkturave të vjetra lidhur me sferën e interesit të Fuqive të Mëdha evropiane në Ballkan dhe dhe për t’i realizuar aspiratat ekspansioniste të shteteve fqinje në kurriz të trojeve shqiptare. Ambasadori austro-hungarez Mensdorfli potenconte se tokat e banuara me shumicën apsolute nga shqiptarët duhej t`i përkisnin Shqipërisë. Por me këmbnguljen e Rusisë që nuk pranonte të njihej shteti i pavarur shqiptar u zhvillua debati diplomatik në favor të sllavëve të jugut, kurse Franca dhe Anglia përkrahnin Greqinë të cilës i dhanë krahinën shqiptare të Çamërisë. Më në fund u vendos që të pranohet një Shqipëri e cunguar me 28 mijë kilometra katrorë.  Edvard Grei , kryesuesi i Konferencës pranoi se popullit shqiptar i është bërë padrejtësia e madhe historike.

Lufta e parë botërore dhe mëkatet e Ahmet Zogut

Lufta e Parë Botërore (1914-1918) plasi për shkak të kundërthënieve midis dy blloqeve ushtarake:Aleancës Tripalëshe: Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Italisë nga njëra anë dhe Antantës Cordia: Anglisë, Francës dhe Rusisë,të cilave më vonë iu bashkuan edhe ShBA-të, nga ana tjetër. Ndonëse shqiptarët patën qëndrim neutral palët ndërluftuese trojet e tyre i shndërruan në shesh konfliktesh. Në tetor 1914 Greqia pushtoi Shqipërinë e Jugut, Serbia Shqipërinë e Mesme, Mali i Zi Shqipërinë Veriore, ndërsa Italia mori ishullin e Sazanit dhe në dhjetor edhe Vlorën. Në vitin 1916 në Shqipëri u vendosën forcat austro-hungareze dhe bullgare.

Shtetet ngadhnjyese në konferencën e paqës në Versajë (1919-1920), mbajtur nën kryesinë e kryeministrit fracez Zhorzh Klemenso, ku për herë të parë merr pjesë përfaqësuesi i ShBA-ve, Vudro Villson, përsëritën padrejtësitë ndaj popullit shqiptar. Ato njohën shtetin e përbashkët të sllavëve të jugut, për herë të parë të krijuar me termin Mbretëria SKS, të cilit iu vunë themelet me 20 korrik 1917 në ishullin e Korfuzit, kur Nikolla Pashiçi me "Deklaratën e Korfuzit" ia imponoi politikën e borgjezisë serbomadhe me dinastinë e Karagjorgjeviçve në krye "Këshillit Jugosllav" të kryesuar nga Dr. Ante Trumbiçi. Në kuadër të atij shteti artificial kishte edhe popuj josllavë si p. sh.: shqiptarët, hungarezët, italianët etj. që ishin pushtuar me forcë dhe mbaheshin me dhunë. Ndër ta shqiptarët ishin në pozitë më të vështirë, sepse nga qarqet zyrtare hegjemoniste serbomadhe trajtoheshin si skllevër. Vrasjet, burgosjet, maltretimet, dëbimet e shqiptarëve për okupatorët serbë ishin dukuri të rëndomta.  Me planet e tyre djallëzore bënin përpjekje ta shfarosnin elementin etnik shqiptar.

Shqipëria e cunguar pa Kosovën me vise udhëheqej nga vetë shqiptarët. Por as ajo si e tillë nuk do të pranoj sikur të mos ngulte këmbë  presidenti i asaj kohe, Vudro villsoni. Kongresi i Lushnjës me 28-31 janar 1920 ku morën pjesë 50 përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë kryetar të qeverisë së përkohëshme zgjodhi Sylejman Delvinën. Në janar të vitit të njejtë Fuqitë e Mëdha evropiane ranë në ujdi dhe e ndanë shtetin shqipëtar midis shteteve fqinje. Jugosllavisë t`i jepej Shqipëria e Mesme, Greqisë ajo e Jugut, ndërsa Italisë krahina e Vlorës. Qeveria e Sylejman Delvinës iu kundërvua me sukses vendimeve të tilla. Në vitin e njejtë Sylejman Delvina vuri në krye të delegacionit Fan S.Nolin i cili në Ligën e Kombeve në Gjenevë akuzoi Jugosllavinë lidhur me inkursionet e ushtrisë së saj intervencioniste në krahinën e Martaneshit. Ushtria jugosllave me tradhëtinë e Gjon Marka Gjonit kishte pushtuar Gashin dhe Krasniqën. Nga Beogradi i kanosej rreziku qeverisë së Sulejman Delvinës dhe asaj të Iljas Vrionit dhe pastaj edhe asaj të Pandeli Evangjelit. Më 7 dhjetor 1922 kryetar i qeverisë së re u zgjodh Hasan Prishtina. Por ky në krye të qeverisë qëndroi vetëm 4 ditë. Ahmet Zogu (1895-1961) më 14 dhjetor me forcat e tij hyri në Tiranë. Zogu kryetar të qeverisë emëroi Xhafer Ypin, ndërsa vetë mori postin e Ministrit të Mbrendshëm. Ahmet Zogu mbante kontakte të rregullta nëpërmjet të vazalit të tij Cenë Kryeziut me Serbinë. Xhafer Ypin e rrëzuan forcat revolucionare dhe në mars të vitit 1924 edhe Ahmet Zogun. Tani kryetar i qeverisë erdhi Shefqet Vërlaci. Me direktivën e tij, sidomos të Ahmet Zogut, Isuf Reçi më 20 prill plagosi rëndë Avni Rrustemin në Tiranë, i cili pas dy ditësh edhe vdiq. Populli i indinjuar protestoi kundër Ahmet Zogut dhe Shefqet Vërlacit duke kërkuar dënimin e tyre të pamëshirshëm.

Pas rënjës së Shefqet Vërlacit, diku nga fundi i majit kryetar i qeverisë u zgjodh Iljas Vrioni. Qeveria e tij u transferue nga Tirana në Durrës. Ndërkohë forcat demokratike kryengritëse me 10 qershor morën Tiranën. Ahmet Zogu iku në Jugosllavi. Me 16 qershor u formua qeveria demokratike me Fan S. Nolin kryetar. Por kjo qeveri qe jetëshkurtër, sepse gjatë qëndrimit të tij në Beograd Ahmet Zogu kurdisi plane të errëta për përmbysjen e saj. Zogu banonte në hotelin luksoz "Bristol" të Beogradit dhe shpesh takohej me Nikola Pashiçin. Qeveria serbe e furnizoi me të holla dhe armë dhe para se të nisej për në Shqipëri, trupat serbe më 24 shtator pushtuan krahinën e Kelmendit dhe të Vërmoshit. Nikola Pashiçi për t`ia siguruar terrenin e përshtatshëm urdhëroi që gjatë brezit kufitar shqiptar të mobilizoheshin 10 mijë vetë dhe kur u nis i dha me vete ushtarë serbë dhe rezervistë të bellogardistëve rusë të gjeneral Vrangjelit. Për këtë shërbim miqësor në shenjë mirënjohjeje Ahmet Zogu i premtoi Nikola Pashiçit Manastirin e Shën-Naumit dhe krahinën shqiptare të Vërmoshit. Sa i përket Kosovës me vise Zogu premtoi se kurrë nuk do t`i përmendte. Kështu Ahmet Zogu me 24 dhjetor 1924 hyri në Tiranë, përmbysi qeverinë e Nolit dhe iu imponua popullit shqiptar. Ai sapo kreu grushtshtetin filloi t`i qëronte hesapet me kundërshtarët e tij politikë: Luigj Gurakuqin,Bajram Currin, Hasan Prishtinën etj. i likuidoi në bashkpunim me Beogradin. Në vitet 1925-1928 Ahmet Zogu ishte kryetar i Republikës, ndërsa në vitet 1928-1939  Mbret i Shqipërisë.Ahmet Zogu në krye të shtetit të uzurpuar ka ndërtuar një sistem politik e administrativ të modelit jugosllav. Me rastin e sulmit të Shqipërisë nga Italia Fashiste me 7 prill 1939 grabiti thesarin e shtetit dhe popullin e la në mëshirën e armikut. Për fat të keq, disa gazeta që bëjnë përçarje në mesin e shqiptarëve, orvaten të rehabilitojë Ahmet Zogun duke e paraqitur si patriot të madh.

Lufta e Dytë Botërore dhe rigllabërimi i Kosovës nga kolonialzmi serb

Lufta e Dytë Botërore (1939-1945) e shkaktuar nga blloku ushtarak i Boshtit: Gjermanisë, Japonisë dhe Italisë, për rindarjen e botës, përfundoi me fitoren e Fuqive të koalicionit antihitlerian, ku bënte pjesë edhe Shqipëria. Pas pushtimit të Jugosllavisë në prill të vitit 1941 trojet shqiptare u ndanë në tri zona okupuese: nën Italinë, Gjermaninë dhe Bullgarinë. Italia  aneksoi  Shqipërinë me 1939, dhe pas  copëtimit të Jugosllavisë më 1941, mori pjesën më të madhe të Kosovës dhe të Maqedonisë Perëndimore dhe krijoi "Shqipërinë Etnike", Gjermania mori Mitrovicën,Vuçitërnën dhe Podujevën me rrethe, ndërsa Bullgaria Bujanovcin, Preshevën, një pjesë të rrethit të Gjilanit, të Vitisë e të Kaçanikut dhe disa treva të banuara me shumicën dërrmuese nga shqiptarët në Maqedoni. Termi "Shqipëri e Madhe" është një farsë. Epiri i Jugut gjithashtu mbeti jashtë këtij shteti dhe trojet shqiptare në Mal të Zi. Qeveritë shqiptare nën pushtimin fashist italian ishin ato të kryesuara nga Shefqet Vërlaci, Mustafa Merlika-Kruja, Ekrem Libohova dhe Maliq Bushati,ndërsa ato nën pushtimin nazist gjerman  të kryesuara nga Rexhep Mitrovica dhe Fiqri Dine.

Aspiratat tona për bashkim kombëtar e shtetëror dhe për  krijimin e Shqipërisë Etnike janë natyrore, legjitime, demokratike, të drejta dhe të ligjëshme. Vetëvendosja duhet patjetër të respektohet. Ne shqiptarët i kemi ruajtur tiparet tona kombëtare,  përfaqësojmë një komb me identitet të njejtë etnik dhe kemi një atdhe të përbashkët që quhet Shqipëri. Asgjë nuk kemi të përbashkët me popujt e Ballkanit, as me prejardhje, as me gjak, as me gjuhë, as me pamje fizike, as me tradita kombëtare, as me doke e zakone dhe as me kulturë. Në Jugosllavinë e copëtuar në disa pjesë konfrontoheshin midis tyre partizanët eTitos, çetnikët e Drazha Mihajloviçit, kolaboracionistët e Dimitrije Lotiçit dhe ata të kryetarit të qeverisë kuislinge serbe Milan Nediçit. Partizanët u përkrahën nga Bashkimi Sovjetik dhe u ndihmuan nga aleatët perëndimorë. Me 29 nëntor 1943 në Jajce të Bosnës dhe Hercegovinës u vunë themelet e shtetit të ri jugosllav. Në atë mbledhje nuk ka marrë pjesë asnjë delegat shqiptar nga Kosova as nga viset e tjera shqiptare nën Jugosllavi. Çështja e Kosovës me vise u shqyrtua në Konferencën e Bujanit prej 31 dhjetorit 1943 deri më 2 janar 1944. Me Rezolutën e aprovuar njëzëri në Konferencë prej të gjithë delegatëve të pranishëm shqiptarëve u garantohej se trojet e tyre të okupuara pas luftës do të bashkoheshin me shtetin amë. Në mbledhjen e Prizrenit më 10 korrik 1945 Serbia arbitrarisht e aneksoi Kosovën.

Gjatë luftës së Dytë Botërore në Shqipërinë e okupuar vepronin: Balli Kombëtar i kryesuar nga Mitat Frashëri, Legaliteti me Abas Kupin kryetar dhe Partia Komuniste me Enver Hoxhën në krye. Rolin që kishin marrë ato mbi supet e tyre për krijimin e shtetit etnik shqiptar nuk e realizuan. Kot kritikohen reciprokisht, duke i`a hedhur fajin njëra tjetrës, sepse asnjëra prej tyre nuk ishte radhitur si duhej dhe ku duhej. Populli thotë faji është bonjak. Për masakrën e Tivarit nuk është reaguar dhe për plojën ne Kosovë nga forcat pushtuese jugosllave. Pra zëri i revoltës nga udhheqësia shqiptare nuk u dëgjua. Kur patrioti i shquar Shaban Polluzha u ngrit kundër xhelatëve jugosllavë të cilët në Kosovë dhe në viset e tjera të okupuara shqiptare masakronin shqiptarët e pafajshëm në mënyrë më mizore,njësitë partizane shqiptare tok me ato partizanoçetnike jugosllave,shuan me gjak këtë qëndresë me karakrer çlirimtar.

Lidhja e dytë e Prizrenit dhe organizata patriotike NDSH

Në Jugosllavinë e Titos trevat e okupuara shqiptare u ndanë midis Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi me qëllim që shqiptarët të sundoheshin më lehtë dhe të zhdukeshin nga faqja e dheut. Nga presioni jugosllav afër gjysmë miljoni shqiptarë u dëbuan me dhunë në Turqi. Në maj të vitit 1953 një delegacion jugosllav i kryesuar nga Josip Broz Tito shkoi në Ankara për të firmosur konventën e re, si vazhdim e asaj të vitit 1938, e i Elaboratit të Vasa Çubrilloviçit me 1944 për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Vlen të theksohet se rëndësi të veçantë kishte atëbotë Lidhja e Dytë e Prizrenit, që për nga karakteri i saj nuk dallohej prej Lidhjes së Parë të Prizrenit. Lidhja e Dytë e Prizrenit doli nga Kuvendi, që u mbajt më 16-19 shtator 1943 në ndërtesën e shkollës fillore "Bajram Curri" në Prizren, ku morën pjesë 42 delegatë nga të gjitha visetë shqiptare. Në ditën e tretë të mbledhjes morën pjesë edhe delegatët nga Kosova me qëndrim në Shqipëri: Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Xhelal Mitrovica dhe Xhafer Deva. Me 21 janar 1944 u nxor statuti i Lidhjes së Dytë të Prizrenit të cilin e aprovoi shteti shqiptar me 14 mars 1944. Organi kryesor i saj ishte Komiteti Qendror me seli në Prizren dhe me Rexhep Mitrovicën kryetar. Pas tij u zgjodh kryetar Bedri Pejani dhe pas Bedri Pejanit Xhafer Deva. Ky i fundit ka bërë krime në Shqipëri. Me prishjen e marrëveshjes së Mukjes 1-3 gusht 1943 u bë përçarja edhe më e madhe ndër shqiptarët.

Konferenca e Paqës në Paris (29 korrik-15 tetor 1946). Në këtë Konferencë fillimisht nuk i është  lejuar pjesëmarrja delegacionit të Shqipërisë  me pretekst se shqiptarët kishin mbajtur krahun e okupatorëve nazi - fashistë duke aluduar në Legalitetin dhe në Ballin Kombëtar. Gjithashtu ekzistonte  disponimi negativ ndaj partisë komuniste në mesin e  aleatëve perëndimorë. Më në fund në seancën e 12 gushtit Shqipëria u thirrë në Konferencë. Megjithatë, mezi që u pranua Shqipëria e sotme por  pa territoret të tjera që mbetën jashtë saj. Jugosllavisë iu pranuan trojet e pushtuara më parë shqiptare, ndërsa Greqisë Çamëria. Komunistët shqiptarë që kërkonin zgjidhjen e çështjes duke u bazuar në Rezolutën e Bujanit, nga organet e pushtetit jugosllav u likuiduan: Nexhat Agolli, Omer Çerkezi e shumë të tjerë, kurse të tjerët përjetuan kalvarin nëpër kazamatet jugosllave.

Organizata e parë ilegale që u ngrit kundër okupatorit jugosllav ka qenë ajo e vitit 1946 me emrin NDSH dhe me kryetarin Gjon Sereçin dhe sekretarin Azem Oranën. Anëtarët e saj më të njohur ishin: Mahmut Dumani, Qemal Skënderi, Hasan Bilalli, Hysni Rudi, Ibrahim Kelmendi, Mehmet Bushi etj.Komunistët shqiptarë në Jugosllavi ishin të ndarë në dy orientime në titistët dhe në enveristët. Këta të fundit përqafuan Rezolutën e Byrosë Informative më 1948 me shpresë se kishte ardhur koha e përshtatshme për Bashkim Kombëtar. Më të rrezikshmit prej tyre u likuiduan, kurse të tjerët u dërguan në burgun e Goli Otokut.

Organizata tjetër patriotike ilegale që kishte në program bashkimin e trojeve  të okupuara shqiptare me shtetin amë ishte ajo e vitit 1957 e udhëhequr nga patrioti i devotshëm Metush Krasniqi. Anëtarët e kryesisë së kësaj organizate ishin: Sejdi Kryeziu,Marko Gashi, Mehmet Nuredin Dërmaku,Mehmet Ajeti  etj. Me 1 mars 1959 të gjithë u nxorrën në gjyqin e Gjilanit dhe u dënuan si vijon:Metush Krasniqi me 18 vjet burg të rëndë, Sejdi Kryeziu dhe Marko Gashi me nga 10 vjet burg të rëndë, Mehmet Nuredin Dërmaku me dy vjet burg të rëndë dhe Mehmet Ajeti  me  1 vit e gjysmë burg të rëndë. Kryetar i trupit gjykues ishte Ratomir Paternogiç ndërsa prokurori publik Tahir Ibrani.  Mjetet jugosllave të informimit publik me gazetat: "Politika", "Borba" dhe "Rilindja" kërkonin dënimin drakonik të këtij grupi "nacionalist", "seperatist" ,"iredentist "dhe "terrorist" i cili "Përmes luftës së armatosur e dhunës së egër ka planifikuar shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia dhe bashkimin e saj me Shqipërinë." Pason organizata tjetër Ilegale e vitit 1960 me Kadri  Halimin, Ali Aliun dhe Ramadan  Hoxhën në krye. Të tre ishin ish të burgosur politikë të Goli Otokit.

Demokracia, liria dhe pavarësia janë shpirti i kombit

Kadri Halimi dhe Ali Aliu predikonin se shqiptarët duhet të pastrohen nga idetë e huaja, veçanërisht nga ato sllave, që nuk kanë aspak të përbashkët me karakterin kombëtar shqiptar. Sipas mendimit të tyre e vetmja zgjidhje e drejtë e kauzës sonë është krijimi i shtetit etnik shqiptar. Solucion tjeter nuk ka. Kategoritë: demokraci, liri dhe pavarësi janë shpirti i kombit dhe pa këto tri komponente populli është i destinuar për zhdukje. Kjo organizatë politike kishte gjithsej  140 anëtarë. Tani vjen organizata revolucionare ilegale me Adem Demaçin në krye. Për ndryshe ky trim është dënuar 3 herë më 1958,1964 dhe 1976. Për nga vuajtjet me burgim Baca Adem e zë vendin e parë ndër shqiptarët e robëruar në Jugosllavi. Bashkëveprimtarët e Adem Demaçit si  udhëheqës të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin  e Shqiptarëve kanë qenë: Adem Rukiqi, Ramadan Shala,  Abdyl Lahu,  Ahmet Haxhia,  Avni Lama,  Bahtire Berisha,  Bedrush Çollaku, Elhame Shala, Emine Rakovica, Fazli Grajçevci, Hyda Dobruna, Zeqir Gërvalla etj. dhe anëtarët e saj  arrinin numrin deri në 500. Me 6  maj 1974 u arrestua  themeluesi i grupit revolucionar  Kadri Osmani  me bashkëveprimtarët e tij: Binak Ulaj, Xhafer Shatri, Jashar Alia etj. Ka pasë edhe grupe të tjera revolucionare ilegale  që i paraprinë demonstratave të vitit 1968 dhe 1981.



(Vota: 75 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Arif Kutleshi: Dr. Franz Baron Nopcsa – Shqipëria Katolike e Veriut Fatmira Biçaku: Një vështrim për figurën e Skënderbeut me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë Halim Purellku: Shtrirja e kryengritjes shqiptare kundër-osmane e vitit 1912 në vilajetin e Manastirit Baki Ymeri: Shenjtërimi i Kishës ''Më Një Ditë'' ku u mbajt mesha e parë shqipe Bedri Tahiri: Milosh Kopiliqi - Heroi q? sfidoi historin? Kujtim Mateli: Përpjekje për lokalizimin e Dodonës dhe pranimi i vendndodhjes së saj në jugperëndim të Janinës Shefik Shkodra: Shkolla fillore ‘’Selami Hallaçi’’ dhe mësuesi Ilmi Avzi Mustafa: Ecuritë e arsimit fillor shqip në Kërçovë e rrethinë Neki Babamusta: 26 Marsi 1990 - Vullkani që tronditi komunizmin në Shqipëri Fitim Rifati: Traktati i Shën Stefanit dhe reagimet e shqiptarëve Fritz Radovani: Dishmon atdhetari Kolonel Faik Quku... Ilmi Veliu: Letra e Skënderbeut e 31 tetorit 1460 dërguar princit të Tarentit, Johan Antoni Ilia S. Karanxha: Familja Breu në zanafillat e ikonografisë kastriotiane Halit Elshani: Grupi i Ajdin Muliqit, përkatësisht grupi i Enver Hadrit Lutfi Alia: Agnes Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza (III) Hilmi Saraçi: Disa të dhëna karakteristike për familjen Gergjaliu Fotaq Andrea: Faik fisnik Konica, Gjeniu dhe Ati i kombit modern shqiptar Lutfi Alia: Agnes Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza (II) Lutfi Alia: Agnes Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza (I) Sabile Keçmezi-Basha: Ismail Qemali, Pavarësia e Shqipërisë dhe Gruaja Shqiptare

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx