Speciale
Marjan Sebaj-Sopi: Krishterimi ndër Shqiptarë
E enjte, 06.09.2012, 06:39 PM
KRISHTERIMI
NDËR SHQIPTARË
“Shqiptarët
të parët në Ballkan dhe Europë, të cilët e përqafuan krishterimin, madje që nga
themelimi i tij.”
Nga Marjan Sebaj-SOPI
Ilirët, të
cilët ishin paraardhësit tanë, kishin fatin e madh e të papërsëritshëm, që të
ishin ndër popujt e parë në Ballkan dhe Europë, të cilët e përqafuan
krishterimin, madje që nga themelimi i tij. Mbi këtë të vërtetë historike dhe biblike, na dëshmojnë burime të shumta; Biblike (krhs.Tit
3,12; Rom. 15, 19; 1Sel. 1, 8 etj) pastaj burimet historike. Këto të fundit, në përpikëri pëlqehen me burimet
biblike, siç mund të përmendet shembulli me burimet e shkrimtarit pagan Plinit
të Ri (111-113), të cilat na flasin pikërisht për këtë. Përveç këtyre, kemi
edhe burimet e shkrimtarit të atëhershëm të krishterë Tertulianit (200-206) e
ngjashëm.
Një nga
dëshmitë e mëdha, se në këto hapësira, krishterimi ishte prezent qysh në
shekujt e parë, janë edhe martirizimet që kanë ndodhur në territorin e
Dardanisë (Kosovës së sotme). Si shembull të rëndësishëm, nga shumë
marterizimeve sjellim këtu, martirizimin e Shën Florit dhe Laurit te Ulpiana
(vend afër Prishtinës), të cilët u martirizuan gjatë sundimit të Licitit
(shek.III). Pastaj, një nga dëshmitë e mëdha të pranimit të krishterimit në
hapësirën e Ballkanit tonë, janë edhe burimet e shkruara Kishtare. Në vitin 325 në Nike e dimë se është mbajtur Konçili i
madh Kishtar me prezencë të 318 etërve konçiliar kishtar, në mesin e të cilëve
ishte edhe “Dacus Dardaniae” (Dakusi metropolit i Kosovës) kështu u nënshkrua
në aktet përfundimtare konçiliare. (Shih: Dr.Gaspër Gjini, “Ipeshkvnia Shkup-Prizren gjatë shekujve”, Ks-
Drita, fq. 21-24).
Kështu që,
mund të themi me një siguri të plotë se, Ilirët e pranuan krishterimin, (nën
rreziqe e martirizimeve të mëdha) qysh në tre shekujt e parë dhe atë nga vet
apostujt. Në realitet, kjo ndodhi pikërisht nga Shën Pali dhe nxënësit e tij,
dhe atë vullnetarisht dhe me vetdëshirë, madje edhe pse ishin të vetëdijshëm
për faktin se për këtë do të jenë të përndjekur, martirizuar, dhe të vrarë nga
sundimtarët romak.
Mirëpo, edhe
përkundër faktit se me Ediktin e Milanos të vitit 313 u dha liria fetare, që
kushdo mund të shpall dhe të besoj lirshëm e haptazi fenë (besimin) e vet,
prapëseprapë duket që ky vendim për popujt e këtyre viseve nuk pati asnjë efekt
pozitiv, sepse martirizimi, përndjekjet, vrasjet për shkak të emrit të Jezu
Krishtit, edhe për një kohë të gjatë vazhduan, madje, për fat të keq këto u
përsëritën dhe vazhduan thuajse deri në ditët e sotme.
Pas periudhës
së lavdishme (por të shkurtër) të rritjes, lulëzimit e zhvillimit të
krishterimit në mesin e Ilirëve, si dhe mes popujve fqinjë tjerë, do të pasojë
dyndja e popujve barbar: Ugar, Avar e të tjerë, si dhe në veçanti ardhja e
popujve sllav. Këto dyndje prishën balancet dhe ishte një goditje e rënd për
Ilirët, mirëpo më tepër ishte goditje e rënd në rrafshinë kulturor, ekonomik,
shoqëror, gjuhësor se sa goditje sa i përket anës fetare. (Vep.cit. G.Gjini fq. 72-78).
Dhe pas gjithë këtyre zhvillimeve të hovshme e dramatike, atëherë kur menduam se u stabilizuam pak a shumë, dhe se i erdhi fundi gjithë të këqijave dhe punët do të nisen e drejtohen në të mirë për këtë popull, vijnë tundimet dhe sprovat e reja që do të kenë një ndikim negativ në historinë shqiptare në përgjithësi.
a/ Si u islamizua populli shqiptar
Në fillim të
shekullit XIII dhe XIV Turqit (më vonë Perandoria Osmane) ishin të fortë e
fuqishëm, sikundër në rrafshin ekonomik po ashtu edhe në atë ushtarak. Mirëpo,
me këtë ju zgjeruan pretendimet dhe aspiratat për të marshuar në drejtim të
Europës. Në këtë drejtim, ata u vërsulën me sulme të cilat ishin të shpeshta
dhe të mëdha. Ky ishte një kërcënim i madh, jo vetëm për Shqiptarët, por edhe
për gjithë Europën e krishterë të kohës.
Këtë kërcënim
të madh nacional dhe fetar natyrisht se e hetuan edhe Shqiptarët, kështu që aq
sa ditën dhe mundën u organizuan për t’i rezistuar pushtimit turk. Meritë të
madhe, për këtë organizim, në mbrojtje të identitetit fetar e kombëtar, ka
heroi ynë Gjegj Kastrioti – Skënderbeu (1405-1468). Ky, me një sukses të madh,
me një trimëri të paparë dhe urtësi të madhe arriti t’i bashkoi gjithë
shqiptarët. Dhe kështu, përgjatë 24 viteve do të jetë mbrojtës i Shqiptareve
dhe i mbarë Evropës nga Turqia. Si rezultat i kësaj lufte të paepur dhe
gjigante, me plotë të drejtë Papa Piu II e quajti “Mbrojtës i fesë”.
Mirëpo, pas
vdekjes së tij, ushtria shqiptare pësoi një rënie dhe dukshëm u dobësua. Ishin
këto vite të tmerrshme, kur filloi edhe terrori i paparë mbi popullatën
shqiptare. Fillojnë rrënimet e Kishave dhe objekteve tjera fetare, pëson
populli, ndërkohë që këtij terrori nuk i shpëtoi as Kisha dhe as kleri i saj.
Vriten ipeshkvinjt, meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, me mijëra e mijëra
persekutohen e dëbohen jashtë atdheut (si shembull kemi arbëreshët, të cilët
sot i kemi në Italinë Jugore, pastaj një koloni e madhe në Rumani, Ukrainë e
gjetiu).
Lidhje me
këto persekutime apo edhe gjenocid (atëherë nuk njihej kjo shprehje) shpeshherë
u lajmërua edhe Selia e Shenjtë. Me një rast, Imzot Pjetër Mazreku, ipeshkëv i
Barit, kështu lajmëron Selinë e Shenjtë mbi gjendjen e këtij populli të mjerë
nën pushtimin e sundimit turk. Ai mes tjerash, shkruante kështu; “Populli
shqiptarë është një ndër popujt më të mjerë dhe të harruar (lënë), të braktisur”,
dhe më tutje shpjegon arsyen: “i përndjekur nga Turqit, dhe shizmatikët
(domethënë ortodoksët në të shumtën nga Serbët dhe Grekët).
Edhe përkundër situatës së rëndë dhe kohës së vështirë, që të mos ndodhtee rrënimi (apo edhe zhdukja) plotë e identitetit fetar e kombëtar të popullit shqiptar, doemos duhet falënderuar, pikërisht klerin katolik shqiptar, i cili me jetë, fjalë, shembull (nganjëherë kur e kërkonte nevoja e domosdoshme edhe armë) mbrojtën fenë, gjuhën, traditën, kulturën, me një fjalë mbrojtën popullin shqiptar nga rrënimi i plotë nga perandoria osmane. Ta përkujtojmë si shembull të vetëm Pjetër Bogdanin, Lekë Bogdanin, Mosn. Nikollë Kazazin dhe shumë e shumë të tjerë, të cilët flijuan jetën e tyre për popull. Lidhje me kalimin e popullit shqiptar nga krishterimi në islam rol të madh pati pikërisht ai terror i pashembullt i ushtruar ndaj tij, pra vrasjet, persekutimet, pastaj dënimet e mëdha e të rënda, si dhe tatimet e marramendëse të larta, ku shqiptarët ishin të detyruar t’iu paguajnë Turqve (perandorisë osmane), pastaj kishte kufizime të ndryshme, si dhe haraçi në gjak, etj, etj... Mirëpo, përveç këtyre elemente të përmendura, edhe një ndër shkaqet tjera të kalimit të shqiptarëve në islam, ishte numri i vogël i meshtarëve, domethënë mungesa e tyre. Kështu që populli mbeti sikur delet pa barinj, pra në mëshirën e pamëshirë të gojës së ujqve. “Populli shqiptar u mbrojt siç diti dhe mundi, mirëpo pranë dominimit shumëshekullor turk shumica me dhunë e përqafuan (pranuan) islamizimin, mirëpo fatbardhësisht askurrë nuk u shkëputën tërësisht nga kultura, tradita dhe krishterimi i lashtë dhe i përbashkët Iliro-shqiptar, pra nuk u shkëput nga kultura dhe civilizimi evropian. (Shih; Dr. Lush Gjegji, “Bogoslovska smotra, viti 53. nr. 1-2 Zg. 1993)
b/ Gjendja e shqiptarëve në mes dy luftërave botërore!
Vuajtjet e
shqiptarëve, përgjatë historisë nuk kishin të ndalur. Lirisht themi se edhe
shekulli i kaluar, pra shekulli XX për gjithë neve shqiptarët ishte një shekull
i komplikuar, me plotë vuajtje, dhimbje dhe i mundimshëm, me shumë periudha të
kobshëm. Të cekim këtu vetëm disa fakte: shpërngulja periodike e shqiptarëve
nga trojet e tyre shekullore, shpërngulja e më shumë se 500 mijë veta. Atëbotë
dhunshëm nga ipeshkvnia përndjekjet ipeshkvi Lazër Mjeda (1922)/. Gjatë kësaj
periudhe, mbyllen gjitha shkollat në gjuhën shqipe, haptazi e botërisht
përndjekjet Kisha katolike, vriten tinëzisht fretërit Atë Shtjefen
Gjeçovi-Kryeziu dhe Atë Luigj Palaj (1913). Ndërkaq Ipeshkëv do të emërohet
slloveni Ivan Gnjidovec (1924) e më vonë një kroat nga Bosnjë e Hercegovina, me
emrin Smiljan Franjo Çekada (1940). Gjitha këto fakte, flasin dhe dëshmojnë mbi
diskriminimin, dhunën sistematike mbi popullin shqiptar në Jugosllavinë e
vjetër (Vep.cit. Dr.G.Gjini: fq.
193-195; 200-203).
Edhe pas luftës së Dytë Botërore, për shqiptarët në përgjithësi ishte gjendje e vështirë dhe rrezikshme, me liri të kufizuar dhe me pamundësi për t’u zhvilluar të lirë. Komunizmi ateist sulmon fenë dhe në veçanti Kishën katolike dhe klerin e saj. Kështu, prapë vuajtja e jonë ishte e dyfishtë: si katolik dhe si shqiptar. Gati se të gjithë meshtarët tanë (Don Pjetër Berisha, Don Dedë Ramaj, etj) kalojnë dhe e provojnë Kalvarin e burgjeve, keqtrajtimeve dhe sulmeve të pamëshirshme të regjimit komunist. Kur filloji komunizmi jugosllav të jetë me kohë gjithë e më i “butë” sa i përket lirive fetare, me këtë edhe Ipeshkvnin Shkup-Prizren gradualisht përmirësohej dhe zhvillohej gjithnjë e më shumë.
c/ Gjendja e sotme fetare ndër shqiptar!
Populli shqiptar,
siç e cekëm edhe më lartë, historikisht trashëgoi dy fe: Krishterimin dhe
Myslimanizmin. Krishterimi, po ashtu ndahet në dy Kisha: në atë Katolike dhe
Ortodokse, ndërsa Myslimanizmi (shiit
dhe sunit) ndahet gjithashtu në:
myslimanizëm dhe bektashizëm.
Është fakt se
populli shqiptar është i ndarë në dy fe, mirëpo fatbardhësisht jo edhe i
përçarë. Këtë e dëshmojnë historia e jonë shumëshekullore, por edhe më tepër e
dëshmon e sotmja dhe do ta dëshmoi edhe e ardhmja. Pasi që e dimë se si u
përhapë islamizmi ndër shqiptar, domethënë, kryesisht përmes ushtrisë, e cila
kishte karakter e qëllime pushtuese, ushtarako-ekonomike, politike. Në këtë
mënyrë, e shfrytëzonte fenë si vegël për të sunduar, e shtypur apo diçka të
ngjashme. Në këtë mënyrë dhe “feja e tillë nuk ka zënë vend dhe nuk ka depërtua
thellë” deri në zemrat e njerëzve. Pikërisht edhe për këtë, në popull gjithnjë
ka ekzistuar dhe ende edhe sot “Ndër shqiptar ekziston vetëdija e përkatësisë
së përbashkët kombëtare (nacionale) shqiptare, si dhe fesë së përbashkët të
krishtere me shekuj, si dhe vetëdija e pranimit se më parë, dikur të gjithë
ishim të krishterë, apo siç dëgjojmë sot nga shumë vëllezër tanë mysliman,
“Feja e jonë e moçme” (Shih; Dr.Lush
Gjergji, Cattolici e musulmani nel Kosovo, u:L altra Europa, XVI, 42/236/,
III-IV; 1991 fq. 149-151).
Atëherë duke shikuar dhe kuptuar këtë fakt, nuk është edhe për tu habitur që vëllezërit tanë të konfesionit mysliman me krenari e mburrje e pranojnë ipeshkvin e Ipeshkisë së Kosovës si ipeshkëv të vetin (tyre) dhe po ashtu meshtarët dhe rregulltarët e rregulltaret. Për këta shërbyes të Zotit, ata me kënaqësi thonë: “Ipeshkvi jonë”, “prifti jonë”, apo “motrat tona”, e shprehje të ngjashme.
(Libri; “Migrimi plagë shumëshekullore”, Marjan Sebaj-Sopi, Prishtinë 2012)