E diele, 28.04.2024, 03:21 PM (GMT+1)

Speciale

Marjan Sebaj-Sopi: Laramanizmi si dukuri e mbrojtjes së krishtërimit shqiptar

E marte, 28.08.2012, 07:45 PM


LARAMANIZMI SI DUKURI E MBROJTJES SË KRISHTËRIMIT SHQIPTAR

Mirëpo, kohëve të fundit ka shumë lëvizje në lidhje me këtë, kështu psh. patëm rastin viteve të fundit të shohim psh si ndërtohen Kisha në rrethe të tilla si është rasti i fshatit Kravasari /vend, afër Prizrenit/ dhe Rugovë, ku vet banorët lokalë kërkuan, organizuan dhe me vetkontribut ndërtuan Kishat e tyre mbi themelet e Kishave të vjetra që ekzistonin më parë, e të cilët deklaruan se kemi qenë katolik dhe dëshirojmë që në themelet e atyre Kishave të kemi prapë Kishën e stërgjyshëve tanë.

Nga Marjan Sebaj-Sopi

Jemi njohtuar me procesin e islamizimit të popullit shqiptar /shih.Marjan Sebaj-Sopi; „Krishterimi ndër shqiptar“ tema në ueb faqen e famulliabinqës-diaspora, apo; shih; „Zvornik“ nr.2/29/, 1997/, mirëpo duhet cekur se këtë proces të islamizimit e përcolli edhe një dukuri shumë interesante, e cila një kohë të gjatë u lajmërua dhe qëndroi në hapësirën tonë. Ky ishte i ashtuquajturi laramanizëm. Ky termin vie nga fjala shqipe „i larëm“, që do të thotë; i ngjyrosur me shumë ngjyra, dyftyrësh, kurse në kuptimin bartës do të thotë katolik i fshehtë „cristiano acculto“./ Shih: Fjalori i përbashkët, Prishtinë 1970, 225/.

Nuk mundim as ta paramendojmë se shqiptarët aq lehtë dhe me bindje mohuan fenë, besimin, e etërve të tyre. Por, duhet ditur dhe pasur para sysh, se këtë hap shqiptarët e ndërmorrën në momente dhe rrethana të caktuara, mirëpo zakonisht ky ishte vetëm „karakter deklarativ“ dhe përbëhet vetëm nga ndërrimi, ndyshimi, i emërit dmth nga ai katolik në atë musliman. Kështu duke menduar se vërtetë vetëm po i mashtrojnë sunduesit politik, që në këtë mënyrë t’i ikin pasojave të rënda ose duke menduar të përfitojnë dhe arrijnë deri te ndonjë privilegj në jetën e përditshme të rënd të tyre. Morën emërat musliman, që të paraqiten para turqve kinse janë të nënshtruarit dhe ndjekësit apo edhe adhuruesit e tyre. Mirëpo, me një siguri të madhe mund të themi se vetëdija fetare e këtyre konvertitëve, në fillim ishte shumë e dobët dhe vetëm sipërfaqësore. Por, për zotërit /pushtuesit/ musliman kjo ishte një e arritur, një fitore e madhe duke parë këtë hapë që kanë bërë shqiptarët, pra pranimin /marrjën/ e emërave musliman. Kurse ajo se këta laraman në shtëpitë e tyre edhe më tutje vazhdonin përvojën e mëparshme katolike /të krishtere/, turqit nuk i shqetësonte shumë. Egzistonte edhe kjo dukuri dhe disi si traditë ku psh. vetëm të zotit e shtëpisë si bartës të të gjithavë dëtyrimeve fiskale, ndërmerrnin këtë hap të „kalimit“ në muslimanizëm, kurse antarët tjerë të familjes si gruaja, fëmijtë etj. vazhdonin të jetonin me jetën e tyre të krishterë, katolike.

Dëshmitë e mëvonshme qartë na paraqesin dhe dëshmojnë mbi qëllimin dhe disponimin psihik të këtyre që kalonin /pranonin/ në fenë muslimane. Të cekim se lidhje me këto gjëra mjaftë na flet Pjetër Mazreku /argjiipeshkëv/ vitin 1633, i cili cek se si në Has /vend afër Prizrenit/ si dhe në shumë vende tjera ndaj popullatës së krishterë, katolike, silleshin në mënyrë shumë arrogante, kështu që shkaku i kësaj gjendje shumica apo thuajse të gjithë pranuan fenë muslimane, pra ndërruan fenë, por „duke ndryshuar vetëm emërin, e duke mos patur ndërmend që vërtetë ta mohojnë fenë katolike edhe me zemër“. Lidhje me këtë fenomen na flet mjaftë edhe don Gregor Mazreku, duke cekur shembuj të shumtë nga famullia e tij e më gjerë. Kështu për shembull në Mamushë /vend afër Prizrenit/ jetonin dy katolike. Burri i njërës nga to, përndryshe atëherë musliman i ri /renegat katolik, katolik i dështuar/, gjithnjë lute meshtarin që të shkoj te ai në mënyrë të fshehtë për ta rrëfyer dhe kunguar. Po, raste të ngjajshme na sjell edhe nga fshati Velezhë /vend afër Prizrenit/ duke cekur dukuri të ngjajshme e raste të tilla, të cilët mohuan fenë, besimin, e tyre/“…hano rinegato la fide“/. Thuajse të gjithë ata, dëshmon Pjetër Mazreku, në zemër janë katolik, porse kanë ndërruar vetëm emërat në ata muhamedan sepse më nuk kishin mundësi të paguanin tatimet, haraqet dhe dënimet e rënda, pushtuesve turq. /Shih.Dr.Gaspër Gjini, „Ipeshkvnia shkup-prizren gjatë shekujve“, fq.141-142/.

Vërtetë ata konsideronin, se të gjitha këto do të kalojnë njëherë, kështuqë në kohëra dhe momente më të mira dhe të volitshme prapë do të jenë ata që ishin më parë, pra katolik. Fatkeqësisht kjo mënyrë e fshehjes ngadalë u bë dukuri e rëndomtë nëpër shumë vise, dhe ishte mënyra e vetme për ta ruajtur dhe shpëtuar jetën e zhveshur, mendonte populli i mjerë. Mirëpo, këtë të ashtuquajturin „kalim formal“ në muhamedanizëm, vërtetë këtë rrezik menjëherë e vërejti kleri i atëhershëm, që do të thot Kisha. Por, mungesa e meshtarëve në këto momente të duhura e të nevojshme e bëri të vetën, gjithsesi ata meshtarë që ishin, kuptohet se bërën çmos me ato mundësi dhe fuqi që kishin si dhe mënyra dhe metoda vetëm e vetëm për ta stopuar këtë dukuri të kobshme.

a/ Kisha dhe qëndrimi i saj ndaj laramanëve!

Si gjithnjë, Kisha edhe tash u tregua se është me njerëz, me popull, dhe se dëshiron t’ju ndihmoj atyre e sidomos kur janë në vështirësi. Thënë shpirtërisht ishte shumë vështirë t’ju tregohet e shpjegohet dhe të bindë disa nga ata që, kjo çka janë duke bërë /ata/ vërtetë është si një lloj kanceri i cili dalngadal hynë në trup, organizëm, dhe shkatërron dhe të cilin duhet eliminuar dhe larguar sa më parë si trup të huaj e që nuk duhet lozur me te. Kisha katolike duke parë se kah është duke quar mënyra e tillë e fshehjes i doli në takim /përballë/ një të keqeje të tillë. Mirëpo, rrethanat ishin më të forta se çdo dëshirë dhe tentim. Një nga tentimet e tilla për ta shpëtuar grigjën, popullin, nga rrënimi /apostazia – ramja, ndërrimi i fesë/ ndërmorri argjiipeshkvi i atëhershëm i barit Vink Zmajeviç-i, i cili ftoi konçilin provincial apo mbarë shqiptar, nacional, i cili konçil u mbajtë në vendin e quajtur Mërkinjë, afër Lezhës. Në konçil morrën pjesë të gjithë ipeshvnijtë e shqipërisë, si dhe gjithë prefektët apostolik të gjitha misioneve. Në mesin e të pranishmëve ishte edhe argjipeshkvi i Shkupit Pjetër Karagjiq.

Në konçil u zhvilluan shumë tema të ndijshme, menjëherë në rend të ditës si pikë numër dy ishte pikërisht diskutimi mbi apostatët, dmth rreth besimtarve të Krishtit të cilët nuk mohuan edhe formalisht besimin katolik, por që botërishtë, haptazi, rrëfenin muhamedanizmin gjersa fshehurazi mbajnë krishterizmin. Konçili theksonte që pikërisht përmes fesë /besimit/ duhet të njihen e të dallohen besimtarët nga jobesimtarët katolik. Padyshim se të arriturat dhe vendimet e konçilit ndihmuan shumë në këtë pikëpamje, mirëpo asesi nuk mundën që nga themelet ta zgjidhin këtë pyetje të dhimbëshme. Argjipeshkvnia e Shkupit gjatë sundimit të perandorisë osmane gjithnjë e më shumë ishte në një gjendje të mjerë, mirëpo kulminacioni i mjerimit arriti pikërisht pas arratisjës, ikjës, së argjipeshkvit Mikel Suma-s, dmth pas luftës austro-turke, kështu që pas kësaj vërtetë argjipeshkvnia mbeti në gjendje të mjerueshme. Shumë besimtar u vranë, shumë besimtarë ikën, u arratisën në vende „më të sigurta“ etj. Besimtarët të lënë vet, të vetmuar dhe të braktisur nuk dinin kah t’ia mbanin e si të gjinden. Në këtë gjendje kaotike dhe në aso rrethana gjithë e më shumë rritej numëri i katolikëve të cilët binin nën ndikimin e laramanizmit. Ata ende kërkonin sakramentet e shenjta si dhe gjitha shërbimet e tjera fetaro-shpirtërore, mirëpo vetëm „solo occultemente“ që do të thot vetëm fshehtas. U shtronte pyetja ka shpie e gjithë kjo, dhe se sa kohë do të ketë mundësi të qëndroj një gjendje e tillë.

Duke mos patur mundësi të gjejë ndonjë zgjidhje e si të sillet më tutje e në vazhdimësi ndaj laramanëve, argjipeshkvi Gjon Nikollë Kazazi / i cili më parë kryente dëtyrën e vikarit gjeneral të argjipeshkvnisë/ iu drejtua Atit të vet shpirtërorë dhe udhëheqës Papës shenjtë. Gjithësesi, Roma edhe ashtu qysh më parë ishte e njohutuar me një dukuri të tillë dhe me të arriturat dhe vendimet e konçilit të Parë shqiptar, sepse argjipeshkvi Zmajeviq që të gjitha aktet ia kishte dërguar atëherë Papë Klementit XI /përndryshe ky papë ishte me prejardhje shqiptare. Por, Gjon Nikollë Kazazi edhe vet përsonalisht shkoi në Romë e që iu drejtua papës Benediktit XIV. Me sa sinçeritet dhe seriozitet u kuptua gjendja shihet edhe nga ajo se papa duke parë dhe dëgjuar raportin e argjipeshkvit Kazazi, vetëm katër muaj më vonë Papa lëshoi në letër të veçant e të gjerë apostolike me datën 2. shkurt 1744, ku në 28 paragrafe, jep udhëzime të gjera lidhje me gjitha problemet e rëndësishme të Kishës shqiptare.

Në këtë letër, Papa thotë se ka njohuri çka është kah vuan gjithë këtyre viteve populli - Kisha shqiptare, nën sundimin turk. Duke iu përmbajtur vendimeve të konçilit të Parë shqiptar, Papa lutët për popullin duke shkuar pikë për pikë e duke udhëzuar dhe mësuar klerin a atëherëshem dhe popullin se si të sillet në atë gjendje. Populli lutët që në asnjë mënyrë dhe pamvarrësisht shtypjeve dhe kushteve nuk guxon ta fshehë pranimin e fesë së tyre të krishterë. Më tutje papa jep udhëzime si psh. se nën cilat kushte mund të pagëzohen fëmijtë e atyre katolikëve të fshehtë /kriptokatolikëve/, më pas Papa cakton t’ju ndalohen sakramentet të gjithë atyre femërave katolike e të cilat janë në martesë me musliman etj… Kështu pastaj papa thotë se është dëtyrë, obligim, i ipeshkvit, meshtarëve dhe misionarëve, ti mësojnë dhe t’ju tërheqin vërejtjen kriptokatolikëve, që këta të kthehen në rrugë të drejtë. Me një fjalë Selia e Shenjtë ka marrë qëndrim të prerë ndaj laramanëve: kërkoi që ata të zgjedhin vetëm një rrugë dhe përkatësi të vetme fetare. /Krhs. Dr. G.Gjini, vep.e cit.fq.144/.

Ky qëndrim, ndoshta është tepër i ashpër kur mirren parasysh disponimi psihologjik dhe pozita e katolikëve nën robërinë otomane. Nga dokumentet e më vonëshme shohim një qëndrim më të butë cilën ka marrë Kisha kundër këtyre laramanëve dhe në shumçka iu ndihmoi këtyre njerëzve nga i cili kleri nuk u nda askurrë dhe me të cilët bashkëndjeu fatin e tyre. Mirëpo, jeta vazhdoi. Atëherë kur reformat politike të Selimit III dhe Muhamedit II lidhje me të krishterët morrën karakteristikat më humane dhe të një toke, perandorie, më moderne, vitin 1844 kryengritjet atëherë tronditën shumë pashalluqe mes të cilëve edhe atë të prishtinës, tetovës, shkupit dhe pashallukun e vranjës. Arsyeja ishte mohimi i qytetarëve vendas të hyjnë në nizam /ushtëri e rregulltë perandorake/. Pikërishtë, në këto kohëra dhe rrethana të turbullëta dhe dramatike është krye fati i shumë laramanëve anë a mbarë Kosovës dhe Veriut të Shqipërisë.

b/ Laramanët publikisht /haptazi/ deklarohen katolik!

Pas e gjithë kësaj erdhi koha e shumëpritur që shumë laramanë të deklarohen publikisht se gjithmonë kanë qenë katolik kështu që tashmë edhe publikisht deklarohen katolik. Këtë hapë të parët e morën laramanët nga Gjakova. Mirëpo, për disa pashalluqe sikur nuk vlente po i njejti ligj i Portës mbi praktikimin e rrëfimit të lirë të fesë. Këtë deklarim publik të fesë së tyre me gjak e paguan shumë njerëz e në veçanti laramanët nga pashalluku i Vranjës, të cilët dëgjuan mbi atë liri fetare, kështu ata në mënyrë të organizuar shkuan në Gjilan te pasha ku para tij hapatzi rrefyen dhe deklaruan fenë e tyre katolike të ruajtur në zemrat e tyre si dhe përkatësinë kombëtare shqiptare. Pasha i frikësuar nga kjo dhe i tmerruar në mënyra të ndryshme u mundua t’i bindë e t’i kthej nga vendimet e tyre, dhe duke parë se nuk është në gjendje dhe nuk mund t’i ndërroj qëndrimet dhe vendimet e tyre, si dhe nga frika se tashmë e tërë Kosova e Shqipëria do të rrëfejnë publikisht fenë e tyre shumshekullore, fenë katolike, si dhe përkatësinë kombëtare shqiptare, pasha për t’i frikësuar të tjerët për të mos vepruar kështu, ndërmorri këtë hapë, do të thot urdhëroi; “të gjithë këta njerëz të dërgohen /përsekutohen/ për Anadol, Turqi.

Këta njerëz të shumtit ishin krerët e familjeve shqiptare nga fshatrat Binçë, Stubëll, Vërnakollë dhe Terziaj e të cilët u dërguan në përsekutim. Ky vendim i Pashës, këta burra, trima shqiptar aspak nuk i frikësoi, kështu që në vitin 1846 edhe filloi rruga e kalvarit të këtyre burrave, grave dhe fëmijëve të tyre. Vendimi i tyre ishte i prerë; “të vdesin të gjithë PO për Krishtin dhe kombin shqiptar e të mos jetojnë më si laramanë, kështu që me gëzim pranuan këtë kryq. Këta heroikisht i bartën të gjitha mundimet, vujtjet gjatë rrugës si dhe në Anadol, ku qëndruan të persekutuar në një vend moqalik Muhaliq /Brus-Turqi/ në kushte pa kushte, në sëmundje e maltretime të ndryshme për dy vite rresht. Por, i bartën të gjitha këto duke iu falenderuar në rend të parë Zotit dhe fesë të të parëve të tyre dhe pranë gjithave prapë duke i falur persekutorët e tyre pikërisht me fjalët e Krishtit; O Atë, fali…

Bartën kryqin e rënd me shpresë të madhe në Krishtin se një ditë pranë gjithave prapë do të kthehen në vendlinjen, në atëdheun e tyre të dashur e martir. Dhe në rend të parë falë Zotit, qëndrueshmërisë dhe pathyeshmërisë së tyre si dhe fuqive të mëdha të asaj kohe dmth Francës dhe Anglisë, pikërisht misionarëve të këtyre vendeve që u gjindën aty e këta lajmëruan dhe alarmuan qeveritë e vendeve të tyre nga vinin mbi vuajtjet dhe gjendjen e rëndë të shqiptarëve katolik, të persekutuar në Turqi. Kështu pas gjithavë çka përjetuan, ata që mbetën gjallë fal intervenimit të fuqive të mëdha heroikisht u kthyen në shtëpitë e tyre vitin 1848 tashmë duke falënderuar dhe lavdëruar Zotin haptazi e publikisht si katolik shqiptar./Më gjërësishtë shih; Dr.Gjegj Gjergji-Gashi, “Martirët Shqiptarë gjatë vitit 1846-48/ . Pas gjithë kësaj që ndodhi shumë njerëz dhe fshatra publikisht u deklaruan katolik, që do të thotë pranuan dhe rrëfyen katolicizmin, fenë të cilën gjithmonë e bartën në zemër. Mirëpo edhe sot e asaj dite kemi ende shumë laramanë në Kosovë e gjetiu /Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë Lindore…/ që mbetën laramanë, mirëpo të cilët me zemër janë katolik, mbajnë gjitha traditat katolike ende, kremtojnë festat katolike, dijnë dhe lusin lutje katolike, japin meshë për të vdekurit e tyre…bile edhe ka raste që pagëzojnë fëmijtë e tyre fshehurazi etj…

Arsyeja e tyre që pse sot nuk po deklarohen publikisht katolikë gati se edhe nuk ekziston, mirëpo ata shprehin fakte siç janë psh. sot ata janë të përzier në shumë martesa me muslimanët, pra miqësia e këtu ekziston frika se si do të reagojnë e si do të ndihen ata nëse këta marrin një hapë të tillë, pastaj se është problemi i rrethit ku jetojnë, që do të thotë janë të rrethuar me shqiptarë vëllezër të konfesionit musliman etj…

c/ Duam ta bëjmë publike atë që kemi qenë dhe jemi”

Mirëpo, kohëve të fundit ka shumë lëvizje në lidhje me këtë, kështu psh. patëm rastin viteve të fundit të shohim psh si ndërtohen Kisha në rrethe të tilla si është rasti i fshatit Kravasari /vend, afër Prizrenit/ dhe Rugovë, ku vet banorët lokalë kërkuan, organizuan dhe me vetkontribut ndërtuan Kishat e tyre mbi themelet e Kishave të vjetra që ekzistonin më parë, e të cilët deklaruan se kemi qenë katolik dhe dëshirojmë që në themelet e atyre Kishave të kemi prapë Kishën e stërgjyshëve tanë. Pastaj, patëm përqafimin, aktin e pagëzimit të disa familjeve laramane nga rrethina e Klinës, pikërisht nga fshatrat për rreth si fshati Gurakoc dhe Prigoda e Istogut etj, ku disa familje me gjithë antarët e tyre /21 antarë të familjes Mehaj dhe Maksutaj/ u pagëzuan publikisht në Kishën e shën Gjon Pagëzuesit në Zllakuqan të Klinës me 2008, pastaj këtë hapë ndërmorrën edhe disa familje të Grykës së Llapushnikut legjandar dhe nga Bresalci i Gjilanit, të cilët u pagëzuan vitin 2009 në Kishën e Zonjës Crnagore /32 antarë nga familja Sopi dhe Gashi/ pastaj në Kishën e shna Ndout në Prishtinë për Pashkë vitin 2009 pranuan pagëzimin po ashtu disa të rinjë nga familjet laramane /shih; “forumi katolik”/ etj…ku këto veprime edhe bërën jehonë të madhe në Kosovë. Ata nuk dëshirojnë as ta pranojnë se kanë ndryshuar religjion, sepse veten e konsiderojnë gjithmonë si katolikë “të fjetur”.

Vetë ata deklaruan se ka ardhur koha e që më nuk mund të rrijnë e qëndrojnë si katolik të fshehtë /kriptokatolik/, pra një nga ta, nga familja Sopi, Ismet Sopi deklaroi që; “Erdh momenti për t?i bërë publike ndjenjat tona fetare. Të mos vazhdojmë të jetojmë me ndjenja të ndrydhura. Duam ta bëjmë publike atë që kemi qenë dhe jemi”, dhe më pas vazhdon; “Mundet që brenda një kohe të shkurtër të bëhen 320 apo 3200. Numri prej 32 vetave të konvertuar të mos merret si një shifër se „ja vetëm 32 qenkan katolikë në Llapushnik dhe nuk paska të tjerë? Sopi thotë se numri prej 32 banorëve që janë pagëzuar, nuk e tregon numrin real të banorëve të Llapushnikut që besojnë në Krishtin...

“Ndoshta janë këto ditët e fundit të laramanizmit tradicional që me shekuj ka jetuar në këto pjesë, mirëpo duhet dhe na mbetët të punojmë shumë rreth kësaj” /Krhs. Dr. G.Gjini “Ipeshkvnia Shkup-Prizren gjatë shekujve”, fq. 147./ (rostock’2010).



(Vota: 27 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora