E hene, 11.11.2024, 12:51 AM (GMT)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Shqiptari, ky sizif - Fat tragjik në mbijetesë shekullore

E marte, 06.09.2011, 05:05 PM


 

SHQIPTARI, KY SIZIF

 

- Fat tragjik në mbijetesë shekullore -

 

“Çdo herë që Sizifi ngjiste shkëmbin e tij gjer në majë të malit dhe ndalej për t’u ngopur me frymë, duke menduar se i dha fund me aq, çdo herë shkëmbi rrokullisej poshtë në fushë. Kjo është tragjedia e Shqipërisë, katër herë mijëvjeçare”. Kështu e nis librin e tij “Udhërrëfyes për Shqipërinë” studjuesi francez Gilbert Gardes.

 

Nga Fotaq Andrea

 

Në fakt, me qindra faqe mund të shkruhen për tragjizmin shqiptar në shekuj, pjellë e këtij fati sizifian, që gurin e rëndë të historisë në mbijetesën e vetë të paepur, si vetë helikun e besës të Kanunit, e ka mbajtur jo më thjesht mbi supin plagë e kurrizin shoshë, por në radhë të parë në zemër, në pikën e gjakut, në pikën e lotit, në pikën e djersës, derdhur rrëke. Shqiptari, i qëmoçmi dhe i stërmunduari i historisë e i vetvetes, i lënguari në shtratin e Prokrustit ballkanik, shqiptari jeniçer e mish për top, shqiptari me vdekjen në sy dhe jetën në zemër, i lidhur pas kamës, misërikes, qepës e gjizës, shqiptari i bruhahave dhe i duartrokitjeve festive, i lugës bosh e i syrgjynosjes, shqiptari shpuzë e hallin tërkuzë, asnjëherë nuk u ep.

E habitshme : vjen Viktor Berard nga anë e anës dhe sheh shqiptarin “shtatlartë e të çuditshëm” tek kthehet nga pazari me pushkën hedhur supit dhe me rrasën e varrit mbi kurriz. Po, po, me vetë vdekjen mbi supe për së gjalli, i qetë tek i bën shërbimin e duhur vdekjes së vet, asaj vdekjeje që mund t’i vinte në çdo kohë. Gjithçka reale, e parë me sytë e udhëtarit të huaj që më 1897 dhe e përshkruar në mënyrë fotografike :

“Varganë me gomerë trupvegjël ngarkuar me rrogozë e qypa” dhe shqiptarë “me gurë të rëndë varri, lloj shtrati prej mermeri të latuar keq, që i vendosin në varrezat e tyre”. Janë duke u kthyer nga “pazari i varreve (sic) të tregut të Kavajës”. Secili, vijon Berard, senatori dhe filologu i njohur francez, “ka bërë kështu furnizimin e vet vjetor në bazë të llogaritjes se ç’mund t’i ngjasë”.

Dhe, tek përshkon hapësirat e Shqipërisë së Mesme, udhëtarit të huaj i bëjnë përshtypje, ashtu sikurse edhe Zonjës Durham vite më pas, varret në anë të rrugës, çezmat me rubineta të bakërta, rrepet plot hije, luadhet e vegjël gjithë blerim, gratë me perçe e çitjane të kuqe dhe... lejlekët, që endin e përsjellin, pa frikë, mërzinë e tyre të rëndë arave të mbjella.

Një tjetër autor, Hyasinthe Hecquard, konsulli francez në Shkodër në vitet ’50 të shekullit XIX, në veprën e tij “Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme apo i Gegërisë”, jep një këngë të lashtë shqiptare për ngjarje të vitit 1572 titulluar : “Këngë për Ibrahim Pashën e Skutarit”. Ky kapedan nga Peja është i pari pasha shqiptar që Porta e Lartë u detyrua ta njohë të pavarur, pasi udhëhoqi me sukses kryengritjen shqiptare të shekullit XVI. Te kjo këngë, përkthyer në formë proze në italisht, e më pas në frëngjisht, ka një shprehje në gegërisht, të papërkthyer, madje të sqaruar me shënim të posaçëm nga autori frëng : Deka e jets, ose në shqipen letrare: Vdekja e jetës. Është fjala për një nga figuracionet artistike më të përkryera të kësaj kënge të ardhur nga lashtësia me dy fjalë origjinale shqipe. Le të shohim konkretisht kontekstin në të cilën ato janë përdorur :

“Vatani osht n’rrezik; dushmani po na çon bajlozë, por pas tyne janë zinxhir’t që kërkojn’ me na hedhë për me na poshtnue, e manej për me na skllavnue e me na ba raja ; ja ç’dun prej nesh.

“Por, a lypet prej nesh me pritë kori ma shumë pa u kundërshtue e tanë kjo nga vetë Deka e jets ? A duhet me poshtnue emnin e të parëve tanë, pahën e tyne të lashtë, tuj ndenjë të hutu e t’mpimë?”

Vdekja e jetës. Sa figuracion domethënës, ku jeta merr kuptimin më sublim nëpërmjet vdekjes fisnike sipas vetë fjalës së urtë “më mirë të vdesësh me nder sesa të jetosh i turpëruar”! Është një shprehje e popullit që sintetizon thjesht nderin dhe atdhedashurinë, veçse e dhënë me dy fjalë tërësisht në antitezë, ku vdekja shfaqet si bashkudhëtare e ngushtë e jetës, e pandarë për asnjë çast prej saj, madje si udhërrëfyese për lirinë dhe gjithçka të shenjtë të shqiptarit.

Historikisht, në fakt, shqiptari ka qenë i simbolizuar me dyfekun supit, me kama e pisqolla në brez, me kordhë a jatagan varur përgjatë kofshës. “Dyfeku, thotë udhëpërshkruesi Gillaume Lejean, është në njëfarë mënyre pjesë përbërëse e shqiptarit të pavarur”. Ngaqë arma kanë qenë mjeti i tij i shpëtimit, i lirisë dhe i sigurisë së jetës. Por ama, edhe mjeti fatal i asgjësimit dhe i vetasgjësimit. Në kontrast të plotë semiotik, fjalët Deka e jets, krijojnë një simbiozë të rrallë, duke shprehur pikërisht atë gjendje të dyzuar, të themi, edhe jetë, edhe vdekje bashkë, në çdo hap, apo jetë e vdekje përputhur e njëmbinjësuar. Është thjesht gjendja tragjike, sizifiane, e mbijetesës historike të shqiptarit, që i ka kushtuar shumë gjak e therori,  madje edhe pikën e vajit nuk e ka përdorur dhe aq për gatesë, sesa për kandil e dyfek.

Po përmendim këtu disa vargje të një kënge epike të vitit 1824 për Foto Xhavellën, shkëputur nga libri “Këngë heroike” të poetit dhe përkthyesit Jean-Louis Népomucène Lemercier, ku vihet në dukje në mënyrë të përkryer artistike figura e shqiptarit që për “Pasha ka pallën dhe dyfekun vezir” :

 

Bij të maleve, shpejt u dashka zgjedhë : / O nder e luftë, o turp e zgjedhë. / Por Foto trimi, për raja të pamirë,/ Kurrë s’pranoi shpirtin me e  shitë,/Pashë ka pallën, dyfekun vezir.

 

Në dhjetra, qindra shkrime e ilustrime historike, e sheh shqiptarin kudo, në trevat dhe jashtë trevave të tij, në Ballkan, Azi të Vogël, Lindje të Afërt dhe Evropë, veç në luftë e për luftë, përherë të armatosur, përherë me kordhën varur dhe dyfekun legjendar supit. Madje edhe vallen, që nga pirrikja e tij e lashtë, e ka hedhur me shpatë, edhe martesën e ka shoqëruar me fishek në pajë, edhe dasmën e lindjen i ka përshëndetur me të shtëna, edhe Kanunin e ka ligjëruar dhe zbatuar nëpërmjet dyfekut.

Në prag të pavarësisë së vendit, kur kryengritjet shqiptare pasonin njëra-tjetrën dhe Evropa kishte kthyer sytë nga Ballkani e Shqipëria, René Pinon shkruante me penë të fuqishme për të drejtat e shqiptarëve për vetvendosje, duke e portretizuar objektivisht dhe historikisht shqiptarin : “Qoftë vezir i madh në Stamboll, qoftë bari në vetmitë e Pindit, shkruante ai, Skipëtari nuk është veçse një aristokrat, një njeri i lirë, një fisnik... mbret i maleve ; gjahtar, blegtor, ushtar apo cub... ai i bindet vetëm zakoneve të veta dhe ia beson fatin e tij pushkës që mban. Roli i tij historik lidhet ngushtë me natyrën e tij, dhe natyra e tij me atë të vendit ku jeton.”

Le ta shohim konkretisht figurën e shqiptarit sipas disa gravurave të vjetra në fatin e tij tragjik prej Sizifi.

Piktori dhe grafisti anglez Richard Caton Woodeville, i konsideruar si “artist dhe gazetar i rajoneve konfliktuale apo i sheshit të luftës”, ka kaluar dy dekadat e fundit të shekullit XIX në zonën kufitare midis Malit të Zi dhe Shqipërisë Veriore, duke lënë mbi tridhjetë ilustrime në bardhë e zi vetëm me tematikë shqiptare. Kudo në grafikat e tij, sheh të portretizuar shqiptarin në skena të ndryshme të jetës e të luftës, të qytetit dhe fshatit, me historinë, doket dhe zakonet që e karakterizojnë. E sheh që nga skenat e egra të gjakmarrjes dhe të përleshjes trup me trup me armikun, deri në ndërtim urash e fortesash, në përgjim e përbetim për të mbrojtur lirinë me gjak, deri edhe duke kënduar këngë trimash. Kudo shqiptari fatzi i luftës, i sakrificës, i mundit, shqiptari i mbijetesës. E sheh të mbrojë malin, duke zotëruar lartësitë e tyre, duke rrokullisur nga ato lartësi shkëmbenj të tërë, madje edhe vetveten, vetëm e vetëm për të mos lëshuar as edhe një pëllëmbë tokë. E sheh të bërë njësh me atë mal, sup mbi sup të shoshoqit, jetë e vdekje mbishtresëzuar, një kala të vërtetë dibrançe, si për t’i shpënë vetë Perëndisë mesazhin e shenjtë që edhe jetën e jep dhe nuk e ka për gjë, para atdheut të tij të shenjtë. Pikërisht këtë përmbajtje të thellë ka grafika e Woodeville e vitit 1883, botuar në revistën angleze “The Illustradet London News” me titull : “Kryengritje në Shqipërinë e Veriut : Ja si luftohet”.

 

Një tjetër litografi me ngjyra, titulluar “Dasëm shqiptare”, botuar në organin francez “Le Petit Journal » më 26 mars 1892, paraqet një skenë tepër të dhimbshme : se si vetë dasma shqiptare kthehet në luftë, se si kënga dhe gëzimi kthehen në gjak e lotë hidhërimi, se si të shtënat e gazit dhe haresë kthehen në vdekje të mallkuar. Është një tablo ngjethëse, për vetë përmbajtjen e saj tragjike, realizuar me mjeshtëri nga litografi francez H. Mayer.

Tabloja ka gjashtëmbëdhjetë personazhe shqiptarë, të tërë me fustanellë lidhur me brezin e lashtë, ku shihen të ngjeshur kobure e pinjallë. Kryet i kanë të mbuluara me qylafë të kuq dhe po ashtu, janë të mbathur me opinga të kuqe. Dy gra, me çehre e gjeste gjithë lebeti, qëndrojnë në qendër të tablosë. Është fjala për një çast beteje, nga ato më të ashprat, midis shqiptarëve e malazezëve, mbushur me viktima. Pllanga të mëdha gjaku shfaqen përgjatë një shtegu malor tepër të thyer, ku është mbërthyer në vend një karvan martesor shqiptar. Gjak, barot, dhunë, egërsi nga të dyja palët. Malazezët majë një ure - që të kujton « Urën e Djallit » të Bleshenit mbi një ujanë të mallkuar nga ato të Kadaresë -, mes maleve të thepisura, kanë një pozicion më të favorshëm, duke qenë se kanë zënë lartësinë, dhe domosdo janë duke bërë kërdinë në radhët e shqiptarëve. Gjashtë malësorë shqiptarë shfaqen të vrarë a të plagosur, sidomos njëri mes tyre, të cilin plumbi sapo e ka marrë në lule të ballit dhe është duke u këputur në tokë me një « Oh ! » të llahtarshme. Një tjetër malësor i ri, leshragjatë, (ndoshta dhëndri ?) i vendosur në plan të parë, gjendet i vithisur, dhe mban dorën e majtë të gjakosur mbi gjoks, aty ku e ka marrë plumbi i mallkuar.

Nusja, në qendër të tablosë, me ballin stolisur gjithë monedha ari, ia ka dhënë kujës dhe ka mbërthyer kryet me duar tek sheh me sy të shqyer batërdinë e bërë ; ka një qëndrim të tillë të lebetitur, si të thotë : « O gjëmë, o qamet ! » Shoqëruesja e saj shfaqet tepër e shtangur, duke mos ditur ç’të bëjë më parë : t’i ndihë dhëndrit të plagosur, djaloshit të ri para këmbëve të saj, apo të mbajë nusen, që po ikën nga mendtë e kokës? Një tragjizëm i tërë që të ngjeth mishtë !

Sfondi i tablosë është dhënë në një të përhime makabre, tërë maja malesh të larta, hone e gryka, që shfaqen si personazhe hyjesh a perëndish, në një qëndrim hijerëndë para krejt skenës tragjike që shpaloset në sytë e tyre. Vetë perënditë janë të pranishme dhe duken si dëshmitare të kësaj dasme khasapanë me kurbane njerëzore ! Dhe këta kurbanë janë shqiptarët.

Autori i tablosë, në gati dhjetë paragrafë të shkurtër ka dhënë shpjegimin e gravurës, dhe konkretisht : « Dyzet shqiptarë shoqëronin çiftin e ri pas kryerjes së bekimit martesor (ceremonisë në kishë) në një zonë kufitare midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Qeshnin, këndonin, dëfrenin dhe… domosdo hidhnin pushkë nga gëzimi (nuk mund të quhet festë pa hedhur pushkë, nënvizon autori). Po ja që, mjerisht, një plumb nga këto pushkë vete dhe godet në kofshë një murator malazez që ishte duke punuar në ndërtimin e një ure me një grup bashkatdhetarësh. Aq u desh që këtyre t’u hipë gjaku në kokë dhe të rrëmbejnë dyfeqet për të hapur zjarr mbi karvanin shqiptar, duke vrarë e plagosur kështu nëntëmbëdhjetë prej tyre, apo gjysmën e karvanit dasmor ».

Ngjarja është krejt reale, madje pasqyrohet përmes një kënge të ngritur që në atë kohë, jehona e së cilës ka kaptuar male e fusha për t’u bërë burim frymëzimi edhe për vetë autorin francez të tablosë, i cili nuk mungon të përmendë vargun refren të këngës, pikërisht atë varg shoqërues të kobshëm  : Ja, kujt i them dasëm, unë ! (në frëngjisht : V’là c’que j’appelle une noce !) Ky është, shkurtimisht, dramaciteti i veprës dhe njëkohësisht simbolika e saj e fuqishme : edhe vetë dasma për shqiptarin është kthyer në zi e kob dhe kënga në kujë.

 

Një tjetër litografi, po me tematikë shqiptare, botuar më 1910 në organin « Supplément illustré du Petit journal », pasqyron një skenë po aq tronditëse. Titullohet : « Një bir i shtrënguar të vrasë të atin ». E tmerrshme : një togë pushkatarësh “xhonturqë” - po ku, në fakt, një pjesë janë shqiptarë të rekrutuar -, gjatë ekzekutimit të një shqiptari të moshuar mjekërthinjur. Çfarë ka ndodhur ? Në Shkup, thuhet në gazetë, ka plasur një revoltë kundër xhonturqve, dhe një fisnik patriot shqiptar është përfshirë në kryengritje. Arrestohet dhe dënohet me vdekje. Për tragjedinë dhe ironinë më të madhe të fatit, i biri i tij, rekrutuar nga xhonturqit, gjendet në togën e pushkatimit. Dhe u dashka pra të qëllojë mbi atë baba që i ka bërë kokën.

Domosdo, i pafuqishëm për të bërë diçka tjetër, qëllon atëherë në ajër, duke thyer urdhrin. Mirëpo, komandanti i togës, i quajtur Riza Mirza, një palo shqiptar, e arreston përpara kufomës së babait. Lajmi bën bujë, ngrihet në këmbë mileti dhe autoritetet turke detyrohen ta largojnë që andej atë komandant katil. Dhe doemos, krime të tilla, tronditëse, do përbënin subjekt goxha interesant për mediat e etura të kohës, që nuk do mungonin të theksonin : shqiptari i detyruar të vrasë shqiptarin, madje edhe vetë i biri të vrasë të atin, në një kohë kur llogoreve të Evropës at e bir luftonin krah për krah, sikurse vë në dukje një numër i revistës “Illustration” të atyre viteve.

Më 1916, në kulmin e Luftës së parë botërore, gazeta italiane “La Domenica del Corriere”, në numrin e saj të 5-12 nëntorit, boton në faqe të parë një ilustrim me ngjyra të A. Beltrame titulluar : “ I detyruar të ulet në tokë pranë Zarnecit (Zvërnecit?), Shqipëri, kapiteni Ercole i vë flakën avionit dhe vret një agresor”.

Komenti për këtë ilustrim, ngre lart heroizmin e kapitenit pilot Ercole Ercole, i dekoruar nga vetë mbreti italian me medalien e artë të trimërisë, duke përshkruar me hollësi rrethanat në të cilat avioni ishte dëmtuar rëndë në vijën e parë të frontit në territorin shqiptar, dhe kur bashkëpiloti i tij ishte vrarë dhe ai vetë ishte plagosur në krahë. Si arriti të ulë avionin me gjakftohtësi, thuhet në artikull, ai u sulmua nga një “indigeno” (nga një vendas), të cilin “e hoqi qafe duke e vrarë”, dhe pas shumë sakrificash, piloti italian arriti të dalë nga “vija e armikut” dhe të bashkohet me “avangardën tonë mbi Vojusë (Vjosë)”. Ja trimëria e pilotit italian, ja fataliteti i fashatarit vendas shqiptar.

E ndërsa autoritetet italiane të kohës i varnin me të drejtë medaljen e trimërisë pilotit të tyre të guximshëm, dhe mediat e kohës ngrinin lart figurën e tij, “argesori ynë vendas”, i gjori shqiptar, anonimi shqiptar, që luftonte për mbrojtjen e vatanit, do linte kockat në sheshin e luftës, pa u kujtuar ndonjëherë ndonjë “autoritet” të dijë për të, apo të ngrejë lart heroizmin e tij.

Veçse, populli, autoriteti më i fuqishëm i të gjitha kohërave, do dinte mrekullisht ta nderonte dhe kujtonte atë trim patriot, së bashku me shokët e tij të luftës, duke i thurur këngë, e cila do përcillej brez pas brezi :

“Nuk duronet ky zeher, / Më mirë vdekje e me nder, / ... S’ka tabje e istikamë, / Top, vapor e aropllanë, / T’i përgjunjë ata asllanë”...

I tillë ka qenë fati tragjik i shqiptarit, në mbijetesën e tij shumëshekullore, në paepurinë dhe stoicizmin e tij.

Dhe shi për këtë fat tragjik përgjatë historisë së tij shkruar me lotë e gjak, ky popull martir e meriton sot, më shumë se kurrë, një fat më të mirë.

Mbase këtë urim e mesazh e dëgjojnë Perënditë.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora