Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Dora d’Istria - Princeshë e kulturës evropiane
E hene, 11.04.2011, 07:00 PM
DORA D’ISTRIA – PRINCESHË E KULTURËS EVROPIANE
Artan Shabani: Dora d'Istria, vaj, 2009
Nga Fotaq Andrea – Antologji e ilustruar
2 vëllime në përgatitje për botim
Charles Yriarte, Markezi i Villemerit
Dora d’Istria
Ndodhemi në San-Susi*, në një prej atyre salloneve të vegjël rrethorë gjithë zbukurime të gurta, ku Frederiku i Madh darkonte me Volterin, me D’Alemberin dhe Mopertiusin e shkretë. Fritzi plak ka një shekull që ka vdekur; por San-Susia ka mbetur ende streha e mendjeve të larta nën mbretërimin e Frederik-Gijomit, vëllai i madh i sovranit, që ka besim tek Z. Bismark. – Është koha kur mbreti, gjatë periudhës së shkëlqyer të sundimit, mbledh rreth vetes dijetarë, poetë e artistë. Gjithë mjedisi është një përtëritje Rilindjeje, një oborr i vogël Ferrareje, pa diellin e lulet, një reminishencë e Akademisë Mbretërore. Frederik-Gijomi nuk shkruan poema si Frederiku i Madh, veçse i dërgon Z. Humboldt ftesa për darkë në vargje të shkurtër, duke i vulosur me vulën e madhe të shtetit. Kjo pleksje e simboleve të larta të fuqisë nga njëra anë, dhe e fantazisë nga ana tjetër, ka vërtet diçka joshëse dhe krejt shije artisti.
Princit sapo i kanë mbërritur një seri arkash me skulptura antike dhe amfora gjetur gjatë gërmimeve arkeologjike. Është festë e vërtetë për një sovran artist. Është grishur plaku Rosh (Rauch), skulptori i madh berlinez, si dhe Z. Humboldt, po aq i pasionuar për arkeologjinë sa dhe për shkencat natyrore.
Rosh është një tip shtatlartë; është një figurë më vete ky dekan i artistëve gjermanë; është për më tepër nga ajo racë që, ende edhe sot, nuk ka humbur asgjë nga vetvetja; Korneliusi plak, duke u martuar në moshën tetëdhjetë vjeçare, a nuk pati deklaruar dikur se kish filluar të kuptonte nga dashuria?
Rosh kishte qenë dikur krye-kujdestar në oborrin e princeshës Luiza; tek
Ndërkohë që këta dy njerëz të shquar janë përkulur mbi një basoreliev që mban përsipër një mbishkrim grek dhe po komentojnë rreth periudhës së cilës duhet t’i përkasë vepra e artit, mbreti hyn në sallon, pasuar nga një plak i pashëm, në krahët e të cilit janë mbështetur dy vasha të freskëta, në lule të moshës e të bukurisë.
Grupi i të sapoardhurve kundron siluetën e harmonishme mbi mermer, brejtur disi nga koha, por poshtë saj mbishkrimi grek është ruajtur në mënyrë të admirueshme. Dhe ja ku mbreti grish autorin e Tablove të natyrës të shpjegojë domethënien e germave.
Z. Humboldt, me krejt hijeshinë e shambellanit, shkon fill e tek njëra nga vashat, duke i kërkuar ndjesë gjithë fisnikëri që kot të përpiqet ai vetë të përkthejë, kur gjendet tanimë përpara një helenisteje të përkryer.
- Ju lutem zonjushë, thotë plaku, ju takon juve ta bëni orakullin të flasë!
Dhe vasha bukuroshe, e emocionuar dhe e skuqur lehtë, zbërthen aty për aty mbishkrimin dhe e komenton, por jo pa e konsideruar më parë tërheqjen e Z. Humboldt si një gjest mirësjelljeje fisnike nga ana e tij.
Frederik-Gijomi i drejton komplimente bukuroshes së huaj, dhe plaku Rosh, i habitur nga tërë ajo freski moshe dhe tërë ajo bukuri, pyet dijetarin se cila është ajo vashë mahnitëse që i bën gurët e mermertë të flasin, dhe që e freskët dhe gjithë nur si një Venus shfaqet po aq e matur dhe e urtë si një Minervë.
Krejt pamja e shfaqur aty më ngjason me një tablo të bukur të një lloji të denjë për lapsin e Mentzelit, artistit të madh gjerman, apo për penelin e Meissonnierit tonë, që na ka lënë një tablo të tillë kur pasqyron Leximin tek Didëroi. Veçse këtë radhë, në skenë do të na shfaqeshin: në plan të parë mbreti dhe i madhi Humbold, që përkulet drejt vajzës së re me një gjest kalorësi të moshuar; më tej, e motra tek i ka kaluar krahun të atit, dhe plaku Rosh që mbyll skenën, duke mbajtur në dorë basorelievin.
Ajo vajzë e re bukuroshe që i bën gurët e mermertë të flasin është Helena Gjika, e njohur ndryshe me emrin princesha Koltzoff-Massalsky pas martese, dhe më e njohur nën pseudonimin letrar Dora d’Istria. Plaku është princi Mikel, i ati i saj, me origjinë nga Epiri, familja e të cilit është vendosur që prej dy shekujsh në Principatat danubiane, dhe që i ka dhënë Valakisë një numër hospodarësh.
Dora d’Istria ka lindur në Bukuresht më 1829; i ati, Princi Mikel, një ndër figurat më të larta të Principatave, ishte vëllai i princit që mbretëronte në atë kohë. Ishte mjaft i zënë me punët e shtetit, por kishte për grua një njohëse të mirë të letrave, princeshën Katerina, që merrej, në zemër të Valakisë, me botimin e Meditimeve* dhe me lëvizjen e gjerë romantike; ajo është gruaja e parë që ka shkruar në gjuhën rumune dhe që ka përkthyer një roman të Znj. Campan.
Më 1841, princi heq dorë nga punët e veta dhe i përkushtohet edukimit të së bijës, e cila nën drejtimin e një dijetari të famshëm, Gregoire Papadopulos, kishte dhënë tashmë prova të një urtësie të rrallë dhe të një dëshire të çuditshme për të mësuar gjithçka e për të njohur gjithçka.
E reja Gjika njeh shumë shpejt Drezden, Vjenën, Venecian, Berlinin, Shën-Petersburgun dhe Moskën. Një ditë, në këtë qytet të fundit, mësuesja e së motrës bie, mes një nate të errët pus, në një hauz të ngrirë.
Më 1849, martohet me princin Koltzoff-Massalsky, njeri gjithë sjellje elegante, që ka lidhje me familjet e para të Perandorisë; kjo martesë do ta thërrasë atë në oborrin e Rusisë, ku jeton për ca kohë mes studimit dhe marrëdhënieve mondane. Mirëpo, ka brenda asaj aristokrateje - asaj vajze të një princi martuar me një princ -, një humanitare, që ndjehet e sikletosur nën peshën e regjimit autokratik të kohës dhe, ashtu si klima shoqërore e Rusisë që nuk i përshtatet aspak asaj mendjeje të lartë, të prirë drejt ideve liberale, edhe klima fizike cenon shëndetin e saj, gjer në atë pikë sa e braktis Rusinë për të kërkuar klimën e Zvicrës. Ndihet më mirë në atë tokë të lirë, ku tërë kombet e botës vijnë e thithin ajrin e lirisë. Aty ajo mediton, shkruan, vë rregull në shënimet që ka mbajtur gjatë udhëtimeve dhe i ndërthur studimet me ekskursione të guximshme. Kësisoj, për herë të parë, ajo bën ngjitjen e malit Moench dhe ngul mbi atë majë të paprekur flamurin e bardhë, të verdhë e të kaltër, ku është qëndisur me germa të arta emri i Valakisë, vendit të saj të dashur. Për dy vjet me radhë jeton mes studimit e meditimit në
Lugano dhe Aaru, duke shkruar librin Zvicra gjermane dhe Liqenet helvetike. Ia vlen të lëçiten ato faqe gjithë elegancë të shkruari, gjithë gjallëri e piktoresk, dhe të dëgjosh drejtpërdrejt çka thonë udhërrëfyesit, tek flasin ende me admirim për atë grua të re të hijshme, e cila duronte, pa u ankuar, lodhjet më të mëdha dhe thurte kurora me trëndafila të egër buzë humnerave të Jung-Fraut.
Vehap Kokalari Ilustrim, Dora d'Istria sipas Charles Yriate, akuarel 2010
Por Greqia, ja ku e thërret: niset për në Pire, viziton Athinën, malin Athos, bën ekskursione të gjata arkeologjike e shkencore, përherë majë kalit, përherë me pisqollën në brez; e shohim të depërtojë në çdo kasolle, diku të bëjë një skicim, diku të marrë një shënim, diku të hetojë një rrënojë; e shohim të zërë vend në vatrën e plakut Kanaris, të gjunjëzohet para varrit të Boçarit dhe, entuziaste për pavarësinë e lirinë, t’u bjerë përgjatë brigjeve të Eurotasit, duke kërkuar mbi dafinat ngjyrë trëndafili që lulëzojnë buzë lumit, gjurmët e gjakut të grave suljote. I qepet Akropolit, ringjall nëpërmjet shtjellimesh të një pene energjike kohët fatlume të Periklesit, dhe përshëndet, tek kalon atyre anëve, Olosonën dhe Kamirën bardhoshe.
Tek lë më në fund Greqinë, zbarkon në Itali në kohën kur ky vend ëndërron për unitet dhe troshitet krejt në emër të pavarësisë. Garibaldi, që ndjek nga larg atë grua burrërore dhe njeh nëpërmjet veprave të saj zjarrminë e aspiratave që ushqen, u jep lajmin patriotëve për mbërritjen e saj me anë të një letre që ka mbetur e famshme. Atje, për një çast, përpihet krejt e tëra nga studimi, dhe e frymëzuar nga pamja e tërë atyre kryeveprave, braktis një hop pendën për të marrë penelin, duke kopjuar gjithë durim mjeshtërit, lexon Vasarin e Wincklemanin dhe dërgon një tablo në Ekspozitën e Shën-Petersburgut.
Por sërish rishfaqet tek ajo letrarja; mbledh shënime pas shënimesh, vëllime pas vëllimesh, hedh poshtë idetë e Prudonit si një ekonomist i tejkaluar nga koha, shqetësohet për Teoritë e fekuendimit, lëçit Manava-Dhrama-Sastrën e brahmanëve të Indisë, ndërkohë që komenton Filozofinë pozitiviste të Komtit.* Është ajo vetë e tëra një enciklopedi e çuditshme; shkruan Ishujt Jonianë dhe Kombësinë rumune në Revue des Deux Mondes, ndërkohë që trajton çështjen e grave në Perëndim në Revue d’Athènes. Edhe nxitimthi, s’arrij dot ta ndjek; krejt vepra e saj përfshin tridhjetë vëllime, dhe e fundit e të gjithave, sipas fjalëve të Deschanelit*, do të mjaftonte për të krijuar famën letrare të një njeriu. Kjo vepër : Për gratë, nga një grua, me një titull modest, është sigurisht një nga veprat madhore të kësaj kohe.
Dora d’Istria, që veç sa i ka përshkuar sallonet parisiane, dhe që më është dukur sikur i largohet ethes sonë që na drobit, është një natyrë e përmasave të gjera dhe komplekse, është intuitë e gjallë dhe asimilon në mënyrë të admirueshme gjithçka të komplikuar. Gjithë sa ka lexuar është nën zotërimin e saj të plotë. Aftësi të tilla që përfshijnë tërë ato degë të larmishme shpjegohen vetëm duke ndjekur me vëmendje fillin e jetës së saj.
Në moshën kur, të ndrojtur e pa ndonjë qëllim të caktuar, rritemi nën përkujdesjen e grarisë, ajo tashmë ka parë, në shkëlqimin e fronit apo në heshtjen e mërgimit, Burbonët e Francës, të Napolit e të Spanjës; ka dëgjuar këshillat e Z. Humbold dhe ka shërbyer si partnere e mbretit të Saksës. Ferdinandi I-rë, perandorja Maria-Ana, perandori i Rusisë dhe mbreti Frederik-Gijomi kanë qenë miqtë e saj të vëmendshëm, dhe pas tërë atij shkëlqimi, ajo shkon e ulet në manastiret e Malit Atos, pranë atyre murgjve tepër të përfolur, që kanë zëvendësuar nëpërmjet një kundrimi të ngeshëm e të zbrazët vetë ëndërrimin e gjallë dhe të frytshëm të paraardhësve të tyre. Sfidon e mposht paragjykimin që u mbyll qenieve të seksit të saj portën e azileve të destinuara vetëm për murgjit e ritit të veçantë, studion jetën e tyre, punët që bëjnë, dobësitë që i karakterizojnë dhe shkon, pas atyre gjysmatarive të heshtura dhe atyre kuvendeve ku mbahen mbyllur pa dobi për shkencën kodikë të mrekullueshëm, nëpër kasollet e Rumelisë. Atje, përsëri lufton paragjykimet murgërore dhe u flet fshatarëve për dashurinë e atdheut dhe të kombit.
Një ditë, mes reve, nuk e di konkretisht se në ç’majë, e bindin Dora d’Istrian të vishet me rroba burri, për t’ia bërë më të lehtë ngjitjen e rrezikshme që po bënte. Ja ku sikletoset për njëfarë kohe, tek ndjehet e ngathët brenda asaj veshjeje të huazuar që aq mirë u shkon ndoca udhëtareve të shquara me fytyrë të nxirë nga dielli, dhe ja ku i rikthehet veshjes femërore.
Noton si lord Bajroni, qëllon me pisqollë në mënyrë të tillë sa çudit edhe vetë shqiptarët; e megjithatë, haset edhe ndonjë përrua në udhën e saj shtegtuese dhe shtigjet jo përherë janë të sigurta; në fund të fundit, lojëra të tilla janë aq të zakonta për vajzat fisnike të vendit të saj, dhe princesha s’ka nevojë të kërkojë kurrfarë ndjese për ndonjë vështirësi të hasur, kur vetë ka shpëtuar tashmë jetë njerëzore nga rreziku.
Një nga tiparet e veçanta të këtij karakteri është ajo maturi që qëndron mes fizikut dhe moralit, dhe që korrigjon e ekuilibron teprinë e studimit apo vetë tiraninë e idesë nëpërmjet lëvizjes dhe jetës së gjallë, fantazisë dhe forcës. Një grua, përkushtuar pareshtur studimeve më të zellshme ia
Më kot kërkoj ndonjë fushë ende të palëvruar, Dora d’Istria ka lexuar gjithçka dhe ka mbajtur shënime për gjithçka; flet me korrektësi nëntë gjuhë dhe i shkruan me elegancë të rrallë. Parisiane si Gavarni, italiane si Belgiojosa, spanjolle si Larra, gjermane si Gëteja, ruse si Pushkini, valake si një Gjika, greke si Boçari apo lord Bajroni, ajo është një prej shembujve më të çuditshëm që mund të ketë një natyrë e pajisur me tërë ato dhunti.
Falë talentit, nuk ka si të mos i falet mirënjohje e lartë natyralizuese nga ana e mjaft vendeve. Gjermania e mban për fëmijën e shtrenjtë të Humboldit të madh, dhe i përcjell një pjesë të asaj ngrohtësie që ajo gjeneronte ndaj atij plaku monumental. Shoqëria ruse nuk harron që ajo është princeshë dhe që ka lidhje të ngushta me të. Italia e re i është mirënjohëse për prirjet e saj liberale dhe që e zgjodhi si atdheun e saj të dytë mes tërë atyre vendeve që e kërkonin. Lakonët, etolët, tek e shihnin të përshkonte malet e tyre me kalë për të gjurmuar mermerët dhe për t’i kërkuar lashtësisë të fshehtat e saj, pandehnin se shihnin tek ajo një bijë të Spartës. Athina e emëron anëtare të Institutit dhe ajo kozmopolite e madhe, që shqetësohet për fatet e popujve e i këndon pareshtur lirisë, bëhet kështu kalorësja që veç shtegton për pavarësinë e të krishterëve të Lindjes, të valakëve dhe helenëve.
Tëra ato dhunti të larmishme, tërë ai personalitet aq i mahnitshëm, tërë ato punime të vijueshme e të shkëlqyeshme, ato dokumentime të pafundme, ato lodhje pa mbarim, ato hulumtime e gjurmime unikale dhe traktate të reja të rizbuluara për historinë e botës, nuk do të kishin pasur kurrfarë çmimi po qe se ajo - që ka bërë tashmë një emër evropian nëpërmjet shkrimeve dhe udhëtimeve të saj -, do kish hequr dorë nga hiret e seksit që përfaqëson dhe do kish shpërfillur atë që përbën vetë lavdinë e saj, po qe se, në brendësi të saj, amazona do kishte vrarë gruan.
Ma ka ënda të ndjej gruan nën ato shpirtra të çelikta, të has një farëz supersticioni e dobësie në atë fushë njohurish të gjera e të larmishme. Ma ka ënda të ruhet krejt hir i saj, por duke u shoqëruar me forcën; dua ta shoh atë ballë të mendueshëm pa u vrenjtur e pa u rrudhur kurrë, dua që andrallat e studimit të mos cenojnë pastërtinë e atyre tipareve, që ndjeshmëria, burim i emocionit, të mos shteret kurrë; që shpirti të mbetet i hapur ndaj tërë trumhasjeve, ndaj tërë përshtypjeve, ndaj tërë tmerreve, por duke ditur fare mirë si t’i sundojë.
Marrë nga libri « Portrete kozmopolite »
Paris, 1870.