Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Maurice Trumbert - Në Skutari të Shqipërisë
E enjte, 26.07.2012, 09:19 PM
Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë
Në Skutari të Shqipërisë -
Reportazh i shkruar nga Maurice Trumbert, 1913.
Përktheu Fotaq
Andrea
Në janar
shkurt – shkurt 1913, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë,
Maurice Trumbert, diplomat, shkrimtar, piktor, poet e muzikant francez, botoi në
revistën “Revue du traditionnalisme français et étranger” reportazhin në “Skutari
të Shqipërisë”, ku ndihet më së miri simpatia dhe dashamirësia e tij për “Vendin
e Skipetarëve”, siç e quan ai. Autori themeloi në vitin 1921 çmimin letrar “Trumbert”
që jepet nga Akademia Franceze çdo dy vjet. Një bulevard në qytetin e tij të lindjes
Me këtë
rast po botojmë edhe një foto të rrallë “Ditë pazari në Shkodër”, botuar në “The
Illustradet London News”, më 30 prill 1910. “Ky ilustrim, vihet në dukje në organin
e shquar anglez, nuk është një foto, por është një montazh i shumë fotove”, një
arritje kjo e veçantë do thoshim për kohën. Montazhi fotografik përqendrohet në
larminë e kostumeve piktoreske shqiptare, tek shfaqen në pazarin e Shkodrës – cilësuar
në atë kohë kryeqyteti i Shqipërisë -, fustanella dhe tirqet, xhoka dhe
xhubleta, mes atij vallëzimi madhështor të qeleshes tradicionale, një panoramë e
tërë e pazakonte ekzotike e etnike, që mahniste udhëpërshkruesit e huaj
evropianë.
Nga
ana tjetër, me ton të rreptë kritik, autori shfaq në reportazhin e tij edhe anët
negative të Shqiptarit historik, e në radhë të parë dukurinë mesjetare të gjakmarrjes,
që edhe sot e kësaj dite po bën kërdinë në mes të ditës e në mes të qyteteve e
fshatrave shqiptare, pa njohur moshë, gjini, kanun, me një horror të tillë që të
pupurriq krejt trupin dhe të ngre qimet e kokës përpjetë. Mendjet e qytetëruara
shqiptare dhe brezi i ri me frymë evropiane do dinë më në fund t’i thonë “ndal!”
kësaj dukurie, me forcën e ligjit të shtetit të së drejtës dhe në emër të së ardhmes
shqiptare në bashkësinë evropiane.
Reportazhi,
për mendimin tonë, duhet të jetë shkruar në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1912,
por botuar me vonesë nga ana e revistës - shkurt 1913 -, sepse autori
parashikon tashmë ngjarje të mëdha në Shqipëri, konkretisht ngjarjen më madhore
në Historinë e kombit shqiptar: çlirimin e vendit nga zgjedha turke.
F. A.
Maurice Trumbert, 1913 – reportazh për Shkodrën
Duke dalë
nga lugina ku ndodhet Cetinjie nëpërmjet rrugës që çon në Skutari të Shqipërisë,
shumë shpejt mbërrijmë përballë një panorame të mrekullueshme, pamja e papritur
e së cilës në çarjen e beftë të maleve rrethuese shkakton mbi tërë ata që e
shohin për herë të parë një përshtypje të gjallë.
Liqeni,
rrethuar nga maja ku një pjesë ruajnë gjatë stolinë e tyre të borës shfaqet në një
horizont thellësie prej shtatë a tetëqind metrash, mes një kuadri ndërtuar nga
faqet e çrregullta të maleve ballkanike.
Shpaloset krejt lirshëm dhe gjendesh i përfshirë në të nëpërmjet një zbritjeje
mjaft të gjatë, që çon në fshatin e bukur malazez të Rjekës, mbi lumin që mban
po këtë emër. Pamja e tij është e ashpër; malet që e rrethojnë kanë në shumicën
e tyre faqe shkëmbore të zhveshura, por në dalje të Rjekës, ishuj të bukur
pyllorë në terrene të thyer ruajnë një freski këndellëse dhe vetë Skutari, ku
arrijmë pas gjashtë orë udhëtimi, zgjatohet i ngeshëm në skaj të shtresës së gjerë
ujore, si një sulltaneshë e lodhur nga ndriçimi dhe nxehtësia.
Kushdo që
ka udhëtuar në Turqi e sheh veten në mjedisin e njohur me të hyrë në qytet. Ja
tek has kalldrëme të çrregullta, të mirëmbajtura keq, si pothuaj kudo në perandori;
po ja edhe mizëri e shtëpive aq tërheqëse për syrin në larminë e tyre të pafund,
me ngjyrime të gjalla, me parregullsinë e tyre artistike, ballkone të drunjtë zbukuruar
gjithë lule, mbi të cilat teshat e ndera shumëngjyrëshe, tek po thahen, i japin
mjedisit një ton të gjallë e të ngrohtë. Ngado kopshte të mbushur me bimësi
haralisëse, falë përafrisë së vetë liqenit dhe nxehtësisë së një vere të ngopur
me lagështirë. Blerimi vjen e shuhet buzë kënetave, nga ku ngrihen përpjetë,
sikurse në krejt shtrirjen e liqenit, shpendë të shumtë ujorë dhe vetë Skutari,
në tërësinë e tij shfaqet si një korije gjigande. Në të djathtë, kështjella që sundon
Bajnën (Bunën), lumë i shkurtër e i shpejtë që shkon nga liqeni fill e në Adriatik
dhe që, i këndshëm e i lehtë në zbritje, është gati i pamundur në ngjitje.
Me
Damaskun, kryeqyteti i Shqipërisë është pa kurrfarë mëdyshje qyteti ku haset në
Turqinë evropiane ngjyra lokale më e theksuar, dhe sidomos larmia më e jashtëzakontë
e kostumeve që hasen në botë. Sikur të ulesh, ditën e tregut, në një tarracë që
bie mbi njërën nga rrugët që çojnë në të, mund të rrish e të kalosh një pasdite
të tërë duke këqyrur e soditur tërë atë parakalim veshjesh që sfidon çdo lloj përshkrimi.
Një pjesë e këtyre veshjeve janë të zbukuruara në mënyrë të mahnitshme, përbërë
nga mëndafshe, ar e argjend, si dhe nga stoli të tilla që janë fryt i një pune
shpesh me shije të përkryer. Do përmendja në mënyrë të veçantë mantelet e kuq qëndisur
në ar të grave të krishtera, që i mbajnë vetëm ato, monumente të vërtetë të një
forme të hijshme, dhe me një vlerë artistike të pamohueshme.
Përgjithësisht,
kostumi femëror është i rëndë dhe nuk lë ndonjë mbresë: përbëhet nga një shumicë
tumanesh e xhokesh veshur një mbi një, brenda së cilave
varroset pakthyeshmërisht e pamëshirshmërisht çdo lloj trupi i brishtë. Tek
burrat, përkundrazi, linjat e trupit mbeten të pacenuara falë xhokes së hapur
mbi këmishën e bardhë dhe falë atyre pantallonave ngjitur pas kofshëve (tirqet)
që të kujtojnë ato të pagëve të Mesjetës, të cilat përfundonin me mbathina të sheshta
(opinga) si ato pulenat me majuc që kërkonin vetëm një shputë të përkryer.
Qeleshja e bardhë, brezi shumëngjyrësh, ku ngjishen armë të bukura gjithë serm
plotësojnë këtë veshje që nxjerr aq mirë në pah hajthmërinë dhe elegancën e formave tipike të Shqiptarit. Fustanella, që
mbahet po ashtu edhe në Greqi, një lloj fustani me pala të pafundme, si të një valltari,
është në të kundërt më pak e hijshme dhe valëzimi i saj të bën të mendosh në mënyrë
të pashmangshme për ato balerinat e Operës sonë.
Raca
shqiptare është, nuk do thosha më e bukura, por më e shkëlqyera e globit. Burra e gra kanë tipare me një finesë e
rregullsi që nuk haset pothuaj askund, në mos te Arabët. Sytë janë të mëdhenj e
të zgjatuar, ngjyra e lëkurës me një bardhësi të qumësht, vezakshmëria e fytyrës
nuk ka të sharë, hunda, klasikmërisht e drejtë dhe tek burrat, goja zbukuruar
nga një mustak i zi i hollë që lë të duken dhëmbë rruazorë. Natyrisht, është mjaft
e rrallë të mund të gjykosh - thjesht nisur nga sa sheh - për fytyrën dhe
hijeshinë e një vashe të mbuluar krejt me perçe dhe brenda një veshjeje valëvitëse
pa formë; por një ditë, kur dy çifte shqiptarë të sapo martuar u shfaqën në hotelin
e Raguzës, ç’të çuditur që bëra tek pashë të nisen të nesërmen drejt Evropës dy
gra të reja të një bukurie të rrallë, të cilat kishin zëvendësuar kostumin e
tyre kombëtar me fustane evropiane të bëra enkas për trupat më të bukur në botë.
Shqiptari
është i shkathët e punëtor: ata që traktati i Berlinit i aneksoi tek
Arnautët,
siç i quajnë Turqit, apo Skipetarët, siç e quajnë veten ata, janë jashtëzakonisht
sherretë, ziliqarë, kryeneçë e hakmarrës. Nuk ka vend ku gjakmarrja të sundojë në
mënyrë aq tiranike; në asnjë vend, madje as në Korsikë, ajo nuk ushtrohet me aq
fanatizëm se sa në ato male. Dhe nuk merret hak për një krim vetëm në kurriz të
atij që e ka bërë, por shkohet deri tek i biri dhe prindërit e tij; madje
shkohet gjer te fshati, fisi. Një hollësi karakteristike: shkohet e zgjidhet në
një fshat si viktimë reprezaljesh djaloshi më i pashëm, me qëllim që të ndëshkohen
krejt banorët duke u asgjësuar atë për të cilin ata ndiheshin krenarë; sepse
bukuria njerëzore vlerësohet shumë prej tyre. Kurse në raste të tjera, përzgjedhja
bëhet rastësisht.
Këto
vrasje janë të vazhdueshme, duke sjellë të tjera e të tjera, pa ua parë fundin
kurrë. Gjë e çuditshme, Shqiptarët katolikë sikur nuk duken më pak të zellshëm
për kësi lloj krimesh, dhe priftërinjtë, tek të cilët luten, nuk arrijnë t’i
bindin për të hequr dorë, ngaqë gjakmarrja është për ta një akt tërësisht i
natyrshëm e i ligjshëm. [...]
Në Skutari,
i huaji nuk ka asnjë rrezik; por prapë, duhet treguar kujdes dhe, në do të dalësh
jashtë pas perëndimit të diellit, duhet të shoqërohesh nga ndonjë kava (zaptie),
sepse krimet e kryera natën përgjithësisht bëhen për shpagim personal apo
gjakmarrje; por e mira është të shmangen natën gjendje të tilla të pakëndshme.
Kohët e fundit është folur vazhdimisht për vendin e Skipetarëve. Pa dashur të futem këtu në politikë, them se vendi është i destinuar të njohë ngjarje të rëndësishme. Ai do të çlirohet nga zgjedha turke, por Austriakët e Italianët rrinë dhe e përgjojnë dhe, për arsye të ndryshme, Shqipëria është përgjithësisht një gjah i lakmueshëm. Dikur vendi i ka përkitur njëpasnjë Maqedonëve, Romakëve, perandorëve të Orientit, Normandëve të Napolit, Venecianëve, Hungarezëve, etj. por pa mundur tërë këta popuj të lënë gjurmë, të ndryshojnë gjuhën e tij dhe të mposhtin banorët që e përbëjnë. A do të njohë më në fund vendi përparimin, që deri më sot i ka munguar? A do t’i shohim një ditë këta Shqiptarë të braktisin kostumin e tyre popullor të Mesjetës për të veshur uniforma rojesh e drejtuesish që mund t’u vinë në krye një ditë? Mbase pse jo, në fund të fundit; por do ndodhë atëherë pikërisht ajo që kanë njohur shumë vende: kur të jetë e kollajtë për të udhëtuar brenda vendit, nuk do ketë më asgjë tipike e piktoreske për të admiruar.